Titulli: Ngritja dhe rënia e një grabitqari seksual
Dërguar: nga Ambasada e Tiranës më 17 mars 2009
Merr: Departamenti Amerikan i Shtetit
Autori: Nuk ka firmë në fund të materialit
Teksa skandali më i fundit seksual, i cili përfshin ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango ka plasur në të gjitha mediat shqiptare, unë nuk mund ti shpëtoj një pyetjeje që i bëj vetes sime në lidhje me etikën e politikës shqiptare. Sigurisht, “nuk është një gjë e re, dihej”,- thonë njerëzit.
Zërat se Pango kishte sjelljen e një grabitqari seksual diheshin prej vitesh. Por sërish, të gjithë ishin të habitur nga pamjet dhe zëri i regjistruar nga kamera e fshehtë, e cila tregoi qartë ngacmimet seksuale të ministrit drejt një vajze të re, e cila kërkonte punë në institucionin që ai drejtonte.
Pas 18 vitesh tranzicioni demokratik “jeta seksuale” e një figure politike bëhet një çështje kaq e madhe, pavarësisht faktit se incidente të këtij lloji kanë përfshirë edhe figura politike ose liderë të Partisë Socialiste.
Siç duket, ngacmimi seksual dhe përdorimi i postit publik për fitime personale nuk është monopol i vetëm njërës parti.
Kryeministri Berisha shkarkoi Pangon menjëherë, vetëm katër minuta pasi ngjarja u shfaq në TV, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur PD-në nga skandali dhe dëmtimi politik.
Shumë mendohen përse Prof. Dr ylli Pango u bë ministër në radhë të parë duke ditur zërat për sjelljet e tij të pista dhe të jashtëligjshme.
Ai ka qenë dekan i fakultetit të Shkencave Sociale dhe profesor për shumë vite. Në vitin 2005 ai ka detyruar stafin e fakultetit dhe studentët e tij që të punojnë në fushatën e tij elektorale.
Të njëjtin vit ai botoi librin e tij të tretë të psikologjisë duke bërë plagjiaturë dhe përdorur studentët si përkthyes nga anglishtja. Ai drejtonte një OJQ të vetën dhe kishte reputacion se ngacmonte seksualisht studentet.
Një ditë pas publikimit të skandalit, Pango u shfaq në një televizion duke thënë se video ishte e sajuar. Por më e tmerrshmja është se tha: “Gjithkush në vendin tim do të vepronte si unë”. Për Pangon, të gjithë njerëzit e kësaj bote mund të bien viktima të dëshirave të tyre seksuale.
Pas gjithë kësaj Pango vazhdon të jetë anëtar i parlamentit dhe tashmë po kërkon për një punë të re.
Kur budallaqet e historisë së tij do të nisin të zbehen, ai, me shumë gjasa, do të përfundojë duke punuar sërish në universitet dhe do të vazhdojë të qëndrojë i përfshirë në politikë si shumë figura politike “të poshtëruara” kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë në Shqipëri./Dita/
Ngjarja në Shkozë: E theri fqinjin ndërsa festonte ditëlindjen e djalit
Dy ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën e Shkozës në Tiranë, ku një 39-vjeçar humbi jetën i vrarë nga thika e komshiut, zbardhen të tjera detaje që e bëjnë edhe më tronditëse vrasjen.
Arenc Liço 39 vjeç viktima dhe Ergest Zhupani 28 vjeç vrasësi i dyshuar, jetonin të dy në njëjtin pallat.
Ditën kur Liço humbi jetën, ai kishte festuar ditëlindjen e djalit të tij të vetëm.
Madje për këtë kishte organizuar edhe një ceremoni të vogël me njerëzit e tij të afërm.
Gjë që konfirmohet edhe nga statusi i tij i fundit i postuar në rrjetin social facebook ku shkruan: “Në këtë mbrëmje jam në qiellin e shtatë, me zemrën dhe jetën e babit. U boftë sa ta ketë qefin 100 urojmë ne”.
Ky ishte mesazhi që Arenc Liço la në porfilin e tij në fb, pa e ditur se vetëm dy orë më pas do të humbte jetën në rrethana tragjike. Janë ende të paqarta shkaqet që çuan komshiun e tij të katit të parë, të shkonte në krim.
Por thuhet se, midis Liços dhe Zhupanit ka pasur fillimisht një përplasje verbale, e cila ka lindur pas hatërmbetjes së Zhupanit se përse Liço nuk e ka ftuar në ditëlindjen e djalit.
Kaq ka mjaftuar që Zhupani të shkojë në shtëpinë e tij ngjitur me lokalin ku po qëndronte Liço, të marrë një thikë dhe t’i marrë jetën me një të goditur të vetme, e mjaftueshme për t’i marrë jetën komshiut të tij, i cili humbi jetën gjatë rrugës për në Spitalin “Nënë Tereza”.
Apartamentet e reja në Tiranë, çmimet pritet të rriten 15%-30%
Kushdo që ka në plan të blejë një apartament, sidomos në pallatet e reja në kryeqytet, duhet të nxitojë ta bëjë atë sa më shpejt, që të mos përballet me një surprizë të pakëndshme: çmime më të larta. Të gjithë aktorët e tregut pohojnë njëzëri se apartamentet e reja pritet të shtrenjtohen me rreth 15-30% për disa arsye, si p.sh., mungesa e lejeve të ndërtimit në qendër; rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë deri në 8%; kosto e shtuar nga mënyra si llogaritet pjesa që u jepet pronarëve të tokës; ulja e kateve; respektimi më i madh i standardeve të ndërtimit; rritjes së taksës mbi fitimet nga shitja e pasurisë së paluajtshme nga 10% në 15%, duke filluar nga 1 janari 2015, etj. Kjo do të thotë se në rast se një apartament pranë qendrës sot mund ta gjesh me 1000 euro për metër katror, në një periudhë afatmesme ai mund të shkojë deri në 1300 euro për metër katror.
Nëse deri në vitin 2008, kur çmimet e apartamenteve u dyfishuan brenda pak vitesh, kjo rritje erdhi më shumë nga kërkesa e lartë, tashmë faktorët që do të ndikojnë lidhen më shumë me koniunkturën e kostove, nga kahu i ofertës (ndërtuesve).
Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, pohon për “Monitor” se çmimet e banesave në Tiranë do të rriten me 100-250 euro/m² më tepër se çmimet aktuale.
Si një faktor lehtësues për individët, situata është shumë e favorshme për të marrë kredi hipotekore. Interesat janë në nivelet e tyre minimale historike, ndërsa bankat kanë raportuar se për individët, standardet e kredisë do të vijojnë të lehtësohen, si për financimin e blerjes së banesës, ashtu edhe për kredinë konsumatore.
