VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 04.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile që i përket:
PADITËS: DASHURI BOGDANI.
E PADITUR: SHOQËRIA “EUROCOL” SH.P.K.
OBJEKTI:
Pushimi i cenimit të pronësisë.
Baza Ligjore: Nenet 302 e 303 të K.Civil,
nenet 31 e 153 të K.Pr.Civile,
ligji nr.8405, datë 17.09.1998, “Për urbanistikën”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3756, datë 09.05.2011, ka vendosur:
“Pranimin e pjesshëm të padisë së paditëses Dashurie Bogdani.
Detyrimin e palës së paditur, shoqëria “Eurocol”shpk, të ndërtojë murin rrethues të pronës së paditëses Dashurie Bogdani, dhe të riparojë plasaritjet e mureve të brendshme të shtëpisë ndodhur në Tiranë, rr.”A.Z.Çajupi”, nr.pasurije 1/288, ZK 8380, Vol. 21, fq. 19.- Rrëzimin e pjesës tjetër të kërkimit si të pambështetur në prova e ligj”.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.547, datë 13.03.2012, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.3756, datë 09.05.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”
Kundër vendimeve të mësipërme ka ushtruar rekurs paditësja Dashuri Bogdani, e cila kërkon ndryshimin e vendimeve duke parashtruar shkaqet e mëposhtme:
-
Sipas lejes së ndërtimit të objektit, rezulton se ndërtimi në kufi me pronën tonë do të jetë kallkan, ndërkohë që ky përcaktim është në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është marrë pëlqimi jonë për një ndërtim të tillë, kjo edhe në shkelje të VKM nr.722, datë 19.11.1998. Kjo mënyrë ndërtimi, më ka nxjerrë jashtë përdorimit një pjesë të truallit, pasi në këtë rast jam unë i detyruar që nëse ndërtoj, të mbaj një distancë prej 20m2 nga objekti që po ndërtohet dhe këtë në pronën time.
-
Si rezultat i shkeljes së ligjit dhe moszbatimit të lejes së ndërtimit përveç se me ka dalë jashtë përdorimit 20 m2 truall, me është çarë murri i shtëpisë një katëshe, dëmtuar tjegullat, ka mangësi drite, ajri dhe janë shkelur rregullat dhe masat për rruajtjen nga zjarri për objektin tim.
-
I padituri nuk ka respektuar ndërtimin kallkan. Një ndërtim i tillë presupozon që të bëhet pa dritare, ndërkohë që i padituri edhe në këtë faqe të ndërtimit ka hapur dritaret e tualeteve që duhet të mbyllen.
-
Është kryer një ekspertim teknik, me përfundimet e të cilit nuk jemi dakord, pasi jo vetëm nuk janë të vërteta, por ekspertja nuk i është përgjigjur pyetjeve të drejtuara prej nesh. Referuar fakteve si më sipër, nuk mund ta kuptojmë se ku bazohet ekspertja kur del në përfundimin, se objekti është ndërtuar sipas lejes së ndërtimit të miratuar, ndërkohë që po vetë pohon se në objekt janë hapur dritare në faqen kallkan, gjë që cenon pronësinë tonë.
-
Gjykatës i ka munguar vullneti për te hetuar çështjen, në mënyrë të plotë dhe të gjithanshme, ajo gjatë gjykimit ka mbajtur anën e të paditurit, me arsyetime të pabazuara në ligj e në prova, se veprimet e të paditurit nuk kanë arsye të pengojnë paditësen në posedimin, gëzimin dhe disponimin e pronës pasi dritaret nuk shikojnë në pronën e poseduesit.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Artan Broci, dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Se vendimi nr.547, datë 13.03.2012, i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe Vendimi nr.3756, datë 09.05.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë janë marrë në zbatim të gabuar të ligjit dhe si të tillë duhet të prishen dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
I. RRETHANAT E FAKTIT
Paditësja Dashuri Bogdani, është bashkëpronare me vëllezërit e saj Sabaudin e Rakip Bogdani, për nga 1/3 pjese te pasurisë 1/288, truall me sipërfaqe 293 m2, dhe banesës me sipërfaqe 132 m2, mbi këtë truall. Prona e mësipërme ndodhet në rr.”A.Z.Çajupi”, Tiranë dhe është e regjistruar në ZVRPP, Tiranë (çertifikatë pronësie).
