VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Arjana Fullani Anëtare
Aleksandër Muskaj Anëtar
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 04.11.2015, mori në shqyrtim çështjen civile me nr.11243-01477-00-2012, që u përket palëve:
KËRKUES: SOAAD SALIH, në mungesë
AXIN MOHAMMED, në mungesë
AHMED MOHAMMED, në mungesë
IBRAHIM MOHAMMED, në mungesë
REJIN MOHAMMED, në mungesë
HERJIN MOHAMMED, në mungesë
SHIMAA MOHAMMED, në mungesë
SHLER MOHAMMED, në mungesë
HERMAN MOHAMMED, në mungesë
MOHAMMED MOHAMMED, në mungesë
RAFEA SALIH, në mungesë
ABDULKHAHAR ABDULJABAR OMER BARËARI, në mungesë
OBJEKTI:
Njohje e Vendimit nr.4758/2007, datë 08.03.2007
të Gjykatës së Apelit Athinë, Greqi.
Baza Ligjore: Neni 393 e vijues të K.Pr.Civile.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.31, datë 29.02.2012, ka vendosur:
“Njohjen e Vendimit nr.4758/2007, datë 08.03.2007, të Gjykatës së Apelit Athinë, Greqi dhe dhënien fuqi zbatimi të këtij vendimi në Republikën e Shqipërisë”.
Kundër vendimit nr.31, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka paraqitur rekurs INSIG sh.a., që kërkon: ndryshimin e këtij vendimi dhe kthimin për rigjykim, duke parashtruar ndër të tjera:
Gjykata e apelit e ka dhënë vendimin e njohjes së vendimit nr.4758/2007, datë 08.03.2007 të Gjykatës së Apelit Athinë, në mungesë të INSIG sh.a. dhe pa na njoftuar konform dispozitave të K.Pr.Civile.
Ky vendim është plotësisht i padrejtë dhe rrjedhojë e keqzbatimit të ligjit procedural civil, e konkretisht neneve 4, 9, 18, 20 të K.Pr.Civile dhe Vendimit Unifikues nr.6, datë 01.06.2011, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Këto dispozitat procedurale, të parashikuara nga ligjvënësi në funksion të një procesi të rregullt ligjor nuk janë zbatuar nga Gjykata e Apelit Tiranë. Ajo është mjaftuar vetëm me kapërcimin në parim të pengesave të nenit 394 të K.Pr.Civile, duke anashkaluar dhe shkelur pranimet themelore të ligjit procedural. Specifika e neneve 393-399 të K.Pr.Civile (që janë norma me karakter material dhe procedural), nuk legjitimon Gjykatën e apelit të mos vërë në dijeni palën debitore, pra të anashkalojë parimet themelore procedurale.
Kolegjeve të Bashkuara në Vendimin Unifikues nr.6, datë 01.06.2011 kanë konkluduar se gjykimi për njohjen e vendimeve të gjykatave të huaja është një gjykim kontradiktor dhe si i tillë është e domosdoshme të thirret në gjykim edhe pala debitore.
Konkretisht, INSIG sh.a. pretendon edhe shuarje të titullit ekzekutiv, për shkak ekzekutimi në shtetin grek, dhe në kundër të këtyre kontestimeve është ushtruar ankim në Gjykatën Supreme në Greqi. Një arsye më shumë që sjell domosdoshmërinë e thirrjes së palës debitore në këtë gjykim, është edhe zbatimi i gabuar nga gjykata greke i normave të së drejtës ndërkombëtare private (parimit të njohur se në rastin e shkaktimit të dëmit ligji i aplikueshëm është “lex loci delikti”), kur ka vendosur si dëmshpërblim për aksidentin e ndodhur në Greqi, përveç limitit grek edhe atë shqiptar (vendim i ankimuar në Gjykatën Supreme).
