VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i përbërë prej:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit të datës 05.11.2015, çështjen administrative që i përket:
PADITËSE: SILVA CAKA.
I PADITUR: AGJENSIA KOMBËTARE E BURIMEVE NATYRORE TIRANË
OBJEKTI:
Detyrimin e palës së paditur për të më dëmshpërblyer
me pagën e një viti si pasojë e zgjidhjes së menjëhershme
dhe të pajustifikuar të marrëdhënies së punës.
Pagën e dy muajve për mosrespektim
të procedurës së zgjidhjes së marrëdhënies së punës.
Baza Ligjore: Nenet 144, 155/3 të K.Punës.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.671 datë 21.02.2014 ka vendosur:
-Pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë.
-Detyrimin e palës së paditur AKBN Tiranë të dëmshpërblejë paditësen me pagën e 9 (nëntë) muajve (neto) për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me vendimin nr.2002 datë 21.05.2014 ka vendosur:
-Ndryshimin e vendimit nr.671 datë 21.02.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
-Rrëzimin e kërkesëpadisë.
Kundër vendimit nr.2002 datë 21.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë ka ushtruar rekurs paditësja Silva Caka, e cila ka kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke parashtruar këto shkaqe:
-
Kontrata e punës është zgjidhur në mënyrë të menjëhershme dhe kjo konstatohet fare lehtë nga përmbajtja e urdhërit, por edhe nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare. Sipas nenit 143 të K.Punës, pas kohës së provës, për zgjidhen e kontratës së punës, palët duhet të respektojnë afatin e njoftimit të caktuar me ligjin. Nëse njëra palë e zgjidh kontratën pa respektuar afatin e njoftimit, zgjidhja konsiderohet me efekt të menjëhershëm. Sipas nenit 141 kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit.
-
Gjatë kohës së afatit të njoftimit, kontrata e punës është ende në fuqi dhe prodhon efekte ligjore tek palët, pra të dyja janë të detyruara të përmbushin detyrimet kontraktore dhe ligjore, punëmarrësi duhet të punojë dhe punëdhënësi duhet të japë pagën. Respektimi i afatit të njoftimit nuk është i lidhur vetëm me njohjen dhe shlyerjen e pagave të përfitueshme gjatë periudhës së njoftimit. Afati I njoftimit konsiderohet se është respektuar vetëm nëse punëmarrësi vijon të ushtrojë detyrën e tij dhe kontrata e punës ende nuk është zgjidhur.
-
Kushtet e nenit 143 të K.Punës nuk konsiderohen të respektuara edhe nëse një sjelle e tillë e punëdhënësit është e shoqëruar prej tij me parapagimin e pagës së përfitueshme në atë periudhë për punëmarrësin.
-
Nga aktet e dosjes nuk rezulton se pala e paditur ka ndërmarrë ndonjë procedurë njoftimi për zgjidhjen e marrëdhënies së punës, në kuptim të nenit 144 të K.Punës.
-
Zgjidhja e marrëdhënieve të punës është kryer për shkaqe të pajustifikuara.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e Gjyqtarit Xhezair Zaganjori, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Rrethanat e çështjes
-
Paditësja Silva Caka, me datë 15.04.2011 ka filluar punë si specialiste pranë Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore Tiranë ( më poshtë AKBN). Me Urdhërin nr.462 datë 07.06.2013, pala e paditur ka zgjidhur në mënyrë të njëanshme marrëdhënien e punës me paditësen. Me anë të këtij urdhëri, përveç ndërprerjes së marrëdhënies së punës është urdhëruar pagimi i paditëses me dy muaj pagë që do t`i takonin afatit të njoftimit, e po kështu janë paguar edhe pushimet e pamarra. Arsyet e zgjidhjes së kontratës së punës i janë dhënë paditëses në takimin e mbajtur për këtë qëllim, arsye që kishin të bënin me mospërputhjen e arsimit me vendin e punës, si dhe mungesa në e paditëses në disa apele të kryera nga punëdhënësi. Paditësja duke mos qenë dakord, i është drejtuar gjykatës duke kërkuar pagimin e dy muajve pagë si pasojë e mosrespektimit të procedurës së zgjidhjes së kontratës së punës si dhe pagimin e një viti pagë si rrjedhojë e zgjidhjes në mënyrë të menjëhershme dhe të pajustifikuar të kësaj kontrate.
