VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës se Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
në dhomë këshillimi të datës 26.11.2015, mori në shqyrtim çështjen administrative që u përket palëve:
PADITËS: SHABAN ÇALLIKU
I PADITUR: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE QARKU DURRËS
OBJEKTI:
Anulimin e vendimit nr.180 datë 15.05.2012
të Degës së Përfitimeve pranë DRSSH Durrës,
vendimit nr.394 datë 23.07.2012 i Komisionit Rajonal të Ankimit Durrës,
Vendimit nr.582 datë 03.09.2012 të Komisionit Qendror të Ankimit Tiranë.
Njohjen e pavërtetësisë së pjesshme të vërtetimit për vjetërsi në punë
për efekt pensioni nr.3243 datë 26.05.2011,
lëshuar nga Drejtoria e Arkivit pranë ISSH Tiranë
përsa i përket viteve të punës që janë pasqyruar në këtë vërtetim,
dokument i plotësuar në emër të paditësit Shaban Hariz Çalliku.
Detyrimin e palës së paditur për t`i njohur paditësit vjetërsinë në punë
me funksion agronom sektori në ish Koop. Bujqësore Gjepalaj
për periudhën nga viti 1972 deri në vitin 1991.
Detyrimin e palës së paditur për pagimin e së drejtës së pensionit të pleqërisë shtet për paditësin që nga data që i ka lindur kjo e drejtë.
Baza Ligjore: Neni 32, 328 i K.Pr.Civile,
Ligji 7703/1993 “Për sigurimet shoqërore”.
Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.765 datë 02.06.2014 ka vendosur:
Moskompetencën e Gjykatës së Apelit Durrës për gjykimin e çështjes.
Dërgimin e akteve në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me vendimin datë 14.07.2014 ka vendosur:
Të ngrejë para Gjykatës së Lartë çështjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore midis Gjykatës së Apelit Durrës dhe Gjykatës Administrative të Apelit për gjykimin e çështjes civile me palë paditëse Shaban Çalliku, të paditur Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Durrës, …
Dërgimin e kopjeve të akteve Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore midis Gjykatës së Apelit Durrës dhe Gjykatës Administrative të Apelit.
Në këtë vendim, kjo gjykatë parashtron këto shkaqe:
-
Lidhur me kundërshtimin e akteve administrative të palës së paditur, ndodhemi përpara një mosmarrëveshje administrative. Nëse ky do të ishte kërkimi i vetëm i padisë objekt gjykimi, atëherë mosmarrëveshja objekt gjykimi do të ishte në kompetencën e gjykatave administrative. Kërkimi për njohjen e periudhës që paditësi ka punuar në kooperativë bujqësore, për efekt të njohjes së vjetërsisë në punë, për përfitimin e të drejtës së pensionit është kërkim me natyrë civile dhe përbën mosmarrëveshje të natyrës civile.
-
Objekti i kërkimit për njohjen, ndryshimin dhe saktësimin e pjesshëm të fletës së regjistrit themeltar është i natyrës civile, për faktin se fletët e regjistrit nuk përbëjnë një akt të mirëfilltë administrativ. Në kuptim të frymës së përgjithshme të VKM nr.761 datë 19.11.2004 “Për krijimin e arkivit qendror për sistemimin, ruajtjen dhe shfrytëzimin e dokumentacionit të periudhës së sigurimit pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, rezulton se regjistrat themeltarë janë dokumente që menaxhohen dhe ruhen nga Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Ky dokument pavarësisht se është nxjerrë nga një organ i administratës publike, nuk përbën akt administrativ, për shkak se është formë e shprehjes së vullnetit të këtij organi në kuptim të ushtrimit të veprimtarisë ekzekutive urdhërdhënëse dhe jo asaj administrative, me qëllim sjelljen e pasojave. Këto dokumente thjesht konstatojnë informacione lidhur me periudhën e sigurimit të punëmarrësve, por në vetvete ekzistenca e tyre nuk krijon, ndryshon apo shuan pasojat juridike.
