VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Artan Broci Kryesues
Artan Zeneli Anëtar
Admir Thanza Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 04.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile që i përket:
PADITËS: ARVIT DEDE
TË PADITUR: ZYRA E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME DEVOLL,
THOMA DIMUSHI, PETRIT ROFI, GURALI DERVISHLLARI, RAMIJE COIIAKU, FERZILET HOXHA
OBJEKTI:
Kërkohet çregjistrimi i pronës të ndodhur në fshatin Progër,
regjistruar në nr.234/1 në favor të të paditurve
dhe më pas regjistrimin e kontratës së shit-blerjes
me nr.742 Rep, 390 Kol, date 31.08.1999.
Detyrimin e të paditurve të më njohin pronar për një truall
me sipërfaqe 2000 m2 ndodhur në fshatin Cangonj,
brenda sipërfaqes 8760 e regjistruar në Z.R.P.P, në favor të të paditurve.
Baza Ligjore: Neni 193 i Kodit Civil
dhe Ligji nr.7843 dt.13.07.1994, neni 24 e vijim.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin nr.2504, datë 11.12.2006, ka vendosur:
“Pranimin e padisë. Detyrimin e ZRPP Devoll të bëjë çregjistrimin e pronës së ndodhur në fshatin Progër, regjistruar me nr.234/1 në favor të të paditurve, si dhe të bëjë më pas regjistrimin e kontratës së shitjes datë 31.08.1999. Detyrimin e të paditurve të njohin pronar paditësin për sipërfaqen 2000 m2 të ndodhur në fshatin Cangonj me kufijtë përkatës, regjistruar në emër të të paditurve. “
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.110, datë 12.03.2007, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.2504, datë 11.12.2006, të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë”.
Gjykata e Lartë, me vendimin nr.00-2010-957 i vendimit (322), datë 08.07.2010, ka vendosur:
“Prishjen e vendimit nr.110, datë 12.03.2007, të Gjykatës së Apelit Korçë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.”
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.258, datë 17.06.2011, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.2504, datë 11.12.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë përsa i përket pikës 3 dhe 4 të tij. Ndryshimin e vendimit të mësipërm për pikën 2 të tij si më poshtë; Detyrimin e ZRPP Devoll të c regjistrojë pjesërisht pasurinë me nr.234/1, për sipërfaqen 2000 m2 blerë me kontratën e shitblerjes nr.742 Rep, nr.390 Kol, datë 31.08.1999 nga shtetasi Viliam Dede. Detyrimin e ZRPP Devoll të regjistrojë kontratën e shitblerjes nr.742 Rep, nr.390 Kol, datë 31.08.1999, në favor të trashëgimtarëve të shtetasit Viliam Dede”.
Kundër vendimit ka ushtruar të drejtën e rekursit pala e paditur Gurali Dervishllari, i cili kërkon: Prishjen e plotë të Vendimit nr.258, datë 17.06.20011, të Gjykatës së Apelit Korçë, i cili ka lënë në fuqi Vendimin nr.2504, datë 11.12.2006, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Korçë, si të pabazuar në prova dhe në ligj, duke parashtruar sa më poshtë:
-
Gjykata e Apelit në Vendimin nr.258, nuk ka marrë fare parasysh dhe nuk ka zbatuar detyrat e lëna nga Gjykata e Lartë.
-
Në mënyrë vicioze, ajo ka bërë të njëjtën analizë faktesh si tek vendimi nr.l10, datë 12/03/2007, i cili u prish nga Gjykata e lartë, dhe gjithashtu është për tu vërejtur një analize vicioze jo e saktë përsa i përket ligjshmërisë se të paditurve.
-
Në faqen 7, gjykata është shprehur se të paditurit kanë kërkuar të godasin kontratën e shitblerjes, por u është rrezuar kërkesa për moslegjitimitet.
-
Pikërisht këtu gjykata në mënyrë të qëllimshme bën një analizë të gabuar, për shkakun se gjykatës ju shpreh në mënyrë te qartë gjatë sëancës gjyqësore, se për shkak të Vendimit nr.110, datë 12/03/2007 të Gjykatës së Apelit Korçë, i cili kishte lëne në fuqi Vendimin nr.2504, datë 11.12.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë te Rrethit Gjyqësor Korçë (i cili ishte i prishur në momentin e gjykimit në Apel nga Gjykata e Lartë, pra nuk kishte fuqi juridike), është dhënë vendimi Vendimit nr.281, datë 13/07/2007 të Gjykatës së Apelit Korçë, i cili ka lënë ne fuqi Vendimin nr.1096, datë 30.04.2007 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për të cilin është bërë rekurs dhe është në Gjykatën e Lartë për gjykim.
