VENDIM NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Ardian Dvorani Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në datën 12.11.2015, në dhomë këshillimi, mori në shqyrtim çështjen administrative me nr.02295/2015 akti, që u përket palëve:
PADITËS: SABRIE SELIMI
PALË E PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE LEZHË
AGJENCIA E SIGURIMEVE SHOQËRORE LAÇ
OBJEKTI:
Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë
për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel.
Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë
për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç,
me 230 ditë pune të plota për çdo vit.
Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë
sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim.
Baza Ligjore: Nenet 7/a, 11/1, 15/a të Ligjit nr.49/2012
“Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative
dhe mosmarrëveshjeve administrative”;
nenet 31, 32, 232, 233, 246, 247, 248, 253 të K.Pr.Civile,
si dhe Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993
“Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin nr.148-51, datë 17.02.2014, ka vendosur:
Shpalljen e moskompetencës për gjykimin e kësaj çështje dhe dërgimin e saj për kompetencë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin nr.231, datë 06.05.2014, ka vendosur:
Shpalljen e moskompetencës lëndore të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë për gjykimin e çështjes civile me nr.335 akti që ju përket palëve ndërgjyqëse: paditës Sabrie selimi; të paditur DRSSH Lezhë, Agjencia e Sigurimeve Shoqërore Laç, me objekt: Detyrimin e palëve të paditura për njohje vjetërsie në punë etj.
Dërgimin e akteve për kompetencë gjykimi Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, me vendimin nr.761 regj. themeltar, datë 08.06.2015, ka vendosur:
Ndarjen e çështjes administrative nr.908/761 akti, datë 02.06.2014 që është ngritur nga pala paditëse Sabrije Selimi për t’u shqyrtuar kërkimet: “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të ISSH (Komisionit Qëndror të Apelimit)” dhe “1. Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. 2. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. 3. Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”, veç e veç për çdo kërkim.
Materialet në dosje të depozitohen në sekretari për të ndjekur rrugën proceduriale.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, me vendimin nr.1340 regj. themeltar, datë 12.06.2015, ka vendosur:
Të ngrejë mosmarrëveshjen për kompetencë para Gjykatës së Lartë/ për të zgjidhur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mosmarrëveshjen për kompetencën lëndore për gjykimin e çështjes administrative me nr.1340 akti, datë 12.06.2015 që është ngritur nga pala paditëse Sabrije Selimi.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtares Evelina Qirjako dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
1. Nga aktet e administruara në dosje, rezulton se, paditësja është banore e qytetit të Laçit. dhe ka pretenduar se ka mbushur moshën për të përfituar pension pleqërie.
2. Me pretendimin se ka mbushur moshën për të përfituar pension pleqërie, ajo i është drejtuar Degës së Përfitimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Lezhë, duke depozituar pranë kësaj të fundit, dokumentacionin shkresor që dispononte.
3. Dega e Përfitimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, pasi ka marrë në shqyrtim dokumentacionin e dorëzuar nga ana e palës paditëse, me vendimin e saj të datës 23.02.2013, ka refuzuar kërkesën e palës paditëse për ta trajtuar me pension pleqërie.
4. Pala paditëse duke mos qenë dakort me vendimin e dhënë nga Dega e Përfitimeve, e ka ankimuar atë pranë Komisionit Rajonal të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Lezhë, i cili me vendimin nr.1739, datë 18.06.2013 ka vendosur, rrëzimin e kërkesës së ankueses Sabrije Isuf Selimi dhe lënien në fuqi të vendimit datë 23.02.2013 të Degës së Përfitimeve pranë DRSSH Lezhë, duke arsyetuar se: “..nga verifikimi i vjetërsisë ka rezultuar se, në seksionin e bujqësisë Burrez për periudhën 1971 deri në 1974, nga verifikimi i bërë nga DRSSH Peshkopi datë 20.04.2012 rezulton negative. Sipas përgjgijes nuk dispojmë dokumentacion për seksionin e bujqësisë Mat, Kooperativa Albulena Laç 1974-1991. Sipas akt verifikimit datë 30.04.2012 ka rezultuar vetëm për vitet 1975 me 089 ditë pune, 1976 me 312 ditë pune dhe për viti 1977 me 312 ditë pune. Pra gjithsej kërkuesi ka 2 vjet ekatër muaj. Pra kërkuesi nuk plotëson kushtet ligjore për të përfituar pension sipas ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, që i nevojiten jo më pak se 15 vite punë..”.
