VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej :
Aleksandër Muskaj Kryesues
Mirela Fana Anëtare
Admir Thanza Anëtar
në datën 12.11.2015 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë :
PADITËS: ADRIAN TARTARI, (në mungesë).
I PADITUR: STEFANOS STEFANIDIS, (në mungesë),
OBJEKTI:
Detyrimi i të paditurit të përmbushë detyrimin monetar,
të marrë përsipër me deklaratën noteriale nr.1366/364, datë 30.01.2007,
të hartuar nga noteri Robert Koli duke paguar shumën prej 50.000 Euro.
Detyrimi i të paditurit të paguaje kamatë vonesat për detyrimin
e marrë me deklaratën noteriale nr.1366/364, dt.30.01.2007,
të hartuar nga noteri Robert Koli, duke filluar në mënyrë progresive
me këstet e papaguara që nga muaji Shkurt 2007,
deri në ditën e shlyerjes së detyrimit
ne vlerën e llogaritur paraprakisht prej 6.667 Euro.
Baza Ligjore: Nenet 476, 698, 450 e 486 të K.Civil.
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.3004, datë 18.04.2011, ka vendosur:
“Rrëzimin e kërkesë – padisë.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të paditësit”.
Gjykata e Apelit Tiranë me vendim nr.713, datë 29.03.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.3004, datë 18.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”
Kundër këtyre vendimeve ka ushtruar rekurs paditësi Adriatik Tartari, duke kërkuar:“Ndryshimin e vendimit nr.3004, datë 18.04.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të vendimit nr.713, datë 29.03.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pranimin e padisë.”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; në mungesë të palëve pjesëmarrëse; si shqyrtoi në tërësi çështjen,
V Ё R E N
Se, vendimi nr.713, datë 29.03.2012, i Gjykatës së Apelit Tiranë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit material e procedural civil e si i tillë do të prishet dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në po këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.
I. RRETHANAT E FAKTIT
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon:
-
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se: pala paditëse Adrian Tartari dhe pala e paditur Stefanos Stefanidis kanë qenë ortakë të Shoqërisë “H.A.S. Construction” sh.p.k. e regjistruar si person juridik me Vendimin nr.33792, datë 12.07.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Sipas ekstraktit historik të regjistrimit të kësaj shoqërie lëshuar me datë 11.03.2010 nga QKR. rezulton se pjesëmarrja e ortakëve në shoqëri ka qenë: paditësi Adrian Tartari me 45% dhe i padituri Stefanos Stefanidis me 55% të kapitalit. I padituri ka qenë dhe është njëkohësisht dhe përfaqësuesi ligjor i shoqërisë.
-
Me Deklaratën Noteriale nr.1366 Rep., nr.364 Kol., dt.31.01.2007, të hartuar pranë noterit Robert Koli, i padituri Stefanos Stefanidis ka deklaruar se:“... me rastin e blerjes së kuotave nga z.Adrian Tartari, i detyrohem atij shumën prej 50.000 (pesëdhjetëmijë) euro të cilat do t’i shlyej brenda gjashtë muajve duke paguar çdo fund muaji shumën prej 8334 (tetëmijë e treqindetridhjetë e katër) euro”. Kjo deklaratë është nënshkruar nga të dy palët ndërgjyqëse.
-
Në të njëjtën ditë më datë 31.01.2007 është marrë Vendimi i Asamblesë së Jashtëzakonshme të Ortakëve të Shoqërisë “H.A.S. Construction” sh.p.k. me të cilin është vendosur që të lejohet paditësi Adrian Tartari të largohet nga shoqëria duke i shitur kuotat e tij në masën 45%, nga të cilat 30% të kuotave ia shet të paditurit Stefanos Stefanidis, ndërsa 15% të kuotave ia shet një personi tjetër z.Nikoll Tafa. Gjithashtu, në pikën 2 të këtij vendimi është vendosur depozitimi pranë regjistrit tregtar. Ky vendim është noteruar pranë të njëjtit noter me nr.1367 rep., datë 31.01.2007.
