VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Aleksandër Muskaj Kryesues
Arjana Fullani Anëtare
Mirela Fana Anëtare
në datën 05.11.2015 shqyrtoi në seancë gjyqësore çështjen civile me palë:
PADITËS : FLORIN GJINI (në mungesë).
I PADITUR: PJERIN LAZRI (në mungesë).
OBJEKTI:
Shpërblimin e dëmit për dëmtimin e shëndetit të shkaktuar.
Baza Ligjore: Nenet 641 e vijues të Kodit Civil.
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër me vendimin nr.3072, datë 23.12.2010 ka vendosur:
“Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Pjerin Lazri të dëmshpërblejë paditësin Florin Gjini, në masën prej 3500 lekë për dëmin jopasuror në formën e dëmtimit të shëndetit për 9 ditë shkaktuar atij.
Detyrimin e palës së paditur Pjerin Lazri të dëmshpërblejë paditësin Florin Gjini, në masën prej 200.000 lekë për dëmin jopasuror në formën e cenimit të nderit dhe personalitetit shkaktuar atij.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur.”.
Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr.293, datë 14.06.2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.3072, datë 23.12.2010 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Shkodër.”
Kundër vendimit nr.293, datë 14.06.2012 të Gjykatës së Apelit Shkodër ka paraqitur rekurs pala e paditur Pjerin Lazri i cili kërkon: “Ndryshimin e vendimit nr.293, datë 14.06.2012 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe të vendimit të vendimit nr.3072, datë 23.12.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë me tjetër trup gjykues”.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTЁ
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Aleksandër Muskaj; si shqyrtoi në tërësi çështjen, në mungesë të palëve pjesëmarrëse,
V Ё R E N
Se, vendimi nr.293, datë 14.06.2012 i Gjykatës së Apelit Shkodër dhe Vendimi nr.3072, datë 23.12.2010 i Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër janë rrjedhojë e zbatimit jo të drejtë të ligjit procedural civil e si rrjedhojë do të prishen dhe çështja do të kthehet për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër, me tjetër trup gjykues.
-
RRETHANAT E FAKTIT.
-
Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, nga aktet e dosjes gjyqësore i rezultojnë të pranuara nga gjykatat e faktit rrethanat si vijon :
-
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi Florin Gjini ka ngritur padinë si më sipër pasi pretendon se në datën 08.06.2005, ai është ndaluar nga punonjësi i policisë, i padituri Pjerin Lazri, dhe është keqtrajtuar, duke e goditur ne trup dhe koke. Paditësi pretendoi se një dhunë e tillë ka cënuar shëndetin, nderin dhe dinjitetin e tij.
-
Për këtë fakt, i padituri, është edhe dënuar penalisht, me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor, Shkodër, me nr.33, datë 15.06.2006, me 80.000 lekë gjobë, sipas Kodit Penal Ushtarak, për veprën penale të “Uljes së dinjitetit të ushtarakut”, e parashikuar nga neni 49 i Kodit Penal Ushtarak. Kështu, sipas këtij vendimi dhe sipas edhe vendimit të ekspertimit mjeko-ligjor të paditësit, rezulton se paditësi ka paraqitur një kallëzim me datë 13.06.2005, sipas të cilit, me datë 08.06.2005, ka qenë duke udhëtuar me mjetin e tij, në rrugën e Velipojës, afër plazhit. Gjatë udhëtimit e ka ndaluar shtetasi Pjerin Lazri, shef i policisë kriminale dhe pas kundërshtimeve të shtetasit Florin Gjini, ai ka urdhëruar grupin e gatshëm për ta shoqëruar në rajonin e policisë. Në rajon e kanë mbajtur deri në orën 22:00 dhe pas verifikimeve të nevojshme e kanë liruar. Në tabelat fotografike dhe në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, sipas këtij vendimi, vërtetohet se mbi shtetasin Florin Gjini ka pasur dhunë, duke humbur paaftësinë e përkohshme në punë deri në 9 ditë
-
Kështu sipas akt dëshmisë mjeko-ligjore, me nr.29, të lëshuar me datë 13.06.2005, rezulton se shtetasi Florin Gjini ankon për dhimbje koke, marrje mendsh, dhimbje veshi, stomaku dhe shpine. Konstatohet një dërmishje e lehtë në parakrahun e majtë, në anën e jashtme të tij në 1/3 e mesme, me përmasa 3x2, në zhdukje e sipër. Ka një dërmishje të gjurit të majtë, nga ana e jashtme, me përmasa 3x1 cm. Këto dëmtime janë shkaktuar nga një mjet i fortë mbretës dhe kanë sjellë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë në masën më pak se 9 ditë.