5. Pala paditëse, duke mos qënë dakort edhe me këtë vendim të dhënë nga Komisioni Rajonal i Apelimit, e ka ankimuar atë pranë Komisionit Qëndror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore Tiranë, i cili, me vendimin nr.754, datë 12.09.2013, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e paditësit dhe të lërë në fuqi vendimin e DRSSH Lezhë dhe vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të Komisionit Rajonal të Ankimit në DRSSH Lezhë.
6. Pala paditëse, duke mos qenë dakort me këtë vendim të dhënë nga ISSH Tiranë, i është drejtuar në datën 08.01.2014, Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, me padinë fillimisht me objekt “1) Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974 në Seksionin Bujqësor Burrel. 2) Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1974-1991 në Kooperativën Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. 3) Saktësimin e dokumentit të vjetërsisë në punë dhe shkollë të paditëses Sabrie Selimi, duke saktësuar në emrin e saktë nga “Sabije” në “Sabrie”.
7. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me vendimin nr.148-51, datë 17.02.2014, ka vendosur:
-Shpalljen e moskompetencës për gjykimin e kësaj çështje dhe dërgimin e saj për kompetencë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
7/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “...Përfaqësuesi i palës paditëse përveç parashtrimeve në kërkesën e paraqitur për gjykim, u shpreh se ai ka ndjekur të gjitha rrugët e ankimit të vendimeve administrative në Komisionet e Apelit në Lezhë dhe në Tiranë, të cilët kanë refuzuar kërkesat e palës paditëse. Ndërsa Komisioni Qendror me vendimin nr.754 date 12.09.2013, është shprehur edhe për të drejtën e ankimit të këtij vendimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe për këtë arsye, kjo çështje duhet të kalojë për gjykim pranë kësaj gjykate për kompetencë. Mendimi i përfaqësuesit të palës paditëse u mbështet edhe nga përfaqësuesja e palës së paditur, e cila ishte dakort që kjo çështje ti kalojë për kompetencë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë. ....Në këto rrethana, duke ju referuar nenit 43 dhe 61 të K.Pr.Civile, duhet të deklarohet moskompetenca e saj dhe të dërgohet kërkesa me aktet përkatesë në gjykatën kompetente, cila në rastin konkret është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë...”.
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin nr.231, datë 06.05.2014, ka vendosur:
-Shpalljen e moskompetencës lëndore të gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë për gjykimin e çështjes civile me nr.335 akti që ju përket palëve ndërgjyqëse: paditës Sabrie selimi; të paditur DRSSH Lezhë, Agjencia e Sigurimeve Shoqërore Laç, me objekt: Detyrimin e palëve të paditura për njohje vjetërsie në punë etj.
-Dërgimin e akteve për kompetencë gjykimi Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër.
8/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... kërkimi i palës paditëse është në konflikt me një organ administrativ dhe si i tillë i përket kësaj gjykate të krijuar rishtazi. Krahas kësaj provohet se kërkesë padia është depozituar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin më datë 08.01.2014, në një kohë që në datë 04.11.2013 me dekretin e Presidentit të republikës nr.8349, datë 14.10.2013 ka filluar funksionin Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, krijuar me ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe mosmarrëveshjeve administrative”... Nisur nga kuadri ligjor i sipërpërmendur si dhe vendimi unifikues nr.3/2013 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, parë në raport edhe më objektin e kërkesë-padisë, gjykata vlerëson se, në rastin konkret jemi përpara moskompetencës së kësaj gjykate nga pikëpamja lëndore për vazhdimin e shqyrtimit të kësaj çështje...”.