-
Gjithashtu ky moment duhet ta detyronte gjykatën të bënte një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, veprim të cilin ajo nuk e ka kryer, pasi në Vendimin nr.957, datë 08/07/2010, Kolegji Civil i Gjykata e Lartë në faqen 4, i linte për detyrë Gjykatës së Apelit që të kryente një hetim të plotë dhe të gjithanshëm në përputhje me ligjin në Zbatim të Nenit 14 të K.Pr.C dhe nenit 6 K.Pr.C.
-
Gjykatës ju shpjegua tepër qartë se nga pala paditëse është paraqitur dhe një lejë ndërtimi, e cila është plotësisht në shkelje të plotë të ligjit për arsye: Aktualisht jemi në gjykimin ku pala paditëse pretendon që të njihet pronar, pra ka marrë një leje ndërtimi për një truall ku nuk ka pasur asnjë titull pronësie.
-
Përsa parashikon LIGJI nr.8405, datë 17.9.1998, “PER URBANISTIKEN”,neni 45 “Leja e ndërtimit i jepet personit juridik ndërtues të licencuar. Si në rastin kur toka është pronë private, ashtu dhe kur ajo është pronë publike, personi juridik ndërtues duhet të paraqesë kontratën e lidhur me pronarin e tokës ose me personin që ka marrë sheshin e ndërtimit nga KRRT-ja”,çka mungon.
-
Dhe me poshtë neni 55,”Shitja e truallit pronë shtetërore ose publike bëhet në përputhje me ligjin nr.7980, datë 27.7.1995 "Për shitjen e trojeve".Pra dhe leja e ndërtimit është plotësisht në shkelje të ligjit ashtu si dhe kontrata e shitblerjes, mbi të cilën paditësi kërkon të njihet pronar.
-
Pra, duket tepër qartë dhe evidente që Gjykata e Apelit me Vendimin nr.258, ka shpërfillur plotësisht detyrat e lëna në vendimin e Gjykatës së Lartë, dhe nuk ka kryer veprimet e duhura për një hetim të plotë dhe të gjithanshëm
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.258, datë 17.06.2011, i Gjykatës së Apelit Korçë është marrë jo në zbatim të ligjit e si tillë duhet të prishet e çështja duhet të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë, por me tjetër trup gjykues .
I. RRETHANAT E ÇËSHTJES
Rezulton se paditësi Arvit Dede është një nga trashëgimtarët e të ndjerit Viliam Dede. Me vendimin nr.4, datë 22.04.1996, të KKKP pranë Këshillit të Rrethit Devoll ish pronarit Et’hem Dervishllari, trashëgimlënësit të të paditurve, i është njohur pronësia mbi një sipërfaqe trualli 8700 m2, duke ju njohur e drejta e parablerjes së objekteve të ndodhura mbi të. Vendimi është regjistruar në regjistrat hipotekorë.
Me kontratën e shitjes datë 31.03.1999 i ndjeri Viliam Dede ka blerë prej Seksionit te Financës së Rrethit Devoll një sipërfaqe trualli 2000 m2 të ndodhur në fshatin Progër.
Me pretendimin se, kontrata e mësipërme nuk regjistrohet nga ZRPP, për shkak se prona figuron në emër të të paditurve, paditësi i është drejtuar gjykatës duke kërkuar detyrimin e të paditurve ta njohin pronar mbi sipërfaqen 2000 m2.
Me vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë nr.1855, datë 27.11.2000 është rrëzuar padia e të ndjerit Viliam Dede për anulimin e vendimit nr.4, datë 22.04.1996 të KKKP.
Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendimin nr.2504, datë 11.12.2006, ka vendosur: “Pranimin e padisë. Detyrimin e ZRPP Devoll të bëjë çregjistrimin e pronës së ndodhur në fshatin Progër, regjistruar me nr.234/1 në favor të të paditurve, si dhe të bëjë më pas regjistrimin e kontratës së shitjes datë 31.08.1999. Detyrimin e të paditurve të njohin pronar paditësin për sipërfaqen 2000 m2 të ndodhur në fshatin Cangonj me kufijtë përkatës, regjistruar në emër të të paditurve. “
Gjykata ndër të tjera ka arsyetuar se:”… vendimi i KKKP nuk duhej të ishte regjistruar në regjistrat hipotekorë si titull pronësie, por duhej të ishin bërë shënime vetëm në seksionin D të kartelës, duke u regjistruar e drejta e parablerjes. Regjistrimi i vendimit të KKKP është bërë në kundërshtim me nenin 24/a të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994, sipas të cilit vendimet e KKKP (sipas ligjit nr.7699, datë 21.04.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish pronarëve të tokës bujqësore”) nuk janë fushë veprimi e këtij ligji. Vendimi i gjykatës me të cilin është rrëzuar padia për kundërshtimin e vendimit të KKKP nuk ka lidhje me gjykimin dhe nuk jemi para gjësë së gjykuar.”
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.110, datë 12.03.2007, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.2504, datë 11.12.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë”.
Gjykata e Lartë, me vendimin nr.00-2010-957, i vendimit (322), datë 08.07.2010, ka vendosur :“Prishjen e vendimit nr.110, datë 12.03.2007, te Gjykatës së Apelit Korçë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.”
Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin nr.258, datë 17.06.2011, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.2504, datë 11.12.2006 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë përsa i përket pikës 3 dhe 4 të tij. Ndryshimin e vendimit të mësipërm për pikën 2 të tij si më poshtë; Detyrimin e ZRPP Devoll të çregjistrojë pjesërisht pasurinë me nr.234/1, për sipërfaqen 2000 m2 blerë me kontratën e shitblerjes nr.742 Rep, nr.390 Kol datë 31.08.1999 nga shtetasi Viliam Dede. Detyrimin e ZRPP Devoll të regjistrojë kontratën e shitblerjes nr.742 Rep, nr.390 Kol datë 31.08.1999 në favor të trashëgimtarëve të shtetasit Viliam Dede ”.
Gjykata ndër të tjera ka arsyetuar se:“...(...) Vendimi objekt ankimi nr.2504, date 11.12.2006 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, është i drejtë dhe i bazuar përsa i përket disponimit për pikën 3 dhe 4 dhe duhet të ndryshohet për pikën 2...
Gjykata e Apelit çmon se nuk qëndron pretendimi i të paditurve se paditësi Arvit Dede nuk legjitimohet në kërkimet e tij. Interesi i ligjshëm i paditësit (neni 32/a i K.Pr.Civile) në ngritjen e kësaj padie, rezulton nga fakti se ai është njëri prej trashëgimtareve ligjore të të ndjerit Viliam Dede.
Nga dokumentacioni i administruar në gjykim, vërtetohet se trashëgimlënësi Viliam Dede, ka kryer ndërtimin e pikës së karburantit në përputhje me dispozitat e Ligjit Nr,8405, datë 17.10.1998 “Për Urbanistiken”, duke u pajisur me aktet ligjore dhe teknike që parashikojnë dispozitat e këtij ligji. Organi administrativ Z.R.P.P-ja, në bazë të nenit 13 të Ligjit nr.8402/1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve në ndërtim”, ka pasur detyrimin të kryente regjistrimin e pronësisë së paditësit, të fituar në bazë të akteve administrative.
Për rrjedhojë, paditësi ka interes të ligjshëm në ngritjen e padisë, sepse duke patur cilësinë e trashëgimtarit ligjor të të ndjerit Viliam Dede ka të drejta mbi pronën objekt konflikti gjyqësor prej 2000 m" në të cilën është ndërtuar pikë karburanti, ku nga hetimi gjyqësor është vërtetuar se dokumentacioni teknik dhe ligjor sipas të cilit është kryer ndërtimi i përket babait të paditësit.
Drejt nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë është vlerësuar e ligjshme kontrata e shitjes se truallit prej 2000 m2, e datës 31.08.1999 . Kjo sipërfaqe, duke qenë truall shtetëror, në shitjen e saj i nënshtrohet ligjit nr.7980, datë 27.07.1995 “Për shitblerjen e trojeve ”. Kontrata e shitblerjes, ne rastin objekt shqyrtimi është veprim juridik që ka rrjedhur si pasojë e disponimit të organit administrativ për dhënien e sheshit të ndërtimit. Në bazë të nenit 55 të Ligjit nr.8405 “Për Urbanistiken” kontrata e blerjes së truallit lidhet kur ka përfunduar karabinaja e katit të parë. Në momentin e blerjes, trualli prej 2000 m2, i dhën2 si shesh ndërtimi, ka qenë i zënë me objektin “Pikë karburanti’ dhe për rrjedhojë nuk mund të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve.