Për gjithë sa më sipër thirrja në gjykim e INSIG sh.a. si palë debitore ka qenë domosdoshmëri për zhvillimin e një procesi të rregullt dhe të drejtë ligjor në funksion të parimit të kontradiktorialitetit të gjykimit.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË,
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Admir Thanza; përfaqësuesin e palës rekursuese “ INSIG” sh.a, Avokatin e Shtetit Abaz Deda, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit nr.31, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rigjykim pranë Gjykatës së Apelit Tiranë me tjetër trup gjykues; dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
I. Rrethanat e çështjes:
-
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se kërkuesit, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, kanë kërkuar nga Gjykata e Apelit Tiranë njohjen dhe dhënien fuqi ekzekutimi Vendimit nr.4758/2007, datë 08.03.2007, të Gjykatës së Apelit Athinë, Greqi, që ka të bëjë me detyrimin e Shoqërisë “INSIG” Sh.a, me aktivitet në Tiranë.
-
Vendimi për të cilin është kërkuar njohja lidhet me një aksident automobilistik të ndodhur në prill të vitit 2000, mes dy mjeteve, një i drejtuar nga një shtetas shqiptar Nesti Dhoga dhe tjetri një shtetas iraken Nafea Salih Mohammed, i cili është plagosur e më pas ka vdekur. Shkaktari i dëmit ka qenë i siguruar për dëme ndaj të tretëve, nga Shoqëria INSIG sh.a.
-
Familjarët e të ndjerit i janë drejtuar me padi Gjykatës së Athinës, e cila ka pranuar padinë dhe ka detyruar INSIG të paguajë dëmshpërblimin e paditësve për dëmin e shkaktuar nga vdekja e familjarit të tyre plus interesat për pagesë të vonuar.
-
Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur të njohë Vendimin e Gjykatës së Huaj (Gjykatës së Apelit Athinë).
-
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.31, datë 29.02.2012, ka vendosur:
Njohjen e Vendimit nr.4758/2007, datë 08.03.2007, të Gjykatës së Apelit Athinë, Greqi dhe dhënien fuqi zbatimi të këtij vendimi në Republikën e Shqipërisë.
-
Duke arsyetuar: “... omissis... Nga administrimi i akteve rezulton se vendimi i paraqitur për njohje i plotëson kërkesat e Neneve 394, 395 e 396 të K.Pr.Civile. Sipas përshkrimit të vendimit, gjykata, para shqyrtimit të çështjes, ka njoftuar dhe palën e paditur si dhe ka zbatuar drejtë dispozitat ligjore. ...Nga hetimi rezulton se për këtë çështje nuk ka një vendim të ndonjë gjykate Shqiptare dhe se nuk është në gjykim as në momentin e paraqitjes së vendimit për njohje.... Në këto kushte vendimi i Gjykatës së Apelit Athinë Greqi duhet të njihet dhe t’i jepet fuqi për ekzekutimin e tij në Republikën e Shqipërisë...(...).”
-
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, ka ushtruar rekurs “INSIG” sh.a, me shkaqet e pasqyruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Gjithashtu si rezultat i kërkesës së “INSIG” sh.a, me vendimin nr.249, datë 28.06.2012, Gjykata e Lartë, ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr.31, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë.
II. Ligji i zbatueshëm
-
Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
8.1. Neni 14 i K.Pr.Civile: “Gjykata ka për detyrë që të zhvillojë një proces të rregullt ligjor, nëpërmjet garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin.”
8.2. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me
dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
8.3. Neni 393 i K.Pr.Civile: “Vendimet e gjykatave të shteteve të huaja njihen dhe zbatohen në Republikën e Shqipërisë, në kushtet e parashikuara në këtë Kod ose në ligje të veçanta. Kur për këtë qëllim ka marrëveshje të posaçme ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shtetit të huaj zbatohen dispozitat e marrëveshjes.”