9. Gjatë shqyrtimit të çështjes pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, pala paditëse në seancën gjyqësore të datës 08.06.2015 ka plotësuar të metat e padisë duke saktësuar objektin e padisë si më poshtë: “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të Komisionit Qëndror të Apelimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë. Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”.
10. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, me vendimin nr.761 regj. themeltar, datë 08.06.2015, ka vendosur:
-Ndarjen e çështjes administrative nr.908/761 akti, datë 02.06.2014 që është ngritur nga pala paditëse Sabrije Selimi për t’u shqyrtuar kërkimet:
-“Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të ISSH (Komisionit Qëndror të Apelimit)” dhe
“1.Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. 2. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. 3. Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”,
veç e veç për çdo kërkim.
-Materialet në dosje të depozitohen në sekretari për të ndjekur rrugën proceduriale.
10/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... kërkimet e paditësit janë kërkime që nuk mund të bashkohen, pasi ato janë kërkime të ndërvarura nga njëri-tjetri (pra në anën parimore kundërshtojnë njëri-tjetrin) dhe si të tilla nuk mund të shqyrtohen bashkërisht. Gjykimi i njohjes (për vërtetimin e qënies ose mosqënies së një marrëdhënie juridike ose një të drejte) mund të bëhet vetëm në një gjykim civil. Çështja objekt gjykimi në objektin e saj, ka disa kërkime të natyrës civile, ashtu edhe të natyrës administrative. ...Në këto rrethana gjykata çmon se çështja duhet ndarë, ku kërkimi për “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të ISSH (Komisionit Qëndror të Apelimit)”, hetimi duhet të vazhdojë në gjendjen që ndodhet, ndërsa për kërkimin “1. Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. 2. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. 3. Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”, aktet, kopjet e tyre duhen kaluar në sekretari për veprime të mëtejshme...”.
11. Pasi është bërë ndarja e çështjeve si më sipër, pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, është regjistruar çështja civile me nr.1340 akti, datë 12.06.2005, me palë paditëse Sabrije Selimi, me palë të paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Lezhë, me objekt të sipërcituar në pjesën hyrëse.
12. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, me vendimin nr.1340 regj. themeltar, datë 12.06.2015, ka vendosur:
-Të ngrejë mosmarrëveshjen për kompetencë para Gjykatës së Lartë/ për të zgjidhur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, mosmarrëveshjen për kompetencën lëndore për gjykimin e çështjes administrative me nr.1340 akti, datë 12.06.2015 që është ngritur nga pala paditëse Sabrije Selimi.
12/1. Kjo gjykatë ka arsyetuar se: “... në llogjikën e vendimeve të gjykatave civile, trajtohet se, paditësja ka konflikt me organet e administratës publike. Për këtë konflikt ka ndjekur rrugët e ankimit administrativ dhe në këto rrethana ajo duhet ti drejtohet gjykatës administrative për të shqyrtuar aktet administrative. Gjykatat civile në vendimmarrjen e tyre, nuk kanë konsideruar ligjin procedurial ( ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe mosmarrëveshjeve administrative” dhe Kodin e Procedurës Civile) dhe praktikën e unifikuar gjyqësore... gjykimi për vërtetimin e qënies ose mosqënies së një marrëdhënie juridike ose një të drejte për njohjen e vërtetësisë osë pavërtetësisë së një dokumenti me pasoja juridike për paditësen, mund të bëhet vetëm në një gjykim civil. ... gjykata nuk është kompetente në kompetencën lëndore për gjykimin e çështjes, pasi e drejta e palës së interesuar duhet të ushtrohet para Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, e çështja duhet gjykuar prej asaj gjykate (neni 41 i K.Pr.Civile)...”.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON:
13. Se vendimi nr.761 regj. themeltar, datë 08.06.2015 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, me anën e të cilit kjo gjykatë ka vendosur ndarjen e kërkimeve të ngritura në padinë objekt shqyrtimi, është një vendim i marrë pjesërisht në zbatim të gabuar të ligjit procedurial dhe atij material, ndaj për këtë shkak, ai duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet në po këtë gjykatë, për vazhdimin e gjykimit.
14. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson të nënvizojë se, në kuptimin e së drejtës proceduriale, kompetenca lëndore është një kusht i domosdoshëm procedurial, që bën të vlefshëm procesin gjyqësor, si dhe të gjitha aktet e marra në administrim gjatë zhvillimit të tij, në kuptimin që një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari proceduriale dhe një gjykatë jokompetente duhet të deklarojë moskompetencën e saj, (neni 61 K.Pr.Civile, neni 7 i Ligjit 49/2012).
15. Kompetenca lëndore, përcakton për çdo gjykatë të veçantë se, në çfarë rastesh dhe në lidhje me çfarë mosmarrëveshjesh ajo ka pushtet për të gjykuar, duke përcaktuar qartë rrethin e mosmarrëveshjeve që i është njohur e dhënë asaj për ta gjykuar. Ndarja e kompetencës, është përcaktuar qartë në Ligjin nr.9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” dhe në K.Pr.Civile.
16. Gjykata, në përcaktimin e kompetencës lëndore, i referohet natyrës së mosmarrëveshjes që i shtrohet për gjykim, nëse ajo është e natyrës civile apo administrative. Për identifikimin e saj, gjykata i referohet shkakut ligjor të kërkimeve të paditësit, të parashtruara si në kërkesë padi, ashtu dhe gjatë gjykimit, natyrës së mosmarrëveshjes, si dhe statusit juridik të palëve që marrin pjesë në këtë gjykim, si dhe bën lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë, dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cënuar.
17. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në lidhje me çështjen objekt gjykimi, në shqyrtim të akteve të ndodhura në dosjen gjyqësore, objektit dhe shkakut të kërkimeve të paditësit, pretendimeve dhe kërkimeve të parashtruara prej tij në aktet proceduriale, qëndrimit të ngritur nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, dhe në interpretim të dispozitave të Ligjit nr.49/2012, të zbatueshme, çmon se, kjo gjykatë nuk e ka kuptuar drejt natyrën e vërtetë të mosmarrëveshjes dhe qëllimin e vërtetë të këtij gjykimi.
18. Referuar akteve të administruara në dosjen gjyqësore, rezulton se, pala paditëse në datën 08.01.2014 i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin me padinë me objekt: “1) Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974 në Seksionin Bujqësor Burrel. 2) Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991 në Kooperativën Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. 3) Saktësimin e dokumentit të vjetërsisë në punë dhe shkollë të paditëses Sabrie Selimi, duke saktësuar në emrin e saktë nga “Sabije” në “Sabrie””. Me vendimin nr.148-51, datë 17.02.2014, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka shpallur moskompetencën e saj lëndore në gjykimin e kësaj çështje dhe e ka dërguar atë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë si gjykata kompetente.
19. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin nr.231, datë 06.05.2014 ka deklaruar moskompetencën e saj lëndore në shqyrtimin e kësaj çështje, duke e konsideruar mosmarrëveshjen objekt shqyrtimi si të natyrës administrative dhe për këtë arsye, e ka dërguar çështjen për vazhdimin e gjykimit pranë Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, si gjykata kompetente. Në kohën kur kjo çështja ka qenë për trajtim pranë kësaj të fundit, pala paditëse në seancën gjyqësore të datës 08.06.2015, pasi ka plotësuar të metat e padisë, ka saktësuar objektin e padisë, duke kërkuar përfundimisht para gjykatës: “1. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të Komisionit Qëndror të Apelimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë. 2. Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. 3. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. 4. Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”.
