VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Aleksandër Muskaj Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Mirela Fana Anëtare
në datën 05.11.2015, mori në shqyrtim në seancën gjyqësore çështjen civile nr.11243-00476-00-2013 Regj. Themeltar, që i përket palëve:
PADITËS: MYFTAR MANE, (në mungesë).
I PADITUR: KASTRIOT STANI, (në mungesë).
OBJEKTI:
Pushim cënimi në pronësi dhe mospërsëritjen në të ardhmen.
Ndalimin e punimit dhe shembjen e tij.
Marrje mase provizore për pezullim punimesh.
Baza Ligjore: Nenet 302, 303 të K.Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.471, datë 24.03.2009 ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë së palës paditëse Myftar Mane, ndaj palës së paditur Kastriot Stani me objekt: “Pushim cënim pronësie, mospërsëritje në të ardhmen dhe kërkoj ndalimin punimi dhe shembjen e tij. Marrje mase provizore për pezullim punimesh”, si padi e pabazuar në prova dhe në ligj…”
Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.1071, datë 06.12.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.471, datë 24.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.”
Kundër vendimit nr.1071, datë 06.12.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë ka paraqitur rekurs paditësi Myftar Mane, duke kërkuar ndryshimin e vendimit nr.1071, datë 06.12.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimit civil nr.471 datë, 24.03.2009, të Gjykatës së Rrethi Gjyqësor Fier, duke vendosur pranimin e padisë, për këto shkaqe:
- Vendimi i Gjykatës së Apelit Vlorë është rezultat i zbatimit të gabuar të ligjit procedural nenet 11, 13, 14,16 të K.Pr.C për faktin se Gjykata e Apelit Vlorë në arsyetimin e saj, nuk është mbështetur në ato fakte dhe prova të paraqitura nga pala paditëse, që provonin faktin e pretenduar në padi.
- Në bazë të një vendimi penal të paraqitur nga ana jonë, që mban nr.196 datë 13.07.2009 të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, vendim i cili ka marrë formë të prerë është provuar se:
- I padituri Kastriot Stani ka konsumuar, kryerjen e veprës penale të “Kryerjes së punimeve të ndërtimit pa leje" parashikuar nga neni 15/a te ligjit nr.84 datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” ndryshuar me ligjin nr.9794 datë 23.07.2007.
- Arsyetimi i Gjykatës së Apelit Vlorë se: nuk ka rezultuar se i padituri me veprimet e tij të ketë cënuar në posedimin e tij në gëzimin qetësisht të pronës së paditësit pavarësisht ndërtimit të ri që ka bërë" është alogjik dhe bie në kundërshtim të faktit si të pretenduar, por dhe të provuar. Në bazë të vendimit penal në kundërshtim me arsyetimin e vendimit të Gjykatës civile është provuar se i padituri Kastriot Stani "ka kryer ndërhyrje në banesën e tij në fund të muajit shtator 2008, që ndodhet ngjitur me banesën e paditësit Myftar Mane duke prerë një solet që është e përbashkët dhe ka hapur themelet për të kryer një punim të ri". Po ashtu është një vendim, i cili është në kundërshtim me vetveten. Gjykata në vendim pranon faktin se muri i ndërtuar nga pala e paditur, është ndërtim pa leje dhe që ka bllokuar funksionimin dhe administrimin e pronës së pretenduar nga pala paditëse, por gjatë arsyetimit të saj i referohet faktit se ky mur nuk e pengon paditësin në disponimin e pasurisë së tij.
- Ndërtimi i ri që po kryhet nga i padituri Kastriot Stani nuk ka leje ndërtimi të lëshuar nga organet kompetente dhe për këtë fakt paditësi Myftar Mane ka vënë në dijeni Inspektoratin e Policisë së Ndërtimit.
