VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Arjana Fullani Anëtare
Aleksandër Muskaj Anëtar
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 04.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile që i përket:
PADITËS: 1. LEFTER SHUKA
2. ZOICA RRUFA
3. ARBEN LAKO
TË PADITUR: 1. SELAMI XHANI
2. AGIM KADENA
3. QAMIL XHANI
4. AGIM MEMA
OBJEKTI:
Lirim dhe dorëzim sendi, trojet e zëna
të ndodhura në Lagjen “13 Plazh-Durrës”.
Baza Ligjore: Neni 296 i Kodit Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.585, datë 05.03.2010, ka vendosur:
“Pranimin e kërkesë padisë të paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuka dhe Arben Lako.
Detyrimin e të paditurve Agim Kadena, Selami Xhani, Qamil Xhani dhe Agim Mema, t’i lirojnë e dorëzojnë paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuki dhe Arben Lako sipërfaqet e tokës truall, pronësi e paditësave të zëna me ndërtim dhe oborre në funksion të këtyre ndërtimeve si më poshtë:
1. I padituri Agim Kadena t’i lirojë e dorëzojë paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tyre, sipërfaqen e zënë gjithsej 298 m2 truall, (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 86 m2) dhe konkretisht:
a) me ndërtim 86 m2, në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa, etj.
b) truall të lirë (oborr) 212 m2 nga të cilat:
- 118,6 m2 në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa etj.
- 39,2 m2 në pasurinë 24/60 të paditësit Lefter Shuka etj.
- 54,2 m2 në pasurinë 24/61 të paditësit Lefter Shuka etj.
2. I padituri Agim Mema t’i lirojë e dorëzojë paditësit Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tij, sipërfaqen e zënë gjithsej 390 m2 truall (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 120 m2 dhe konkretisht:
a) me ndërtim 120 m2 (85+35) nga të cilat 72,8 m2 në pasurinë 24/60 dhe 47,2 m2 në pasurinë 24/61.
b) truall të lirë (oborr) 270 m2, nga të cilat 53 m2, në pasurinë 24/60 dhe 217m2 në pasurinë 24/61.
3. I padituri Qamil Xhani t’i lirojë e dorëzojë paditësit Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tij, sipërfaqen e zënë gjithsej 150,4 m2 truall (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 82,8 m2) dhe konkretisht:
a) me ndërtim 82,8 m2, nga të cilat 14 m2 në pasurinë 24/60 dhe 68,8 m2 në pasurinë 24/61.
b) truall të lirë (oborr) 67,6 m2 nga të cilat 18 m2 në pasurinë 24/60 dhe 49,6 m2 në pasurinë 24/61.
4. I padituri Selami Xhani t’i lirojë e dorëzojë paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tyre, sipërfaqen e zënë gjithsej 291,4 m2 truall (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 126,4 m2) dhe konkretisht:
a) me ndërtim 126,4 m2 nga të cilat:
- 69,7 m2 në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa;
- 45 m2 në pasurinë 24/87 të paditësit Arben Lako;
- 11,7 m2 në pasurinë 24/60 të paditësit Lefter Shuka etj.
b) truall të lirë (oborr) 165 m2 nga të cilat:
- 90,7 m2 në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa etj.
- 55 m2 në pasurinë 24/87 të paditësit Arben Lako;
- 19,3 m2 në pasurinë 24/60 të paditësit Lefter Shuka etj.
- Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të paditurit.”
Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.526, datë 08.09.2011, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit civil nr.585, datë 05.03.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.”
Kundër vendimit nr.526, datë 08.09.2011, të Gjykatës së Apelit Durrës, ka bërë rekurs i padituri Selami Xhani, i cili kërkon nga Gjykata e Lartë: “Prishjen e vendimeve”, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Gjykata i ka dhënë të drejtë paditësit nëpërmjet nenit 2/4 të Ligjit nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje”, ku thuhet: “Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë, kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero.”