Të gjithë njerëzit që jetojnë në kryeqytetin shqiptar me qira kërkojnë të blejnë një shtëpi, ndonëse agjencitë pohojnë se këto kërkesa nuk finalizohen me transaksione.
Si arsye mund të listojmë shumë: papunësia, të ardhurat e pakta, pamundësia e marrjes së një kredie nga paqëndrueshmëria financiare etj.
Madje, sipas tyre, nuk mungon as dëshira për të blerë një shtëpi të dytë, qoftë për investim. Por me sa duket, nga dëshira gjer në blerje, qëndron “një det i tërë”.
Këtë vit, kërkesat për qira janë shtuar shumë, trend ky që do të vijojë, duke qenë se të gjitha ndërtimet e reja në kryeqytet “premtojnë” se do të sjellin çmime të kripura për xhepat e shqiptarëve.
Kompanitë e ndërtimit: Kemi kosto të larta
Kompanitë e ndërtimit listojnë disa nga arsyet që po ndikojnë në rritjen e kostos së ndërtimeve të tyre. Të kontaktuar nga “Monitor”, pohojnë se padyshim që taksa e ndikimit në infrastrukturë, e rritur nga Bashkia e Tiranës deri në 8% do të jetë një faktor që do të rrisë çmimin e banesave për blerësit.
Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë (SHNSH) është shprehur kundër taksës së vendosur nga Bashkia e Tiranës për ndikimin në infrastrukturë. Në një reagim për mediat në fillim të këtij viti, SHNSH ka listuar arsyet se pse nuk duhet vendosur kjo taksë.
“Taksa nuk është reale, pasi bazohet mbi një çmim referencë, çmim që qeveria e rrit çdo vit dhe që aplikohet vetëm në një pjesë të pallatit. Kjo taksë u mbivendoset taksave kombëtare, çmimi i shitjes është objekt taksimi kombëtar”, – deklaron Shoqata, teksa thekson se kjo taksë është kundër normave të ndërtimit.
Përpos këtij faktori, kompanitë tregojnë se ligji nr. 1129, datë 5.8.2008 “Për mënyrën e përcaktimit të vlerës së truallit, të vënë nga pronarët e tij, në dispozicion të investitorëve të ndërtimit”, të miratuar nga qeveria shqiptare në gusht të 2008, nuk njeh më pjesën e kontratës së shkëmbimit me pronarin e truallit. Firmat e ndërtimit duhet që truallin ta fusin si shpenzim, ndërkohë që pjesën e shkëmbimit që i japin apartamente pronarit, duhet ta kalojnë me çmimin e shitjes, në bazë të tabelës me referencat e tregut. Kjo kalon automatikisht në të ardhur. Marzhi mes çmimit të referencës së truallit me çmimin e shitjeve të zonave është diferencë e madhe, pohojnë ata, ndaj dhe konsiderohet një nga arsyet që do të rritet çmimi për blerësin fundor.
“Sa i përket pronarit të truallit, i bie që të taksohet dyfish sepse paguan edhe taksën me çmimin fillestar, që bëhet kalimi i pronësisë nga firma ndërtuese te pronari i truallit me 15%; ndërkohë që në momentin e rishitjes së apartamentit nuk i njihet më me çmimin e shitjes, por me koston minimale të zonës ku është bërë ndërtimi”-, pohon një ekonomiste e një kompanie ndërtimi në Tiranë.
Rritja e çmimeve ka filluar të ndihet
Dritan Caka, drejtuesi i agjencisë “DevInformation”, pohon se aktualisht në tregun imobiliar shqiptar ka nisur një rritje e çmimeve të banesave, prej 10%.
“Fillimisht kjo shihet vetëm për zonën brenda Unazës së Vogël dhe kryesisht në qendër të saj dhe kjo si rezultat i dy faktorëve kryesorë: mungesa e lejeve të ndërtimit dhe taksa e shitjes prej 15%”- pohon z. Caka për “Monitor”. Duke filluar nga 1 janari 2015 u rrit taksa mbi fitimet nga shitja e pasurisë së paluajtshme nga 10% në 15%.
Arsyet e listuara:
1) mungesa e lejeve të ndërtimit në qendër ka bërë që të kërkohen apartamentet në këto zona dhe duke mos pasur oferta të reja në këto zona, kërkesa më e madhe bën që të ketë këtë rritje të lehtë të çmimeve.
2) Sigurisht 15% (rritja e taksës mbi fitimet nga shitja e pasurisë së paluajtshme në 2015-n nga 10% në 15%) është faktori i dytë, pasi në përllogaritjet që bëjnë pronarët e këtyre njësive kalkulojnë tatimin që do të paguajnë dhe këtë ia vendosin sipër çmimit që ata duan të shesin. Z. Caka tregon se tregu imobiliar do të vijojë të ketë ecuri normale, ndërsa pohon se kërkesë për qira ka më shumë për apartamente të vogla (1+1), nxitur nga pamundësia për të blerë.
Nga ky muaj, periferia 20 euro/m2 më shtrenjtë
Vetëm nga aplikimi i taksës së banesës mbi apartamentet e pashitura dhe rritja e tarifës së hipotekës janë rritur çmimet e shtëpive të reja në periferi të Tiranës me 20 euro metrin katror, duke arritur në 470 euro/m2, duke filluar nga muaji shkurt.
Ndërsa dyfishimi i taksës në infrastrukturë pritet të shtrenjtojë çmimin e tyre me 50-250 euro për metër ndaj banesave që do të ndërtohen nga lejet që po jepen në vijim, tha Hajredin Fratari nga Konfindustria Shqiptare, një nga ndërtuesit me më përvojë në vend.
Që nga fillimi i këtij viti, taksa e banesave aplikohet edhe mbi shtëpitë e ndërtuara dhe ende të pashitura. Fratari tha se kjo është një taksë jo e logjikshme pasi përvoja e vendeve të tjera tregon se tatime të tilla paguhen nga blerësit dhe përdoruesit dhe jo nga ndërtuesit. Duke qenë se kompanitë e mëdha të ndërtimit kanë në zotërim qindra apartamente të pashitura nga ngurtësimi i kërkesës, kostot që po vijnë nga taksa e re janë transferuar në çmime me rreth 20 euro për metër katror. Por kjo rritje nuk ka të krahasuar me atë që do të krijojë taksa e re e ndikimit në infrastrukturë.
Kjo taksë që më parë vilej 4% mbi vlerën e ndërtimit të projektit me ndryshimet e reja të janarit të vitit 2016 do të vilet 8% mbi vlerën e shitjes.