- Padia e paditësit Myftar Mane është regjistruar si padi civile me nr.141/2268 datë 03.12.2008 dhe ka qenë brenda afatit ligjor që kërkon padia mohuese, por dhe brenda afatit ligjor të padisë me objekt “kallzim i një punimi të ri" .
- Nga ky ndërtim i palës së paditur i cili ka qenë real, pa leje dhe pa marre pëlqimin e palës paditëse, duke patur një ndërtim të përbashkët deri në atë kohë me palën paditëse.
- Ky ndërtim i ka shkaktuar palës paditëse një cenim i cili ka qenë real, si në cenimin e soletës ekzistuese” e cila është çarë nga prerja që i ka bërë i padituri, por paditësit Myftar Mane i ka shkaktuar dhe çarjen e mureve të banesës ekzistuese por dhe lëvizjen e gjithë bazamentit të shtëpisë ekzistuese të palës paditëse.
- Ekspertja e caktuar nga gjykata e faktit ka kryer një Akt ekspertimi që është në kontradiktë me atë çka ka shprehur ajo në Gjykatën e Apelit, duke ju referuar me shumë ndërtimit të paditësit se sa ndërtimit të palës së paditur i cili ka qenë në shkelje të ligjit mbi urbanistiken i provuar dhe me vendimin penal të formës së prere të sipërcituar.
- Objekti i palës paditëse ka qenë i tillë që në fillim të privatizimit dhe kjo ndërtesë ka qenë e tillë atëherë kur është privatizuar, ka shërbyer deri në momentin që i padituri me forcë, ka bërë një ndërtim të kundraligjshëm, që nuk e shpëton procesi i legalizimit, por çka është më e rëndësishmja, ai ka cenuar rendë objektin në pronësi të palës paditëse, ka cenuar rëndë të drejtën e palës paditëse për të disponuar dhe për ta përdorur sendin e tij, ka penguar ndriçimin dhe ajrimin, ka krijuar problem me ujërat të cilat bien në pronën e paditësit, ka krijuar probleme në të gjitha funksionet e tij, siç është lëvizja e tij qetësisht në të gjitha anët e tij, etj.
- Këto gjykata në mënyrën e zgjidhjes së këtij konflikti që është evidente, qëllimisht dhe padrejtësisht, nuk i është referuar për rastin konkret ligjit ne fuqi për urbanistiken e ndërtimeve, distancave që duhet të ruhen nga ndërtimi ekzistues dhe objektit që ndërtohet më vonë dhe që sipas parametrave të këtij ligji, largësia e një objekti nga njeri-tjetri për katet e para është 4 deri në 6 m.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Mirela Fana, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, si diskutoi e analizoi çështjen në tërësi;
V Ë R E N
Rrethanat e Faktit
-
Paditësi Myftar Mane është banor i qytetit të Fierit dhe ka në pronësinë e tij një banesë të ndodhur në Lagjen “Liri Gero”, të përbërë prej dy katesh me sipërfaqe 79 m2. Kjo pronësi rezulton e vërtetuar sipas certifikatës së pronësisë datë 5.07.2007 të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurisë Fier dhe ndodhet në Zonën Kadastrale nr.8532, me nr.4/613-nj, volumi 29, fq.191, sipas kufijve përkatës.
-
I padituri Kastriot Stani me kontratën e shitjes nr.4675 datë 15.09.1997 ka blerë nga babai i tij një banesë, e cila ndodhet në perëndim të banesës së paditësit. Rezulton se në bazë të kontratës së shitblerjes nr.1669 datë 05.09.1997, vëllai i paditësit, Fuat Mane i ka shitur babait të të paditurit File Stanit, banesën pronë të tij.
-
Paditësi Myftar Mane me pretendimin se i padituri po ndërton një banesë 5 katëshe pa leje ndërtimi, duke i shkaktuar atij cënim në disponimin dhe gëzimin e pronës së tij, ka paraqitur kërkesë padi pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, me objekt “Pushim cenimi në pronësi, ndalim të punimeve e shembjen e tyre, marrje mase provizore për pezullimin e punimeve”, në bazë të neneve 302-303 të Kodit Civil, dhe nenit 202/a të Kodit Procedurës Civile.