-
Vendimi sa më sipër është pasuar me Kontratë Shitje Kuotash me nr.1368 Rep. nr.365 Kol., datë 31.01.2007, të hartuar pranë noterit Robert Koli, në të cilën pasqyrohet shitja e kuotave të paditësit Adrian Tartari prej 45%=7650 euro, nga ku 30% të kuotave ia shet të paditurit Stefanos Stefanidis, ndërsa 15% të kuotave ia shet z.Nikoll Tafa. Në kontratë citohet se z.Stefanos Stefanidis dhe z.Nikoll Tafa pranojnë blerjen e këtyre kuotave duke marrë përsipër të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga kjo shitje, duke e cliruar z. Adrian Tartari nga të gjitha obligimet dhe detyrimet kontraktore në marrëdhënie me të tretët, shtetin, personat juridikë dhe fizikë.
-
Gjithashtu, në kontratë citohet se me nënshkrimin e kësaj kontrate paditësi Adrian Tartari humbet pronësinë mbi kuotat e Shoqërisë “H.A.S. Construction” sh.p.k. dhe pronarë të vetëm të tyre bëhen Stefanos Stefanidis me 80% të kuotave dhe Nikoll Tafa me 15% të kuotave të kapitalit themeltar. Kjo kontratë është nënshkruar rregullisht nga palët dhe rezulton e regjistruar pranë Zyrës së Regjistrit Tregtar me vendimin nr.33792/2, datë 09.02.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
-
Pala paditëse Adrian Tartari me pretendimin se nga pala e paditur nuk është zbatuar detyrimi i marrë përsipër me anë të Deklaratën Noteriale nr.1366 Rep., nr.364 Kol., datë 31.01.2007, pasi ky detyrim nuk është shfuqizuar me veprimet e tjera juridike që kanë kryer palët për shitjen e kuotave dhe sidomos me Kontratë Shitje Kuotash me nr.1368 Rep. nr.365 Kol., datë 31.01.2007, i është drejtuar gjykatës me kërkesë padinë objekt gjykimi.
II. PROCEDURAT GJYQËSORE.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.3004, datë 18.04.2011 ka vendosur: “Rrëzimin e kërkesë – padisë.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të paditësit”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendim nr.713, datë 29.03.2012 ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.3004, datë 18.04.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ”.
-
Kundër këtyre vendime ka ushtruar rekurs paditësi Adriatik Tartari, duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit nr.3004, datë 18.04.2011 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe të vendimit nr.713, datë 29.03.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe pranimin e padisë”. Në shkaqet e rekursit veçohen:
-
Vendimeve e gjykatave kanë paragjykuar çështjen duke marrë si të mbështetura vetëm pretendimet e pabazuara të palës së paditur pa ju referuar për asnjë moment asaj sa rezultoi e provuar nga kuadri i provave gjatë hetimit gjyqësor.
-
Vendimet që kundërshtojmë kanë zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin në kuptim të gërmës “a” të nenit 472 të Kodit të procedurës Civile duke interpretuar në mënyrë të shtrembëruar dhe të njëanshme provat e administruara në dosjen gjyqësore në kuptim të gërmës “c” të po kësaj dispozite, dhe shkelur rëndë parime procedurale që kanë të bëjnë me detyrimin e gjykatës për të mbështetur vendimin përfundimtar në provat të sjella nga palët gjatë gjykimit dhe argumente ligjore.