-
Gjykatat nuk kanë pasur kompetencë që ta trajtojnë padinë në funksion të pranimit ose jo të legalizimit si proces i filluar. Ligji i ka dhënë të drejtë ekskluzive ALUIZN-it, si organ administrative kompetent, për të caktuar nëse një individ me ndërtim pa leje ka ose jo të drejtë të legalizojë pronën e vet.
-
Shqyrtimi i kësaj kërkese, ipso jure, merr karakter të shqyrtimit në shkallë të parë të një çështje me karakter administrativ, prandaj organi kompetent në bazë të ligjit përkatës nuk është gjykata, por një organ administrativ.
-
Vendimet e gjykatave, janë me cen juridik dhe duhet të prishen, gjykatat kanë dalë jashtë objektit të kësaj kërkese; sepse padia në fjalë e cila është gjykuar nuk ka pasur si objekt anulimin e aktit administrative që ka bërë njohjen e legalizimit.
-
Vetë gjykata e ka pranuar si të provuar faktin se i padituri është në proces për njohjen e legalizimit. Fakti që e ka pranuar si të vërtetë vijimin e procesit të legalizimit brenda arsyetimit që kemi bërë më lart, të dyja gjykatat kanë qenë të detyruara të pezullojnë gjykimin për cenim pronësie derisa ALUIZNI të nxjerrë aktin e vetë administrativ.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Majlinda Andrea, konstatoi mungesën e palëve ndërgjyqëse; si dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e çështjes
1. Paditësja Zoica Rrufa, në bashkëpronësi me bashkëpjesëtarë të tjerë, kanë të regjistruar në favor të tyre, truall me sipërfaqe 716,1 m2 e ndodhur në Lagjen nr.13 Plazh Durrës, me kufizime të përcaktuara në certifikatën e pasurisë.
2. Paditësi Lefter Shuka në bashkëpronësi me bashkëpjesëtarë të tjerë kanë të regjistruar në favor të tyre, truall me sipërfaqe 590 m2 e ndodhur në lagjen nr.13 Plazh Durrës, kufizime të përcaktuara në certifikatën e pasurisë.
3. Paditësi Lefter Shuka ka në bashkëpronësi me bashkëpjesëtarë të tjerë, të regjistruar në favor të tyre edhe pasurinë me sipërfaqe 230 m2 e ndodhur në lagjen nr.13 Plazh Durrës, certifikata e pronësisë e Z.V.R.P.P Durrës.
4. Paditësi Arben Leka ka të regjistruar në favor të tij, truall me sipërfaqen 100 m2 e ndodhur në lagjen nr.13 Plazh Durrës, certifikata e pronësisë e Z.V.R.P.P Durrës.
5. Duke qenë pronarë të pronës së sipërpërmendur dhe duke pretenduar se kjo pronë është zënë dhe posedohet në mënyrë të paligjshme nga të paditurit me ndërtime, paditëset i kanë njoftuar të paditurit që të lirojnë e dorëzojnë pronën e tyre të sipërcituar, duke i bërë të ditur se në rast të mos lirimit e dorëzimit, do të ndiqnin procedurat e tjera ligjore për të realizuar të drejtat e tyre. Të paditurit nuk e kanë liruar pronën dhe paditëset i janë drejtuar me kërkesë padi gjykatës.
5.1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, me vendimin nr.585, datë 05.03.2010, ka vendosur:
“-Pranimin e kërkesë padisë të paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuka dhe Arben Lako.
- Detyrimin e të paditurve Agim Kadena, Selami Xhani, Qamil Xhani dhe Agim Mema, t’i lirojnë e dorëzojnë paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuki dhe Arben Lako sipërfaqet e tokës truall, pronësi e paditësave të zëna me ndërtim dhe oborre në funksion të këtyre ndërtimeve si më poshtë:
1. I padituri Agim Kadena t’i lirojë e dorëzojë paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tyre, sipërfaqen e zënë gjithsej 298 m2 truall, (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 86 m2) dhe konkretisht:
a) me ndërtim 86 m2, në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa, etj.
b) truall të lirë (oborr) 212 m2 nga të cilat:
- 118,6 m2 në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa etj.
