VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 11.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile që i përket:
PADITËS TË K/PADITUR: QANI BAJRAMI, KAMER MUSAI, QEMAL MUSAI, BASHKIM MUSAI, FATMIR MUSAI.
TË PADITUR K/PADITËS: BEXHET ALLKJA, BAFTJAR ALLKJA, RESMIJE LUGA, TAHIR ESHJA, AQIF ALLKJA
TË PADITUR: SABRI LUGA, ARBEN ALLKJA, BASHKIM ALLKJA, ZENEL ALLKJA, BLEDAR LUGA, ALTIN LUGA, LULZIM LUGA, ROGERT LUGA, ALIME LUGA
OBJEKTI PADISË:
Shfuqizimin e shpalljen absolutisht të pavlefshme
të akteve të marrjes së tokës në pronësi
të komisionit të ndarjes së tokës së fshatit Lugaj
në parcelën me nr.kadastral 66 me emrin “Vreshtë”.
Baza Ligjore:Neni 324 e 325 të Kodit të Procedurës Civile.
Neni 92 i Kodit Civil.
Ligji nr.7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën”.
OBJEKTI KUNDËRPADISË:
Detyrimin e të kundër paditurve për të na njohur
pronarë të vetëm të të gjithë parcelës me emrin “Vreshtë”
me nr.kadastral 66, nëpërmjet konstatimit absolutisht të pavlefshme
të akteve të komisionit të tokës me datë 12.05.1993,
në emër të paditësve si dhe në emrin e Qani Bajramit.
Baza Ligjore:Neni 32, 160, 331 të Kodit të Procedurës Civile
Neni 116 e 117 të Kodit të Procedurave Administrative.
Ligji nr.7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr.1506, datë 03.06.2008, ka vendosur:
Rrëzimin e kërkesëpadisë si të pabazuar në prova dhe në ligj.
Pranimin e kundërpadisë.
Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të akteve të marrjes së tokës me nr.66 kadastrale me emërtimin “Vreshtë” në emër të paditësve të kundërpaditur të ndarë nga Komisioni i ndarjes së tokës së fshatit Valas.
Detyrimin e paditësve të kundërpaditur për të njohur të paditurit kundërpaditës si pronar të të gjithë parcelës me nr.66 kadastral me emërtimin “Vreshtë”.
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, ka vendosur:
Ndryshimin e vendimit civil nr.1506, datë 03.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan si më poshtë:
Pranimin e padisë së paditësit Qani Bajrami, Kamer Musai, Qemal Musai, Asllan Musai, Bashkim Musai dhe Fatmir Musai.
Anulimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi në favor të paditurve, kundërpaditës Bexhet Allkja, Baftjar Allkja, Resmije Luga, Tahir Eshja dhe Aqif Allkja për sa i përket disponimit për parcelen nr.66 kadastrale me emërtimin “Vreshtë”.
Rrëzimin e kundërpadisë si të pabazuar në ligj e në prova.
Kundër vendimit nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, të Gjykatës së Apelit Durrës, në bazë të nenit 472, të Kodit të Procedurës Civile, ka paraqitur rekurs pala e paditur si dhe pala e paditur kundërpaditëse, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1506, datë 03.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, duke parashtruar ndër të tjera se:
-
Paditësit nuk legjitimohen për të kërkuar pavlefshmërinë e A.M.T.P-ve në favor të të paditurve dhe palës së paditur kundërpaditëse. Ata nuk kanë ezauruar rrugën administrative të ankimimit fillimisht në Komunë, më pas në Komisionin e Tokës së Qarkut, e më pas në Komisionin e Tokës pranë Ministrisë së Bujqësisë.
-
Në vitin 1993 të paditurit kanë përfituar tokë të cilën e vunë në posedim dhe më pas kanë zaptuar e pushtuar forcërisht tokën tonë. Për këtë çështje ka dhe vendime të Komunës për lirimin e tokës prej tyre.
-
Vendimi gjyqësor i mëparshëm nëpërmjet të cilit është rrëzuar kërkesa për pavlefshmëri regjistrimi në favorin tonë, vërteton se aktet e marrjes së tokës në pronësi prej nesh janë të vlefshme, të dhëna konform ligjit e tërësisht në fuqi.
-
Gjykata e Apelit ka zbatuar gabim ligjin dhe nuk ka mbështetur vendimmarrjen e saj në faktin e provuar se parcela me numër kadastral 66 me emërtimin “Vreshtë” gjendet në fshatin Lugaj.