20. Në referim të këtyre kërkimeve të cilat përbëjnë dhe objektin përfundimtar të gjykimit të konfliktit mes paleve, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se, pala paditëse, pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër ka ngritur një padi me kërkime të përbëra. Dy kërkime të kësaj padie, siç janë “1. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të Komisionit Qëndror të Apelimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë. 4. Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”, janë të natyrës administrative, të cilat përbëjnë mosmarrëveshje administrative dhe shqyrtimi i tyre është në kompetencë të gjykatave administrative. Fakti që këto kërkime janë të natyrës administrative, janë të përcaktuara shumë qartë në Ligjin nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në ligjin nr.8485, datë 12.05.1999 “Kodi i procedurave administrative”, si dhe në nenin 7 dhe 17, të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
21. Ndërkohë, dy kërkimet e tjera në këtë padi, e konkretisht “2. Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. 3. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit”, rezultojnë të jenë kërkime të natyrës civile, të cilat rregullohen sipas parashikimeve të nenit 32, pika “b” të K.Pr.Civile dhe si të tilla, duhet të gjykohet nga gjykata civile.
22. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, konstaton se, padia objekt shqyrtimi është regjistruar në Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin (gjykata e parë në të cilën është regjistruar kjo çështje) në datën 08.01.2014, pra pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.49/2012“Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, i cili ka hyrë në fuqi në datën 04.11.2013.
23. Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vendimin unifikues nr.4/2014, janë shprehur se “…..Në raste të tilla, përcaktuese në klasifikimin e një mosmarrëveshjeje si e natyrës civile apo asaj administrative rezulton të jetë pikërisht objekti dhe shkaku ligjor i kërkesë padisë së paraqitur për shqyrtim. Në këto rrethana Kolegjet e Bashkuara vlerësojnë se, është detyrë e gjykatës të identifikojë natyrën e mosmarrëveshjes objekt gjykimi si e natyrës civile apo asaj administrative duke iu referuar për këtë qëllim kërkimeve dhe shkakut që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i kërkesëpadisë, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cënuar….”
24. Ndërkohë, neni 8/2 i Ligjit 49/2012, parashikon se çfarë nuk mund të gjykojë gjykata administrative, duke përcaktuar se: “Gjykata administrative nuk shqyrton mosmarrëveshjet: b) shqyrtimi i të cilave, sipas legjislacionit në fuqi, është në kompetencën e një gjykate tjetër”. Në analizë të kësaj dispozite, gjykatat administrative mund të shqyrtojnë vetëm ato kërkime të palëve, të cilat, ligji ia ka lënë në kompetencën e tyre. Në interpretim të kundërt të këtij përfundimi, kërkimet të cilat shprehimisht ligji i ka përcaktuar në kompetencë të një gjykate, nuk mund t`i shqyrtojë një gjykatë tjetër, pavarësisht lidhjes apo ndërvarësisë që këto kërkime mund të kenë me njëra-tjetrën.
25. Gjithashtu, neni 23 i Ligjit 49/2012 parashikon se: “Në një kërkesëpadi mund të parashtrohen disa kërkime, në rast se gjykata është kompetente për të gjitha kërkimet…”. Të njëjtin rregullim e parashikon edhe neni 159 i K.Pr.Civile, kur shprehet se: “Në një kërkesëpadi mund të parashtrohen shumë kërkime, në rast se gjykata është kompetente për të gjitha kërkimet…”. Në interpretim të këtyre dispozitave, një gjykatë nuk mund të shqyrtojë të gjithë kërkimet e një padie, nëse ligji nuk i ka dhënë asaj kompetencën lëndore për t`i gjykuar ato. Si rrjedhim, gjykata duhet të mbajë për shqyrtim vetëm ato kërkime të paditësit, për të cilat ajo është kompetente dhe të dërgojë kërkimet e tjera pranë gjykatës kompetente.
26. Për këto arsye, pas hyrjes në fuqi të Ligjit 49/2012, kërkimet e natyrave të ndryshme civile dhe administrative, të parashtruara me anë të padisë në një proçes gjyqësor, nuk mund të gjykohen më sëbashku, pasi ligji ka përcaktuar që duhen gjykuar nga gjykata të ndryshme. Në të tilla rrethana, është detyrë e gjykatës ku janë paraqitur këto kërkime (konkretisht e Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë Shkodër) që të veçojë kërkimet e padisë që nuk janë në kompetencën lëndore të saj dhe t’ia dërgojë ato për shqyrtim gjykatës kompetente, duke vazhduar gjykimin vetëm për ato kërkime që janë në kompetencën lëndore të saj (nenet 1, 13 dhe 23 të Ligjit nr.49/2012 dhe nenet 61 dhe 159 të K.Pr.Civile).
