VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 11.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.1243-03223-00-2015, që u përket palëve:
PADITËSA: MONIKA FARKA, në mungesë,
ANILA GJEKA, në mungesë,
GENC DAJA, në mungesë,
TË PADITUR: ROBERT SHKËMBI, në mungesë,
HELIDON SHKËMBI, në mungesë,
MARSELA KOVAÇI, në mungesë,
FATBARDHA ZANA, në mungesë,
OBJEKTI I PADISË:
Detyrimi i të paditurve Robert dhe Helidon Shkëmbi
t’u paguajnë paditësve vlerën për përdorimin e sendit
për sip.137,4 m2, vlerën 17 500 lekë në muaj
nga data e ngritjes së kërkesëpadisë.
Detyrimi i të paditurës Fatbardha Zana t’u paguajë paditësve
vlerën për përdorimin e sendit për sip.249,5 m2
vlerën 15 000 lekë në muaj nga data e ngritjes së kërkesëpadisë .
Detyrimi i të paditurës Marsela Kovaci t’u paguajë paditësve
vlerën për përdorimin e sendit për sip 6.6 m2
vlerën 150 lekë në muaj nga data e ngritjes së kërkesëpadisë .
Baza Ligjore: Neni 296 e vijues i K.Civil,
neni 32/a, 153 e vijues i K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.s’ka, datë 22.06.2015, ka vendosur:
Mospranimin e kërkesës së të paditurve Elidon dhe Robert Shkëmbi mbi nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksioni gjyqësor si të pambështetur ne ligj .
Kundër vendimit lejohet ankim i veçantë sipas ligjit në Gjykatën e Lartë.
Kundër këtij vendimi, ka ushtruar ankim të veçantë me datë 22.06.2015, pala e paditur Robert Shkëmbi etj., të cilët kërkojnë, prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor për këto shkaqe:
-
Në lidhje me çështjen gjyqësore pretendojmë se kjo çështje i takon ta zgjidhë administrativisht ALUIZNI, i cili ka kompetencë që të shpronësojë pronarët, të legalizojë ndërtuesit pa leje, dhe të shpërblejë pronarët për vlerën e pronës së tyre.
-
Vetëm pas përfundimit të procedurës së ALUIZNI-t, paditësit mund të ngrejë padinë e rivendikimit apo të shpërblimit të sendit.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË,
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Admir Thanza; në mungesë të palëve ndërgjyqëse; si dhe pasi diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
I. Rrethanat e çështjes.
1. Paditësit e këtij gjykimi janë trashëgimtare ligjore te te ndjerit ish pronarit Hamit Daja, të cilit me vendimin nr.54, dt.26.05.1995, të KKKPronave të Rajonit nr.3 Tiranë, i është njohur dhe kthyer pronësia mbi nje sërë pasurish të paluajtshme kryesisht në kategorinë “troje”, të ndodhura në Allias Tiranë.
2. Mbi bazën e këtij vendimi, paditësit Monika Farka, Anila Gjeka dhe Genc Daja janë bashkëpronare edhe te pasurisë së paluajtëshme truall me sip 1363,7m2 me nr.6/459 e ndodhur ne zonën kadastrale 8120 në Tiranë.
3. Kjo rezulton edhe nga vërtetimi nga dokumenti hipotekor dt.10.04.2013, i administruar në dosjen gjyqësore. Sipas përshkrimit të këtij vërtetimi rezulton se në bashkëpronësi të paditësve (me raporte ideale te përcaktuara 4/10 Monika Farka dhe nga 3/10 secili nga paditësit Anila Gjeka dhe Genc Daja ) është e regjistruar trualli i lirë me sip. 5000 m2 siç përcaktohet në gentplan, një truall i zënë me kioska me sip 120 m2, një truall i zënë me ndërtesa private një dhe dy kate pronarët e të cilave duhet të paguajnë qiranë e truallit ose ta blejnë nga pronarët e truallit.
4. Të paditurit janë posedues të kësaj sipërfaqe ku sipas aktit të ekspertimit të përgatitur gjatë gjykimit ka rezultuar se, të paditurit Robert dhe Helidon Shkëmbi posedojnë sipërfaqen prej 107,4 m2, sipërfaqe e cila i shërben si anë funksionale ndërtimit që ata kanë kryer, e paditura Fatbardha Zana posedon sip. 249,5 m2 e zënë me ndërtim banese + magazinë, ndërsa e paditura Marsela Kovaçi posedon sipërfaqen prej 6,6 m2 truall + ndërtim në funksion të njësisë tregtare bar-kafe.
5. Me padinë objekt gjykimi (objekt i saktësuar nga paditësit pas përfundimit të diskutimit të aktit të ekspertimit teknik) kërkohet të detyrohen respektivisht të paditurit të paguajnë vlerë për përdorimin e sipërfaqeve të poseduara respektivisht nga të paditurit në referencë të nenit 297 e vijues të K.Civil.