-
Aktet e paditësve asnjëherë nuk janë regjistruar dhe në lidhje me blerjet e kryera prej tyre të rrënjëve të ullinjve apo pemëve të tjera, këto akte të fundit janë fiktive e të falsifikuara.
-
Vendimi i gjykatës së apelit nuk është dhënë në kushtet e kryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm dhe është rrjedhojë e keqinterpretimit të ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 e vendimeve të Këshillimit të Ministrave, të dala në bazë dhe në zbatim të tij.
-
Gjykata e Apelit ka zgjedhur të mbështesë vendimin e saj në mënyrë të njëanshme vetëm në shkresat e palës paditëse, pa vlerësuar provat që mbështesin pretendimet tona në mënyrë objektive.
-
Arsyetimi i Gjykatës së Apelit është i gabuar dhe në lidhje me ndërtimet e pretenduara si të kryera nga pala paditëse, kur në të vërtetë ekziston vetëm një ndërtim i kryer nga Kamber Musai në vitet 1998-2000, legalizimi i të cilit nuk është miratuar. Për këtë çështje ka pasur edhe një gjykim paralel për lirim dorëzim toke, i cili është pezulluar për shkak të gjyqeve të shumta paralele që ekzistonin.
-
Një sërë dokumentesh të administruara janë të njëanshme, pa vlerë zyrtare dhe për disa prej tyre përmbajtja nuk ka të bëjë me objektin e gjykimit.
-
Ndryshe nga Gjykata e Apelit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor ka kryer një hetim të plotë dhe të gjithanshëm dhe ka zbatuar drejt ligjin material e procedural, ndaj dhe vendimi i gjykatës së rrethit duhet të lihet në fuqi.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Majlinda Andrea; përfaqësuesin e palës së paditur kundërpaditëse dhe palës së paditur Bexhet Allkja, Baftjar Allkja, Resmije Luga, Tahir Eshja, Aqif Allkja, Sabri Luga, Arben Allkja, Bashkim Allkja, Zenel Allkja, Alime Luga, av. Bashkim Merkaj, i cili kërkoi prishjen e vendimit nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1506, datë 03.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan; konstatoi mungesën e palës paditëse Qani Bajrami, Kamer Musai, Qemal Musai, Bashkim Musai, Fatmir Musai, si dhe palës së paditur Rogert Luga, Altin Luga, Lulzim Luga, Bledar Luga; si dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e çështjes
1. Nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore rezulton se paditësit Qani Bajrami dhe të tjerë janë banorë të fshatit Valas, Komuna Papër, Elbasan. Si banorë të këtij fshati ata kanë përfituar tokë bujqësore në bazë të ligjit nr.7501, datë 19.07.1991, “Për Tokën”, e ndarë nga Komisioni i Ndarjes së Tokës Fshatit Valas. Paditësit kanë marrë nga ky komision i ndarjes së tokës fshatit Valas, nga rreth 2000 m2 tokë secili në parcelën me nr.kadastral 66 emërtuar “Vreshtë”, duke iu dhënë dhe aktet përkatëse të marrjes së tokës në pronësi dhe përdorim të datë 12.05.1993.
2. Paditësit janë vënë në posedim të këtyre tokave duke i shfrytëzuar ato për mbjelljen e kulturave bujqësore dhe duke ndërtuar objekte ndihmëse mbi to, sikurse dhe shtëpi. Me përjashtim të paditësit Bashkim Musai, i cili ka regjistruar tokën e tij siç rezulton nga certifikata për vërtetimin e pronësisë datë 05.10.2007 (ku sipërfaqja në A.M.T.P ka figuruar 2000 m2 ndërkohë regjistrimi i kryer është për 4629 m2, pasuria nr.40/15, zona kadastrale 3702 Valas Elbasan), për paditësit e tjerë, këto akte nuk janë depozituar as pranë Komunës dhe as pranë zyrës së kadastrës në Z.A.M.T-në e Këshillit të Qarkut për t`u pasqyruar konform kërkesave të ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 neneve 5-a e 10 të tij të ndryshuara, në regjistrin kadastral (formulari nr.6) dhe nuk janë regjistruar në Z.R.P.P.