-
Nga përmbajtja e vendimeve që kundërshtojmë rezulton se argumenti në të cilin mbështetet disponimi për rrëzimin e padisë nga gjykatat, është konkluzioni absurd i arritur nga kjo se: meqenëse nga renditja në regjistrin e akteve noteriale kontrata e shitblerjes së kuotave të kapitalit themeltar nr.1368 Rep. 365 Kol është regjistruar pas deklaratës noteriale nr.1366 Rep. 364 Kol, edhe pse këto akte janë hartuar të njëjtën ditë e para të njëjtit noter, hartimi në kohë të mëpasme i kësaj bën që deklarata në të cilën paditësi mbështet kërkimin e tij t’i ketë humbur efektet e veta pasi, citojmë: “...gjithçka që ka përshkruar kjo deklaratë në përmbajtjen e saj, është përcaktuar qartë në përmbajtjen e Kontratës së Shitjes së Kuotave”.
-
Në deklaratën noteriale nr.1366 Rep. 364 Kol. dt. 31 Janar 2007 të hartuar nga noteri Robert Koli, që ka rregulluar një nga elementët e marrëdhënies së shitjes objekt gjykimi, çmimi i shitjes së kuotave të kapitalit themeltar është përcaktuar në vlerën prej 50’000 € (pesëdhjetë mijë Euro).
-
Argumentimi i të dy gjykatave, sipas të cilit deklarata e sipër përshkruar është shfuqizuar me hartimin e kontratës së shit-blerjes së kuotave të kapitalit themeltar nr.1368 Rep. 365 Kol. dt. 31 Janar 2007, është absurd dhe krejtësisht i pa bazuar në vullnetin e palëve.
-
Madje të dy gjykatat kanë konstatuar faktin që rezulton qartë edhe nga përmbajtja dhe ekstremitetet identifikuese të akteve noteriale, se të dy këto akte janë hartuar njëri pas tjetrit në të njëjtën kohë dhe para të njëjtit noter, dhe për më tepër as në aktin noterial të kontratës e as në ndonjë akt tjetër palët nuk janë shprehur për shfuqizim të vullnetit të shprehur më parë në deklaratën noteriale të sipërcituar.
-
Për më tepër dhe ndryshe nga sa kanë konkluduar gjykatat, hartimi i deklaratës për përcaktimin e detyrimit të pagesës në të njëjtën ditë dhe para të njëjtit noter me datën e hartimit të kontratës së shit-blerjes së kuotave nga njëra anë, si dhe shprehja e drejtpërdrejtë në deklaratën e sipërcituar për “rastin e blerjes së kuotave” nga ana tjetër, duke vlerësuar zakonet e kohës për sa i përket mënyrës së transaksioneve në kontratat e shitblerjes të asaj kohe, nuk le asnjë dyshim për faktin se deklarata në fjalë është pjesë e pandarë e marrëdhënies kontraktore të shit-blerjes, pikërisht për përcaktimin e çmimit dhe mënyrës së pagesës elemente këto thelbësore në marrëdhënien juridike të shit-blerjes.
-
Në këtë këndvështrim, vlen të theksojmë që këtu se për natyrën e marrëdhënies juridike, objekt gjykimi, dhe kushtet formale të rregullimit të saj, anullimi i deklaratës noteriale në të cilën përcaktohej çmimi i shitjes, siç supozojnë gjykatat, do të bënte që kësaj shit-blerje t’i mungonte çmimi dhe për pasojë elementi i shpërblimit, duke cënuar rëndë vlefshmërinë e saj në interpretim të neneve 663, 677, 705 e vijues dhe 730 e vijues të Kodit Civil që sanksionojnë domosdoshmërinë e elementit pagesë në kontratën e shit-blerjes.
-
E pra Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin që kundërshtojmë, në vend që të zgjidhte mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, siç kërkon neni 16 i Kodit të Procedurës Civile, pa u shprehur për pavlefshmëri apo shkaqe që e sjellin këtë, ka konsideruar të shuar detyrimin e deklaratës noteriale duke komplikuar dhe më shumë marrëdhëniet tashmë mjaft konfliktuale ndërmjet palëve, ndërkohë që Gjykata e Apelit në vendimin e saj është dakord me këtë argumentim absurd dhe shprehet se “… me te drejtë analizon gjykata e shkallës së parë, lidhja e kontratës së shitjes së aksioneve pas deklaratës noteriale, duke përcaktuar të tjera kushte për këtë transaksion, përfshirë edhe çmimin e shitjes, reflekton një vullnet te ri të palëve kontraktuese i cili ka revokuar vullnetin e shprehur me parë …” .