-
Gjatë gjykimit, pala e paditur ka prapësuar duke pretenduar se paditësi nuk e ka të qartë kërkimin e paditësit në padi, nëse efektivisht ai kërkon cënim në pronësinë e tij apo kallëzim të punimit të ri. Kjo palë prapëson se paditësi e pranon faktin se i padituri është i spostuar në ndërtim 60 cm dhe se muri ndarës i pronave është i përbashkët, kështu nuk ka se si të qëndrojë fakti për të mbështetur padinë mohuese të kërkuar. Sipas palës së paditur, paditësi nuk ka arritur të paraqesë asnjë provë në gjykatë për të provuar dëmin që pretendon.
-
Në përfundim të hetimit gjyqësor, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.471, datë 24.03.2009 ka vendosur rrëzimin e padisë.
-
Në marrjen e këtij vendimi, gjykata ka arsyetuar se: ....”Padia e paditësit në të treja kërkimet e saj është e pa bazuar në prova dhe në ligj pasi në rastin konkret i padituri Kastriot Stani me veprimet e tij konkludente, nuk e ndalon palën paditëse Myftar Mane që të kryejë veprime mbi sendin e tij, pra nuk ka cënim të të drejtës së tij të pronësisë. Gjykata duke u mbështetur edhe në aktin e ekspertimit të kryer prej saj konkludon se i padituri ka ruajtur distancën midis pronave 60cm dhe është brenda pronës së tij, nuk ka cënim edhe përsa i përket rrjedhjes së ujrave dhe dëmtimit të konstruksioneve të banesave. Gjykata e gjen të pabazuar edhe pretendimin tjetër të paditësit të bazuar në nenin 303 të K.Pr.C pasi paditësi nuk arriti të provojë se ishte brenda afatit një vjeçar të këtij kërkimi. Edhe për sa i përket kërkimit të tretë të paditësit rezultoi gjatë gjykimit se punimet nga i padituri kanë përfunduar e në këto kushte pezullimi i tyre nuk ka kuptim…”
-
Mbi ankimin e palës paditëse Myftar Mane, Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.1071, datë 06.12.2012 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.471, datë 24.03.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
-
Në lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, Gjykata e Apelit ka arsyetuar se: “…vendimi i gjykatës së rrethit gjyqësor Fier është i drejtë dhe për rrjedhim duhet të lihet në fuqi. Për sa i përket kërkimit të parë të objektit të padisë “Pushim cenimi në pronësi”, nuk ka rezultuar që i padituri me veprimet e tij të ketë cenuar në posedimin e gëzimin qetësisht të pronës së paditësit, pavarësisht ndërtimit të ri që ka bërë. Gjithashtu lidhur me kalimin e paditësit në pjesën e ndarë të murit të përbashkët të banesave të palëve ndërgjyqëse, mund të zgjidhet, sikundër gjykata e faktit ka arsyetuar në vendimin e saj, me kërkesë padi me tjetër objekt. Përsa i përket kërkimit sipas nenit 303 të Kodit Civil gjykata arsyeton se duhet të përmbushë kriteret ligjore për legjitimitetin aktiv të paditësit për paraqitjen e këtij objekt gjykimi, kohën e fillimit dhe mbarimit të punimit të ri, në tokën e vet apo të dikujt tjetër që i shkakton dëm pronës (së paditësit), mbi të cilin gëzon të drejtat si pronar. Dëmi i shkaktuar palës paditëse, duhet të jetë real apo i mundshëm gjë që paditësi, megjithëse ka patur barrën e provës nuk ka mundur, gjithashtu punët nuk duhet të kenë përfunduar apo të mos ketë kaluar një vit nga dita e fillimit të tyre. Gjatë shqyrtimit gjyqësor i padituri ka pretenduar se punimet kanë filluar që në vitin 2006, ndërkohë që konstatimi i tyre nga ana e Inspektoratit të Ndërtimit, lidhur me ndërtimet e bëra nga i padituri (shtator viti 2008), nuk përcaktojnë periudhën një vjeçare të fillimit të ndërtimeve, apo faktin që ato punime nuk kanë përfunduar… ”