3. Në vitin 1999, për tokat bujqësore të kësaj zone, në zbatim të ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën” është ngritur një komision tjetër për ndarjen e tokave në fshatin Lugaj, i cili ka kryer ndarjen e tokave për ish-punonjësit e Ndërmarrjes Bujqësore. Ky komision rezulton të ketë ndarë tokë bujqësore të fshatit Valas, në parcelën me nr.66, me emërtim “Vreshtë”, për të paditurit dhe të paditurit kundër paditës, duke i pajisur edhe me aktet përkatëse të marrjes së tokës në pronësi që mbajnë datat 05.02.2000 dhe 05.03.2000. Këto akte janë deklaruar në zyrën e kadastrës në komunë dhe në Këshillin e Qarkut dhe rezultojnë në formularin nr.6 të kësaj zyre. Po ashtu, këto akte janë regjistruar edhe në Z.R.P.P Elbasan Zona Kadastrale nr.2511, nr.66 me fraksionet përkatëse 1-10, lloji i pasurisë “Vreshtë” me sipërfaqet përkatëse. Të paditurit rezultojnë të mos jenë vënë asnjëherë në posedim të pronës së tyre.
4. Ndërkohë në një proces të mëparshëm gjyqësor, ku pala paditëse ka kundërshtuar regjistrimin e pronësisë në emër të palës së paditur dhe palës së paditur kundër-paditëse, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendimin nr.1847, datë 06.12.2004, ka vendosur rrëzimin e padisë. Ky vendim ka marrë formë të prerë pasi me vendimin nr.299, datë 07.06.2005, Gjykata e Apelit Durrës ka vendosur lënien e tij në fuqi. Me vendimin nr.240, datë 03.03.2006, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit.
4.1. Në këtë vendim është cituar se në bazë të shkresës nr.1217/1, datë 10.01.2003, të Komisionit të Tokës së Qarkut Elbasan, ky komision si organi më i lartë administrativ ka përcaktuar se parcela me numër kadastral 66 i ka takuar komisionit të fshatit Lugaj për ndarje. Po ashtu, janë administruar prova gjatë gjykimit, të cilat shpesh janë edhe kontradiktore ku parcela numër 66 një herë del nën kompetencën e komisionit të fshatit Valas, dhe herë të tjera në komisionin e fshatit Lugaj. Po ashtu, i njëjti kryetar Komune me shkresat 10.11.2002 konfirmon se parcela nr.66 i përket fshatit Valas, ndërsa me shkresën nr.336 prot., datë 26.10.2007 e njëjta parcelë konfirmohet se i përket fshatit Lugaj.
5. Nga akt ekspertimi i datës 05.05.2008, rezulton se tokat e përfituara nga dy palët ndërgjyqëse sipas ligjit nr.7501, datë 19.07.1991 “Për Tokën”, kanë mbivendosje në terren, pra është disponuar e njëjta tokë nga dy komisionet e ndarjes së tokës për fshatin Valas dhe Lugaj. Në këto kushte, pala paditëse i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan me kërkesëpadinë objekt gjykimi.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan me vendimin nr.1506, datë 03.06.2008, ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesëpadisë si të pabazuar në prova dhe në ligj, si dhe pranimin e kundërpadisë...(...)”
6.1. Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan arriti duke arsyetuar (ndër të tjera) se: “....U provua gjyqësisht se organi kompetent i njohur ligjërisht si i tillë për të bërë ndarjen e parcelës me numër kadastral 66 me emërtimin “Vreshtë” bazuar në Ligjin nr.7501, datë 19.07.1991 ka qenë komisioni i ndarjes së tokës e fshatit Lugaj. Ky fakt u provua si i tillë pasi organi më i lartë në hierarkinë e organeve administrative kompetente ligjore për ndarjen e tokave në bazë të ligjit që është Këshilli i Qarkut Elbasan me shkresën nr.1217/1 Prot. Dt. 10.01.2003 ka njohur si organ të vetëm kompetent Komisionin e fshatit Lugaj...(...)...Vendimi nr.1847, datë 06.12.2004, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan i cili ka rrëzuar kërkesë-padinë e paditësve për kundërshtimin e regjistrimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi të të paditurve kundër-paditës dhe të paditurve në Z.R.P.P Elbasan në përmbajtje të tij përcakton faktin e ligjshmërisë së akteve të marrjes së tokës në pronësi në emër të të paditurve dhe të paditurve kundër-paditës dhe të origjinës së tyre. Në kuptim të nenit 451/a të K.Pr.Civile për gjykatën vlen të theksohet fakti se ky vendim ka shqyrtuar në pjesën arsyetuese të tij këto akte dhe i ka çmuar ato të ligjshme...(...)..Referuar konkretisht objektit të saj (shfuqizim dhe deklarim absolutisht të pavlefshëm) dhe bazës ligjore (Neni 92 K.Civil e Nenet 324-325 K.Pr.Civile) konstatohet se nga kjo palë janë konfonduar shkaqet ligjore dhe baza ligjore e kërkesë-padisë. Pra është konfonduar e drejta subjektive e palës paditëse të kundërpaditur me interesin e ligjshëm të saj, kërkesa këto që dallojnë qartë procesin administrativ të shfuqizimit të një akti administrativ (si gjykim i posaçëm) apo konstatimit të pavlefshmërisë absolute të tij, me atë të pavlefshmërisë absolute të një veprimi juridik (si procedurë e zakonshme gjykimi), aq më tepër kur akti që kërkohet të shfuqizohet apo të shpallet absolutisht i pavlefshëm është akt administrativ dhe jo veprim juridik (kontratë)...(...)”
7. Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, ka vendosur: Ndryshimin e vendimit civil nr.1506, datë 03.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan si më poshtë: “Pranimin e padisë, si dhe rrëzimin e kundërpadisë si të pabazuar në ligj e në prova”.
7.1. Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata e Apelit Durrës arriti duke arsyetuar (ndër të tjera) se: “....Aktet e marrjes së tokë në përdorim të lëshuar nga Komisioni i Ndarjes së Tokës së Fshatit Valas janë lëshuar konform ligjit 7501/1991. Ka një sërë provash të administruara nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan që provojnë se komisioni i ndarjes së tokës është legjitimim, ka ndarë një tokë të cilën e ka pasur në kompetencë të saj për ta ndarë, dhe se paditësit janë subjekt përfitues sipas ligjit 7501/1991. Prova më kryesore të administruara nga gjykata mund të veçojmë: (a) Vërtetimi dt.10.11.2002 i Komunës Paper, me të cilën provohet se parcela me nr.kadastral 66 ndodhet në territorin e fshatit Valas dhe ka qenë fond i tokës të këtij fshati. (b) Vërtetim dt.06.03.2007 të lëshuar nga komisionarët e ndarjes së tokës, kryetari dhe përfaqësuesi të pleqësisë dhe fshatit Paper. Me këtë vërtetim provohet ligjshmëria e “akteve të marrjes së tokës në përdorim” të palës paditëse dhe provon paligjshmërinë e “akteve të marrjes së tokës në pronësi” të palës paditur. (c) Vërtetimi i Komunës Papër Elbasan dt.21.02.2007, vërtetimin e Zyrës Urbanistike të Komunës Paper, vërtetim të Ndërmarrjes Bujqësore Cërrik, dt.20.04.1993, vërtetimin e D.R.B.U & Mbrojtjes së Konsumatorëve Elbasan dt. 26.03.2007, leja e ndërtimit të Komunës Paper nr.29 dt.01.11.1994, provojnë se paditësi Bashkim Musai është banor i fshatit Valas, ka përfituar tokë në bazë të ligjit 7501 në parcelën nr.66 që ka qenë tokë për ndarje nga Komisioni i Ndarjes së Tokës Fshatit Valas, ka një banesë të ndërtuar me leje të Zyrës së Urbanistikës me nr.29 dt.01.11.1994, si dhe ka në posedim dhe shfrytëzim në vite kulturë bujqësore “Vreshtë” në atë sipërfaqe toke; (d) Nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Elbasan është lëshuar certifikata për vërtetimin e pronësisë dt.05.10.2007 në emër të paditësit Bashkim Musai....(...)...Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi në favor të palës paditur dhe të paditurve kundërpaditës janë absolutisht të pavlefshme për sa më poshtë: - Toka bujqësore e disponuar në favor të paditësve nga shteti nëpërmjet K.N.T. Fshati Valas nuk mund të disponohet për së dyti nga shteti nëpërmjet Komisionit të Ndarjes së Tokës Fshatit Lugaj. - Parcela nr.66 e cila më pas emërtuar me nr.38 rezulton tokë e fshatit Valas dhe jo fshatit Lugaj. Kjo provuar nga një sërë provash shkresore të administruar në dosje gjyqësore. Komisioni i Ndarjes së Tokës Fshatit Lugaj duke ndarë një tokë bujqësore e cila nuk ka qenë asnjëherë në kompetencë të saj për ta ndarë ka shkelur ligjin 7501/1991. Arsyetimi i gjykatës së shkallës së parë, se aktet e marrjes së tokës në pronësi në favor të paditurve janë shqyrtuar një herë nga gjykata me vendimin nr.1847, datë .06.12.2004 është i gabuar sepse, gjykata në atë çështje ka shqyrtuar aktet e regjistrimit të pronës nga Z.V.R.P.P. Elbasan dhe jo vlefshmërinë e akteve të marrjes së tokës në pronësi të paditurve. Pra nuk jemi përpara rastit të parashikuar nga neni 451/a K.Pr.Civile...(...)”