-
Përsërisim se për vetë mënyrën e konceptimit të dispozitave në kontratën noteriale në të cilën të dy gjykatat konkludojnë se janë rregulluar të gjithë elementët e marrëdhënies, rezulton qartë se në këtë akt vullneti palët me qëllim kanë ometuar shprehjen e çmimit, duke përshkruar vetëm vlerën kontabël të pjesëve të kapitalit themeltar objekt marrëdhënie juridike (madje edhe atë në mënyrë të gabuar siç u konstatua nga ekspertja).
-
Në respektim të plotë të lirisë kontraktore dhe shprehjes së vullnetit në marrëdhëniet juridike, përcaktimi i çmimit dhe mënyrës së pagesës për transaksionin objekt marrëveshje nuk kishte asnjë detyrim ligjor pse të kufizohej me vlerën kontabël të pjesëve të kapitalit themeltar, pasi në marrëdhëniet juridike të kësaj natyre në pjesën dërrmuese të rasteve çmimi real i shitjes është shumë larg me vlerën kontabël të sendit objekt kontrate.
-
Siç ka rezultuar qartë nga përmbajtja dhe ekstremitetet identifikuese të akteve noteriale, Deklaratës Noteriale dhe Kontratës së Shitjes së Kuotave që të dy këta janë hartuar njëri pas tjetrit në të njëjtën kohë dhe para të njëjtit noter, dhe për më tepër as në aktin noterial të kontratës e as në ndonjë akt tjetër palët nuk janë shprehur për shfuqizim të vullnetit të shprehur më parë në deklaratën noteriale të sipërcituar.
-
Për më tepër hartimi i deklaratës për përcaktimin e detyrimit të pagesës në të njëjtën ditë dhe para të njëjtit noter me datën e hartimit të kontratës së shit-blerjes së kuotave nga njëra anë, si dhe shprehja e drejtpërdrejtë në deklaratën e sipërcituar për “rastin e blerjes së kuotave” nga ana tjetër, duke vlerësuar zakonet e kohës për sa i përket mënyrës së transaktimeve në kontratat e shitblerjes të asaj kohe, nuk le asnjë dyshim për faktin se deklarata në fjalë është pjesë e pandarë e marrëdhënies kontraktore të shit-blerjes, pikërisht për përcaktimin e çmimit dhe mënyrave të pagesës elemente këto thelbësore në marrëdhënien juridike të shit-blerjes.
-
Gjatë gjykimit në shkallë të parë si dhe gjatë shpjegimeve përpara Gjykatës së Apelit u konstatua dhe u pranua pa asnjë vërejtje edhe nga vetë pala e paditur se megjithëse tashmë kanë kaluar më shumë se pesë vjet nga koha e përcaktuar për kryerjen e pagesës së këstit të parë dhe më shumë se katër vjet e gjysëm nga koha e përcaktuar për pagesën e këstit të fundit, si dhe pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të paditësit për përmbushjen e detyrimit të pranuar nga i padituri në deklaratën noteriale të sipërcituar, i padituri nuk ka kryer asnjë nga pagesat e kësteve të çmimit.
-
Fakti që i padituri dhe për pasojë edhe gjykatat nuk kanë sjellë asnjë argument të vlefshëm për të kundërshtuar kushtet e marrëdhënies të përcaktuara në deklaratën noteriale nr.1366 Rep. 364 Kol., datë 31 Janar 2007 dhe kontratën nr.1368 Rep. 365 Kol. të po kësaj date të hartuara nga noteri Robert Koli, bëjnë që kërkimet e paditësit për përmbushjen gjyqësisht të detyrimit të pagesës të jenë plotësisht të mbështetura në prova dhe në ligj.