-
Kjo çështje është gjykuar fillimisht nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, që me vendimin nr.2783, datë 21.10.2008, ka vendosur rrëzimin e padisë, ndërsa është kthyer për rigjykim me vendimin nr.406, datë 08.07.2009 nga Gjykata e Apelit Shkodër, bazuar në nenin 467/e të K.Pr.Civile, për shkak të të metave të padisë (e firmosur nga paditësi, kur ai nuk mund të nënshkruajë pasi ishte i paralizuar).
II. PROCEDURAT GJYQËSORE.
-
Në rigjykim, Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër me vendimin nr.3072, datë 23.12.2010 ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë.
Detyrimin e palës së paditur Pjerin Lazri të dëmshpërblejë paditësin Florin Gjini, në masën prej 3500 lekë për dëmin jopasuror në formën e dëmtimit të shëndetit për 9 ditë shkaktuar atij.
Detyrimin e palës së paditur Pjerin Lazri të dëmshpërblejë paditësin Florin Gjini, në masën prej 200.000 lekë për dëmin jopasuror në formën e cenimit të nderit dhe personalitetit shkaktuar atij.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës së paditur.”.
-
Kundër vendimit të sipërcituar është bërë ankim nga pala e paditur, dhe Gjykata e Apelit Shkodër, me vendimin nr.293, datë 14.06.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.3072, datë 23.12.2010 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Shkodër.”
-
Kundër këtij vendimi, ka ushtruar rekurs pala e paditur Pjerin Lazri duke kërkuar: “Ndryshimin e vendimit nr.293, datë 14.06.2012 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe vendimit nr.3072, datë 23.12.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë me tjetër trup gjykues”. Në shkaqet e rekursit të paraqitur nga pala veçohen:
-
Vendimet e gjykatave janë marrë në zbatim të keq të ligjit procedural dhe material.
-
Gjykata, në kundërshtim me nenin 6 të K.Pr.Civile, ka tejkaluar të drejtën e saj duke vendosur edhe për çfarë nuk i është kërkuar, dëmin jopasuror për cenimin e dinjitetit. Ajo nuk ka marrë në konsideratë pretendimet e të paditurit për mungesë të padisë përsa i përket “shpërblimit të dëmit moral”. I padituri nuk është njoftuar për kërkime të tjera të paditësit veç dëmit të shkaktuar për dëmtimin e shëndetit dhe as nga vendimi i gjykatës nuk rezulton që paditësi të ketë bërë shtesë të objektit të padisë lidhur me shpërblimin e dëmit moral. Gjykata e Apelit duhet të prishte vendimin dhe kthente çështjen për rigjykim.
-
Paditësi ka qenë person me probleme shëndetësore, trajtuar që në 2001 për diagnozën “debilitet” dhe “epilepsi”. Ekspertimi mjeko ligjor i datës 13.06.2005 nuk ka konstatuar dëmtime të tjera përveçse disa dërrmishje. Paditësi nuk ka provuar se dëmtimi sipas këtij akti i ka ardhur nga i padituri madje as nga vendimi i Kolegjit Ushtarak nuk rezulton asnjë e dhënë se dëmtimet e pretenduara të paditësit janë shkaktuar nga i padituri.