Për një metër katror që e ka koston e ndërtimit 200 euro për metër katror, aktualisht paguhet nga ndërtuesi taksë 8 euro. Me ndryshimet ligjore, kjo taksë vilet mbi çmimin e shitjes, i cili supozohet se është 500 euro. Taksa që do t’i paguhet bashkisë është 40 euro për metër katror. Ky ndryshim në taksa e rrit çmimin deri në 250 euro metrin katror – analizon Fratari.
Taksa e ndikimit në infrastrukturë aplikohet vetëm në vendet e Ballkanit, për shkak se vendet në zhvillim kanë nevoja të investojnë në zhvillimin e infrastrukturës. Fratari thotë se nuk është kundër kësaj takse, por problemi qëndron në faktin se në Shqipëri, pavarësisht se pushteti lokal arkëton shumicën e të ardhurave nga kjo taksë, nuk përdor atë për destinacionin që i takon.
Sipas përcaktimit ligjor, taksa e ndikimit në infrastrukturë, u vilet kompanive të ndërtimit për të plotësuar nevojat me (rrjet rrugor, elektrik dhe ujësjellësi) që i duhen objektit të ri.
Fratari shpjegon se, kërkesa do të orientohet nga banesat sociale me çmim të ulët dhe sipërfaqe të vogël. Nisur nga një kërkim mbi tregun, Fratari tha se blerësit potencialë brenda Unazës së Vogël janë vetëm 1400, ndërsa për periferinë janë mbi 70-80 mijë kërkesa. Ai thotë se tani është kohë mjaft e përshtatshme për të blerë, pasi edhe bankat kanë shtuar konkurrencën për kreditimin e blerjes së banesave.
Flet Lefter Sila, drejtuesi i Agjencisë “Inf 93”
Ndërtimet e reja do të kenë banesa 30% më të shtrenjta
Si ka qenë ecuria e tregut të shitblerjeve dhe qirave në vendin tonë?
Panorama e tregut të shitjeve është e ndryshme nga ajo e qirave. Shitjet janë pakësuar, kemi pak transaksione, kjo na pengon për të nxjerrë të dhëna të sakta. Tendenca është ajo e një viti më parë, në përgjithësi çmimet kanë rënë, por kjo vlen sipas zonave të ndryshme. Në Bllok, te RTSH, qendër, rënia shkon në 25–30%, në zonat rreth Unazës së Vogël të Tiranës, rënia është 10-20%. Në zonat më larg, meqenëse edhe vlerat janë më të ulëta, rënia është më e ulët, deri në 5-10%.
Por, n.q.s. flasim për pallatet e reja, atëherë kemi një tendencë krejtësisht të kundërt. Në to kemi rritje çmimi që do të vijojnë. Pse ndodh kjo? Vëmë re se në vitin 2015, nisën rreth 20-30 pallate të reja nga themelet. Në këto pallate çmimet janë më të larta se kudo tjetër. Vlera shkon rreth 30% më e lartë në po të njëjtin vend me ndërtesa të ndërtuara më parë. Kjo ndodhi për disa arsye:
– 40-50% e merr pronari i truallit, me kontratën e shkëmbimit.
– Ndërkohë ndërtuesit, gjatë 5 viteve që kanë pritur që të marrin lejen e ndërtimit, kanë pasur kosto të mëdha: qira, makineri, pagat, tenderë etj.
– Kosto tjetër është fakti se pallatet e reja nuk bëhen më me 12 kate si dikur, me volum të madh banimi, por rreth 8-9 kate maksimumi.
– Ruajtja e standardeve i detyron që të ndërtojnë parkingje me 2-3 kate, e cila është një kosto shtesë për ndërtimin.
– Të mos harrojmë se ndërtuesi diçka do marrë për vete, diçka do ta japë me klering, për favore etj., pra pakësohet numri i banesave në shitje.
– 20-30% e pallatit që mbetet për t’u shitur duhet të mbulojë të gjithë kostot që ndërtuesi ka pasur.
Po taksa 8% për infrastrukturën do të ndikojë në çmim?
Edhe kjo taksë është një ndikues i madh, të gjitha arsyet mblidhen bashkë. Apartamentet e reja në ndërtesat e reja do të kenë çmime të larta. Shtojmë edhe faktin që ndërtime në zonat kryesore ka pak.
Po tendenca konsumatore ku orientohet? (zonat, madhësia e banesave)
Gjithçka varet sipas buxhetit. Kërkesa ka shumë, të gjithë do të donin të blinin shtëpi apo të merrnin një shtëpi të dytë mirëpo transaksionet janë të pakta. Gjithçka varet nga të ardhurat dhe punësimi. Ndaj dhe konsumatorët i drejtohen qirasë. Kjo është tendenca e momentit. Konsumatorët interesohen më tepër për apartamente të vogla, kryesisht 1+1, në zona ku edhe çmimet nuk janë shumë të larta. Familjarët e ardhur janë një grup i konsiderueshëm, sikurse edhe studentët. Ndaj dhe kjo dukuri po ndikon edhe vendimet e ndërtuesve, të cilët duke parë trendin janë orientuar në ofrimin e sa më shumë apartamenteve të vogla. Tkurrja po ndihet edhe në vendimet e bizneseve, të cilët dita-ditës po lënë sipërfaqet e mëdha për ambiente zyrash ose dyqanesh më të vogla dhe të përballueshme.
Sa interes kanë të huajt për pasuritë e paluajtshme në Shqipëri?
Të huajt janë të pakët në numër dhe kanë rënë në krahasim me vitet e mëparshme.
Kanë rënë kërkesat për qira, por edhe për blerje nuk ka thuajse fare (në Tiranë). Pengimi i lejeve të ndërtimit i ka tkurrur investitorët, ndikojnë edhe arsye të tjera: pronësia, konfliktet mes pronarëve,
Çfarë parashikimi keni për vijimin e 2016-s?
Këtë vit e presim në të njëjtën tendencë të një viti më parë. Duhet të theksojmë edhe diçka: n.q.s kriza botërore nuk përmirësohet, sidomos situata në vendet kufitare si Greqia dhe Italia, si burim i të ardhurave të emigrantëve apo edhe i tregtisë, situata në tregun e pasurive të paluajtshme mund të përkeqësohet më tej. Varet shumë edhe nga politikat që ndjek qeveria, sa afrohen dhe mbështeten investitorët, sa zhvillohen lejet e ndërtimit, lehtësitë në investime, bankat çfarë politikash do të marrin, sa e lehtë është kredimarrja etj. Punësimi është një tjetër faktor kyç.
Arsyet që ndikojnë në rritjen e çmimit të banesave
- Mungesa e lejeve të ndërtimit në qendër ka bërë që të kërkohen apartamentet në këto zona dhe duke mos pasur oferta të reja, kërkesa më e madhe bën që të ketë këtë rritje të çmimeve.