27. Ka rezultuar që Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër, me vendimin nr.761 regj. themeltar, datë 08.06.2015, ka vendosur ndarjen e kërkimeve në padi, në këtë mënyrë: a) Kërkimin për: “Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të ISSH (Komisionit Qëndror të Apelimit)” e ka konsideruar si kërkim me natyrë administrative dhe e ka lënë për gjykim në kompetencë të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, ndërsa kërkimet për “1.Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. 2. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit. 3. Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”, i ka trajtuar si kërkimeve të natyrës civile dhe ka vlerësuar se ato duhet të gjykohen nga Gjykata Civile e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
28. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, vlerëson se Gjykata Administrative e Shkallës së parë Shkodër ka gabuar pjesërisht në ndarjen e mësipërme të këtyre kërkimeve. Ky Kolegj, vlerëson se, kërkimet për: “1. Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.1739, datë 18.06.2013 të lënë në fuqi me vendimin nr.754, datë 12.09.2013 të Komisionit Qëndror të Apelimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore Tiranë”, si dhe për “Detyrimin e palës së paditur të më lidhë pension të plotë sipas përllogaritjeve duke filluar nga data 01.04.2012 e në vazhdim”, në zbatim të nenit 7 të Ligjit 49/2012, janë të natyrës administrative dhe si të tilla, ato duhet të gjykoheshin së bashku si një çështje e vetme, kompetente për të cilat është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër.
29. Ky Kolegj, çmon të theksojë se, kërkimi i paditëses për të detyruar anën e paditur që ti lidhi pension pleqërie është një kërkim me natyrë administrative, pasi nëpërmjet tij, paditësja kërkon shprehjen e vullnetit të një organi administrativ, që në rastin konkret është DRSSH Lezhë, i cili është organi kompetent i përcaktuar nga Ligji Ligjin nr.7703 datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për rregullimin e kësaj të drejte. Për këtë arsye, në zbatim të nenit 7 të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, ky kërkim, duhet të veçohet nga kërkimet civile dhe duhet të mbahet për shqyrtim nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë.
30. Ndërsa përsa i përket kërkimeve të tjera të padisë, e konkretisht ato që lidhen me “1.Detyrimin e palëve të paditura për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhën 1971 deri në 1974, pranë Seksionit të Bujqësisë Burrel. 2. Detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë për periudhëm 1974-1991, pranë Kooperativës Bujqësore Albulena Laç, me 230 ditë pune të plota për çdo vit”, këto kërkime janë të natyrës civile, e si të tilla, kompetente për gjykimin e tyre është gjykata e zakonshme civile.
31. Në kushtet kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Shkodër ka veçuar edhe kërkime të cilat për nga natyra e tyre ishin në juridiksionin e saj, ky Kolegj, vlerëson se vendimi i mësipërm i kësaj gjykate, nuk është marrë në përputhje të plotë me ligjën proceduriale. Kjo pasi, dihet që ndarja e kërkimeve (të ndryshme nga pikpamja lëndore) që nuk janë në kompetencë të gjykatës që shqyrton çështjen, bëhet nga kjo gjykate që gjatë gjykimit të çështjes në shkallë të parë. Sa më sipër, del qartë nga analiza e nenit 158/a dhe 159 të K.Pr.Civile.
32. Në nenin 158/a të K.Pr.Civile, i titulluar “Veprimet përgatitore” gjejmë të shprehur faktin se, pikërisht në këtë fazë: “Gjykata vendos për moskompetencën e gjykatës kur çmon se, çështja hyn në kompetencën e një gjykate tjetër dhe i dërgon asaj kërkesëpadinë sëbashku me aktet e paraqitura....”. Po kështu, në nenin 159 të K.Pr.Civile, i titulluar “Bashkimi i kërkimeve” thuhet shprehisht se: “Në një kërkesëpadi mund të parashtrohen shumë kërkime në rast se gjykata është kompetente për të gjitha kërkimet. Kur gjykata çmon se shqyrtimi i përbashkët i tyre, do të shkaktojë vështirësi të dukshme në zhvillimin e gjykimit, vendos që ato të shqyrtohen veç e veç”.