I padituri “Eurocol” sh.p.k, është person juridik i regjistruar rregullisht me dt.01.03.1991, si një shoqëri tregtare me aktivitet mes te tjerash edhe në fushën “ndërtimit, prodhim materiale inerte e elemente betoni”. Në ushtrim të këtij aktiviteti, i padituri “Eurocol” shpk, ka rënë në marrëveshje me familjet Bogdani, (jo paditësen), Mneri, Luga dhe Ndini, që në pronat e këtyre të ndërtojë një objekt disa katësh, sipas lejes së ndërtimit që do të jepej nga organi kompetent. Pronat e familjeve të mësipërme, në anën jugore kufizohen me pronën në bashkëpronësi të paditëses Dashuri Bogdani.
Nga aktet e administruara në gjykimin, rezulton se, Këshilli i Rregullimit të Territorit, Bashkia Tiranë, me vendimin nr.191, dt. 12.10.2008, ka miratuar “Sheshin e ndërtimit dhe kondicionet urbane të tij”, për një godinë banimi dhe shërbime 2, 3, 6, 8 dhe 9 kate, në pronën e familjeve Bogdani, Mneri, Luga dhe Ndini.
Pas kësaj, me kërkesë të të paditurit, Këshilli i Rregullimit të Territorit, Bashkia Tiranë, me vendimin nr.258, dt. 27.12.2008, ka “Miratuar lejen e ndërtimit” në favor të subjektit ndërtues “Eurocol”, në pronën e familjeve Bogdani, Mneri, Luga dhe Ndini. Leja si më sipër miratohet bashkëlidhur me planimetrinë e sheshit të ndërtimit dhe projektin e plotë teknik.
Në këto rrethana, marrëveshja me pronarët dhe leja e ndërtimit është realizuar, e aktualisht rezulton të ketë përfunduar ndërtimi i objektit nga i padituri “Eurocol” shpk.
Nga ana tjetër, paditësja Dashuri Bogdani si njëra nga bashkëpronarët kufitare me objektin e ndërtuar dhe me pretendimin se ky ndërtim e ka cenuar në pronësinë e saj, me padinë e depozituar pranë gjykatës ka kërkuar “pushimin e cenimit të pronësisë”. Paditësja ka pretenduar se: Kjo mënyrë ndërtimi me ka nxjerrë jashtë përdorimit një pjesë të truallit; Si rezultat i shkeljes së ligjit dhe moszbatimit të lejes së ndërtimit përveç se me ka dalë jashtë përdorimit 20 m2 truall, me është çarë murri i shtëpisë një katëshe, dëmtuar tjegullat, ka mangësi drite, ajri dhe janë shkelur rregullat dhe masat për rruajtjen nga zjarri për objektin tim; I padituri nuk ka respektuar ndërtimin kallkan. Një ndërtim i tillë presupozon që të bëhet pa dritare, ndërkohë që i padituri edhe në këtë faqe të ndërtimit ka hapur dritaret e tualeteve që duhet të mbyllen
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.3756, datë 09.05.2011, ka vendosur: “- Pranimin e pjesshëm të padisë së paditëses Dashurie Bogdani. Detyrimin e palës së paditur, shoqëria “Eurocol” shpk, të ndërtojë murin rrethues të pronës së paditëses Dashurie Bogdani, dhe të riparojë plasaritjet e mureve të brendshme të shtëpisë ndodhur në Tiranë, rr.”A.Z.Çajupi”, nr.pasurie 1/288, ZK 8380, Vol. 21, fq. 19.