- Taksa e shitjes prej 15% (që hyri në fuqi që më 1 janar të 2015) është faktori i dytë pasi në përllogaritjet që bëjnë pronarët e këtyre njësive kalkulojnë tatimin që do të paguajnë dhe këtë ia vendosin sipër çmimit që ata duan të shesin.
- 40-50% të volumit të banesave në një pallat i merr pronari/pronarët e truallit, me anë të kontratës së shkëmbimit. Janë numër i konsiderueshëm banesash të destinuara për shitje që nuk shiten. Tradita e kleringut në firmat ndërtuese shqiptare. Shpeshherë edhe “dhurata” për favore personale bën që të zvogëlohet volumi i banesave për t’u shitur. Ndaj dhe 20-30% e pallatit që mbetet për t’u shitur duhet të mbulojë të gjithë kostot që ndërtuesi ka pasur. Kemi automatikisht rritje çmimesh.
- Ndërtuesit, gjatë 5 viteve që kanë pritur që të marrin lejen e ndërtimit kanë pasur kosto të mëdha: qira, makineri, pagat, tenderë etj., që priret t’ua përçojnë kostove totale, si barrë e blerësit fundor.
- Pallate më të vogla në kate dhe volum banesash. Ndërtuesve u zvogëlohen mundësitë e shitjes (nga tendenca e 12 kateve në 8-9 kate)
- Ruajtja e standardeve dhe kërkimi i tyre me rigorozitet vitet e fundit: kosto e lartë ndërtimi, pajisjesh etj., dhe pajisja me parkingje me 2-3 kate.
- Rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë prej 8% ndaj firmave ndërtuese bën që këto të fundit “t’ia shkarkojnë barrën” blerësit fundor.
- Firmat e ndërtimit duhet që truallin ta fusin si shpenzim ndërkohë që pjesën e shkëmbimit që i japin apartamente pronarit, duhet ta kalojnë me çmimin e shitjes, në bazë të tabelës me referencat e tregut, sipas ligjit nr. 1129, datë 5.8.2008 “Për mënyrën e përcaktimit të vlerës së truallit, të vënë nga pronarët e tij, në dispozicion të investitorëve të ndërtimit”. Ndërtuesit pohojnë se kjo kalon automatikisht në të ardhur. Marzhi mes çmimit të referencës së truallit me çmimin e shitjeve të zonave është diferencë e madhe. Ndaj është një nga arsyet që do të rritet çmimi për blerësin fundor./Monitor/
Video: E paparë... ja një sherr femrash shqeto!
Kur zihen femrat duhet të bëni shumë kujdes, janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Një sherr mes femrash ka tronditur Napolin, pasi dy zonjat jo vetëm që kanë dhunuar njëra tjetrën me çfarë kanë mundur por kanë uluritur shumë duke shkaktuar panik në qytet.
Për më shumë shihni videon.
Shisnin drogë në burgun e Peqinit, 77 vite burg për 7 shpërndarës
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar një dënim në total prej 77 vitesh burgim për 7 persona, pjesë e një rrjeti shpërndarje lëndësh narkotike, të cilën e shisnin në burgun e Peqinit, nëpërmjet ndihmës së një gardiani.
Në bazë të hetimeve, ka rezultuar se këta shtetas e siguronin lëndën narkotike në qytetin e Elbasanit dhe, nëpërmjet punonjësit të burgut Zenel Nezha, ia jepnin të burgosurit Dorjan Tatoshi, i cili më tej ua shiste të burgosurve të tjerë.
Në përfundim të gjykimit, Prokuroria e Elbasanit kërkon dënimin, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike...”, si më poshtë:
Fuqia ushtarake, Shqipëria në vendin e fundit në Ballkan
Sipas Indeksit Global të Fuqisë Ushtarake (Global Firepoëer Index) për vitin 2016, ushtria shqiptare zë vendin e 100-të me 2.5331 pikë mes 126 vendeve të botës, për të cilat është llogaritur ky indeks.
Renditja vlerëson ushtritë e botës dhe faktorët që drejtpërdrejt ose tërthorazi, ndikojnë në fuqinë ushtarake të vendit.
Indeksi është hartuar në bazë të një metodologjie komplekse, e cila merr në konsideratë më shumë se 50 faktorë të ndryshëm.
Në veçanti: numri i ushtrisë, numri i tankeve, anijeve, avionëve dhe pajisjeve të tjera ushtarake, niveli i financimit të sferës ushtarake, infrastruktura e transportit të vendit, qasja në produktet e naftës dhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në aftësinë luftarake të ushtrisë, por Indeksi nuk përfshin armët bërthamore.
Në top-10 vendet me ushtritë më të fuqishme të botës përfshihen SHBA, Rusia, Kina, India, Britania e Madhe, Franca, Italia, Koreja e Jugut, Gjermania, Brazili, Japonia, Turqia.
Në Ballkan, pas Turqisë që është e dhjeta në botë, ushtrinë më të fuqishme e ka Rumania (1.3746 pikë, e 56-ta në botë), në vendin e dytë në Ballkan është Greqia (1.4853 pikë, vendi i 60 në botë), pastaj vijnë Kroacia (1.5042 pikë , e 62-ta në botë), Bullgaria (1.6721 pikë, e 67-ta në botë), Serbia (e 70-ta në botë me 1.6944 pikë), Bosnja dhe Hercegovina (e 89-ta në botë me 2.2811pikë) dhe Shqipëria (e 100-ta në botë më 2.5331pikë). Në Indeks nuk janë përfshirë Mali i Zi dhe Kosova./Dita/
Këndi i lojrave te liqeni, shoqëria civile “luftë” me policinë
Protestues nga shoqëria civile, ambientalistë dhe qytarë të Tiranës, janë konfrontuar me policinë bashkiake dhe atë të Rendit tek kodrat e liqenit për mosndërtimin e parkut për fëmijët në hapësirën e gjelbër.
Siç shihet edhe nga këto foto të siguruara nga mediat, protestuesit kanë shembur sërish rrethimin dhe kanë debatuar deri në përplasje fizike me policinë, duke i quajtur këto punime si të paligjshme.
Ndërkohë që janë shoqëruar ne komisariat rreth 10 protestues mes tyre dhe gra e vajza nga uniformat blu pasi, kanë përdorur forcë dhe kanë kundërshtuar policinë.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë shkulur gardhin rrethues në zonën ku do të bëhet parku dhe me to në duar janë drejtuar drejt Bashkisë së Tiranës, ku thonë se do të vijojnë protestën.
Qytetarët e Tiranës që protestuan ndaj ndërtimit të parkut të lojërave, kanë depozituar në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, për shkatërrim të pronës publike dhe shpërdorim detyre.
Në kallëzim thuhet se, ky projekt nuk mund të bëhet pa u bërë masterplani i Parkut të Liqenit Artificial dhe Plani i Përgjithshëm i Tiranës.
Projekti. Si është konceptuar këndi i lojërave
Parku i fëmijëve që po ndërtohet nga Bashkia e Tiranës ka disa zona, një për fëmijët nga 1-3 vjeç, një për fëmijët 3-6 vjeç, një për fëmijë më të mëdhenj me lojëra më të përshtatshme për ta dhe një zonë për fëmijët nga 9 vjeç e lart me zona të përshtatshme për ta. Të gjitha llojet e ndërtimeve janë plotësisht ndërtime mjedisore, përdoren materiale si druri, ashklat e drurit, plastika e ripërdorur për sheshe, që fëmijët mund të luajnë e të mos vriten, stola dhe hapësira për fëmijët.
Vrasje në Shkodër, i moshuari qëllon me çifte të sëmurin mendor
Më datë 21.02.2016 në orën 02:00 në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër është marrë njoftim se në fshatin “Shtoj i Vjetër”, njësia administrative Rrethina bashkia Shkodër, brenda rrethimit të banesës së shtetasit Ndokë Vecaj, 76 vjeç, është gjetur i vrarë me armë gjahu, shtetasi Nikë Bungu 55 vjeç banues në fshatin “Shtoj i Vjetër” njësia administrative Rrethina bashkia Shkodër.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se, shtetasi Nikë Bungu, i cili vuante dhe merrte mjekim të rregullt për probleme mendore, ka hyrë tek rrethimi i shtëpisë së shtetasit Ndokë Vecaj, në fshatin “Shtoj i Vjetër”.
Pronari i banesës ka dëgjuar se dikush ka hyrë në rrethimin e banesës së tij dhe ka qëlluar dy herë me armë gjahu çifte në ajër.
Më pas i zoti i banesës kur ka degjuar sërish lëvizje, në kushtet e errësirës, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Nikë Bungu 55 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Në cilësinë e provës materiale është bllokuar:
-Një armë e gjahu (çifte) me të cilën dyshohet se autori ka kryer vrasjen.
Policia në përfundim të veprimeve të para hetimore, ka arrestuar në flagrancë pronarin e banesës shtetasin Ndokë Vecaj, si autor të dyshuar të vrasjes. Grupi hetimor është duke punuar për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Fotolajm: Ja çojnë Veliajt hunjtë e liqenit në derë të bashkisë
Menjëherë pas protestës e cila degjeneroi në dhunë nga ana e policisë së shtetit kundër protestuesve dhe aktivistëve të shoqërisë civile, këta të fundit kanë marrë disa nga hunjtë e shkulur të rrethimit dhe i çuar mu në derën e Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë protesta e qytetarëve është zhvendosur përballë bashkisë së Tiranës...
Disa të ndaluar në protestën për Parkun e Tiranës
Policia përleshet me qytetarët që protestuan kundër betonizimit të një pjese të parkut, ku bashkia thotë se po ndërton një kënd lojërash për fëmijë.
Policia e Tiranës ndaloi disa protestues sot, të cilët u përpoqën të rrëzonin rrethimin e një kantieri punimesh në Parkun e Tiranës, ku Bashkia thotë se, po ndërton një park lojërash për fëmijë ndërsa protestuesit e kundërshtojnë duke argumentuar se plani është një përpjekje tjetër për betonizim të një prej të paktave hapësira të gjelbra të mbetura në kryeqytet.
Protesta e sotme, e organizuar nga një grup aktivistësh pa lidhje partiake, u mbajt e paparalajmëruar për publikun e gjerë nga organizatorët, të cilët u përpoqën në këtë mënyrë të mbajnë larg militantët e Partisë Demokratike, të cilët janë përpjekur gjatë kohëve të fundit të rrëmbejnë kauzat e qytetarëve për llogari të interesit të tyre politik.
Burime nga protestuesit thanë se forcat e mëdha policore u përballën me protestuesit dhe ndaluan një numër prej tyre.
Javën e kaluar, protestuesit rrëzuan gardhin rrethues të sheshit të punimeve dhe akuzuan bashkinë se po synonte betonizimin e parkut nën alibinë e ndërtimit të një parku për fëmijë.
Bashkia iu përgjigj duke nxjerrë pamje nga dizenjo e këndit të lojërave duke argumentuar se projekti nuk do ta dëmtojë parkun por do ta bëjë atë më të këndshëm për përdoruesit.
Pas përleshjes me policinë, protestuesit arritën ta shkatërrojnë gardhin rrethues, ndërsa disa prej tyre i dërguan dërrasat e gardhit te Bashkia e Tiranës.
Pak pas mesditës, një grup tjetër protestuesish u mblodhën para bashkisë, kësaj here nga turma pranë Partisë Demokratike.
Aktualisht protestuesit po mblidhen para Drejtorisë së Policisë Tiranë./BIRN/
Protesta për parkun, PD: Dhuna ndaj qytetarëve, akt burracak
Partia Demokratike ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar nga policia ndaj protestuesve të shoqërisë civile në protestën kundër ndërtimeve brenda parkut të liqenit artificial në Tiranë.
Përmes një deklarate për mediat, PD thotë se ky është një akt burracak me urdhër të Kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj dhe ka kërkuar që Prokuroria të nisë hetimet për këtë ngjarje.
Sot shoqëricia civile shkatërroi rrethimin dhe u përplas me policinë, disa prej tyre u shoqëruan në komisariat.
Deklarata e Partisë Demokratike
“Partia Demokratike dënon ashpër dhunën e ushtruar sot ndaj të rinjve, ndaj të moshuarve, ndaj burrave e grave të Tiranës, që kanë dalë në mbrojtje të pasurisë së tyre, kanë dalë në mbrojtje të Parkut të Liqenit.
Kjo dhunë e shëmtuar burracakësh është urdhëruar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj, për të mbrojtur aferën korruptive të ndërtimit të paligjshëm.
Partia Demokratike mbështet qëndresën e shoqërisë civile dhe qytetarëve të Tiranës. Ne jemi në krahun e tyre në këtë lëvizje vendimtare për të ardhmen e qytetit dhe të demokracisë në vend.
Partia Demokratike kërkon hetim të menjëhershëm nga prokuroria dhe vënie para ligjit të policëve që kanë ushtruar sot dhunë si dhe eprorëve të tyre. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të qytetarëve që janë shoqëruar në polici.