Trashëgimlënësi i paditësit, i ndjeri Viliam Dede, duke qenë i pajisur me leje të rregullt ndërtimi e ka blerë sipërfaqen ndërtimore prej 2000 m2 nga Seksioni i Financës Devoll, ku kjo e fundit duke qenë pronare e kësaj prone, ka realizuar shitjen në bazë të Ligjit nr.7980, datë 27.07.1995 “Për shitblerjen e trojeve”.
Të paditurit edhe me parë kanë kërkuar ta godasin kontratën e shitblerjes së trualli prej 2000 m2, por me vendim gjyqësor të formës së prerë një pretendim i tillë i të paditurve është rrezuar për mos legjitimitet në ngritjen e padisë, pasi të paditurve u mungon tagri i pronësisë mbi këtë pronë sipërfaqen 2000 m' që përmban kontrata. ...
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka rezultuar e provuar si më poshtë : Sipas vendimit gjyqësor nr.1002, datë 18.05.2005 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, vërtetohet se paditësi është një nga trashëgimtarët ligjore të trashëgimlënësit Viliam Dede.
Me vendim të Këshillit të Komunës Progër nr.81, datë 02.06.1995, trashëgimlënësit Viliam Dede, si investitor i sheshit të ndërtimit, i është dhënë në fshatin Progër, sheshi i ndërtimit me sipërfaqe 2000 m2, për ndërtimin e objektit “Pikë karburanti”.
Me vendimin nr.203, datë 18.12.1995, të Këshillit të Rrethit Devoll, konform ligjit “Për urbanistiken” shtetasit Viliam Dede i është dhënë edhe leja e ndërtimit për objektin pikë shitje karburantesh me pakicë.
Trashëgimlënësit Viliam Dede, me vendim te datë 06.08.1996 te K.RR.T Rrethi Devoll, rezulton ti jetë miratuar rifreskimi i lejes së ndërtimit për pikë karburanti në qendrën e panxharit Progër.
Me kontratën e shitjes nr.742 Rep, 390 Kol, datë 31.03.1999, trashëgimlënësi Vilian Dede, ka blerë nga Seksioni i Financës së Rrethit Korçë, i përfaqësuar nga Astrit Seferkolli, truallin me sipërfaqe 2000 m2 kundrejt çmimit 640.000 lekë, të ndodhur në fshatin Progër....
Më datë 20.02.2001, trashëgimlënësi Vilian Dede duke disponuar dokumentacionin e mësipërm, ka aplikuar pranë Z.R.P.P.DevoIi për regjistrimin e objektit dhe truallit të përfituar në bazë të kontratës së shitblerjes nr.742 Rep, 390 Kol, datë 31.03.1999, duke kryer dhe aplikimin sipas ligjit.
Nga ana tjetër, me vendimin nr.4, datë 22.04.1996, të K.K.K.P pranë Këshillit të Rrethit Devoll ish pronarit Ethem Dervishllari, trashëgimlënësit të të paditurve, i është njohur pronësia mbi një sipërfaqe trualli 8700 m2, si dhe i është dhënë e drejta e parablerjes së objektit të ndërtuar nga shteti mbi këtë sipërfaqe, në bazë të nenit 14/c të Ligjit nr.7699,datë 21.04.1993.
Në bazë të vërtetimit të lëshuar nga Z.R.P.P.Devoll datë 10.07.2006, vërtetohet se vendimi i mësipërm është regjistruar në regjistrat hipotekore me nr.234/1, në bazë të të cilit figuron e regjistruar ne emër te Ethem Dervishllarit sipërfaqja e tokës prej 8700 m2.
Midis palëve ndërgjyqëse janë zhvilluar edhe gjykime të tjera në lidhje me këtë çështje, ku me vendimin e formës se prerë të Gjykatës së Shkallës se Pare Korçe nr.1855, date 27.11.2000 është rrezuar padia e te ndjerit Viliam Dede per anulimin e vendimit nr.4, date 22.04.1996 të K.K.K.Pronave.