-
Kundër vendimit nr.1071, datë 06.12.2012, të Gjykatës së Apelit Vlorë ka paraqitur rekurs paditësi Myftar Mane, duke kërkuar ndryshimin e vendimit nr.1071, datë 06.12.2012, të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe vendimit civil nr.471, datë 24.03.2009, të Gjykatës së Rrethi Gjyqësor Fier, duke vendosur pranimin e padisë, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
-
Dispozitat e K. Civil në të cilat është parashikuar:
-
Neni 302 i K.Civil: “Pronari ka të drejtë të kërkojë nga cilido që e cenon në pronësinë e tij, por pa u zhveshur nga posedimi, të pushojë cenimin dhe të mos përsërisë këtë në të ardhmen, dhe, kur është rasti të shpërblejë dëmet që mund t’i ketë shkaktuar.”
-
Neni 303 i K.Civil: “Pronari, personi që gëzon një të drejtë tjetër reale ose poseduesi, të cilët kanë arsye të shqetësohen se nga një punim i ri i filluar prej të tjerëve në tokën e tyre ose të tjetërkujt, mund t’i vijë dëm sendit në pronësi ose në posedimin e tij, mund t’i drejtohet gjykatës me kusht që ky punim të mos ketë përfunduar ose të mos ketë kaluar një vit nga fillimi i tij.
Gjykata sipas rastit vendos ndalimin e punimit, shembjen ose pakësimin e tij dhe kur është rasti edhe shpërblimin e dëmit ose rrëzon padinë duke urdhëruar shpërblimin e dëmit kur rezulton se punimi ka qenë ndaluar padrejtësisht.”
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
-
Se rekursi i paraqitur nga pala paditëse Myftar Mane, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që motivojnë cenimin e vendimit nr.1071, datë 06.12.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë, i cili ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.471 datë, 24.03.2009 të Gjykatës së Rrethi Gjyqësor, Fier mbi rrëzimin e kërkesëpadisë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, çmon se vendimi nr.1071 datë 06.12.2012 i Gjykatës së Apelit Vlorë, është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, ç`ka ka passjellë edhe zbatimin e gabuar të ligjit material, e për këtë shkak ai duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit Vlorë.
-
Për çështjen objekt gjykimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, ka vendosur rrëzimin e padisë, me argumentimin se, nuk ka rezultuar që i padituri me veprimet e tij të ketë cenuar në posedimin e gëzimin qetësisht të pronës së paditësit, pavarësisht ndërtimit të ri pa leje që ka bërë. Ndërkohë, edhe pse pranohet që ndërtimi është kryer pa leje nga organet kompetente dhe ka një mur të përbashkët me ndërtimin e paditësit, gjykata konkludon se nuk ka cenim pronësie dhe nuk përmbushen as kushtet e kallëzimit të një punimi të ri, sa kohë që paditësi nuk ka provuar që ky punim të mos ketë përfunduar ose të mos ketë kaluar një vit nga fillimi i tij, në kuptim të nenit 303 të K.Civil.