-
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë me vendimin nr.671 datë 21.02.2014 ka vendosur pranimin pjesërisht të kërkesëpadisë dhe detyrimin e palës së paditur AKBN Tiranë të dëmshpërblejë paditësen me pagën e 9 (nëntë) muajve për zgjidhje të menjëhershme të pajustifikuar të kontratës së punës. Lidhur me shkaqet e zgjidhjes së marrëdhënies së punës, se arsyeja e dhënë për zgjidhjen e marrëdhënies së punës nuk përbën shkak të justifikuar për të zgjidhur kontratën e punës në mënyrë të menjëhershme. Ndërkohë, gjykata ka arsyetuar se pala e paditur ka respektuar rregullat që parashikon ligji për zbatimin e procedurës në zgjidhjen e marrëdhënies së punës dhe si rrjedhojë nuk e ka pranuar padinë lidhur me dëmshpërblimin si rrjedhojë e mosrespektimit të procedurës në zgjidhjen e kontratës së punës. Nga ana tjetër, lidhur me respektimin ose jo të afatit të njoftimit në zgjidhjen e kontratës së punës, gjykata e shkallës së parë ka arsyetuar se paditësja e ka marrë shpërblimin lidhur me afatin e njoftimit dhe si rrjedhojë padia për kërkimin e shpërblimit lidhur me afatin e njoftimit duhet rrëzuar. Ndërkohë, lidhur me mënyrën e zgjidhjes së kontratës së punës, gjykata ka arsyetuar se marrëdhënia e punës është zgjidhur me efekt të menjëhershëm dhe pa shkaqe të justifikuara. Sipas argumenteve të kësaj gjykate, parapagimi nga ana e punëdhënësit e pagesave që i përkasin periudhës së afatit të njoftimit sipas ligjit nuk përbën më vete një sjellje që respekton e ezauron procedurën e afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës dhe aq më tepër gamën e të drejtave dhe detyrimeve kontraktore. Afati i njoftimit nuk mundet thjesht të “konvertohet” vetëm në vlerë monetare të barasvlershme me pagën përkatëse që i takon punëmarrësit në atë periudhë.
-
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me vendimin nr.2002 datë 21.05.2014 ka vendosur ndryshimin e vendimit nr.671 datë 21.02.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë dhe rrëzimin e kërkesëpadisë. Në këtë vendim kjo gjykatë ka arsyetuar se gjykata administrative e shkallës së parë, edhe pse ka identifikuar dispozitat e Kodit të Punës, të detyrueshme për zbatim prej saj, në funksion të zgjidhjes së drejtë të çështjes, i ka keqinterpretuar ato, me pasojë cilësimin e gabuar të fakteve dhe veprimeve të lidhura me këtë mosmarrëveshje. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, për të njëjtat fakte të konstatuara edhe nga gjykata e shkallës së parë, që lidhen me respektimin nga punëdhënësi të procedurës dhe të afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës, e konsideron Urdhërin nr.462 datë 07.06.2013 të Drejtorit Ekzekutiv të AKBN-së si akt për zgjidhjen normale të marrëdhënieve të punës. Në këtë përfundim është arritur duke pasur parasysh konkluzionet e Kolegjeve të Bashkuara, në Vendimin Unifikues nr.19 datë 15.11.2007. Në këtë vendim është unifikuar se: “ ..kur punëdhënësi, referuar e në zbatim të nenit 141 e vijues të K.Punës, zgjidh në mënyrë të njëanshme kontratën e punës me afat të pacaktuar, punëmarrësi jo në mënyrë të domosdoshme ka të drejtë të përfitojë edhe dëmshpërblimin deri në një vit pagë. Respektimi i kërkesave të nenit 141, 143, 144, 145 të K.Punës nga punëdhënësi, si rregull passjell përfundimin në mënyrë të natyrshme të kontratës së punës dhe respektimin e të gjitha të drejtave të punëmarrësit.’
-
Kundër vendimit nr.2002 datë 21.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë ka ushtruar rekurs paditësja Silva Caka, e cila ka kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, duke parashtruar shkaqet e përmendura në mënyrë të përmbledhur në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
Vlerësimi i Kolegjit Administrativ
-
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, pasi u njoh me aktet e dosjes gjyqësore, vendimet e gjykatave dhe shkaqet e parashtruara në rekurs, vlerëson se vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit që ka rrëzuar padinë është marrë në zbatim të gabuar të ligjit material dhe si rrjedhojë ka vend të cënohet, duke u lënë në fuqi vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
-
Konkretisht, nga gjykatat e faktit është pranuar se paditësja ka punuar për dy vite pranë palës së paditur. Me datë 07.06.2013, pala e paditur ka zgjidhur në mënyrë të njëanshme marrëdhënien e punës me paditësen dhe po në atë ditë janë ndërprerë edhe marrëdhëniet financiare mes palëve. Megjithatë, punëdhënësi i ka paguar paditëses edhe pagën e dy muajve për efekt të shlyerjes së afatit të njoftimit për zgjidhjen e kontratës së punës, pasi ka ezauruar edhe procedurën për këtë zgjidhje.