- 39,2 m2 në pasurinë 24/60 të paditësit Lefter Shuka etj.
- 54,2 m2 në pasurinë 24/61 të paditësit Lefter Shuka etj.
2. I padituri Agim Mema t’i lirojë e dorëzojë paditësit Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tij, sipërfaqen e zënë gjithsej 390 m2 truall (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 120 m2 dhe konkretisht:
a) me ndërtim 120 m2 (85+35) nga të cilat 72,8 m2 në pasurinë 24/60 dhe 47,2 m2 në pasurinë 24/61.
b) truall të lirë (oborr) 270 m2, nga të cilat 53 m2, në pasurinë 24/60 dhe 217m2 në pasurinë 24/61.
3. I padituri Qamil Xhani t’i lirojë e dorëzojë paditësit Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tij, sipërfaqen e zënë gjithsej 150,4 m2 truall (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 82,8 m2) dhe konkretisht:
a) me ndërtim 82,8 m2, nga të cilat 14 m2 në pasurinë 24/60 dhe 68,8 m2 në pasurinë 24/61.
b) truall të lirë (oborr) 67,6 m2 nga të cilat 18 m2 në pasurinë 24/60 dhe 49,6 m2 në pasurinë 24/61.
4. I padituri Selami Xhani t’i lirojë e dorëzojë paditësave Zoica Rrufa, Lefter Shuka dhe bashkëpjesëtarëve të tjerë të tyre, sipërfaqen e zënë gjithsej 291,4 m2 truall (në të cilën përfshihet dhe sipërfaqja e truallit nën objekt prej 126,4 m2) dhe konkretisht:
a) me ndërtim 126,4 m2 nga të cilat:
- 69,7 m2 në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa;
- 45 m2 në pasurinë 24/87 të paditësit Arben Lako;
- 11,7 m2 në pasurinë 24/60 të paditësit Lefter Shuka etj.
b) truall të lirë (oborr) 165 m2 nga të cilat:
- 90,7 m2 në pasurinë 24/88 të paditëses Zoica Rrufa etj.
- 55 m2 në pasurinë 24/87 të paditësit Arben Lako;
- 19,3 m2 në pasurinë 24/60 të paditësit Lefter Shuka etj.
- Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të paditurit.”
6. Gjykata e Apelit Durrës, me vendimin nr.526, datë 08.09.2011, ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit civil nr.585, datë 05.03.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.”
6.1. Në marrjen e këtij vendimi gjykata ka arsyetuar (ndër të tjera) se: “... [M]e të drejtë gjykata e faktit Durrës për të provuar pretendimet e palëve, konform nenit 224/a e vijues të K.Pr.Cvile, ka vendosur të marrë prova me ekspert.
Nga akti i ekspertimit ka rezultuar se pasuritë e palëve ndërgjyqëse shtrihen në zonën kadastrale 8518 Plazh, Durrës ...
Pasuritë e paditësit Lefter Shuka e bashkëpjesëtarëve të tjerë përbëhen prej dy sipërfaqesh dhe konkretisht, pasuria ne forme drejtkëndëshi ... me sipërfaqe 230 m2 si dhe ... një sipërfaqe prej 590 m2. Të dy këto pasuri janë të bashkangjitura me njëra tjetrën në drejtim gjatësor të tyre pasi dimensionin në shtrirjen Jug-Veri e kanë të njëjtë.
... pasuria e paditësit Arben Lako përbëhet nga sipërfaqja prej 100 m2 ... kurse pasuria e paditëses Zoica Rrufa dhe bashkëpjesëtareve të tjerë është në të njëjtën vendndodhje dhe ka ... një sipërfaqe prej 716 m2.