-
Në padinë objekt gjykimi kemi të bëjmë me kërkime si të natyrës civile ashtu edhe të natyrës administrative. Në vendimin unifikues nr.3 datë 28.04.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë është unifikuar se çështjet të cilat në objektin e tyre kanë disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative, kërkime të cilat janë paraqitur para datës 04.11.2013, do të vazhdojnë të gjykohen nga gjykata ku ato janë paraqitur.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, dhe si bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Paditësi banon në Fshatin Likesh të Komunës Gjepalaj, Rrethit Durrës dhe në kohën e lindjes së të drejtës së pensionit ka paraqitur kërkesë pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës. Kjo e fundit, në të kundërt nga sa kërkuar paditësi, i ka caktuar pension të pjesshëm pleqërie. Në vendimin e saj, pala e paditur nuk ia njohur paditësit vjetërsinë në punë të pretenduar prej tij për periudhën 01.01.1972 deri me datë 31.08.1991, për arsye se për këtë periudhë paditësi nuk kishte librezë pune. Sipas paditësit, në këtë periudhë ai ka punuar si agronom në Kooperativën Bujqësore Gjepalaj, por nuk ekzistojnë listë-pagesat përkatëse.
Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr.765 datë 02.06.2014 ka vendosur moskompetencën e Gjykatës së Apelit Durrës për gjykimin e çështjes. Dërgimin e akteve në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë si gjykatë kompetente. Në këtë vendim është arsyetuar se nisur nga qëndrimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë në vendimin nr.3 datë 06.12.2013, të gjitha çështjet e natyrës administrative do të shqyrtohen nga gjykata administrative, pavarësisht fazës apo shkallës së gjykimit në të cilën ndodhen. Me këtë argument, duke e konsideruar mosmarrëveshjen mes palëve si çështje të natyrës administrative, Gjykata e Apelit Durrës ka shpallu moskompetencën e saj dhe ka dërguar aktet në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.
Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me vendimin datë 14.07.2014 ka vendosur të ngrejë para Gjykatës së Lartë çështjen e mosmarrëveshjes së kompetencës lëndore midis Gjykatës së Apelit Durrës dhe Gjykatës Administrative të Apelit për gjykimin e çështjes në fjalë. Në këtë vendim kjo gjykatë arsyeton se kundërshtimi i akteve të palës së paditur, përbën një mosmarrëveshje administrative dhe nëse ky do të ishte kërkimi i vetëm i padisë, atëherë mosmarrëveshja objekt gjykimi do të ishte në kompetencën e gjykatave administrative. Ndërkohë, kërkimi tjetër, ai për njohjen e periudhës që paditësi ka punuar në kooperativë bujqësore, për efekt të njohjes së vjetërsisë në punë, për përfitimin e të drejtës së pensionit është kërkim me natyrë civile dhe përbën mosmarrëveshje të natyrës civile. Bazuar në vendimin unifikues nr.3 datë 28.04.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, mosmarrëveshjet me kërkime të përziera, të cilat janë paraqitur para datës 04.11.2013, do të vazhdojnë të gjykohen nga gjykata ku ato janë paraqitur.
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë pasi, pasi u njoh me dosjen gjyqësore, vendimet e gjykatave vlerëson se vendimi i Gjykatës së Apelit Durrës është marrë pa u pasur parasysh interpretimi unifikues i Vendimit nr.3, datë 28.04.2014 dhe si rrjedhojë duhet prishur dhe çështja duhet kthyer në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
Ky Kolegj thekson se për përcaktimin e kompetencës lëndore në gjykimin e një çështjeje, gjykata duhet të ketë parasysh kërkimet e paditësit në padi, si dhe të drejtën ku ai i mbështet këto pretendime. Në rastin konkret, objektet e kërkimit përpara gjykatës vihet re qartazi se janë të përbëra nga kërkime të natyrës civile e po kështu edhe kërkime të natyrës administrative. Kërkimi që ka të bëjë me njohjen e vjetërsisë në punë është kërkim i pastër I natyrës civile. Në vendimin Unifikues nr.4, datë 28.04.2014 Gjykata e Lartë ka arritur në interpretimin njësues se: “Çështjet të cilat në objektin e tyre kanë disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative, kërkime të cilat janë paraqitur përpara datës 04.11.2013, do të vazhdojnë të gjykohen nga gjykata ku ato janë paraqitur.“
Sa më sipër, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.765 datë 02.06.2014 i Gjykatës së Apelit Durrës duhet prishur dhe çështja duhet kthyer në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, në mbështetje të Nenit 7, 13 të Ligjit 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.765 datë 02.06.2014 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe kthimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 31003-02377-00-2015 Regj.Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4565 Vendimi
Do'stlaringiz bilan baham: |