- Rrëzimin e pjesës tjetër të kërkimit si të pambështetur në prova e ligj”.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arsyetuar ndër të tjera se: “...Ndërtimi i paditëses në truallin e saj, banesë 1 dhe 2 kate, rezulton te jete në kufi te pronës, pikërisht ne kufirin perëndimor ku është kufitare edhe me ndërtimin e kryer nga i padituri dhe me vendosje perpendikulare me këtë ndërtim.
Në këto rrethana, fasada e banesës së paditëses, hyrja, dyert e dritaret e saj dhe oborri i kësaj banese janë në anën jugore të pronës, anë që nuk kufizohet me ndërtimin e kryer nga i padituri.
Ana veriore e banesës së paditëses është kallkan, me distance prej 0.95 m nga muri rrethues i vetë pronës, ndërkohë që në distance prej 49.7 cm, nga ky mur është faqja kallkan e ndërtimit të kryer nga i padituri.
Faktet si më sipër, rezultojnë të provuara nga aktet e administruara ne gjykimin në shkallë të parë si planvendosja e pronës, truall dhe banesë, të paditëses dhënë në “Hartën Treguese” të regjistrimit të kësaj prone ne ZVRPP, “Planvendosja dhe Kondicionet Urbane” të ndërtimit të të paditurit miratuar në lejen për sheshin e ndërtimit, si dhe “Projekti Teknik”, i ndërtimit të të paditurit miratuar me lejen e ndërtimit.
Nga akti i ekspertimit i administruar në gjykimin në shkallë të parë, referuar provave si me sipër dhe matjeve të kryera në vend nga ekspertja, konfirmohen faktet se: “i padituri ka respektuar projektin e zbatimit të miratuar në lejen e ndërtimit dhënë nga KRRT, Bashkia Tiranë ... në kufirin e pronës me paditësen, ndërtimi është kryer në dy katet e para kallkan, ndërkohë që mbi këtë kat, mes akseve “D” dhe “E”, ka dritare të tualetit me përmasa 0.8 X 0.9 m, të vendosura në kuotën 1.60 m nga dyshemeja sipas projektit, ndërkohë që pjesa tjetër është tërësisht kallkan ... Dritaret janë të spostuara nga kufiri i pronës së paditëses në distance 3.4 m dhe gjerësi 4.15 m ...“.
Akti i ekspertimit si më sipër, shoqërohet me planvendosjen e dy pronave objekt gjykimi dhe me një tabelë fotografike të bërë nga ekspertja gjatë këqyrjes në vend të këtyre pronave.”
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.547, datë 13.03.2012, ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit 3756, datë 09.05.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arsyetuar ndër të tjera se: “...Jo vetëm për faktin se i padituri ka respektuar projektin e miratuar, por kryesisht për faktin se dritaret janë te vendosura mbi katin e dytë të ndërtimit, ato janë të pozicionuara në hapësirën e krijuar midis dy akseve te këtij ndërtimi, si dhe referuar përmasave të dritareve dhe lartësisë së tyre nga dyshemeja, fakt që tregon se funksioni i tyre kryesor është për ajrim dhe ndriçim natyral, Gjykata e Apelit Tiranë krijon bindjen, se këto dritare nuk cënojnë pronësinë e paditëses.
Gjykata e Apelit Tirane, vlerëson se kërkimi i paditëses lidhur me cënimin nga dritaret e ndërtimit të të paditurit, rezulton i pambështetur në prova.
Nga ana tjetër, mbi pretendimet e paditëses, ekspertja e thirrur në gjykimin në shkallë të parë, ka konstatuar se gjatë ndërtimit i padituri ka dëmtuar në disa vende murin rrethues të pronës se paditëses, si dhe i ka shkaktuar disa plasaritje murit të brendshëm të ndërtesës së saj, dëme këto për të cilat gjykata duke pranuar pjesërisht padinë, ka disponuar e urdhëruar të paditurin të bëjë riparimin e tyre.
Mbi këtë disponim i padituri, jo vetëm nuk ka paraqitur ankim, por përfaqësuesi i tij në këtë proces, deklaroi se ne mënyrë vullnetare e kishin ekzekutuar tashme këtë vendim, duke i kryer këto punime.”