... pasuritë e paditësve krijojnë një bllok pasurish në terren ku në mes të tyre pasuria nr.24/89 rezulton të jetë e njërit prej të paditurve, e konkretisht Agim Mema.
Nga akti i ekspertimit është konkluduar se:
- I padituri Agim Kadena ka zënë gjithsej 298 m truall ...
- I padituri Agim Mema ka zënë gjithsej 390 m2 truall, ..
- I padituri Qamil Xhani ka zënë gjithsej 150,4 m truall ....
- I padituri Selami Xhani ka zënë 291,4 m truall, ...
Vlerësojmë se baza ligjore me të cilin paditësit kanë mbështetur pretendimet e tyre është e saktë ... Për t’u ngritur padia e rivendikimit duhet të plotëson disa kushte: ...
Drejt ka konkluduar Gjykata e Faktit Durrës kur ka arsyetuar se në gjykim është pranuar fakti se paditësat ... janë pronarë të sendit, të pasurive ... të provuara nga certifikata e pronësisë lëshuar nga Z.V.R.P.P. Durrës. Pra, provohet elementi kryesor i padisë së rivendikimit, ai i pronësisë.
... në gjykim u provua se kjo pronë posedohej nga të paditurit, me ndërtime dhe oborre në funksion të këtyre ndërtimeve, të cilat janë posedues të paligjshëm të sipërfaqeve të trojeve përkatëse të ndodhura brenda sipërfaqes së tokës truall, pronësi e të paditurve pasi kanë ndërtuar pa leje organeve kompetente dhe jo në tokën e tyre ....
Që të paditurit janë posedues të paligjshëm provohet dhe nga fakti që ata kërkojnë të legalizojnë këto ndërtime dhe oborre në funksion të këtyre ndërtimeve pikërisht në ligjin nr.9482, datë 03/04/2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e ndërtimeve pa leje”.
... çmojmë se pretendimet e ngritura nga të paditurit nuk qëndrojnë pasi të paditurit nuk janë subjekt i Ligjit nr.9482, datë 03/04/2006 “Për Legalizimin, Urbanizimin ...” pasi;
a) referuar nenit 2 të këtij ligji, “Fusha e zbatimit” ky ligj zbatohet për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji si dhe,
b) referuar nenit 2/4 të po këtij ligji është cituar se “Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë ku planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero”.
... prona objekt gjykimi, trualli i paditësve ndodhet brenda sipërfaqes ku është bërë studimi Urbanistik i miratuar nga K.Rr.T.R.SH, provuar nga shkresa e lëshuar nga Departamenti i Urbanistikës së Bashkisë Durrës ku citohet se “Pronësia ndodhet në zonën me lartësi të kufìzuar deri në 10 kate”, pra del qartë se në këtë zone ka studim Urbanistik për këto troje deri në 10 kate.
Drejtë ka konkluduar gjykata e faktit kur ka çmuar se Ligjit nr.9482 ...nuk shtrin fushën e veprimit për të paditurit, pasi ndërtimet e tyre janë pa leje de brenda vijës së verdhë. Në këto kushte, nuk jemi përpara rastit të parashikuar nga neni 297/a i K.Pr.Civile. ...”
7. Kundër vendimit nr.526, datë 08.09.2011, të Gjykatës së Apelit Durrës, ka bërë rekurs i padituri Selami Xhani, i cili kërkon nga Gjykata e Lartë, prishjen e vendimeve, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Ligji i zbatueshëm
8. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, Kodit Civil dhe Ligjit nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, Urbanizimin dhe Integrimin e Ndërtimeve pa Leje”, në të cilat është parashikuar:
8.1. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
8.2. Neni 29 i K.Pr.Civile: “Gjykata mbështet vendimin në provat e paraqitura nga palët ose nga prokurori, të marra në seancë gjyqësore.
Gjykata çmon provat që ndodhen në aktet, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes”.
8.3. Neni 296 i K.Civil: “Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.”
8.4 Neni 2 i Ligjit nr.9482: “1. Ky ligj zbatohet për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nëse ato kanë funksion strehimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, të ngritura dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar e që veprojnë sipas të drejtës tregtare shqiptare.
...
4. Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë, kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero.”
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
9. Se rekursi i paraqitur nga i padituri Selami Xhani nuk përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile që motivojnë cenimin e vendimit nr.526, datë 08.09.2011, të Gjykatës së Apelit Durrës, me të cilin është lënë në fuqi vendimi nr.585, datë 05.03.2010, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.
10. Në juridiksionin rishikues të Gjykatës së Lartë përfshihen vetëm rastet rigorozisht të përcaktuara në nenin 472, të Kodit të Procedurës Civile, që lidhen me mosrespektimin ose zbatimin e gabuar të ligjit, si dhe me shkeljet e rënda të normave procedurale apo shkelje procedurale që kanë ndikuar në dhënien e vendimit. Në rastin në shqyrtim, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, pa i hyrë analizës së fakteve dhe provave, evidenton se pretendimet e parashtruara si shkaqe për ndryshimin e vendimit nr.526, datë 08.09.2011 të Gjykatës së Apelit Durrës nuk gjejnë mbështetje në ligj.
11. Në këtë përfundim, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin pas shqyrtimit në tërësi të kësaj çështje, të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore të administruara gjatë gjykimit, objektit dhe shkakut të padisë, pretendimeve e prapësimeve të palëve, të vendimeve të gjykatave të faktit, shkaqeve të rekursit, parë këto në raport me dispozitat e ligjit material të zbatueshme për rastin konkret, si dhe me detyrimin e gjykatës për respektimin e dispozitave ligjore gjatë shqyrtimit të mosmarrëveshjes.
12. Kolegji Civil, në shqyrtim të përmbajtjes së padisë dhe shkaqeve të saj, evidenton se paditësit kanë ka kërkuar në gjykatë detyrimin të paditurve të lirojnë e dorëzojnë pjesën e zaptuar në pronat e tyre, me pretendimin se pronat janë zënë dhe posedohen në mënyrë të paligjshme nga të paditurit me ndërtime, duke paraqitur në gjykim prova për pronësinë e tyre (pasuritë sipas certifikatave të pronësisë lëshuar nga Z.V.R.P.P. Durrës).
12.1. Përkundrejt kërkimit të paditësve, të paditurit kanë pranuar se nuk kanë titull pronësie, por kanë pretenduar se janë në proces legalizimi (provuar me deklarimet e secilit prej tyre).
13. Në analizë të pretendimeve të palëve ndërgjyqëse dhe pjesës arsyetuese të vendimeve gjyqësore, konstatohet se gjykatat e faktit kanë bërë një cilësim të drejtë dhe një hetim të plotë për të saktësuar natyrën e mosmarrëveshjes. Të dy gjykatat kanë sqaruar plotësisht rrethanat që lidhen me gjykimin e çështjes e që kanë të bëjnë me elementë thelbësorë të padisë së rivendikimit. Në analizë juridike të vendimeve të gjykatave, ky Kolegj vlerëson se gjykatat kanë dhënë arsyet dhe argumentet ligjore të pranimit të padisë.
14. Në kuptim të padisë së rivendikimit (actio rivendicatio), sipas nenit 296 të Kodit Civil, gjatë gjykimit të kësaj padie duhet të vërtetohet domosdoshmërisht legjitimiteti aktiv i paditësit (paditësi duhet të jetë pronar i sendit, për të cilin kërkon kthimin) dhe legjitimiteti pasiv i të paditurit (nëse ky i fundit është ose jo posedues i paligjshëm i sendit).