-
Mbi ankim të palës paditëse, Gjykata e Apelit Vlorë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor, duke u mjaftuar me të njëjtin argumentim. Në vlerësimin e asaj gjykate, nuk kanë rezultuar të provuara kushtet e nevojshme për pranimin e padisë mohuese, si dhe nuk janë plotësuar as kushtet e kallëzimit të një punimi të ri në bazë të nenit 303 të K.Civil, kur ka rezultuar se i padituri ka pretenduar se punimet kanë filluar që në vitin 2006, ndërkohë që konstatimi i tyre nga ana e Inspektoratit të Ndërtimit, lidhur me ndërtimet e bëra nga i padituri në shtator të vitit 2008, nuk përcakton periudhën një vjeçare të fillimit të ndërtimeve, apo faktin që ato punime nuk kanë përfunduar.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Apelit Vlorë, është marrë në mungesë të kryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm dhe në zbatim të gabuar të ligjit material të aplikueshëm, e konkretisht neneve 302 e 303 të K.Civil mbi pushimin e cenimit në pronësi dhe kallëzimin e një punimi të ri.
-
Fillimisht, ky Kolegj vlerëson se nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë, nuk është kryer një hetim i plotë dhe i gjithanshëm në lidhje me momentin e fillimit dhe mbarimit të ndërtimit të palës së paditur, kushtet e këtij ndërtimi dhe faktin nëse ky ndërtim cenon aktualisht, apo potencialisht në të ardhmen paditësin në gëzimin e pronës së tij.
-
Në lidhje me këtë pikë, ky Kolegj çmon se Gjykata e Apelit Vlorë, pavarësisht konstatimit se i padituri ka kryer një ndërtim pa leje, e konkretisht ka kryer ndërhyrje në banesën e tij duke e shndërruar banesën në një banesë 5 katëshe, e cila ndodhet ngjitur me banesën e paditësit Myftar Mane, ka prerë një soletë e cila është e përbashkët me ndërtimin e palës paditëse, si dhe ka hapur themelet për të kryer një punim të ri, ka konkluduar se këto ndërtime nuk pengojnë efektivisht paditësin në gëzimin e pronës së tij dhe as nuk i shkaktojnë një dëm aktual apo potencial kësaj prone.
-
Po ashtu, sikurse ka rezultuar nga hetimi i kryer nga dy gjykatat e faktit, i padituri Kastriot Stani është dënuar me vendimin penal nr.196 datë 13.07.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale të “Kryerjes së punimeve të ndërtimit pa leje ndërtimi" parashikuar nga neni 15/a i ligjit nr.84 datë 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” ndryshuar me ligjin nr.9794 date 23.07.2007, vendim ky i cili i referohet kryerjes së punimeve pa leje të të paditurit në fund të shtatorit të vitit 2008 dhe i cili është administruar gjatë gjykimit të çështjes në gjykatat e faktit.
-
Në lidhje me këtë pikë, Kolegji Civil çmon të theksojë se, pavarësisht se në vendimin e mësipërm penal është konkluduar se punimet kanë nisur në fund të muajit shtator 2008, të dyja gjykatat e faktit kanë argumentuar se bazuar në pretendimin e të paditurit, po këto punime rezultojnë të kenë nisur në vitin 2006. Sa i takon këtij argumentimi, Kolegji Civil çmon të theksojë se, ai mbetet kontradiktor dhe i paplotë, pasi, në një kohë që vlerësimi i rrethanave faktike, sikurse dhe rrethanat që kanë rezultuar të provuara nëpërmjet vendimit penal të administruar në çështjen objekt gjykimi, mbetet atribut ekskluziv i gjykatave të faktit, këto të fundit janë përpara detyrimit ligjor të argumentimit të plotë të fuqisë provuese të akteve që administrojnë gjatë hetimit gjyqësor, apo në alternativë, të argumentimit përkatës të mungesës së kësaj fuqie provuese, me qëllim zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjes objekt gjykimi.
-
Veç sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se në çështjen objekt gjykimi, Gjykata e Apelit Vlorë nuk ka arritur të diferencojë ndërmjet dy kërkimeve të paditësit në kërkesëpadi, e konkretisht pushimit të cenimit në pronësi, dhe kallëzimit të një punimi të ri apo dëmi të mundshëm, sipas parashikimeve respektive të neneve 302 dhe 303 të K.Civil.