8.4. Neni 394 i K.Pr.Civile: “Vendimit të një gjykate të shtetit të huaj nuk i jepet fuqi në Republikën e Shqipërisë kur: a) sipas dispozitave që janë në fuqi në Republikën e Shqipërisë, mosmarrëveshja nuk mund të jetë në kompetencën e gjykatës së shtetit që ka dhënë vendimin; b) kërkesëpadia dhe letërthirrja për në gjyq nuk i është njoftuar të paditurit në mungesë, në mënyrë të rregullt e në kohë, për t’i dhënë atij mundësi që të mbrohet; c) midis po atyre palëve, për të njëjtin objekt e për të njëjtin shkak, është dhënë një vendim tjetër i ndryshëm nga gjykata shqiptare; ç) është duke u shqyrtuar nga gjykata shqiptare një padi që është ngritur përpara se vendimi i gjykatës së shtetit të huaj të ketë marrë formë të prerë; d) i është dhënë forma e prerë në kundërshtim me legjislacionin e tij; dh) nuk pajtohet me parimet bazë të legjislacionit shqiptar.”
8.5. Neni 395 i K.Pr.Civile: “Kërkesa për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj i paraqitet gjykatës së apelit. Kërkesa mund të paraqitet edhe në rrugë diplomatike kur ajo është e lejueshme nga marrëveshjet ndërkombëtare dhe mbi bazën e reciprocitetit. Në këto raste, në qoftë se pala e interesuar nuk ka emëruar përfaqësues, kryetari i gjykatës së apelit emëron një avokat për të paraqitur kërkesën”.
8.6. Neni 396 i K.Pr.Civile: “Kërkesës për t’i dhënë fuqi vendimit të gjykatës së huaj duhet t’i bashkëngjiten:
a. kopja e vendimit që duhet të zbatohet dhe përkthimi i tij në gjuhën shqipe i legalizuar nga noteri;
b. vërtetim nga gjykata që e ka nxjerrë vendimin se ai ka marrë formë të prerë, si edhe përkthimi e legalizimi noterial i tij. Si kopja e vendimit, ashtu edhe vërtetimi se vendimi ka marrë formë të prerë, duhet të jenë vërtetuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë;
c. prokura, në rast se kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi i të interesuarit, e përkthyer dhe e legalizuar te noteri”.
8.7. Neni 397 i K.Pr.Civile: “Gjykata e apelit nuk e shqyrton çështjen në themel, por vetëm kontrollon nëse vendimi i paraqitur nuk përmban dispozita që vijnë në kundërshtim me nenin 394. Për kërkesën e paraqitur gjykata e apelit jep vendim.”
III. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson:
-
Pala që ka regjistruar ankimin, Avokatura e Shtetit legjitimohen ratione personae t’i drejtohen Gjykatës së Lartë lidhur me sa më sipër.
-
Ankimi është paraqitur brenda afatit ligjor, ndaj edhe legjitimohet ratione temporis. Gjithashtu rezulton se ankimi i është njoftuar palës tjetër ndërgjyqëse.
-
Në lidhje me thelbin (legjitimimi ratione materiae), Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga Avokatura e Shtetit, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, të cilat motivojnë cenimin e vendimit nr.31, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë.
-
Gjykata e Lartë, pa i hyrë analizës së provave, nga shqyrtimi i materialeve të dosjes gjyqësore, pretendimeve të parashtruara në rekurs evidenton nëse nga gjykata e apelit janë lejuar ose jo shkelje të normave procedurale dhe nëse ligji material është respektuar ose jo. Në varësi të zgjidhjes së këtyre çështjeve nga gjykata e faktit, Gjykata e Lartë, në realizim të funksionit të saj rishikues, shprehet për bazueshmërinë ose jo në ligj të vendimit të gjykatës së apelit.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, si dhe referuar shkaqeve të rekursit, vlerëson se arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga gjykata e apelit është rrjedhojë e mosrespektimit dhe zbatimit të gabuar të kërkesave të ligjit procedurial.