-
Të dy gjykatat kanë pranuar se procedura për zgjidhjen e marrëdhënies së punës është respektuar dhe prandaj me të drejtë ato kanë argumentuar dhe vendosur rrëzimin e padisë për pjesën e kërkimeve që lidhen me dëmshpërblimin e parashikuar nga neni 144 i K.Punës, si rrjedhojë e mosrespektimit të procedurës në zgjidhjen e marrëdhënies së punës. Po kështu, me të drejtë të dy gjykatat nuk kanë pranuar padinë lidhur me kërkimin për dëmshpërblimin që i takon punëmarrësit për afatin e njoftimit. Në kuptim të nenit 143/1 të K.Punës, me qëllim zgjidhjen e kontratës, punëdhënësi duhet të respektojë një afat njoftimi prej dy muajsh kur punëdhënësi ka një vjetërsi në punë nga dy deri në pesë vite. Në gjykim është provuar se punëdhënësi e ka paguar paditësen me pagën e dy muajve për efekt të respektimit të afatit të njoftimit në zgjidhjen e kontratës. Nga ana tjetër, të dy gjykatat kanë pranuar se zgjidhja e marrëdhënies së punës është kryer në mënyrë të menjëhershme.
-
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se zgjidhja e marrëdhënies së punës mes palëve ndërgjyqëse është kryer në mënyrë të menjëhershme. Neni 143/1 i K.Punës parashikon se për të zgjidhur kontratën e punës me një kohëzgjatje prej dy vitesh punëdhënësi duhet të respektojë një afat njoftimi prej dy muajsh. Në kuptim të nenit 143/4 të K.Punës, kur njëra nga palët e zgjidh marrëdhënien e punës pa respektuar afatin e njoftimit, atëherë zgjidhja e kontratës së punës konsiderohet si zgjidhje e menjëhershme. Nga ana tjetër, neni 141 i kodit të Punës parashikon se: “ Kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar përfundon kur zgjidhet nga njëra palë dhe ka përfunduar afati i njoftimit”.
-
Çështja që ky Kolegj vlerëson se çështja që duhet shtruar në rastin konkret ka të bëjë me faktin nëse në kuptim të dispozitave të K.Punës, punëdhënësi i cili e zgjidh marrëdhënien e punës dhe e largon punëmarrësin në mënyrë të menjëhershme, por duke i paguar këtij pagën për afatin e njoftimit, atëherë kjo zgjidhje do të konsiderohet e menjëhershme apo një zgjidhje e rregullt e kontratës së punës. Të dy gjykatat kanë argumentuar në mënyra të ndryshme. Gjykata administrative e shkallës së parë ka arsyetuar se nuk mjafton që punëdhënësi të parapaguajë pagesat që i përkasin periudhës së afatit të njoftimit në mënyrë që të konsiderohet i respektuar afati i njoftimit. Ndërkohë, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka analizuar se pagimi nga punëdhënësi i afatit të njoftimit për punëmarrësin, konsiderohet zgjidhje normale e marrëdhënieve të punës dhe si rrjedhojë nuk ka të bëjë me zgjidhjen e menjëhershme të kontratës.
-
Në vendimin Unifikues nr.19 datë 15.11.2007 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, është analizuar se:”..Ligji ka lënë në dorë të palëve zgjidhjen vetëm me kushtin e respektimit të afatit të njoftimit, pra palët të njoftohen në një periudhë të caktuar (paralajmërimi) përpara zgjidhjes përfundimtare të kontratës, me qëllim që të kenë mundësi të marrin masa për rregullimin e situatës së tyre personale. Gjatë afatit të njoftimit, kontrata e punës është në fuqi, megjithë faktin që njëra palë ka bërë të ditur zgjidhjen e saj dhe ajo përfundon me përfundimin e afatit të njoftimit. Sipas nenit 143, pika 4, zgjidhja e kontratës pa respektuar afatin e njoftimit trajtohet si zgjidhje e kontratës me efekt të menjëhershëm (që parashikohet në nenet 153-156). Vetëm në rast se zgjidhja e menjëhershme e kontratës është e pajustifikuar, gjykata në bazë të nenit 155 të K.Punës ka të drejtë të vendosë detyrimin e punëdhënësit për pagimin e dëmshpërblimit.”