-
Në lidhje me sa më sipër, Kolegji Civil çmon të ndalet në analizën e dispozitave të mësipërme mbi padinë mohuese dhe padinë e kallëzimit të një punimi të ri. Konkretisht, padia mohuese (actio negatoria), bazuar në nenin 302 të Kodit Civil, ka për bazë mbrojtjen e së drejtës së pronësisë së pronarit nga cenimi i saj prej personave të tretë, me kusht që pronari të mos ketë humbur posedimin mbi sendin. Në thelb, pronari i sendit mund të ngrejë padinë mohuese kur ai nuk zhvishet nga tagri i posedimit dhe i gëzimit të sendit, por pengohet pjesërisht në ushtrimin e tagrave të tij, duke mos u lejuar që ta gëzojë sendin në mënyrë të plotë e të qetë. Pranimi i padisë mohuese kërkon plotësimin kumulativisht të tre kushteve: (i) vërtetimin nga paditësi se ai është pronar i sendit për të cilin pretendon se po cenohet nga i padituri; (ii) vërtetimin se i padituri nuk ka asnjë të drejtë mbi sendin në pronësi të paditësit dhe (iii) vërtetimin se pavarësisht se paditësi është pronar i sendit, si dhe pavarësisht se i padituri nuk ka asnjë të drejtë mbi këtë send, i padituri me veprimet e tij e cenon paditësin në mënyrë të paligjshme në pronësinë e sendit të tij.
-
Kolegji Civil vlerëson se, në çështjen objekt gjykimi, ndryshe nga analiza e mësipërme, në lidhje me kërkimin e paditësit sipas nenit 302 të K.Civil, Gjykata e Apelit Vlorë, nuk ka arritur të vërtetojë plotësisht nëse gjendemi në rastin e parashikuar nga neni 302 i Kodit Civil, në kushtet kur ajo gjykatë nuk ka arritur të identifikojë qartësisht nëse paditësit i shkaktohet një cenim me natyrë të vazhdueshme në pronësinë e tij, nëse i padituri ka kryer veprime materiale të paligjshme mbi sendin pronë të paditësit apo veprime të tjera që përbëjnë ndërhyrje në ushtrimin e tagrave të pronësisë, si dhe nëse ndodhemi përpara një cenimi aktual, që ekziston në momentin e ngritjes së padisë.
-
Veç sa më sipër, sa i takon padisë për kallëzimin e punimit të ri dhe të një dëmi të mundshëm (operis novi nuntiatio), Kolegji Civil vlerëson se në parim, kjo padi ka natyrë parandaluese dhe siguruese, sepse synon parandalimin apo shmangien e një dëmi a një cenimi të mundshëm që mund të rrjedhë nga një send apo punim i ri, i kryer në tokën e kallëzuesit apo të tjetërkujt, ndaj sendit që përbën objektin e së drejtës së pronësisë, një të drejte tjetër reale apo posedimi. Veprimi i paditësit në mënyrë parandaluese dhe të shpejtë, në raport me ardhjen e dëmit apo me shkeljen e së drejtës së tij, është elementi karakterizues i kësaj padie dhe kjo është arsyeja se përse legjislatori ka parashikuar specifikisht që kjo padi duhet të ushtrohet pa mbaruar vepra, ose pa kaluar një vit nga fillimi i saj.
-
Sikurse evidentohet nga analiza e mësipërme, ndryshimi i padisë së kallëzimit të një punimi të ri apo dëmi të mundshëm, nga padia mohuese, qëndron në faktin se ajo i referohet specifikisht dëmit potencial që mund të vijë, vetëm në rastet e një ndërtimi të ri dhe nevojës për të parandaluar apo kufizuar këtë dëm, nëpërmjet veprimit të shpejtë në kohë të paditësit për këtë qëllim.