33. Pra, në analizë të sa më sipër, rezulton qartë se, si bashkimi i kërkimeve të së njëjtës natyrë, ashtu edhe deklarimi i moskompetencës lëndore të gjykatës për të marrë në shqyrtim kërkime, të cilat nuk janë në juridiksionin e saj, duhet të shqyrtohen që në fillim të gjykimit nga ana e gjykatës së shkallës së parë. Marrja e vendimeve të tilla, të drejta e në përputhje me ligjin që në fillim të gjykimit, ndihmon shumë si në respektim të parimit të administrimit të mirë të çështjes në gjykim, ashtu dhe në atë të përfundimit të çështjes brenda një afati të arsyeshëm dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të bazuar në ligj të saj (në asnjë rast nuk duhet të ngatërojmë bashkimin dhe ndarjen e kërkimeve apo të çështjeve të së njëjtës natyrë të parashikuara nga neni 57 dhe 159 i K.Pr.Civile, të cilat bëhen në shkallë të parë, me çështjen e kompetencës lëndore apo juridiksionit, e cila mund të konstatohet nga gjykatat në çdo shkallë apo fazë gjykimi, duke respektuar si dizpozitat proceduriale te parashikuara ne K.Pr.C ashtu dhe Ligjin nr.49/2012“Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”).
34. Në kushtet që çështja është rregjistruar për gjykim pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.49/2012“Për organizimin dhe funksionimin e gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, ky Kolegj, vlerëson se çështja objekt shqyrtimi duhet të kthehet sërish pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, e cila duhet të kryejë këto veprime: a) të veҫojë kërkimet sipas natyrës së tyre, duke mbajtur për shqyrtim ato kërkime që janë në kompetencën e saj lëndore (të sqaruara më lart në këtë vendim); dhe b) të vendosi moskompetencën lëndore për kërkimet që nuk janë në kompetencë të saj, duke ja dërguar për gjykim të mëtejshëm gjykatës civile të zakonshme, si gjykata kompetente.
35. Sa më sipër, është në përputhje edhe me qëndrimin unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, vendimin nr.3/2014, ku shprehimisht thuhet: “Kur në objektin e gjykimit të një çështje, ka disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative, këto kërkime pavarësisht faktit nëse kanë një lidhje të thjeshtë në mes tyre, apo janë edhe të ndërvarura nga njëra tjetra, referuar nenit 61 dhe 159 të K.Pr.Civile dhe 13 dhe 23 të ligjit 49/2012, gjykata duhet të veçojë kërkimet që nuk janë në kompetencën e saj lëndore, duke ia kaluar ato gjykatës kompetente....Çështjet të cilat në objektin e tyre kanë disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative, kërkime të cilat janë paraqitur përpara datës 04.11.2013, do të vazhdojnë të gjykohen nga gjykata ku ato janë paraqitur”.
36. Për sa më sipër, ky Kolegj, ҫmon se vendimi nr.761 regj. themeltar, datë 08.06.2015 i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, me anën e të cilit kjo gjykatë ka vendosur ndarjen e çështjeve të ngritura në padinë objekt shqyrtimi, duhet të prishet dhe e gjithë çështja duhet të kthehet për shqyrtim pranë kësaj gjykate, për të bërë veçimin e çështjeve sipas natyrave të kërkimit, duke mbajtur për trajtim të mëtejshëm çështjen me kërkimet që kanë natyrë administrative, dhe të dërgojë për kompetencë shqyrtimi pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, çëshjen me kërkimet që kanë natyrë civile.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 63 të Ligjit 49/2012 “Per organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.761 regj. themeltar, datë 08.06.2015 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër dhe dërgimin e çështjes pranë kësaj gjykate për vazhdimin e gjykimit.
Tiranë, më 12.11.2015
Nr. 31003-02303-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4630 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |