VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 04.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile që i përket:
PADITËS: INSIG SHA.
E PADITUR: GRANT THORNTON SH.P.K.
OBJEKTI:
Zgjidhjen e kontratës së shërbimit nr.2198, datë 19.07.2013
dhe shtojca e kontratës datë 9 janar 2014
për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga pala e paditur.
Detyrimin e të paditurit t’i kthejë paditësit shumën prej 251.900 lekë
të parapaguar nga paditësi në vijim të kontratës së mësipërme.
Detyrimin e të paditurit t’i shpërblejë paditësit dëmin e shkaktuar
nga mosekzekutimi i detyrimit kontraktor.
Baza Ligjore: Nenet 32,43 të K.Pr.Civile
dhe nenet 476 e vijues, neni 698 e vijues të Kodit Civil.
Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3140 akti, datë 03.06.20015, ka vendosur:
“Mospranimin e kërkesës së palës së paditur Grant Thornton për shpalljen mungesës se juridiksionit gjyqësor.”
Kundër vendimit ka ushtruar ankim pala e paditur Grant Thornton sh.p.k., e cila parashtron këto shkaqe:
-
Së pari, padia nuk mund të ngrihej përpara gjykatës. Sipas nenit 36 të K.Pr.Civile, kushti thelbësor që gjykata të ketë juridiksion është ekzistenca e një mosmarrëveshjeje. Në rastin konkret nuk ka një mosmarrëveshje midis palëve. Për të pasur një mosmarrëveshje civile, do të duhej që njëra palë të kërkonte diçka dhe pala tjetër të refuzonte. Vetëm atëherë do të kishte një mosmarrëveshje dhe paditësi mund ti drejtohej gjykatës. Në rastin konkret paditësi, as nuk ka komunikuar ndonjëherë zgjidhjen e kontratës dhe as ka kërkuar ndonjëherë shpërblimin e ndonjë dëmi.
-
Siç mund të konstatohet nga objekti i kërkesëpadisë, paditësi kërkon që gjykata të vendosë zgjidhjen e kontratës dhe shpërblimin e dëmit. Vetë paditësi i referohet nenit 698 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë por ky nen qartazi rregullon marrëdhëniet midis palëve kontraktore dhe jo ndërmjet palës dhe gjykatës. Kontrata lidhet dhe zgjidhet ndërmjet palëve dhe i njëjti arsyetim vlen edhe për kërkesën për shpërblimin e dëmit të pretenduar. Pra, gjykata nuk zgjidh kontratën ndërmjet palëve por thjesht e konstaton dhe e deklaron atë. Për rrjedhojë mendojmë se, në mungesë të njoftimit për zgjidhje të kontratës apo të kërkesës për shpërblim dëmi drejtuar paraprakisht të paditurit, nuk ka lindur ende një mosmarrëveshje midis palëve dhe për rrjedhojë gjykata nuk ka juridiksion mbi këtë çështje.
-
Së dyti, sipas nenit 18 të kontratës së lidhur midis Insig sh.a. dhe Grant Thornton sh.p.k versioni anglisht mbizotëron), të gjitha konfliktet e mundshme duhet të zgjidhen në rrugë miqësore (apo ndryshe me mirëkuptim). Vetëm në rast se një tentativë e tillë zgjidhjeje dështon, palët legjitimohen të kërkojnë të drejtën e pretenduar apo interesin e ligjshëm përpara organeve gjyqësore kompetente. Sipas nenit 690 të Kodit Civil kontrata ka forcën e ligjit ndërmjet palëve dhe për rrjedhojë, pala paditëse duhet të kishte tentuar zgjidhjen miqësore të mosmarrëveshjes përpara se ti drejtohej gjykatës.
-
Përfundimisht kërkojmë prishjen e vendimit datë 3 qershor 2015 të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe pushimin e gjykimit të çështjes.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
I. RRETHANAT E FAKTIT
Grant Thornton sh.p.k është një shoqëri tregtare e të drejtës shqiptare që kryen veprimtari në fushën e auditimit të pasqyrave financiare, asistencës në mbajtjen e kontabilitetit, shërbimeve në mbajtjen e librave dhe bilanceve si dhe shërbime të tjera konsulence për personat fizikë apo juridikë.
Gjatë ushtrimit të kësaj veprimtarie, Grant Thornton sh.p.k ka lidhur, më datë 19 korrik 2013, një kontratë me INSIG, sh.a me objekt: "Auditimin e pasqyrave financiare të konsoliduara të grupit (Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni) për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2013, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar.
Auditimin e pasqyrave financiare të veçanta të Insig sh.a. dega në Kosovë të përgatitura në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar për vitin e mbyllur më 31 dhjetor 2013.
Auditimin e pasqyrave financiare të veçanta të Insig sh.a. Maqedoni, të përgatitura në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar për vitin e mbyllur më31 dhjetor 2013."
Kjo kontratë u modifikua me anë të një shtojce në 9 janar 2014. Shtojca nuk prek objektin e kontratës apo kushtet e saj por bën thjesht një rishpërndarje të ndryshme të çmimit sipas tre komponentëve por gjithmonë pa ndryshuar totalin e çmimit. Më datë 17 nëntor 2014, Grant Thornton sh.p.k. i është njoftuar padia e ngritur nga Insig sh.a. para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në seancën e datës 3 qershor 2015, i padituri Grant Thornton sh.p.k i paraqiti Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kërkesë për shpalljen e mungesës së juridiksionit gjyqësor.
Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3140 akti, datë 03.06.20015, ka vendosur: “Mospranimin e kërkesës së palës së paditur Grant Thornton për shpalljen mungesës se juridiksionit gjyqësor.”
Me arsyetimin se, në bazën juridike të padisë përveç ligjeve të veçanta i është referuar edhe Kodit Civil. Po kështu edhe në kontratën e lidhur ndërmjet palëve, pika XIIl është parashikuar se mosmarrëveshjet që lindin nga zbatimi i kësaj kontrate do të zgjidhen nga gjykatat shqiptare.
Pra në thelb kërkimi i paditësit ka të bëjë me të drejta civile të cilat rregullohen nga Kodi Civil si dhe si i tillë konflikti objekt gjykimi është konflikt civil.
Neni 36 i K.Pr.Civile ka të parashikuar shprehimisht: “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta”.
Gjykata çmon se nisur nga kërkimet në padinë objekt gjykimi, baza ligjore, provat shkresore, palët dhe rrethanat e parashtruara kjo çështje civile është në juridiksionin gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër vendimit ka ushtruar ankim pala e paditur Grant Thornton sh.p.k.
II. LIGJI I ZBATUESHËM
Neni 42/2 i Kushtetutës: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”.
Neni 116 i Kushtetutës: “1. Aktet normative që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë: a) Kushtetuta; b) marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara; c) ligjet; ç) aktet normative të Këshillit të Ministrave.
2. Aktet që nxirren nga organet e pushtetit vendor kanë fuqi vetëm brenda juridiksionit territorial që ushtrojnë këto organe.
3. Aktet normative të ministrave dhe të organeve drejtuese të institucioneve të tjera qendrore kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë brenda sferës së juridiksionit të tyre”.
Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:
Neni 16§1 i K.Pr.Civile:“Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
Neni 59 i K.Pr.Civile: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor apo atë administrativ. Kundër vendimit të dhënë për një rast të tillë, mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën e Lartë.”
III. KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, pretendimeve të palës ankuese, si dhe pjesës arsyetuese të vendimit gjyqësor, arrin në përfundimin se në marrjen e vendimit nr.5, Regj.Them datë 30.06.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë respektuar dispozitat e ligjit procedural civil duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, si dhe duke e zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 i K.Pr.Civile).
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka përcaktuar drejt natyrën juridike të mosmarrëveshjes, dhe të ketë bërë një identifikim të elementeve dhe/ose kritereve ligjore që për rastin konkret shërbejnë për përcaktimin e një parakushti të rëndësishëm procedural siç është ai i verifikimit të juridiksionit të kësaj gjykate.
Në këtë kuptim doktrinat shkencore të së drejtës procedurale civile1 dhe penale europiane kanë krijuar institutin perpetuatio iuridictionis, për të konceptuar dhe regjuar juridikisht çështjet primare dhe fillestare se si konstituohet gjyqtari natyral dhe se si ruhet permanenca dhe vazhdimësia e pandërprerë e kësaj figure gjyqësore garanci për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të çdo subjekti të së drejtës, konkretisht çështjes së juridiksionit dhe kompetencës së gjyqtarit natyral2, çështje të cilat nga ana tjetër janë edhe prezumimet procedurale kryesore dhe absolute të vlefshmërisë së procesit gjyqësor.
Në nenin 59, të Kodit të Procedurës Civile parashikohet shprehimisht se: “Gjykata në çdo fazë dhe shkallë gjykimi, qoftë edhe kryesisht, merr në shqyrtim nëse çështja që shqyrton, bën pjesë në juridiksionin gjyqësor...(...) ” Në analizë të dispozitës së mësipërme konstatohet se çdo lloj gjykate dhe në çdo shkallë gjykimi ka të drejtë të marrë në shqyrtim, të analizojë dhe të vendosë në lidhje me juridiksionin e çështjes objekt gjykimi. Kjo e drejtë e gjykatës për të vepruar edhe kryesisht është e lidhur drejtpërsëdrejti me zbatimin dhe respektimin e parimit të një procesi të rregullt ligjor. Kolegji Civil konstaton se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zbatuar drejtë dispozitat procedurale lidhur me juridiksionin gjyqësor të gjykatës shqiptare duke zhvilluar një proces të rregullt ligjor në mbështetje të nenit 42/1 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të K.E.D.NJ.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në analizë dhe vlerësim të akteve të dosjes gjyqësore, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të parashtruara në këto akte, si dhe vendimit të gjykatës, konkludon se mosmarrëveshja objekt shqyrtimi i përket juridiksionit gjyqësor.
Pala e paditur në këtë gjykim, ka pretenduar para Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë se, pala paditëse përpara se t’i drejtohej gjykatës duhej që më parë t’i ishte drejtuar palës së paditur për zgjidhje të kontratës, e në këtë mënyrë me mosparaqitjen e një kërkese të tillë, nuk kemi konflikt ndërmjet palëve. Po kështu pala e paditur ka pretenduar se mungesa e juridiksionit gjyqësor rezulton edhe për faktin se në nenin 18 të Kontratës, është parashikuar se të gjitha konfliktet ndërmjet palëve duhet të zgjidhen në rrugë miqësore, apo ndryshe me mirëkuptim.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka rrëzuar një kërkesë të tillë dhe ndërmjet të tjerave ka arsyetuar se: “...Padia objekt gjykimi është një padi civile që ka të bëjë me pretendimin e paditësit për shkeljen e një detyrimi kontraktor. Në bazën juridike të padisë ai përveç ligjeve të veçanta i është referuar edhe Kodit Civil. Po kështu edhe në kontratën e lidhur ndërmjet palëve, pika XIII është parashikuar se mosmarrëveshjet që lindin nga zbatimi i kësaj kontrate do të zgjidhen nga gjykatat shqiptare. Pra në thelb kërkimi i paditësit ka të bëjë me të drejta civile të cilat rregullohen nga Kodi Civil si dhe si i tillë konflikti objekt gjykimi është konflikt civil. Neni 36 i K.Pr.Civile ka parashikuar shprehimisht “Në juridiksionin e gjykatave hyjnë të gjitha mosmarrëveshjet civile dhe mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë kod e në ligje të veçanta...”. Për sa më lart Gjykata çmon se nisur nga kërkimet në padinë objekt gjykimi, baza ligjore, provat shkresore, palët dhe rrethanat e parashtruara kjo çështje civile është në juridiksionin gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se ne rastin konkret pala paditëse shoqëria INSIG sh.a., ka ngritur një padi klasike, objekti i së cilës është Zgjidhjen e kontratës së shërbimit nr.2198, datë 19 korrik 2013 dhe shtojca e kontratës datë 9 janar 2014 për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga pala e paditur; Detyrimin e të paditurit ti kthejë paditësit shumën prej 251.900 lekë të parapaguar nga paditësi në vijim të kontratës së mësipërme, si dhe detyrimin e të paditurit ti shpërblejë paditësit dëmin e shkaktuar nga mosekzekutimi i detyrimit kontraktor, kërkime këto te parashikuar shprehimisht nga dispozitat përkatëse të K.Civil.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson gjithashtu se, Shoqëria GRANT THORTON sh.p.k., nuk është një institucion i administratës publike shtetërore e si i tillë nuk parashikohet një rrugë administrative për t’u ndjekur përpara se pala paditëse t’i drejtohet gjykatës. Në këtë rast kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje tipike juridiko - civile, e cila bazohet në dispozitat mbi efektet e mosekzekutimeve të detyrimeve, nenet 476 e vijues të Kodit Civil.