Protesta e qytetarëve të bashkuar në mbrojtje të pasurisë publike jo vetëm nuk ndalet, por do të përshkallëzohet deri në ndaljen e oligarkut lokal të Edi Ramës, mashtruesit të korruptuar Erion Veliaj.
Ju bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës të bashkohen nesër në orën 10 para Bashkisë dhe më pas në marshimin e protestës drejt Parkut të Liqenit”.
Patozi: Humbja, e fundit gjë që duhet të na shkojë ndër mend
Patozi, kjo periudhë përkon me 25-vjetorin e krijimit të PD-së dhe rënien e bustit të diktatorit Hoxha. Pas kaq vitesh, në optikën tuaj ku është PD sot? Ka mbetur gjë nga PD-ja e shkurtit 1991?
Nuk ka ndonjë arsye pse PD e sotme të krahasohet me veten e saj, kur sapo kishte lindur. Aq më tepër, kur pranohet gjerësisht se PD atëherë ishte më shumë një lëvizje popullore, sesa parti politike, kurse sot është krejtësisht e kundërta. Ka një shpërdorim të madh me nostalgjinë në Shqipëri, e cila, sipas meje, është remineshencë e vjetër që nuk shërben shumë. PD është sot në një fazë të re të jetës së vet politike, e cila konsiderohet delikate për shkak të traumës që pësuam ne në zgjedhjet e fundit parlamentare. Por që gjithsesi nuk është fundi i botës. Që do të thotë se Partia Demokratike, më shumë se të krenohet me historinë e saj, ka për detyrim sot t’u japë përgjigje sfidave të vitit 2016. Nëse e keni fjalën për personazhe politike, ka plot prej tyre që kanë qenë me PD-në, ose afër saj edhe në shkurt të 91-it, janë edhe tani, por kjo nuk është ndonjë vlerë e madhe në vetvete. Më e rëndësishme se kjo është që t’u qëndrosh disa parimeve, apo vlerave universale, prej të cilave lindi Lëvizja e Dhjetorit dhe më pas Partia Demokratike, të cilat nuk kanë ndonjë lidhje me vitet që shkojnë e vijnë. Këtu po, që duhet qëndruar fort.
Raporti i të larguarve me hyrjet e reja në PD? Të rinjtë dhe veteranët e kësaj force politike, ku ndahen dhe ku bashkohen? A mendon se po e mbush Basha me të rinj për të spostuar brezin tuaj?
Unë kam një koncept tjetër për politikën. Nuk mendoj se në të ka të rinj e të vjetër, apo mund ta klasifikosh në breza, por ka politikanë të zotë dhe të paaftë. Ky është klasifikimi i vetëm dhe fatmirësisht ai nuk përcaktohet nëpër zyra, apo kafene. Por një herë në katër vjet e ndan vota e qytetarëve. Përcaktimet e tjera nuk kanë asnjë vlerë, pasi janë konvencione të nxitura nga nevoja, apo halle të vogla të momentit. Personalisht, përpiqem t’i injoroj ata që e fryjnë këtë të ashtuquajtur ndeshje brezash, duke e paraqitur si problem. Ndërsa të rinjtë dhe veteranët, të cilët sipas meje, janë njësoj të dobishëm dhe të domosdoshëm për Partinë Demokratike, nuk kanë ndonjë arsye që të lodhen për t’u ndarë, apo bashkuar, sepse e vetmja gjë që i bën bashkë, apo i ndan duhet të jetë raporti me zgjedhjet. Çfarë bën secili para, gjatë dhe pas fushatës elektorale që Partia Demokratike dhe kandidatët e saj të fitojnë. Gjithë të tjerat janë llafe kot. Personalisht, nuk ndjehem i kërcënuar nga askush për shkak të moshës dhe nuk vërej ndonjë alarm edhe tek “veteranët” e tjerë se po spostohen nga ardhjet e reja. Kam lobuar vetëm një herë të vetme në zgjedhjet brenda partisë sime, gjatë këtyre 20 vjetëve. Dhe natyrisht nuk e kam bërë për vete, as për ndonjë mik timin. Por, për prurjet e KOP-it në kongresin përpara zgjedhjeve të 2005-ës. Sepse mendoja atëherë se PD kishte nevojë të ripëtërinte jo vetëm imazhin, por edhe përmbajtjen e vet. I qëndroj tërësisht edhe sot atij koncepti dhe mendoj se kjo duhet të jetë aksiomë politike për çdo parti. Pa harruar se eksperienca na mëson se politikanët, as nuk lindin dhe as nuk formësohen dot prej listave dhe borderove.
Ju jeni një nga zërat më brilant të Opozitës, por duket se preferoni të flisni atëherë kur me të vërtetë keni diçka të vlefshme për të thënë. Mendoni se, tani është koha për të bërë, pastaj për të thënë?
E para ishte fjala, kështu thuhet në Bibël. Që do të thotë se gjithcka nis nga mendimi, idea. Ndaj mos prisni kurrë që gjërat në fillim të bëhen dhe pastaj të thuhen, sepse edhe në jetë ndodh krejtësisht e kundërta. Unë përpiqem të bëj detyrën time, duke ruajtur një raport të drejtë të daljeve publike me pozicionin tim modest. Nuk jam zë i vetëm, fatmirësisht, sepse ka plot kolegë, të cilët i respektoj dhe i vlerësoj shumë për zotësinë dhe profesionalizmin e tyre. Por, nëse ju thoni se flas vetëm atëherë kur kam diçka për të thënë, kjo më bën të lumtur. Sepse kjo është një farë mënyrë ëndrra ime, ose ajo e çdo njeriu racional në këtë botë.
Sipas jush, a është në nivelin e duhur Opozita sot?
Kjo është temë shumë e përgjithshme dhe mund ta mbyllësh me një fjali, por mund të duhen edhe tre ditë për ta shpjeguar. Unë hyj tek njerëzit që kënaqem me vështirësi dhe problemin më të madh e kam me veten time. Duke qenë pothuajse gjithmonë në konflikt me Astrit Patozin e kam të vështirë të mendoj ndryshe edhe për grupimin politik, të cilit i përkas. Ndaj them se gjithmonë ka vend për ta rritur nivelin, për të bërë më shumë, për të qenë më kërkues ndaj asaj që bën vetë dhe kjo vlen për opozitën në tërësi, apo edhe për PD-në në veçanti. Vetëm kështu një forcë politike mund t'i arrijë objektivat e vet strategjikë.
Çfarë duhet të bëjë dhe jo… për t’u rikthyer në pushtet?