-
Vendimi i gjykatës së rrethit duhej të prishej nga gjykata e apelit edhe për shkak të pavlefshmërisë së procesverbalit gjyqësor, pasi ai nuk rezulton i firmosur nga sekretaria gjyqësore e faqet 63, 64, 65, 66, 67, 68 të saj.
-
Edhe sikur të pranonim se ishim para një kërkimi që i është njoftuar të paditurit (fakt që nuk rezulton nga vendimi i gjykatës), përsëri gjykata ka vendosur jashtë kritereve ligjore për përcaktimin e dëmit jopasuror në formën e cenimit të dinjitetit. Në kundërshtim me vendimin unifikues nr.12/2007 të Gjykatës së Lartë, gjykata e ka dëmshpërblyer paditësi 57 herë më shumë se dëmi biologjik, ndërkohë që sipas këtij vendimi, dëmi moral caktohet në kufijtë e ¼ deri ½ e shumës së caktuar për dëmin biologjik ose në vlerë të njëjtë me atë të dëmshpërblimit për dëmin biologjik, pra nuk duhet të tejkalojë në asnjë rrethanë vlerën e dëmit biologjik.
III. ARSYETIMI LIGJOR I VENDIMIT TË ANKIMUAR.
-
Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër me vendimin, nr.3072, datë 23.12.2010, ndër të tjera arsyeton se: “...(omissis)... Gjykata, ... arrin në konkluzionin përfundimtar se në rastin konkret veprimet e ushtrimit të dhunës, përbëjnë veprime të kundërligjshme e të kryera me faj, veprime këto, të cilat çmohen nga kjo gjykatë se kanë dëmtuar shëndetin dhe kanë cënuar nderin dhe dinjitetin e tij, duke i shkaktuar atij një dem konkret moral të shfaqur në drejtim të dëmtimit të nderit dhe personalitetit të tij – gjë që, në vështrim të nenit 608 e 609 në lidhje me nenin 625/a të Kodit tonë Civil, por edhe në vështrim të nenit 41 të Konventës për të Drejtat e Njeriut sjell padyshim përgjegjësinë juridike civile të të paditurit Pjerin Lazri për shpërblimin e këtij dëmi...
... i padituri, në rastin në fjalë ka konsumuar të gjitha elementet përbërës të kësaj përgjegjësie juridike civile sikurse janë: 1)Kundërligjshmëria e veprimeve të shkaktuesit të dëmit; 2) Dëmi i shkaktuar; 3) Fajësia e shkaktuesit te dëmit dhe 4) Lidhja shkakësore (shkak-pasojë) midis veprimeve te kundërligjshme të shkaktuesit të dëmit dhe pasojës së ardhur nga këto veprime (dëmit të shkaktuar). I - Përsa i përket ... kundërligjshmërinë e veprimeve të shkaktuesit të dëmit ... me anë të ushtrimit të dhunës, ndaj paditësit, janë shkelur në mënyrë të hapur të drejta që gjejnë mbrojtje të veçantë në nenin 608 dhe 609 në lidhje me nenin 625/a të Kodit Civil ... Gjykata përfundimisht konkludon se i padituri nuk mundet që me veprimet e tij në emër të ushtrimit të detyrës së tij, si punonjës i policisë, të “kufizojë” apo të “cenojë” në mënyrë arbitrare të drejtat e liritë themelore të individit të mbrojtura edhe në mënyrë specifike nga dispozitat e Kodit Civil. II - Për sa i përket ... ekzistenca e dëmit të pësuar, Gjykata konstaton se veprimet e kundërligjshme si më sipër të të paditurit siç është ushtrimi i dhunës, ndaj paditësit Florin Gjini, kanë bërë që këtij të fundit ti shkaktohet një dëm në shëndetin e tij, duke ulur aftësinë për punë deri në 9 ditë si dhe një dëm konkret moral, i cili konsiston në dëmtimin e nderit dhe personalitetit të tij ... - Gjykata ka parasysh gjithashtu fajin e palës së paditur si dhe formën e këtij faji, ku konstatohet se veç të tjerave këto veprime të palës së paditur janë kryer nga ana e tij edhe me anë të dhunës dhe në keqbesim ....