Kundër vendimeve të mësipërme ka ushtruar rekurs paditësja Dashuri Bogdani, e cila kërkon ndryshimin e vendimeve
II. LIGJI I ZBATUESHËM
Neni 42 i Kushtetutës, i cili shprehet se “1. Liria, prona dhe të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor.
2. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”;
Nenet 302 e 303 të Kodit Civil;
Nenet 31 e 153 të K. Pr. Civile,
Ligji nr.8405, datë 17.09.1998, “Për urbanistikën”.
III. KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rishqyrtim po në atë gjykatë, me tjetër trup gjykues, për shkak se ai vendim është dhënë në shkelje të tilla procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit (neni 472, shkronja “c” e K. Pr. Civile). Kolegji Civil vjen në këtë përfundim pasi ka shqyrtuar arsyet dhe përfundimet ku mbështeten gjykatat e faktit dhe çështja duhet të dërgohet për rishqyrtim në gjykatën e shkallës së parë Tiranë.
Në çështjen objekt gjykimi, mosmarrëveshja ndërmjet palëve ka të bëjë me të drejtën e pronësisë dhe gëzimin e saj. Neni 302 i K.Civil përcakton se: ”Pronari ka të drejtë të kërkojë nga cilido që e cenon në pronësisë e tij, por pa u zhveshur nga posedimi, të pushojë cenimin dhe të mos përsërisë këtë në të ardhmen, dhe , kur është rasti të shpërblejë dëmet që mund t’i ketë shkaktuar.”
Në kuptim të nenit 302 të Kodit Civil, padia mohuese është padia e pronarit që pengohet në ushtrimin e pjesshëm të tagrave të tij të pronësisë, posaçërisht të gëzimit dhe posedimit të sendit, por pa ia hequr atij këtë posedim. Me anë të kësaj padie reale pronari kërkon nga cenuesi që të pushojë cenimin dhe të mos e përsërisë këtë në të ardhmen. Si padi reale, padia mohuese synon mbrojtjen e pronësisë mbi sendin, pra ka për objekt sendin që është në pronësi të paditësit.
Kështu, me anë të padisë mohuese synohet, nga njëra anë, njohja e së drejtës së pronësisë së paditësit dhe, nga ana tjetër, njohja se i padituri nuk ka të drejtë të ndërhyjë, pra mohimi i qenies së të drejtës së pretenduar nga i padituri.
Në kuptim të nenit 302, si paditës në padinë mohuese mund të jenë ato subjekte të cilat, njësoj sikurse në padinë e rivendikimit (neni 296), kanë cilësinë e pronarit të sendit, si dhe kanë (pra nuk e kanë humbur) posedimin e sendit në kohën e kryerjes së cenimit të pretenduar nga ana e të paditurit.
Njëkohësisht, njësoj si në padinë e rivendikimit, edhe në padinë mohuese, nëse i prapësohet nga ana e të paditurit, paditësi ka detyrimin të provojë pronësinë e tij mbi sendin objekt gjykimi. Ndërsa barra e provës së të paditurit është të provojë prapësimet e tij se ka një të drejtë në bazë të së cilës bën ndërhyrjen në pronësinë e paditësit, nëse nuk ka ngritur pretendim mbi vetë pronësinë e paditësit mbi atë send, apo ky prapësim nuk vërtetohet në gjykim.
Nga ky interpretim i drejtë i dispozitës së nenit 302 të Kodit Civil, rezulton që, në thelb, paditësi duhet të jetë pronari i sendit, me titull të ligjshëm pronësie mbi sendin objekt gjykimi.
Nisur nga parashtrimi i mësipërm i kuptimit të nenit 302 të Kodit Civil, nëse gjatë shqyrtimit të një padie mohuese, nga ana e palës së paditur ngrihet prapësim mbi cilësinë e pronarit të sendit, atëherë paditësi duhet të provojë se është pronar i rregullt i sendit.