-
Kolegji Civil çmon të theksoje natyrën e gjykimit me objekt “Njohje e vendimit të gjykatës së huaj”. Në këtë lloj gjykimi, gjykata e apelit zhvillon një gjykim të natyrës fillestare, sikurse çdo gjykatë e shkallës së parë, kjo gjykatë (gjykata e apelit) zbaton rregullat procedurale për verifikimin e rregullshmërisë formale të paraqitjes së kërkesës për njohjen e vendimit të gjykatës së huaj. Nëse ka mangësi dhe të meta, gjykata e apelit i cakton kërkuesit një afat të arsyeshëm për plotësimin e tyre, në të kundërt i kthen kërkesën dhe aktet e tjera pa veprim të mëtejshëm.
-
Këto verifikime, gjykata e apelit i realizon me paraqitjen e kërkesës ose në kuadër të veprimeve përgatitore, kryesisht apo me kërkesën e palëve.
-
Në fazën e dytë, pra nëse kërkesa për dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj apo gjykatës së huaj të arbitrazhit përmbush kushtet për rregullshmërinë formale-procedurale të paraqitjes së saj, gjykata e apelit cakton seancën gjyqësore në të cilën objekti i gjykimit është vetëm ekzistenca ose jo e ndonjërës prej pengesave dhe ndalimeve ligjore të parashikuara nga neni 394 i Kodit të Procedurës Civile, neni 5 i Konventës së Nju Jorkut apo nga ndonjë dispozitë tjetër e posaçme për këtë qëllim, e parashikuar nga ligji ose një marrëveshje tjetër ndërkombëtare.
-
Pasi ka dëgjuar argumentet dhe prapësimet përkatëse të palëve ndërgjyqëse, në përfundim të gjykimit, gjykata e apelit vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj apo gjykatës së huaj të arbitrazhit.
-
Përsa sipër Kolegji Civil konstaton se Gjykata e Apelit në njohjen dhe dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj dhe në rastin konkret të vendimit nr.4758/2007, datë 08.03.2007, të Gjykatës së Apelit Athinë, Greqi, nuk ka dëgjuar argumentet dhe prapësimet e palëve ndërgjyqëse, sepse pala debitore Shoqëria e Sigurimeve “INSIG” sh.a në bazë të vendimit të mësipërm, nuk ka qenë pjesëmarrëse në këtë gjykim, sepse nuk është thirrur nga kjo gjykatë, e cila në rastin konkret gjykon si gjykatë e shkallës së parë.
-
Gjykata e apelit duhet të mbante parasysh se edhe në këtë lloj gjykimi duhet të garantohet kontradiktorialiteti për aq sa janë vetë qëllimi, objekti e kufijtë e këtij gjykimi. Kjo realizohet, pikësëpari, nëpërmjet garantimit të së drejtës për të marrë pjesë e për t’u dëgjuar nga gjykata, si të palës që kërkon njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të gjykatës së huaj, ashtu edhe të palëve debitore që ngarkohen me detyrime nga ai vendim i huaj.
-
Në Vendimin Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.06, datë 01.06.2011, është unifikuar praktika gjyqësore në lidhje me gjykimet me objekt njohjen e vendimeve të gjykatave të huaja dhe është arritur në përfundimin, se: “...omissis...
31.1 Gjykata e apelit duhet të verifikojë dhe, eventualisht, të kryejë të gjitha veprimet që i parashikon ligji procedural civil, Konventa e Nju Jorkut. ligji i posaçëm ose marrëveshja tjetër ndërkombëtare e zbatueshme (nëse ka të tillë), për të garantuar, edhe kryesisht, thirrjen në gjykim së të gjitha palëve debitore që rezultojnë nga përmbajtja e vendimit të gjykatës së huaj ose gjykatës së huaj të arbitrazhit që kërkohet t’i jepet fuqi nga ajo gjykatë e apelit.31.2 Në shqyrtimin e kërkesës për dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj apo të gjykatës së huaj të arbitrazhit, gjykata e apelit zbaton rregullat e gjykimit të shkallës së parë.