-
Në vijim të këtij argumentimi, Kolegji Civil çmon se, mosplotësimi i kushteve të nenit 303 mbi ngritjen e padisë për kallëzimin e një punimi të ri, nuk ndalon a priori mundësinë e plotësimit të kushteve të padisë mohuese, sipas nenit 302 të K.Civil. Sikurse konkludohet dhe nga analiza e mësipërme, është evident fakti se, në një kohë që kundërshtimi gjyqësisht i një punim të ri tej afatit të nenit 303 të K.Civil, passjell rrëzimin e kërkimit për kallëzimin e një punimi të ri, ai sërish mund të përbëjë cenim të pronësisë së paditësit, sa kohë që rezultojnë të plotësuara kriteret e specifikuara në nenin 302 të K.Civil mbi padinë mohuese.
-
Në këto kushte, Kolegji Civil konkludon se, mangësitë në hetimin e kryer nga Gjykata e Apelit Vlorë, e cila pavarësisht se i kishte të gjitha mundësitë e ndreqjes së të metave të gjykimit të kryer në shkallë të parë, nuk ka plotësuar hetimin gjyqësor, si dhe mungesa e identifikimit të duhur të shkakut të padisë dhe e diferencimit ndërmjet dy kërkimeve të paditësit mbi pushimin e cenimit në pronësi dhe kallëzimin e një punimi të ri, kanë passjellë pashmangshmërisht edhe zbatimin e gabuar të ligjit material të aplikueshëm, e konkretisht neneve 302 dhe 303 të K.Civil.
-
Për këto arsye, ky Kolegj çmon se, në rishqyrtim Gjykata e Apelit Vlorë, me qëllim zgjidhjen e drejtë të mosmarrëveshjes objekt gjykimi, në zbatim edhe të përfundimit njësues të Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.3 datë 29.03.2012, të identifikojë drejt shkakun e padisë, nëpërmjet shqyrtimit në tërësi të kërkesëpadisë, duke bërë lidhjen ndërmjet fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave, që ai pretendon se i janë cenuar.
-
Po ashtu, Gjykata e Apelit Vlorë në rishqrytim, duhet të përsërisë pjesërisht hetimin gjyqësor dhe të bazojë argumentimin e saj ligjor, mbi faktet që rezultojnë të provuara nga kryerja e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, duke diferencuar ndërmjet padisë për pushimin e cenimit në pronësi dhe padisë për kallëzimin e një punimi të ri dhe dëmi të mundshëm.
-
Për këtë qëllim, Gjykata e Apelit, në zbatim të nenit 224/a të K.Pr.Civile, qoftë edhe kryesisht, duhet të kërkojë dhënien e mendimit të specializuar nga ekspertë të fushës, me qëllim saktësimin e periudhës së kryerjes së ndërtimit nga ana e palës së paditur, fillimit dhe mbarimit të këtij punimi në raport me datën e paraqitjes së padisë nga pala paditëse, kushteve të këtij ndërtimi, si dhe faktit nëse paditësit i shkaktohet një cenim real në ushtrimin e së drejtës së tij të pronësisë, për shkak të ndërtimit të kryer nga ana e palës së paditur.
-
Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të dalin gjatë rishqyrtimit, do ta lejojnë gjykatën e apelit, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material, garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile), cilësimit të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 i K.Pr.Civile), të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e konfliktit ndërmjet palëve ndërgjyqëse.
-
Për gjithë sa më sipër, Kolegji Civil çmon se vendimi nr.1071, datë 06.12.2012, i Gjykatës së Apelit Vlorë, është marrë në kushtet e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, ç`ka ka pasjellë dhe zbatimin e gabuar të ligjit material të aplikueshëm, ndaj për këtë shkak ai duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në Nenin 485/c të K.Pr.Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1071, datë 06.12.2012 të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim, në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 31001-00976-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3843 i Vendimit (472)
Do'stlaringiz bilan baham: |