6. Në seancën gjyqësore të dt.22.06.2015, përfaqësuesi i të paditurve Helidon dhe Robert Shkëmbi i kërkoi gjykatës të shpallë mungesën e juridiksionit gjyqësor në zgjidhjen e çështjes në kushtet kur kërkimet i përkasin juridiksionit administrativ dhe çështja duhet të dërgohet për shqyrtim në degën përkatëse vendore të ALUIZNIT Tiranë. Para Gjykatës u shtruar pretendimi se kjo çështje i përket juridiksionit administrativ të ALUIZNI-it, e cila sipas kësaj pale ka administruar vite më parë se të ngrihej kërkesëpadia pjesën e ndërtimit që kanë kryer të paditurit. Sipas kësaj pale i përket pikërisht ALUIZNIT të akordojë vlerën e pasurisë që ju përket paditësve nga legalizimi i ndërtimit që prek pasurinë e paditësve.
7. Pala paditëse ka kundërshtuar kërkesën për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit pasi sipas saj nisja e procedurave për legalizimin e ndërtimeve që kanë bere e paditurit nuk e kufizon pronarin e sendit dhe nuk e përjashton detyrimin e te paditurve për të paguar për përdorimin e sendit në reference te nenit 298 të K.Civil.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.s’ka, datë 22.06.2015 ka vendosur:
Mospranimin e kërkesës së të paditurve Elidon dhe Robert Shkëmbi mbi nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksioni gjyqësor si të pambështetur në ligj .
Kundër vendimit lejohet ankim i veçantë sipas ligjit në Gjykatën e Lartë.
9. Gjykata në këtë vendim ka arsyetuar se: “...omissis... Gjykata konstaton se nga tërësia e provave te administruara deri në këtë fazë të gjykimit të çështjes por edhe nga akti i ekspertimit nuk rezultoi e provuar sipërfaqja e truallit pronë e paditësve e vetdeklaruar dhe e përfshirë në legalizim, apo e miratuar si parcelë ndërtimore, për të cilën të ishte vendosur kalimi në pronësi të vetdeklaruesit të ndërtimit pa leje Robert dhe Helidon Shkëmbi, brenda të cilës ndodhet ndërtimi pa leje. Në këtë kuadër i binte barra palës së paditur ti depozitonte Gjykatës dokumentacionin që të provonte përfshirjen e ndërtimit që kanë kryer të paditurit “Shkëmbi” dhe fazën në të cilën ndodhen procedurat e legalizimit të objektit pa leje te ndërtuar prej tyre mbi truallin pronë e paditësve.
Pala e paditur nuk referon në asnjë dispozite ligjore në kërkimin mbi nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor. Përpara kësaj Gjykate deri në këtë fazë të gjykimit nuk është depozituar nga të paditurit Helidon dhe Robert Shkëmbi asnjë provë që ti provojë gjykatës ekzistencën e një procedure administrative pranë ALUIZNI-t në emër dhe për llogari të ndërtimit që ata kanë kryer mbi tokën në bashkëpronësi të paditësve.
Në këtë situatë gjykata çmon se nuk është në juridiksionin administrativ të ALUIZNI- it shqyrtimi i kërkimeve mbi vlerën e përdorimit të sendit, ndaj në konkluzion Gjykata çmon se është brenda juridiksionit gjyqësor të zgjidhë kërkimet e natyrës juridike civile siç janë kërkimet e vlerës së përdorimit të sendit padi kjo e pronarëve drejtuar poseduesve jopronarë (në mirëbesim apo jo) në referencë të nenit 298 e vijues të K.Civil.(...).”
10. Kundër këtij vendimi kanë bërë ankim të veçantë të paditurit Robert Shkëmbi dhe Helidon Shkëmbi me shkaqet e lartpërmendura.
II. Ligji i zbatueshëm.
11. Dispozitat Kodit të Procedurës Civile
11.1 Nenit 36§1: Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta.
11.2 Neni 59: Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ.
Kundër vendimit të dhënë për një rast të tillë, mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.
11.3 Neni 63: Me depozitimin e ankesës, sipas nenit 62 të këtij Kodi, pezullohet gjykimi i çështjes dhe gjykata mund të kryejë vetëm veprime procedurale që nuk presin.
Gjykata e Lartë shqyrton ankimin jo më vonë se tridhjetë ditë nga dita e ardhjes së çështjes.
Gjykata e Lartë në vendimin e saj për rregullimin e kompetencës jep udhëzimet e nevojshme për procesin gjyqësor të zhvilluar dhe për vazhdimin e tij nga gjykata që deklarohet kompetente.
III. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson:
12. Vendimi nr.s’ka, datë 22.06.2015, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është marrë në zbatim të drejtë të ligjit dhe për këtë shkak duhet të lihet në fuqi.