Për rrjedhojë, gjykata, ka për detyrim të shprehet, duke arsyetuar e disponuar në vendimin e saj, pikësëpari në varësi të faktit të ardhjes ose jo në përfundimin se paditësi është pronar i sendit, apo të vërtetimit ose jo të pronësisë së rregullt të paditësit qoftë edhe mbi një pjesë të sendit, a sendeve objekt gjykimi, e që ka ndikim direkt mbi rrethanën tjetër të pretenduar nga paditësi, atë të natyrës e të masës së cenimit në pronësi nga i padituri i thirrur rregullisht para gjykatës.
Gjykata në këtë kuptim ka detyrë të saj funksionale për të hetuar në lidhje me cenimin e pronësisë së paditësit/pronar nga ana e të paditurit.
Duke u rikthyer në mosmarrëveshjen e paraqitur para gjykatës, rezulton se nga ana e paditëses është pretenduar cenimi i të drejtës së saj të pronësisë nga ana e të paditurit, i cili ka ndërtuar në bazë të një lejë, e cila pretendohet se ka dalë në shkelje të ligjeve mbi urbanistikën dhe gjithashtu nuk është zbatuar në përputhje me zbardhjen e lejes së ndërtimit, pretendim të cilit nuk i është dhënë një përgjigje e argumentuar nga ana e asnjë gjykate.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se nga ana e Gjykatave nuk i është dhënë përgjigje pretendimit të paditëses në lidhje me vlefshmërinë e lejes së ndërtimit. Gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar në vendimin e saj se nuk mund të shprehej në lidhje me paligjshmërinë e një leje ndërtimi, si akt administrativ e cila është ekzekutuar plotësisht, duke harruar se përgjigjja e kësaj pyetje kishte të bënte me pretendimet në themel të gjykimit, dhe pasojave të ardhura për palën paditëse.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, rithekson se e drejta për një proces të rregullt ligjor, që i garantohet individit nga nenet 42 dhe 142/1 të Kushtetutës si dhe neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), përfshin edhe të drejtën për të pasur një vendim gjyqësor të arsyetuar. Funksioni i një vendimi të arsyetuar është t’u tregojë palëve që ato janë dëgjuar, si dhe u jep mundësinë atyre ta kundërshtojnë atë. Përveç kësaj, duke dhënë një vendim të arsyetuar, mund të realizohet vëzhgimi publik i administrimit të drejtësisë (shih vendimet nr.55, datë 18.12.2012; nr.8, datë 28.02.2012; nr.8, datë 16.03.2011 dhe nr.25, datë 10.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
Gjykata Kushtetuese, kërkesën për të pasur një vendim gjyqësor të arsyetuar, e ka vlerësuar rast pas rasti, në varësi të rrethanave konkrete të çështjes, duke analizuar nëse vendimet gjyqësore të kundërshtuara e kanë përmbushur në mënyrë të mjaftueshme detyrimin për arsyetimin e vendimeve të tyre (shih vendimin nr.55, datë 18.12.2012 të Gjykatës Kushtetuese).
Sipas jurisprudencës së konsoliduar të Gjykatës Kushtetuese, dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), është theksuar detyrimin që ka gjykata (vendase) për të arsyetuar vendimet e saj, për çdo pretendim të palës ndërgjyqëse.
Për këtë arsye Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se në rishqyrtimin e cështjes në shkallë të parë, gjykata duhet të hetojë në lidhje me vlefshmërinë ose jo të lejes së ndërtimit, si pasojë e zbatimit të së cilës pretendohet prej palës paditëse se i është shkelur e drejta subjektive me karakter real dhe absolut ajo e pronësisë.