-
Duke rrëzuar padinë me të cilën shitësi kërkonte t’i paguhej çmimi i shitjes, gjykatat kanë përligjur veprimet e palës së paditur për mospërmbushjen e detyrimit kontraktor të pagesës së çmimit në marrëdhënien e shit-blerjes, duke e favorizuar hapur me vendimet gjyqësore këtë palë në trajtimin e marrëdhënies juridike që i ishte paraqitur për shqyrtim, pa dhënë për këtë asnjë argument ligjor.
-
Për të përfunduar këtu përsërisim se nga dokumentacioni i administruar si provë në dosjen gjyqësore rezulton qartë se i padituri Stefanos Stefanidis me deklaratën noteriale nr.1366 Rep. 364 Kol. datë 31 Janar 2007 ka marrë përsipër detyrimin të paguajë një vlerë prej 50’000 € (pesëdhjetë mijë Euro) si çmim për blerjen e kuotave të kapitalit themeltar të shoqërisë “H.A.S. Construction” shpk, që i ka fituar me kontratën nr.1368 Rep. 365 Kol. të po kësaj date dhe ndryshe nga sa është konceptuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë në paragrafin e parafundit të argumentimit të nuk ka patur veprim juridik “të parë” ose “të dytë” ndërmjet palëve, për shitjen në të cilin të përcaktohej “sërisht” vlera e kuotave objekt gjykimi ndaj me vendimin gjyqësor që kundërshtojmë në mënyrë absurde paditësit i është mohuar e drejta për të marrë çmimin e shitjes për të cilin palët kishin rënë dakord ndërmjet tyre.
-
Përfundojmë duke theksuar se për vetë mënyrën e sjelljes në përmbushjen e detyrimit të pagesës së çmimit dhe vonesën krejtësisht të pajustifikuar, i padituri në mbështetje të neneve 450, 476 dhe 486 të Kodit Civil është plotësisht i legjitimuar të kërkojë nga i padituri në vonesë edhe shpërblimin e dëmit të ardhur nga vonesa sipas përllogaritjeve në aktin e ekspertimit të hartuar gjatë gjykimit.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin nr.3004, datë 18.04.2011 ndër të tjera ka arsyetuar se: “... (omissis) …detyrimet ndërmjet palëve ndërgjyqëse lidhur me shitjen e kuotave të paditësit tek i padituri janë përcaktuar me Kontratën e Shitjes së Kuotave me nr.1368 Rep. nr.365 Kol., dt.31.01.2007, e cila është hartuar më pas, në të njëjtën ditë pranë të njëjtit noter. Gjykata vëren se duke iu referuar numrave të repertorit dhe koleksionit të regjistrit të noterit, rezulton e provuar se Kontrata dhe Vendimi i Asamblesë së Jashtëzakonshme të Ortakëve të Shoqërisë “H.A.S. Construction” sh.p.k. janë hartuar pas Deklaratës Noteriale objekt gjykimi. Në kushtet kur këto dy akte të shoqërisë që:- tregojnë posaçërisht shitjen e kuotave të paditësit pjesërisht tek i padituri dhe pjesërisht tek një person i tretë, - janë hartuar e nënshkruar rregullisht konform ligjit, - kanë përcaktuar qartë vlerën në total të kuotave prej 45%=7650 euro të kapitalit themeltar të shoqërisë që i përkisnin paditësit, - janë regjistruar me vendim Gjykate pranë organit kompetent që regjistronte veprimtarinë e shoqërive tregtare sipas ligjit në fuqi të kohës së kryerjes së veprimit juridik, - kanë sjellë pasojat përkatëse juridike të shprehura në këto akte, dhe për më tepër,- janë hartuar e nënshkruar në një kohë të mëpasshme nga Deklarata Noteriale nr.1366 Rep., nr.364 Kol., datë 31.01.2007,...Gjykata vëren se kjo deklaratë i ka humbur efektet e veta, pasi gjithçka që ka përshkruar kjo deklaratë në përmbajtjen e saj, është përcaktuar qartë në