31.3 Mes të tjerave, sikurse vepron gjykata e shkallës së parë, me paraqitjen e kërkesëpadisë apo edhe nëpërmjet kryerjes së veprimeve përgatitore, gjykata e apelit paraprakisht verifikon përmbushjen e kushteve dhe kritereve formale të paraqitjes së kërkesës për dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj ose të gjykatës së huaj të arbitrazhit. Posaçërisht, gjykata e apelit verifikon nëse kërkesa, sipas rastit, plotëson kushtet paraprake formale të parashikuara nga neni 395 e 396 i Kodit të Procedurës Civile, neni 4 i Konventës së Nju Jorkut apo që përmbahen në ligje të tjera të posaçme ose akte të së drejtës ndërkombëtare të zbatueshme për çështjen në gjykim. 31.4 Nëse kërkesa për dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj ose të gjykatës së huaj të arbitrazhit ka mangësi dhe të meta, gjykata e apelit i cakton kërkuesit një afat të arsyeshëm për plotësimin dhe ndreqjen e tyre. Gjykata e apelit kthen kërkesën dhe aktet e tjera pa veprim, nëse pala kërkuese, brenda afatit që i është caktuar, nuk plotëson dhe ndreq mangësitë dhe të metat formale të kërkesës. 31.5 Nëse kërkesa për dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj apo të gjykatës së huaj të arbitrazhit përmbush kushtet për rregullshmërinë formale-procedurale të paraqitjes së saj, gjykata e apelit cakton seancën gjyqësore në të cilën objekti i gjykimit është vetëm ekzistenca ose jo e ndonjërës prej ndalimeve a pengesave ligjore të parashikuara nga neni 394 i Kodit të Procedurës Civile, neni 5 i Konventës së Nju Jorkut apo nga ndonjë dispozitë tjetër e posaçme për këtë qëllim, e parashikuar nga ligji ose një marrëveshjeje ndërkombëtare. Në përfundim të gjykimit, gjykata e apelit vendos për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënien fuqi të vendimit të gjykatës së huaj apo gjykatës së arbitrazhit të huaj.(…).”
-
Referuar praktikës unifikuese, Kolegji Civil vëren se Gjykata e Apelit ka vendosur të njohë vendimin e gjykatës së huaj, duke i dhënë fuqi për ekzekutimin e tij në Republikën e Shqipërisë pa thirrur fare në gjykim palën debitore Shoqërinë e Sigurimeve “INSIG” sh.a. dhe pa i mundësuar kësaj pale që të shprehë prapësimet dhe të paraqesë provat e saj.
-
Në të tilla rrethana, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se vendimi i gjykatës së apelit duhet të prishet dhe çështja të dërgohet për rigjykim në këtë gjykatë më tjetër trup gjykues.
-
Në rigjykim, gjykata e apelit duhet të realizojë veprimet përkatëse procedurale për t’i mundësuar Shoqërisë së Sigurimeve “INSIG” sh.a, të marrë pjesë në gjykim, në mënyrë që gjatë gjykimit të vlerësojë, provat dhe argumentet ligjore përkatëse që mund të paraqiten nga palët në proces. Gjithashtu nisur nga natyra parimore procesuale e juridiksionale, si edhe duke qenë çështje që lidhen vetëm me zbatimin e ligjit, gjykatës së apelit i mbetet detyrimi ligjor që të hetojë e konstatojë, edhe kryesisht, mbi ekzistencën ose jo të pengesave ligjore të parashikuara nga neni 394 i K.Pr.Civile.
-
Për sa sipër Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në përfundimin se vendimi nr.31, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e mos respektimit dhe mos zbatimit të drejtë të dispozitave ligjore proceduriale dhe për këtë shkak duhet të prishet, dhe çështja do dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit Tiranë.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 485/c të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.31, datë 29.02.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 04.11. 2015
Nr. 11118-03130-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-3658 i Vendimit (463)
Do'stlaringiz bilan baham: |