8. Kundër vendimit nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, të Gjykatës së Apelit Durrës, në bazë të nenit 472, të Kodit të Procedurës Civile, ka paraqitur rekurs pala e paditur si dhe pala e paditur kundërpaditëse, e cila kërkon prishjen e vendimit nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1506, datë 03.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
-
Ligji i zbatueshëm
9. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:
9.1 Neni 14 i K.Pr.Civile: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin”.
9.2 Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
9.3 Neni 29 i K.Pr.Civile: “Gjykata mbështet vendimin në provat e paraqitura nga palët ose nga prokurori, të marra në seancë gjyqësore. Gjykata çmon provat që ndodhen në aktet, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes”.
9.4 Neni 310/II i K.Pr.Civile: “Në pjesën përshkruese-arsyetuese duhet të përmenden: 1) rrethanat e çështjes, ashtu siç janë konstatuar gjatë gjykimit, dhe përfundimet e nxjerra nga gjykata, 2) provat dhe arsyet në të cilat mbështetet vendimi, 3) dispozitat ligjore në të cilat bazohet vendimi”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
10. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve si dhe të vendimeve gjyqësore, arrin në përfundimin se në marrjen e vendimit nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, të Gjykatës së Apelit Durrës nuk janë respektuar dispozitat e ligjit procedural civil, për këtë arsye vendimi kësaj gjykate duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
11. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në rastin konkret vlerëson se, pavarësisht nga formulimi që i është bërë objektit të padisë, shkaku i padisë është i lidhur pazgjidhshmërisht me të drejta pronësie të pretenduara. Padia në shqyrtim ka për shkak të drejtën e pronësisë së pretenduar nga ana e palës paditëse. Nëpërmjet këtij kërkimi pala paditëse kërkon të realizojë në rrugë gjyqësore të drejtën e pronësisë.
12. Në çështjen objekt gjykimi, ka rezultuar nga provat që janë administruar në dosjen gjyqësore dhe që i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor, se të dy palët si pala paditëse e kundërpaditur ashtu edhe pala e paditur kundërpaditëse kanë paraqitur para gjykatës pretendime me të cilat ata mundohen të vërtetojnë qenien pronar, apo posedimin mbi pasurinë përkatëse. Madje në gjykim, pala e paditur, ka paraqitur kundërpadi.
13. Ky Kolegj çmon se në procesin gjyqësor të kësaj natyre, gjykata duhet të zhvillojë një gjykim themeli lidhur me titullin e pronësisë duke ndryshuar apo shfuqizuar titujt e pronësisë, si dhe duke zgjidhur në themel këtë konflikt që është një konflikt pronësie. Në këto gjykime të mundshme nuk mund të përjashtohet parimi fortissima evidence, apo nervus probanti.[1]
14. Kolegji Civil, çmon se konkluzionet e arritura nga Gjykata e Apelit Durrës nuk janë rrjedhojë e një hetimi plotë dhe të gjithanshëm të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, ku nga gjykata nuk janë sqaruar plotësisht rrethanat ligjore që lidhen me vërtetimin se në kompetencën e cilit komision ka qenë ndarja e tokës për parcelën objekt konflikti nr.66 me emërtimin “Vreshtë”. Në dosjen gjyqësore janë administruar akte kontradiktore, të cilat shpesh kanë origjinë të njëjtin organ, apo person nënshkrues dhe i referohen si komisionit të ndarjes së tokës së fshatit Valas, po ashtu edhe atij të fshatit Lugaj.
15. Në të njëjtën kohë, Kolegji Civil konstaton se gjykata e apelit nuk i ka dhënë përgjigje pretendimeve të palës së paditur dhe palës së paditur kundërpaditëse në lidhje me efektin e vendimit gjyqësor nr.1847, datë 06.12.2004, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan. Në mënyrë të veçantë, kjo gjykatë, nuk ka argumntuar në mënyrë të detajuar por vetëm në mënyrë sipërfaqësore nëse, analiza e kryer në pjesën arsyetuese të këtij vendimi ka vlerë ligjore për cështjen objekt rekursi.