përmbajtjen e Kontratës së Shitjes së Kuotave. Vlefshmëria e kësaj kontrate është vlerësuar me vendim gjyqësor dhe ka sjellë dhe efektet e veta juridike me regjistrimet përkatëse. Kjo kontratë përmban në mënyrë të qartë vlerën e kuotave të paditësit e cila është e ndryshme nga ajo e deklaratës noteriale e nënshkruar para kontratës. Paditësi nuk e ka kontestuar as më parë e as në këtë gjykim përmbajtjen e Kontratës së Shitjes së Kuotave në të cilën, pas deklaratës noteriale, është përcaktuar sërish vlera e kuotave që ai zotëronte në kapitalin e shoqërisë. Kontrata është nënshkruar rregullisht nga i padituri. ...Në kushtet kur veprimi i dytë juridik i nënshkruar nga të njëjtat palë dhe për të njëjtën ngjarje, ndonëse nuk shprehet konkretisht, ka ndryshuar tërësisht të dhënat e të parit, ky i fundit e humbet automatikisht vlefshmërinë e tij...”.
-
Gjykata e Apelit Tiranë me vendim nr.713, datë 29.03.2012 ndër të tjera ka arsyetuar se: “... (omissis) … Kështu, si me të drejtë analizon gjykata e shkallës së parë, lidhja e kontratës së shitjes së aksioneve pas deklaratës noteriale, duke përcaktuar të tjera kushte për këtë transaksion, përfshirë edhe çmimin e shitjes, reflekton një vullnet të ri të palëve kontraktuese i cili ka revokuar vullnetin e shprehur më parë. Po kështu, kontrata e shitjes së kuotave, është pikërisht veprimi juridik për kryerjen e këtij transaksioni dhe si e tillë është kjo kontratë që është regjistruar në QKR. Veç sa më sipër, si në vendimin e ortakëve që lejon paditësin të shesë kuotat, ashtu edhe në kontratën për shitjen e tyre, palë blerëse është edhe shtetasi Nikoll Tafa, i cili realisht është bërë ortak me 15 % të kuotave, pjesë të cilën dhe e ka regjistruar. Ndërkohë, në deklaratën noteriale të të paditurit nuk rezulton që një pjesë të kuotave të paditësit të blihen nga Nikoll Tafa. Nga ana tjetër, gjykata e shkallës së parë ka urdhëruar në atë gjykim edhe kryerjen e një akti ekspertimi kontabël. Referuar këtij akti, rezulton se ndërkohë që aktualisht shoqëria është në likuidim, ajo rezulton se që nga viti 2005 kur u themelua dhe në vazhdim në vitet 2006 e 2007, ka qenë një shoqëri me humbje. Ky fakt si më sipër, përputhet me pretendimet e të paditurit në këtë proces, se shoqëria nuk ka kryer asnjëherë ndonjë aktivitet. Ajo do të realizonte një ndërtim në qytetin e Elbasanit, ndërtim që nuk u krye dhe në këto kushte nuk u morën asnjëherë fitime nga kjo shoqëri...”.
IV. NË LIDHJE ME REKURSIN E USHTRUAR.
-
Rekursi i paraqitur nga paditësi Adriatik Tartari, përmban shkaqe ligjore që motivojnë cenimin e vendimit nr.713, datë 29.03.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, nga ana e gjykatës së Apelit është bërë një hetim gjyqësor i pamjaftueshëm, në lidhje me përcaktimin e çmimit të shitjes së kuotave, të kapitalit themeltar.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se, hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Duke qënë të tilla, në gjykimin në shkallë të parë dhe në apel nuk ka asnjë pengesë, madje është detyrim, që gjykata të lejojë palët të paraqesin kërkimet e prapësimet, provat ku i mbështetin ato dhe të arrijnë në përfundimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes, duke çmuar e vlerësuar provat sipas ligjit që është i zbatueshëm për gjykatën.