-
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vëren se në kuptim të nenit 141 të K.Punës, kontrata e punës përfundon kur ka mbaruar afati i njoftimit. Në këto kushte, gjatë kohës së njoftimit, rezulton se kontrata e punës vazhdon të jetë në fuqi. Gjatë kësaj kohe, punëmarrësi është i detyruar të kryejë detyrën e tij dhe punëdhënësi është i detyruar ta paguajë. Nga ana tjetër, punëdhënësi nuk është i detyruar që ta zërë patjetër me punë punëmarrësin. Nëse mes punëdhënësit dhe punëmarrësit nuk ka marrëdhënie besimi apo ndonjë shkak tjetër, i cili e detyron punëdhënësin të mos lejojë kryerjen më tej të punës nga punëmarrësi, ai mund ta lirojë këtë të fundit nga detyrimi për të punuar gjatë periudhës së afatit të njoftimit. Në këto kushte, nëse punëdhënësi e vlerëson të lërë të lirë punëmarrësin nga detyrimi i tij për të punuar, si dhe një sërë detyrimesh të tjera të parashikuara në K.Punës dhe kontratën e punës, punëmarrësi do të duhet të përfitojë pagën për periudhën deri në përfundim të afatit të njoftimit. Megjithatë, në referim të Kodit të Punës, kontrata do të konsiderohet e zgjidhur në përfundim të afatit të njoftimit dhe jo në momentin kur punëdhënësit i është njoftuar zgjidhja e marrëdhënies së punës apo lirimi i punëmarrësit nga detyra e tij. Dhënia e shpërblimit lidhur me afatin e njoftimit, do të thotë se punëdhënësi nuk detyrohet me shpërblimin e pagës për afatin e njoftimit, por nuk ka lidhje me mënyrën e zgjidhjes së kontratës së punës. Nëse kontrata e punës merr fund përpara mbarimit të periudhës gjatë së cilës zgjat afati i njoftimit, zgjidhja e kontratës konsiderohet si zgjidhje e menjëhershme. Ndikimi i afatit të njoftimit në kohëzgjatjen e kontratës, është i parashikuar shprehimisht në ligj. Për më tepër, periudha e afatit të njoftimit ka rëndësi dhe lidhet me të drejtat e punëmarrësit, si për kohëzgjatjen e marrëdhënieve të punës, periudhën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, etj.
-
Sa më sipër, duke arritur në konkluzionin se zgjidhja e marrëdhënies së punës është kryer në mënyrë të menjëhershme, gjykatat duhej të verifikonin shkaqet e zgjidhjes së marrëdhënies së punës, nëse ato përfshihen apo jo ndër arsyet e justifikuara që parashikon neni 153 i K.Punës. Nga gjykata e shkallës së parë, është pranuar se shkaqet e pretenduara për zgjidhjen e marrëdhënieve të punës nuk përbëjnë shkaqe të justifikuara. Gjykata Administrative e Apelit nuk ka shqyrtuar shkaqet e largimit, me argumentin se punëdhënësi e zgjidh kontratën e punës për çfarëdo shkaku kur respekton procedurën dhe afatin e njoftimit në këtë zgjidhje.
-
Lidhur me shkaqet e zgjidhjes së marrëdhënies së punës, është pranuar se arsyeja e zgjidhjes së kontratës së punës kishte të bënte me mospërputhjen e arsimit me vendin e punës, si dhe mungesa e paditëses në disa apele të kryera nga punëdhënësi. Ashtu siç argumentuar nga gjykata e shkallës së parë, zgjidhja e marrëdhënies së punës për shkak të mospërputhjes së arsimimit me kërkesat e vendit të punës, nuk përbën shkak të justifikuar në kuptim të nenit 153 të K.Punës për të zgjidhur kontratën e punës në mënyrë të menjëhershme. Lidhur me mungesën e paditëses në disa apele, gjykata ka çmuar se ky ka qenë një pretendim që ka mbetur i paprovuar nga pala e paditur. Në këto kushte, në mbështetje të nenit 155 të K.Punës, kur punëdhënësi zgjidh marrëdhënien e punës në mënyrë të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara, ai detyrohet me shpërblimin e punëmarrësit me pagën e deri një viti punë. Është në diskrecionin e gjykatave që, mbështetur në provat e administruara në gjykim, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, të vlerësojnë masën e dëmshpërblimit që punëdhënësi është i detyruar ndaj punëmarrësit.
-
Sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.2002 datë 21.05.2014 i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë që ka rrëzuar padinë është i pambështetur në ligjin material. Ndërkohë, vendimi nr.671 datë 21.02.2014 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë është marrë në zbatim të drejtë të ligjit he si i tillë duhet lënë në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në bazë të ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i ndryshuar.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2002 datë 21.05.2014 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.671 datë 21.02.2014 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 31001-01653-00-2012 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 – 3675 i Vendimit (586)
Do'stlaringiz bilan baham: |