12.1. Siç rezulton nga analiza e akteve të administruar në dosje, në seancën gjyqësore të datës 22.06.2015, gjykata ka disponuar me mospranimin e kërkesës së palës së paditur për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit me arsyetimin se: “...omissis... nuk rezultoi e provuar sipërfaqja e truallit pronë e paditësve e vetdeklaruar dhe e përfshire në legalizim, apo e miratuar si parcelë ndërtimore, për të cilën të ishte vendosur kalimi ne pronësi të vetdeklaruesit të ndërtimit pa leje Robert dhe Helidon Shkëmbi, brenda të cilës ndodhet ndërtimi pa leje. Në këtë kuadër i binte barra palës së paditur ti depozitonte Gjykatës dokumentacionin që të provonte përfshirjen e ndërtimit që kanë kryer të paditurit “Shkëmbi” dhe fazën në të cilën ndodhen procedurat e legalizimit të objektit pa leje te ndërtuar prej tyre mbi truallin pronë e paditësve .
Pala e paditur nuk referon në asnjë dispozitë ligjore në kërkimin mbi nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor. Përpara kësaj Gjykate deri në këtë fazë të gjykimit nuk është depozituar nga të paditurit Helidon dhe Robert Shkëmbi asnjë provë që ti provojë gjykatës ekzistencën e një procedure administrative pranë ALUIZNI-t në emër dhe për llogari të ndërtimit që ata kanë kryer mbi tokën në bashkëpronësi të paditësve .(...).”
13. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, vendimi gjyqësor që disponon mbi juridiksionin është një moment i rëndësishëm procedural për procesin në tërësi, për të garantuar të drejtat themelore të individit për t’iu drejtuar gjykatës dhe për tu dëgjuar prej saj për themelin e kërkimit. Duke konsideruar rëndësinë e këtij momenti procedural në garantimin e të drejtave të individit për një proces të rregullt ligjor, është parashikuar ushtrimi i ankimit të veçantë në Gjykatën e Lartë, pa qenë e nevoja e ankimit në gjykatën e apelit (neni 59/2 i Kodit të Procedurës Civile).
14. Në këto rrethana Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë konstaton se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë referuar shkakut dhe objektit të padisë me të drejtë ka pranuar juridiksionin e gjykatës për shqyrtimin e mosmarrëveshjes në gjykim. Në rastin në gjykim gjykatës i është paraqitur për shqyrtim padia e shpërblimit të përdorimit të sendit (neni 298 i Kodit Civil). Në gjykimin e kësaj padite gjykata verifikon të drejtën e pronarit joposedues të sendit (nëse do të rezultojë i tillë) kundër poseduesit me keqbesim jopronar.
15. Gjykatës së shkallës së parë nuk i ka rezultuar se ajo çështje ti jetë caktuar paraprakisht për zgjidhje ndonjë organi tjetër administrativ dhe për pasojë të jetë ushtruar ankim administrativ brenda afatit ligjor që çështja të nxirret jashtë juridiksionit gjyqësor.
16. Në nenin 36 të Kodit të Procedurës Civile, parashikohet se: “Në juridiksionin e gjykatave shqiptare hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta. Juridiksioni gjyqësor civil ushtrohet sipas dispozitave të këtij Kodi dhe ligjeve të veçanta. Asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mosmarrëveshje civile që është duke u shqyrtuar nga gjykata”.
17. Kolegji Civil vlerëson se, në kuptim të përmbajtjes së dispozitave të cituara sa sipër neneve 36, 59, 60 e vijues të Kodit të Procedurës Civile, gjykata e shkallës së parë ka vendosur drejt duke pranuar juridiksionin gjyqësor. Gjykata ka në juridiksionin e saj çështjen konkrete lidhur me zgjidhjen e konflikteve ndërmjet palëve ndërgjyqëse për shkak të pretendimit të paditësit lidhur me paligjshmërinë e mbajtjes së pasurisë së paluajtshme nga i padituri.
18. Në të tilla rrethana ky Kolegj vlerëson se pretendimi i të paditurve Robert Shkëmbi dhe Elidon Shkëmbi për nxjerrjen jashtë juridiksionit gjyqësor të çështjes nuk është i mbështetur në ligjin procedural civil apo atë të posaçëm.
19. Kolegji vlerëson ashtu siç ka arsyetuar dhe gjykata e shkallës së parë se në këtë fazë të gjykimit të paditurit nuk kanë paraqitur asnjë provë për fillimin e procedurave për legalizimin e objektit të ngritur në truallin e paditësve në zbatim të ligjit 9482, datë 03.04.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, ligj i cili ka për mision legalizimin e ndërtimeve të ngritura pa leje në “vendbanime formale”, “zona informale”, “territore të tjera”, të “shtesave pa leje në ndërtime me leje si dhe kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore, ku është ngritur ndërtimi pa leje.
20. Nëse të paditurit do të ishin në procedurë legalizimi dhe në këtë ligj është parashikuar se për parcelën ndërtimore të objektit pa leje, e regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në emër të subjekteve pronarë joposedues, bëhet kompensimi me vendim të Këshillit të Ministrave, atëherë gjykata mund të merrte në konsideratë pretendimin e të paditurve.
21. Në përfundim, ky Kolegj vlerëson se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për mospranimin e kërkesës për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit gjyqësor duhet të lihet në fuqi si vendim i marrë në zbatim të drejtë të ligjit procedural.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 59 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.s’ka, datë 22.06.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 11.11.2015
Nr. 11243-03113-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3846 i Vendimit (475)
Do'stlaringiz bilan baham: |