Nuk ka receta për këtë. Por të paktën të dish se çfarë nuk duhet bërë është gjithmonë më e lehtë. Të mos pësërisësh të njëjtat gabime,që ne vetë kemi bërë në të shkuarën, sepse sado të lavdishme ta kemi pasur historinë, nuk kemi qenë as të shenjtorë dhe as të përkorë. Kemi bërë një thes me gabime, disa i kemi pranuar e disa jo, por kjo tani nuk ka shumë rëndësi. Po ashtu, të mos biem në të njëjtat sëmundje, apo fenomene negative, që vërejmë tek kundërshtari e aq më pak të përpiqemi ta imitojmë atë, vetëm për shkak se herën e fundit na ka mundur. Kjo është pak më e lehtë, se tek tjetri nuk lodhesh shumë për t’i gjetur defektet. Por natyrisht, kjo vlen vetëm për pjesën mbrojtëse të identitetit politik të një partie të madhe dhe kjo nuk është përcaktuesja. Ajo që duhet bërë pastaj varet nga aftësia, vizioni, kreativiteti, qëndrueshmëri dhe principaliteti i atyre që udhëheqin. Është pikërisht ajo që e bën diferencën dhe ndan fituesin nga humbësi. Ndaj ne duhet të forcojmë këto elemente të konstitucionit tonë politik që të shkojmë drejt fitores në zgjedhjet e radhës.
Për çfarë ndryshimesh ka nevojë më së shumti fryma e Opozitës?
Sipas meje, për më shumë realizëm dhe duhet t’i qëndrojë sa më larg falsitetit, i cili dallohet dhe bie erë prej së largu, sado i sofistikuar dhe pelivan të jesh. Gabohen rëndë të gjithë ata që mendojnë se politika është teatër, ku mjafton të jesh aktor i mirë për të pasur sukses. Ne duhet t’i bindim shqiptarët të na votojnë, vetëm nëse kalojmë testin e vështirë të raportit me të vërtetën dhe pastaj kjo duhet shoqëruar me përbërës të tjerë, me humanizëm, me devocion, me përkushtim dhe domosdoshmërisht me aftësi për t’i paraqitur ato në publik. Por dhe më shumë kolegjialitet, apo punë në ekip, sidomos në kushtet kur pala tjetër po shfaq simptomat kanceroze të asgjësimit edhe të demokracisë formale në Partinë Socialiste, pasi atje po eleminohen fare zgjedhjet.
A mendoni se ka një konflikt të heshtur Basha-Topalli?
Kjo nuk është një pyetje që më takon mua. Atë që di unë e dini edhe ju. E dinë edhe të tjerët. Sepse në politikë është pjesa publike ajo që ka rëndësi. Të tjerat vlejnë për konsum kafenesh. Ka pasur disa polemika, të cilat nuk kanë qenë edhe aq të heshtura, por gjithsesi nuk mendoj se ka arsye të qenësishme për atë që ju e konsideroni konflikt.
Mes Berishës dhe Bashës, cilin dëgjoni pa e vënë në mëdyshje fjalën?
Pa ia vënë në mëdyshje fjalën do të dëgjoja vetëm Zotin, por meqë kjo është e pamundur, atëherë jam i detyruar të pres takimin me Të në botën tjetër. Deri atëherë kam pasur, kam dhe do të kem plot raste të dëgjoj me vlerësim dhe respekt mjaft njerëz, që i konsideroj interesantë kur flasin, pavarësisht nga ofiqi që mbajnë. Padyshim që këtu futen edhe zoti Basha dhe zoti Berisha, të cilët nuk kam ndonjë arsye pse t'i veçoj, apo ndaj nga njëri-tjetri.
Cili është gabimi më i madh i së Djathtës në ato vite që ka qeverisur dhe si mund të korrigjohet ai?
Trajtimi i pronës dhe evolucioni negativ i reformës së pronësisë në vite. Sigurisht, nuk jemi përgjegjësit e vetëm, por prej nesh pritej më shumë, jo nga Partia e Enverit, që u shndërrua më vonë në Parti Socialiste. Keqkuptimet dhe mëdyshjet tona i kanë sjellë një dëm të madh, jo thjesht interesave të një shtrese të caktuar të popullsisë, që janë pronarët e ligjshëm, të cilëve ne i detyroheshim më shumë, qoftë si shoqëri, qoftë si Parti Demokratike. Atyre po se po, por edhe vendit në përgjithësi, pasi konfliktet dhe paqartësitë me pronën kanë penguar një sërë procesesh të tjera të rëndësishme për ekonominë dhe zhvillimin më të shpejtë të Shqipërisë në këto vite. Ndonëse problemet në këtë lëm janë koklavitur shumë, gjithmonë ka mënyra për të korrektuar diçka që është bërë keq dhe për të dhënë drejtësi. Mjafton që të gjendet vullneti politik. Ndaj mundësitë janë ende, por unë nuk shpresoj shumë në këtë aspekt, edhe për shkak se kjo mazhorancë, jo vetëm për arsye ideologjike, as ka treguar ndonjëherë dhe as ka ndonjë ndjeshmëri të veçantë për fatin e pronës dhe të pronarëve legjitimë në këtë vend.
Po e Majta në kaq kohë qeverisje ku po gabon dhe a po i shfrytëzon Opozita gabimet e së majtës për t’u rikthyer sërish në pushtet?
Qeveria e Edi Ramës po gabon gati në gjithçka dhe unë nuk po i hyj t’i shpjegoj të gjitha, sepse nuk më mjafton as koha dhe as faqet e gazetës suaj. Shqipëria po qeveriset keq e më keq, por unë nuk e gjej shpëtimin tek gabimet e së majtës që PD të rikthehet në pushtet. Ato mund të jenë një rrethanë lehtësuese, por kurrsesi motivi kryesor që do t’i shtyjë shqiptarët të votojnë për ne.
Opinioni juaj për reformat e qeverisë Rama?
Mund të duket pak e çuditshme, por unë mendoj se qeveria Rama nuk ka bërë ende asnjë reformë, ndaj unë nuk kam për çfarë të flas. Ato që kryeministri përpiqet ti shesë si të tilla, nuk janë reforma, por aksione me goditje të përqëndruar, një term i diktaturës, që të rinjtë e sotëm nuk e kuptojnë dot dhe nuk kanë faj. Janë në përputhje me stilin e Ramës gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk ka rëndësi se çfarë arrihet, por si shitet dhe si transmetohet ajo që ti do të përçosh. Kujtoni fushatat kundër lojërave të fatit, prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje, burgosjet për kamat-vonesat e energjisë, kuponi tatimor e plot të tjera si këto. Reformat janë ligje dhe vendime që kthehen më pas në norma të sjelljes shoqërore dhe insistucionale, por këtë nuk po e shohim akoma. Aktualisht ka vetëm një reformë të qenësishme në tavolinat e parlamentit, debati mbi të cilën është shumë larg seriozitetit që ajo meriton. Dhe ç’është më e keqja, nuk ka burrë nëne në Shqipëri dhe jashtë saj, që ta dijë ekzaktësisht se si do t’i vejë filli i saj. Natyrisht, unë uroj që të miratohet, ndonëse nuk shpresoj shumë prej reformës në Drejtësi, edhe sikur mrekullia të ngjasë.