15.1. Kolegji Civil thekson se marrja dhe vlerësimi i provave është detyrë e gjykatave të faktit. Megjithatë, Gjykata e Lartë ka detyrimin të vlerësojë nëse procesi gjyqësor i zhvilluar, në tërësinë e tij, përmbush kërkesat e një procesi të rregullt ligjor.
15.2. Në analizë të përmbajtjes së vendimit nr.1847, datë 06.12.2004, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se gjykata ka keqinterpretuar e keq zbatuar dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, që kanë të bëjnë me vendimin gjyqësor, si mjet provues i fakteve konsitutive të së drejtës së pretenduar, si dhe vlerën ligjore (efektin reflektues) të këtij vendimi gjyqësor, i cili ka marrë formë të prerë, në gjykimin konkret.
15.3. Në procesin civil, “gjëja e gjykuar” mbulon jo vetëm kërkimet, por edhe prapësimet e parashtruara, apo që mund dhe duhet të ishin parashtruar për të kundërshtuar faktet konstituive të së drejtës së pretenduar në gjykim nga ana e paditësit apo e të paditurit. Pra autoriteti e fuqia e “gjësë së gjykuar” mbulon përfshin jo vetëm urdhërimet e dispozitivit të vendimit gjyqësor, por dhe vërtetimet e fakteve dhe zbatimin e të drejtës, të përcaktuara në pjesën përshkruese arsyetuese të vendimit (shih vendimin nr.24, datë 12.11.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
15.4. Në vendimin nr.1847, datë 06.12.2004, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe në vendimin nr.1506, datë 03.06.2008, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka një referim ndaj shkresës nr.1217/1 Prot, datë 10.01.2003, e cila ka njohur si organ të vetëm kompetent për ndarjen e tokës objekt konflikti Komisionin e fshatit Lugaj, shkresë kjo e cila pavarësisht referimit në kuadër të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm duhej administruar dhe vlerësuar në raport me të gjitha provave të tjera.
16. Kolegji Civil i Gjykatës së lartë vlerëson se në mbështetje të nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, ky kolegj ka në kompetencë të shqyrtojë problemet që kanë të bëjnë me mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit material e procedural, por pa bërë një rivlerësim të provave në të kundërt me atë që kanë bërë gjykatat e hallkave më të ulëta (shih vendimin nr.17, datë 30.04.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
16.1.Trajtimi dhe aplikimi i drejtë i ligjit në zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje gjyqësore është kompetencë e Gjykatës së Lartë (ajo mund ta bëjë dhe vetë direkt aplikimin e drejtë të ligjit), por për sa kohë ky trajtim ligjor duhet të bëhet në harmoni me provat dhe aktet që ndodhen në dosjen gjyqësore, vlerësohet nga ky Kolegj domosdoshmëria e një hetimi të plotë nga ana e Gjykatës së Apelit Durrës.
17. Sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës duhet të prishet dhe çështja t’i dërgohet për rishqyrtim po asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
17.1. Në rigjykim, Gjykata e Apelit Durrës, në respektim të së drejtave të palëve dhe detyrimeve të tyre që rrjedhin nga procesi gjyqësor civil, ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14) dhe, duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, ta zgjidhë atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16).
17.2. Gjykata t’u bëjë të qartë palëve se është detyrë e secilës prej tyre, që në përputhje me ligjin, të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm e provojnë faktet mbi të cilat bazojnë pretendimet për të drejtat që kërkojnë. Në zgjidhjen e drejtë e ligjore të mosmarrëveshjes, ashtu si palët kanë të drejta, ato kanë dhe detyrime që rrjedhin prej këtij procesi, në format dhe afatet e parashikuara në Kodin e Procedurës Civile (neni 3).
17.3. Në rigjykimin e çështjes Gjykata e Apelit Durrës duhet të sqarojë të gjitha rrethanat që lidhen me ligjin e zbatueshëm dhe që kanë rëndësi për zgjidhjen e drejtë të çështjes. Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të dalin gjatë rigjykimit, do të lejojnë Gjykatën e Apelit Durrës që, në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material, të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive lidhur me zgjidhjen e çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485/c të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.10-2012-199 (112), datë 06.02.2012, të Gjykatës së Apelit Durrës dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 11.11.2015
Nr. 11243-03203-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3844 i Vendimit (473)
Do'stlaringiz bilan baham: |