Ndërsa me vendimin gjyqësor nr.1096, datë 30.04.2007 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korcë, ka rrëzuar kërkese padinë e ngritur nga paditëset Thoma Dimushi dhe Gurali Dervishllari kundër të paditurve Seksioni i Financës të Këshillit të Qarkut Korçë dhe Arvit Dede etj me objekt pavlefshmëri absolute të kontratës së shitblerjes nr.742 Rep, 390 Kol, datë 31.08.1999, për sipërfaqen 2000 m2, si të pabazuar në ligj dhe në prova. Në arsyetimin e kësaj gjykate përmendet fakti se paditëset nuk legjitimohen në ngritjen e padisë, pasi nuk kanë tagrin e pronësisë mbi këtë pronë. Vendimi i mësipërm është lëne në fuqi nga Gjykata e Apelit me vendimin nr.281, datë 13.07.2007. ... në vendimin nr.04. datë 22.04.1996 të K.K.K.Pronave të paditurve ju është njohur vetëm e drejta e pronësisë për efekt kompensimi dhe të drejtë parablerjeje mbi objektin e ndërtuar nga shteti mbi truallin S700 m“ dhe për rrjedhoje ky vendim nuk përben titull të detyrueshëm për regjistrim. Sa me sipër vendimi objekt ankimi duhet të ndryshojë vetëm përsa i përket sipërfaqes 2000 m: objekt i kontratës se shitblerjes. duke u çregjistruar kjo sipërfaqe nga të paditurit dhe regjistrimin e saj në favor të trashëgimtarëve të të ndjerit Viliam Dede....”.
Kundër vendimit kanë ushtruar të drejtën e rekursit pala e paditur Gurali Dervishllari, i cili kërkon Prishjen e plotë të Vendimit nr.258, datë 17/06/20011, të Gjykatës së Apelit Korçë, i cili ka lënë në fuqi Vendimin nr.2504, datë 11.12.2006, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Korçë, si të pabazuar në prova dhe në ligj.
II. LIGJI I ZBATUESHËM
Neni 42 i Kushtetutës, i cili shprehet se “1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj.”;
19. Neni 1 i Protokollit nr.1 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili shprehet se “Çdo person fizik apo juridik ka të drejtën e gëzimit paqësor të pronës së tij. Asnjë person nuk do të privohet nga prona e tij me përjashtimin e interesave të publikut dhe kur u nënshtrohet kushteve të parashikuara nga ligji dhe nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare.
Dispozitat pararendëse, sidoqoftë, nuk do të cenojnë në asnjë mënyrë të drejtën e një shteti për të zbatuar këto ligje në mënyrën që e gjykon të nevojshme për të kontrolluar përdorimin e pronës në përputhje me interesin e përgjithshëm apo për të siguruar pagimin e taksave ose të ndonjë kontributi apo detyrimi tjetër”;
Neni 163 i Kodit Civil, i cili shprehet se “Pronësia fitohet nëpërmjet mënyrave të caktuara në këtë Kod dhe mënyrave të tjera të caktuara me ligj të veçantë.”;
Neni 296 i Kodit Civil, i cili shprehet se “Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës.
Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’udorëzohet gjithë bashkëpronarëve.”;
III. KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
Se pretendimet e parashtruara në rekursin e paraqitur nga pala e paditur Gurali Dervishllari, përbëjnë shkaqe ligjore në kuptim të Nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile që të motivojnë cenimin e vendimit të Gjykatës së Apelit Korçë.
Nga shqyrtimi në tërësi i kësaj çështje, të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve nga gjykatat e faktit, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve të palëve, të vendimit të gjykatës, si dhe shkaqeve të rekursit të paraqitur nga pala e paditur, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga Gjykata e Apelit Korçë është rrjedhojë e zbatimit të gabuar të ligjit, duke cenuar procesin e rregullt ligjor, prandaj vendimi i kësaj gjykate duhet të prishet dhe çështja duhet të kthehet për rishqyrtim në atë gjykatë me trup tjetër gjykues.
Shkaqet e parashtruara në rekurs, pasi u analizuan nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, kanë rezultuar të bazuara në ligj (Neni 472 i Kodit të Procedurës Civile) dhe si të tilla do të pranohen, duke pas sjellë edhe cenimin e vendimit.
Objekti kryesor i këtij gjykimi, është në tërësi marrëdhënia juridiko-civile e pronësisë dhe konkretisht e drejta e pronësisë dhe fakultetet që rrjedhin prej saj, që ndërgjyqësit pretendojnë se janë ligjërisht titullar.