Në rekursin e palës paditëse ngrihen edhe pretendime që lidhen zgjidhjen në themel të çështjes, për të cilat, në rishqyrtim, duhet të shprehet në mënyrë ezauruese gjykata e shkallës së parë, duke çmuar ajo vetë mbi nevojën dhe shkallën e përsëritjes së hetimit gjyqësor në funksion të dhënies përgjigje mbi shkaqet që ngrihen në ankimin e palës paditëse.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se në kushtet kur nga ana e palës paditëse është kundërshtuar akti i ekspertimit për faktin se nuk i është përgjigjur qartësisht nëse sipas lejes së ndërtimit të dhënë palës së paditur ka pasur ose jo një faqe kallkan, nëse po në çfarë pozicioni, Gjykata e Apelit duhet të kishte riçelur hetimin gjyqësor. Gjykata e Apelit në kushtet kur kemi një akt ekspertimi të metë apo të paqartë sipas nenit 229 të K.Pr.Civile gjykata edhe kryesisht duhet të kërkojë sqarime plotësuese dhe mund të urdhërojë kryerjen e një ekspertimi të ri duke thirrur ekspertë të tjerë. Duke vepruar në këtë mënyrë gjykata nuk ka respektuar dispozitat përkatëse procedurale për marrjen e provave.
Gjykata e apelit, njësoj si ajo e shkallës së parë, është gjykatë fakti e ligji, prandaj mund të përsërisë, pra edhe të “plotësojë” vetë hetimin gjyqësor të mangët të gjykatës së shkallës së parë, pa qenë e kufizuar në hetim në drejtim të zbatimit të ligjit dhe të vlerësimit e çmuarjes së provave, me përjashtim të rrethanës sipas shkronjës “ë” të nenit 467 të K.Pr.Civile (vendimi nr.160, datë 06.04.2010 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).
Në çështjen objekt gjykimi, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i lë si detyrë gjykatës që do të marrë çështjen në rishqyrtim, marrjen e provave të cilat i shërbejnë provimit të pretendimit të palëve dhe gjithashtu i lë si detyrë marrjen e provës me ekspert në bazë të nenit 224/a e vijues të K.Pr.Civile, në lidhje me qartësimin e zbatimit të lejes së ndërtimit, në lidhje me faqen kallkan.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se hetimi i plotë dhe i gjithanshëm i çështjes në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile) është parim themeltar i gjykimit civil dhe përbën një detyrim për gjykatat në të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykatat e shkallës së parë dhe ato të apelit janë gjykata të faktit dhe të ligjit, në ndryshim nga Gjykata e Lartë, e cila është gjykatë ligji. Duke qenë të tilla, në gjykimin në shkallë të parë dhe në apel nuk ka asnjë pengesë, madje është detyrim, që gjykata të lejojë palët të paraqesin kërkimet e prapësimet, provat ku i mbështetin ato dhe të arrijnë në përfundimet përkatëse për zgjidhjen e çështjes, duke çmuar e vlerësuar provat sipas ligjit që është i zbatueshëm për gjykatën.
Në ndryshim nga dy gjykatat më të ulëta, Gjykata e Lartë ka për objekt vetëm zbatimin e ligjit material e procedural nga ana e tyre, por pa patur të drejtën të zhvillojë hetimin gjyqësor në drejtim të marrjes së provave, apo vlerësimit e çmimit të atyre që janë vënë në bisedim nga gjykatat më të ulëta.
Gjykata e Lartë, edhe nëse arrin në përfundimin se hetimi gjyqësor nuk është i plotë dhe i gjithanshëm, ka të drejtën vetëm të prishë vendimin e gjykatës më të ulët dhe të kthejë çështjen për rishqyrtim duke i caktuar edhe detyrat përkatëse. Gjykata e Lartë nuk mund të përsërisë vetë tërësisht a pjesërisht hetimin gjyqësor, për shkakun e thjeshtë se, duke qënë vetëm gjykatë ligji, nuk i lejohet të marrë prova të reja apo të lejojë palët të debatojnë mbi provat, duke hetuar e çmuar ndryshe provat e debatuara në gjykimin në apel e shkallë të parë (vendimi nr.160, datë 06.04.2010 i Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë).
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485 pika “ç” të K.Pr.Civile.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.547, datë 13.03.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.3756, datë 09.05.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tirane, me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 04.11.2015
Nr. 11243-03222-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3703 i Vendimit (466)
Do'stlaringiz bilan baham: |