Gjithashtu, Gjykata në caktimin e masës së shpërblimit ka parasysh edhe moshën e paditësit si dhe faktin që ai në kohën e shkaktimit të dëmit vuante nga sëmundje mendore, gjë që provohet me kartelën e tij mjekësore dhe dosjen e KEMP-it të tij, të marrë si provë gjatë gjykimit...
III -Për sa i përket ... fajësia e shkaktuesit të dëmit - Gjykata konstaton dhe ka bindjen e brendshme juridike se veprimet e kundërligjshme të të paditurit të analizuara si me lart në këtë vendim nga pikëpamja subjektive janë kryer “me faj” dhe se po për “faj” të tij ka ardhur dhe pasoja përkatëse d.m.th dëmi në vlerën prej 200.000 lekë që i është shkaktuar paditësit Florin Gjini.
IV -Së fundi për sa i përket ... “lidhja shkakësore” ( shkak- pasojë) - Gjykata ka bindjen e brendshme juridike se në rastin konkret dëmi në vlerën prej 200.000 lekë (që ka pësuar paditësi) ka ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të kundërligjshme të të paditurit, të kryera prej ushtrimit të funksionit të punonjësit të policisë së shtetit. Pra, nga analiza e provave të marra gjatë këtij gjykimi evidentohet qartë se këto veprime të kundërligjshme e të fajshme të të paditurit (të analizuara si më lart në këtë arsyetim vendimi) kanë qenë shkaku determinant dhe i drejtpërdrejtë i dëmit që ka pësuar paditësi… I padituri duhet të detyrohet gjyqësisht për t’i paguar paditësit shpërblimin e dëmit të shkaktuar për sa më lart, në vlerën prej 200.000 lekë, për cënimin e nderit dhe personalitetit të tij. Gjithashtu për dëmtimin e shëndetit, i padituri, Pjerin Lazri, detyrohet që për periudhën e humbjes së aftësisë për punë (9 ditë) të paguajë shpërblim sipas nenit 614 dhe 647/2 të Kodit Civil, në shumën 3.500 lekë. Ky i fundit përcakohet sipas pagës minimale në shkallë vendi të përcaktuar me VKM me nr.405, datë 25.06.2004, e cila ka qenë në fuqi në kohën e shkaktimit të dëmit, pasi paditësi nuk ka qenë në marrëdhënie pune... - Pra, për të dy këto kërkime si më sipër, Gjykata vlerëson e çmon se padia në gjykim duhet pranuar...(...)”.
-
Gjykata e Apelit Shkodër me vendimin civil nr.293, datë 14.06.2012, arsyeton në të njëjtën mënyrë duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
IV. KOLEGJI CIVIL I GJYKATЁS SЁ LARTË
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, rekursi i paraqitur nga pala e paditur përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që, motivojnë cenimin e vendimit nr.293, datë 14.06.2012 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe të vendimit nr.3072, datë 23.12.2010 të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson që, nga ana e palës së paditur me të drejtë parashtrohen shkaqe që lidhen me lejimin e shkeljeve të rënda procedurale në gjykim, sikurse janë ato të parashikuara nga shkronja “e” e nenit 467 të Kodit të Procedurës Civile, lidhur me pavlefshmërinë e akteve procedurale.
-
Në nenin 118 të Kodit të Procedurës Civile parashikohet se: “Për seancën gjyqësore dhe për çdo veprim gjyqësor të kryer jashtë seancës mbahen procesverbale...Procesverbali nënshkruhet nga kryetari i seancës gjyqësore dhe sekretari.”1
-
Në nenin 119 të këtij Kodi parashikohet se: “Akti procedural që nuk është kryer në formën që kërkohet shprehimisht nga ligji, mund të shpallet i pavlefshëm. Akti mund të shpallet i pavlefshëm edhe kur i mungojnë të dhënat e domosdoshme për arritjen e qëllimit të tij. Pavlefshmëria nuk mund të shpallet kur akti ka arritur qëllimin për të cilin është destinuar.”.
-
Në nenin 467, lidhur me urdhërimin për prishjen e vendimit gjyqësor të shkallës më të ulët parashikohet rasti kur: “…e. Kur mungojnë ose janë të pavlefshme padia, procesverbali gjyqësor, ankimi, si dhe çdo dokument tjetër që ka ndikuar në dhënien e vendimit”.
-
Nga shqyrtimi i akteve procedurale të kryera gjatë gjykimit në shkallë të parë e që përmbahen në dosjen gjyqësore, rezulton se në fashikullin gjyqësor gjenden shkresa të titulluar “proces - verbal”, të pafirmosur nga sekretaria gjyqësore (në faqet 63 – 68) të tij.
-
Procesverbali reflekton kryerjen me korrektësi të veprimeve të domosdoshme procedurale, të riçeljes së hetimit gjyqësor dhe marrjes dhe administrimit të provave të paraqitura nga palët në mbështetje të kërkimeve e prapësimeve të tyre, duke i listuar ato konkretisht, por në fund të këtij akti rezulton se, mungon nënshkrimi i sekretares gjyqësore.
-
Nënshkrimi i procesverbalit të seancës gjyqësore nga sekretari dhe gjykatësi që kryeson seancën gjyqësore është një normë urdhëruese e ligjit procedural. Mungesa e nënshkrimit nga personi i cili e ka përpiluar atë, passjell pavlefshmërinë e procesverbalit të seancës gjyqësore.
-
Në vijim të këtij arsyetimi, nëse bëhet fjalë për seancë në të cilën realizohen veprime procedurale dhe hetimore me rëndësi thelbësore për rregullshmërinë e procesit gjyqësor, këtu nuk ka vend për të vënë në diskutim as kriterin e arritjes ose jo të qëllimit të aktit (neni 119) sepse, lind domsdoshmëria e dokumentimit të këtyre veprimeve procedurale në mënyrën e kërkuar nga ligji me qëllim që, akti procedural të jetë i vlefshëm dhe të prodhojë efektet e përcaktuara ligjore.
-
Gjykimi duhet të jetë rrjedhojë e procesit të rregullt ligjor dhe vendimi gjyqësor duhet të bazohet në ligj dhe vetëm në provat që janë paraqitur në gjykim, duke u lejuar e administruar nga gjykata për këtë qëllim në seancë gjyqësore. Mungesa e nënshkrimit të sekretares gjyqësore në procesverbalin e seancës gjyqësore ku paraqiten dhe administrohen provat mbi të cilat duhet të bazohet vendimi për zgjidhjen e çështjes, bën të pavlefshëm jo vetëm aktin procedural, por edhe bën vetvetiu të cenueshëm vendimin përfundimtar të gjykatës, duke u përfshirë në rastet e shkeljeve të rënda procedurale të, parashikuara nga neni 467 i Kodit të Procedurës Civile.2
-
Për arsyet e parashtruara më sipër Kolegji Civil vlerëson se të dy vendimet gjyqësore të dhëna nga gjykatat më të ulta duhet të prishen dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së pare, me tjetër trup gjykues.
-
Duke qenë se vendimi prishet vetëm për shkaqe procedurale, Kolegji vlerëson të mos shprehë orientime në lidhje me veprimtari të mëtejshme në drejtim të zgjidhjes në themel të çështjes.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485, shkronja “ç” të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.293, datë 14.06.2012, të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe të vendimit nr.3072, datë 23.12.2010, të Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 31001-00434-00-2013 Regj. Themeltar
Nr. 00-2015 - 3774 i Vendimit (470)
Do'stlaringiz bilan baham: |