Kodi Civil, i ofron pronarit të cenuar në të drejtën e tij të pronësisë padinë e kërkimit të sendit, “rei vendicatio”, të parashikuar nga neni 296 i tij. Pikërisht kjo është padia që paditësi ka paraqitur para gjykatës duke thirrur rregullisht edhe palën kundërshtare, që pretendohet të ketë zhveshur nga pronësia pronarin. Padia e kërkimit të sendit, si nga doktrina ashtu edhe nga praktika gjyqësore, kërkon domosdoshmërish të plotësohen disa kushte, sikurse; i) janë ekzistenca e sendit të individualizuar; ii) titullin e pronësisë të pretenduar nga paditësi; dhe iii) rrethanën e faktit, posedimin e sendit nga ana e të paditurit.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vëren se në përfundimin e arritur nga ana e Gjykatës së Apelit Korcë është arsyetuar se “...Ndërsa me vendimin gjyqësor nr.1096, datë 30.04.2007 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, ka rrëzuar kërkese padinë e ngritur nga paditëset Thoma Dimushi dhe Gurali Dervishllari kundër të paditurve Seksioni i Financës të Këshillit të Qarkut Korçë dhe Arvit Dede etj me objekt pavlefshmëri absolute të kontratës së shitblerjes nr.742 Rep, 390 Kol, datë 31.08.1999, për sipërfaqen 2000 m2, si të pabazuar në ligj dhe në prova. Në arsyetimin e kësaj gjykate përmendet fakti se paditëset nuk legjitimohen në ngritjen e padisë, pasi nuk kanë tagrin e pronësisë mbi këtë pronë. Vendimi i mësipërm është lëne në fuqi nga Gjykata e Apelit me vendimin nr.281, datë 13.07.2007.” Duke marrë të mirëqenë këtë vendim, trupi gjykues ka paragjykuar çështjen duke marrë të mirëqenë se për palët e paditura mungon titulli i pronësisë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se nga ana e Gjykatës së Apelit është shkelur dispozita mbi çmuarjen e provave në dosje, pasi kjo gjykatë është bazuar në një vendim midis po të njëjtave palë ndërgjyqëse, i cili nuk ka qenë në fuqi në momentin e dhënies së vendimit.
Kështu rezultoi se Gjykata e Lartë me vendimin nr.00-2011-666 i Vendimit (207), datë 27.04.2011 ka vendosur: “Prishjen e vendimit nr.281, datë 13.07.2007, të Gjykatës së Apelit Korçë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues”, vendim i cili është dhënë në datë 27.04.2011 ndërkohë që Gjykata e Apelit Korcë ka dhënë vendimin objekt rekursi në datë 17.06.2011, pra pas më shumë se një muaji.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, vlerëson se nga ana e Gjykatës së Apelit Korçë duhet të ishin zbatuar dispozita e nenit 297 të Kodit të Procedurës Civile i cili parashikon se: “Gjykata vendos pezullimin e Gjykimit kur a) çështja nuk mund të zgjidhet para se të zgjidhet një çështje tjetër penale, civile ose administrative; b)...”, pasi ajo gjykatë nuk mund të zgjidhte mosmarrëveshjen që i ishte paraqitur pa u përfunduar më parë gjykimi në lidhje me vendimit nr.281, datë 13.07.2007 të Gjykatës së Apelit Korçë, i cili kishte lënë në fuqi vendimin nr.1096, datë 30.04.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Për këtë qëllim gjykata e cila do të rishqyrtojë çështjes në bazë të nenet 223 të K.Pr.Civile duhet të administrojë prova, dhe për këtë shkak duhet të investohet edhe kryesisht për të marrë prova të rëndësishme pranë institucioneve përkatëse, sikurse është vendimi nr.00-2011-666 i Vendimit (207) datë 27.04.2011 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë, konform parimit të hetimit të plotë dhe të gjithanshëm. Po kështu gjykata duhet të mbajë parasysh edhe fuqinë provuese sipas neneve 253 dhe 254 të K.Pr.Civile dhe nuk duhet të cenojë në asnjë mënyrë të drejtat e palëve.
Kolegji Civil thekson se hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes, në përputhje me ligjin i parashikuar nga neni 14 i K.Pr.Civile, është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit.
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedural nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulta.
Për sa më sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se në përputhje me nenin 485/c të K.Pr.Civile duhet të vendoset prishje e vendimit të Gjykatës së Apelit, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë thekson se nga ana e gjykatave duhet të mbahet parasysh edhe respektimi i afatit të arsyeshëm të zgjidhjes së konfliktit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485 germa “c” të K.Pr.Civile.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.258, datë 17.06.2011, të Gjykatës së Apelit Korçë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 04.11.2015
Nr. 11115-01608-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3702 i Vendimit (465)
Do'stlaringiz bilan baham: |