15. Në çështjen objekt gjykimi, gjykatat pasi kanë çmuar provat që ndodhen në dosjen gjyqësore, që i janë nënshtruar hetimit dhe debatit gjyqësor, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes (nenin 29 i Kodit të Procedurës Civile) kanë konkluduar se, paditësit janë pronarë të sendit (truallit respektiv), si dhe të paditurit nuk disponojnë asnjë titull (shkak të ligjshëm) për posedimin e sendit (truallit), që kërkohet të dorëzohet.
16. Duke qenë se të paditurit kanë pretenduar se janë në proces legalizimi, gjykata me të drejtë kanë marrë në analizë se nëse pozita e të paditurve është e ndërvarur dhe e kushtëzuar nga rregullimet e bëra edhe nga ligji nr.9482, datë 16.02.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.
17. Kështu, me të drejtë gjykatat e faktit kanë marrë në analizë faktet dhe rrethanat konkrete për të verifikuar nëse të paditurit janë apo jo përfitues nga ligji nr.9482, datë 16.02.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, dhe nëse objektet e ndërtuar prej tyre pa leje ndërtimi përfshihen ose jo në kriteret ligjore që përcaktohen në këtë ligji, si dhe duke analizuar gjendjen konkrete të faktit me normat ligjore që rregullojnë këtë situatë, ka arritur në konkluzionin se të paditurit janë posedues i paligjshëm e për rrjedhojë duhet t’i lirojë e dorëzojë sendin, truallin objekt rivendikimi.
17.1. Gjykatat kanë arsyetuar se të paditurit nuk mund të jenë përfitues nga ky ligj pasi objektet e tyre nuk janë brenda fushës së zbatimit të këtij ligji, pasi: “ ... b) referuar nenit 2/4 të po këtij ligji është cituar se “Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë ku planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero”.
17.2. Nga analiza e provave ato kanë konkluduar se: “... prona objekt gjykimi, trualli i paditësve ndodhet brenda sipërfaqes ku është bërë studimi Urbanistik i miratuar nga K.Rr.T.R.SH, provuar nga shkresa e lëshuar nga Departamenti i Urbanistikës së Bashkisë Durrës ku citohet se “Pronësia ndodhet në zonën me lartësi të kufìzuar deri në 10 kate”, pra del qartë se në këtë zone ka studim Urbanistik për këto troje deri në 10 kate”.
17.3. Procesi i legalizimit është i pavlefshëm në rast se ai iniciohet dhe zhvillohet për ato objekte që janë përjashtuar shprehimisht nga legalizimi apo nuk plotësohen kriteret ligjore të përcaktuara në ligj.
18. Kolegji Civil e gjen me vend të parashtrojë se miratimi i ligjit nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” krijoi një situatë juridike specifike e të përkohshme e cila nuk mund të mos merret në konsideratë në mosmarrëveshjet e kësaj natyre, sikurse është rasti në shqyrtim. Ndaj pretendimi i të paditurve se gjykata nuk duhet të analizonte kriteret ligjore të këtij ligji është i pabazuar. Në marrjen në shqyrtim të një padie rivendikimi, ku kërkohet lirimi dhe dorëzimi i sendit nga pronari i truallit, verifikimi i legjitimimit pasiv të të paditurve është i domosdoshëm për zgjidhjen e çështjes në themel dhe dhënë përgjigje pretendimeve të palëve.
19. Në këto kushte, Kolegj Civil i Gjykatës së Lartë çmon se përfundimi i arritur nga ana e gjykatave të faktit është i drejtë dhe i mbështetur në ligj, ato kanë zgjidhur mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, të detyrueshme për zbatim (neni 16 i Kodit të Procedurës Civile).
20. Për sa më sipër, Kolegji Civil arrin në konkluzionin se vendimi nr.526, datë 08.09.2011 të Gjykatës së Apelit Durrës duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485/a të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.526, datë 08.09.2011, të Gjykatës së Apelit Durrës.
Tiranë, më 04.11.2015
Nr. 11243-01477-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3706 i Vendimit (462)
Do'stlaringiz bilan baham: |