Çështja objekt gjykimi nuk ka të bëjë me një kërkim drejtuar ndonjë organi administrativ, as me një mosmarrëveshje administrative, për rrjedhojë nuk mund të bëhet fjalë për ekzistencën apo jo të juridiksionit administrativ për trajtimin e saj (shih vendimin nr.249, datë 09.07.2009, të Gjykatës së Lartë). Në rrethana të tilla, gjejnë zbatim dispozitat mbi juridiksionin për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve civile të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile (Pjesa e Parë, Titulli i III-të, Kreu i II-të). Sipas nenit 36§1 të K.Pr.Civile janë në juridiksionin gjyqësor të gjitha mosmarrëveshjet civile e mosmarrëveshjet e tjera të parashikuara në këtë Kod e në ligje të veçanta. Për rrjedhojë, paditë që themelohen në dispozitat e Kodit Civil janë mosmarrëveshje civile që i përkasin ekskluzivisht juridiksionit gjyqësor. Mjafton vetëm shkaku i padisë i themeluar mbi këto dispozita për të detyruar gjykatën të marrë në shqyrtim çështjen dhe pas shqyrtimit gjyqësor të shprehet me vendim përfundimtar. Rruga jashtëgjyqësore e zgjidhjes së pretendimeve të palëve ndërgjyqëse, dhe gjithashtu e parashikuar edhe nga neni 158/b i K.Pr.Civile, është një formë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve që mund të lindin, por jo rrugë e detyrueshme për t’u shteruar prej tyre para se t’i drejtohen gjykatës (shih vendimin nr.311, datë 01.07.2010 dhe vendimin nr.99, datë 04.10.2009, të Gjykatës së Lartë).
Mjeti juridik për realizimin e të drejtës së pretenduar është në disponibilitetin e palës, ndërsa gjykata, për t’iu dhënë përgjigje këtyre problemeve, në respektim të të drejtave të palëve dhe detyrimeve të tyre që rrjedhin nga procesi gjyqësor civil, “... ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14) dhe, duke bërë një “cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen”, ta zgjidhë atë “në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi” (neni 16).
Që të justifikohet ligjërisht kërkimi për njohjen ose rivendosjen e një të drejte të shkelur ose të mohuar, duhet që të bëhet vetëm prej atij që i përket sipas ligjës, e drejta e mohuar ose e shkelur prej një të treti (legjitimimi aktiv) dhe vetëm kundër atij që me faktin ose me veprën e tij mohon ose shkel të drejtën e kërkuesit (legjitimim pasiv). Paditësi është i legjitimuar (aktivisht), në qoftë se në raportin materialo – juridik e ka rolin e kreditorit, kurse i padituri është i legjitimuar (pasivisht) në raportin e krijuar proceduralo – juridik, në rast se në raportin materialo – juridik e ka rolin e debitorit .
Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në konkluzionin se vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është i mbështetur në ligj dhe për këtë arsye duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 59 dhe 485 pika “a” të K.Pr.Civile.
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.3140 Akti, datë 03.06.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Tiranë, më 04.11.2015
Nr. 11111-01539-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3707 i Vendimit (467)
Do'stlaringiz bilan baham: |