-
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedurial nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulëta.
-
Gjykata e Lartë nuk mund të përsërisë vetë tërësisht a pjesërisht hetimin gjyqësor, për shkakun e thjeshtë se, duke qënë vetëm gjykatë ligji, nuk i lejohet të marrë prova të reja apo të lejojë palët të debatojnë mbi provat, duke hetuar e çmuar ndryshe provat e debatuara në gjykimin në apel e shkallë të parë (vendimi nr.160, datë 06.04.2010 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).
-
Ligj nr.7638, datë 19.11.1992 Për Shoqëritë Tregtare, i cili ka qenë edhe ligji i zbatueshëm në kohën e lidhjes së kontratës së tjetërsimit të kuotave, nuk parashikonte ndonjë rregullim të posaçëm në lidhje me mënyrës e tjetërsimit të kuotave të shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar përpos detyrimit që akti i tjetërsimit të ishte i vërtetuar te noteri. Në nenin 45 të tij përcaktohej: “...Transferimet e pjesëve të kapitalit themeltar duhet të vërtetohen me një akt noterial…”.
-
Në nenin 49 të ligjit parashikohej, transferimi i pjesëve ndërmjet ortakëve duke përcaktuar se, pjesët e kapitalit janë lirisht të transferueshme ndërmjet ortakëve, dhe nëse statuti përmban klauzola që kufizojnë transferimin, në këtë rast do të zbatohet i njëjti parashikim si në rastin e transferimit të pjesëve të kapitalit tek personat e tretë 1. Në rrethanat e çështjes konkrete nuk vërehen elementë të cilët, pengojnë transferimin lirisht të kuotave ndërmjet ortakëve.
-
Në nenin 47 të ligjit parashikoheshin rregullat e zbatueshme në lidhje me transferimin tek të tretët.2 Në lidhje me mënyrën e vlerësimit në rastin e transferimit3 ligji parashikonte se në rastin kur mes palëve, mungonte dakordësia në lidhje me vlerën e tyre, caktimi i vlerës, do të bëhej përmes një eksperti. Ndonëse kjo dispozitë në radhë të parë ka pasur si synim të rregullojë situatën në të cilën ende nuk është nënshkruar kontrata mes palëve kontrata për tjetërsimin e kuotave, shërben si një bazë ligjore e arsyeshme për tu përdorur edhe në rast se marrëveshja lind pas nënshkrimit të kontratës.
-
Një nga mënyrat e transferimit të kuotave është edhe shitblerja e kuotave, ligji “Për Shoqëritë Tregtare” i vitit 1992 nuk parashikonte rregullim të posaçëm në lidhje me mënyrën e shitblerjes së kuotave dhe as në lidhje me elementët e përmbajtjes së kësaj kontrate.
-
Në kushtet kur ligji “Për Shoqëritë Tregtare”, nuk përcaktonte kritere të veçanta mbeten të zbatueshme rregullat e përgjithshme të përcaktuara në Kodin Civil në lidhje me elementët e kontratës së shitblerjes.
-
Një nga elementët thelbësor i domosdoshëm i kontratës së shitblerjes së kuotave është edhe çmimi, i cili duhet të jetë i përcaktuar ose i përcaktueshëm.
-
Kolegji Civil çmon të japë disa konsiderata të përgjithshme, në lidhje me kuptimin e termit kuotë, si dhe mënyrën e përcaktimit të vlerës së saj.
-
Termi kuotë, është emërtimi që përdor ligji për të evidentuar çdo kontribut të ortakëve, në kapitalin e një shoqërie. Ky kontribut ka vlerë ekonomike dhe kjo vlerë shprehet në para. Është e nevojshme të bëhet dallimi midis vlerës së kapitalit themeltar të shoqërisë dhe pasurisë së shoqërisë (kapitalet e veta).
-
Vlera që i atribuohet të gjitha kontributeve të ortakëve, përbën kapitalin themeltar të shoqërisë, kapital që duhet të dallohet nga kapitalet e veta të shoqërisë. Me kapitale të veta do të kuptohet gjithë pasuria e shoqërisë që krijohet gjatë aktivitetit të saj. Pasuria e shoqërisë ose kapitalet e veta kanë si karakteristikë faktin që ndryshojnë vazhdimisht, rriten nëse shoqëria është me fitim, dhe zvogëlohen nëse shoqëria është me humbje, ndërsa kapitali themeltar nuk ndryshon përveçse në rastet e parashikuara me ligj ose në statut kur procedohet me rritje ose zvogëlimin e tij.
-
Sa më sipër, vlera e kuotës mund të përcaktohet duke marrë në konsideratë disa elementë, vlera e kuotës sipas kapitalit themeltar, ose vlera e tregut ose vlera kontabël sipas bilanceve.
-
Sidoqoftë duhet theksuar se, vlera e kuotës është e ndryshme nga çmimi i shitjes së kuotave. Çmimi i shitjes së kuotave, përbën vlerën monetare për të cilën palët kanë rënë dakord që të mund të kryhet tjetërsimi i kuotave, çmimi përcaktohet nga palët me vullnetin e tyre të lirë. Çmimi është i përcaktuar ose i përcaktueshëm. Në rrethanat e çështjes konkrete kur mes palëve nuk ka dakordësi, në lidhje me çmimin për tjetërsimin e kuotave, dhe kontrata e shitjes së kuotave nuk e përmban këtë element, gjykatat e faktit duhet të kishin hetuar në lidhje me këtë element duke marrë pikësëpari për bazë vullnetin kontraktor të palëve.
-
Kontrata përmban vlerën e kuotave sipas kapitalit të regjistruar të shoqërisë, e cila jo domosdoshmërisht përkon me vlerën e kuotave, sidoqoftë kjo kontratë nuk përmban çmimin për tjetërsimin e kuotave.
-
Sa më sipër, Vendimi Gjykatës së Apelit nuk është rrjedhojë e “një hetimi gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin” (nenin 14 të K.Pr.Civile). Nga ana e gjykatës së apelit nuk i është dhënë përgjigje pretendimeve të palëve, në një analizë të plotë dhe objektive të provave (neni 126 i K.Pr.Civile), duke e zgjidhur “mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj” (neni 16 i K.Pr.Civile), për aq sa nga gjykatat nuk është hetuar lidhur me përcaktimin e çmimit të shitjes së kuotave. Element ky që i mungon kontratës së shitjes së kuotave të përpiluar nga palët.
-
Nga sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin që, detyrë e gjykatës gjatë rigjykimit të çështjes është të hetojë në lidhje me vullnetin e vërtetë kontraktor të palëve, duke hetuar në lidhje me përcaktimin e çmimit të shitjes së kuotave.
-
Në rekursin e palës paditëse ngrihen edhe pretendime që lidhen me zgjidhjen në themel të çështjes, për të cilat, në rigjykim, duhet të shprehet në mënyrë ezauruese gjykata e apelit, duke çmuar ajo vetë mbi nevojën dhe shkallën e përsëritjes së hetimit gjyqësor në funksion të dhënies përgjigje mbi shkaqet që ngrihen në ankimin e palës paditëse.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, bazuar në përcaktimet e nenit 485, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.713, datë 29.03.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 12.11.2015
Nr.11243-03103-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr.00 - 2015 - 4055 i Vendimit (480)
Do'stlaringiz bilan baham: |