Meqë dolëm tek reforma në Drejtësi, pse nuk e bëri e Djathta sa ishte në qeverisje?
Së pari se nuk e kemi pasur asnjë ditë komfortin e kësaj mazhorance në numra. Së dyti, sepse atëherë vendi kishte përparësi të tjera dhe ne natyrisht iu përgjigjëm atyre. Por më e rëndëshimja është se reforma në drejtësi ka marrë këtë peshë në ditët e sotme, kryesisht për shkak të partnerëve tanë perëmdimorë, sepse po të ishte për Edi Ramën dhe Ilir Metën, ata dinë plot marifete të tjera për ta kapur sistemin pa shumë zhurmë dhe bujë. Dhe natyrisht pa ambasadorë “të bezdisshëm” nëpër këmbë.
Nëse PD do bënte pazare, me cilën do të pranonte të kishte pakt; me PS, apo me LSI?
Problemi është se unë nuk e pranoj pazarin fare. Mund të tingëllojë pak si patetike për rrethanat e sotme, por unë e kam bindje këtë. Dhe kam argumente. Së pari, se ne kemi nevojë të fortë që të përforcojmë kontrastin me koalicionin në pushtet, PS dhe LSI. dhe mospranimi i pazarit është një vijë demarkacioni, që e bën më evidente diferencën me ta. Natyrisht, që ka edhe aspekte të tjera për të treguar se ne jemi të ndryshëm, jo me fjalë, por me vepra. Nëse të gjitha palët do të ishin pazarxhinj, pse do të rrezikonin qytetarët shqiptarë të votonin për opozitën, kur të njëjtin produkt mund ta merrnin, duke qëndruar me pushtetin? Por, përtej kësaj edhe për pragmatizëm. Sepse mendoj që, në rast se ne do të dilnim në pazarin e politikës, do të rezultonim më të humburit, jo thjesht se jemi në opozitë, por më shumë për shkak se partnerët potencialë luajnë në terrenin e tyre. Është njësoj si të shkosh në tregun fshatar dhe të kërkosh t’ua hedhësh matrapazëve. A është e mundur kjo? Unë them se jo. Ne një herë u detyruam të bëjmë marrëveshje me ta në 2009-ën, jo për dëshirë, por për shkak të votës dhe nuk po na del ende helmi, megjithëse kanë kaluar gati 7 vjet.
Z. Patozi, një aspekt tjetër, ku preferoj të ndalem është edhe ai i fjalimeve që deputetët mbajnë në parlament, në deklaratat e tyre për shtyp, apo edhe në postimet e rrjeteve sociale. Mungesa e njohurive bazë në artikulimin dhe të shkruarit pastër të gjuhës shqipe nga ana e tyre lë shumë për të dëshiruar. A jua vret veshin ky fakt dhe… pse jo, ç’përgjegjësi duhet të mbajnë ata mbi deformimin dhe keqpërdorimin e shqipes?
Nëse ju mendoni se ne do të gjykohemi një ditë për dëmin që i kemi sjellë shqipes së folur dhe të shkruar, unë do ta prisja shumë i qetë verdiktin, qoftë ky edhe burgim i përjetshëm, sepse ne e kemi hequr dënimin me vdekje. Por kjo ditë s’ka për të ardhur kurrë, sepse bastardimi i gjuhës amtare do të ishte një krim luksi, të cilin do të na e falnin pa asnjë mëdyshje të gjithë. Për fat të keq, përgjegjësitë tona janë shumë të rënda dhe ato janë shkaku i këtij depresioni që po i shtyn shqiptarët njësoj si 25 vjet të shkuara që ta gjejnë shpëtimin vetëm duke ikur nga vendi i tyre. Natyrisht, që ato nuk janë asnjëherë kolektive dhe unë nuk kam ndërmend të mbaj në shpinë kusuret e të tjerëve. Por sado modeste të jetë përgjegjësia ime për këtë gjendje dëshpëruese, unë atë e ndjej dhe nuk e teproj po të them se kjo nuk më bën fare krenar.
Po lidhur me nivelin e vulgaritetit në debatet e tyre, që nga legjislatura në legjistraturë duket se po degradon, çfarë keni për të thënë?
Nuk kam ndonjë gjë të madhe për të thënë për këtë çështje, sepse nuk e përjashtoj veten nga mundësia që mund të bie dhe vetë në ato nivele. Ndonëse nuk e fsheh të them se, përpiqem shumë që ta evitoj këtë gjë. Sa sukses kam pastaj në këtë ndërmarrje të vështirë, nuk më takon mua të flas. Por nëse ekziston ky perceptim, shpjegimi është i thjeshtë. Debati parlamentar reflekton deformimin e sistemit tonë politik, vit pas viti dhe legjislaturë pas legjislature. E thotë shkurt fjala e urtë, “c’të mbjellësh do të korrësh”. Sepse asgjë nuk na ka ardhur papritmas në një ditë. Ndaj çdo ditë që shkon më përforcohet idea se Shqipëria ka nevojë për një shkundje të fortë shoqërore, për një rithemelim të Republikës.
Nëse Basha humbet zgjedhjet parlamentare a duhet të japë dorëheqjen?
Ju thoni, nëse humbet Basha, unë në fakt mendoj Partia Demokratike. Ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi, që kjo të mos ndodhë, sepse humbja, apo fitorja e një force politike nuk lidhet thjesht me fatin e një njeriu, qoftë ky edhe i pari mes të barabartëve. Janë qamet shumë njerëz që afektohen nga zgjedhjet, por mos harroni se janë në lojë edhe fatet e vendit në përgjithësi. Natyrisht që në këtë aspekt kryetari ka një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur. Por tek e fundit, një kryetar mund t’i përballojë ndoshta më lehtë një, apo disa humbje, por një parti e madhe, që është krijuar për të qeverisur, si Partia Demokratike e ka të pamundur ta pranojë këtë. Mendoj se e fundmja gjë që duhet të na shkojë ndërmend këto kohë duhet të jetë humbja. Edhe për shkak se kundërshtarët po na e bëjnë më të lehtë rrugën, duke i nxjerrë ujin e zi Shqipërisë, që ditën e parë kur erdhën në pushtet e deri më sot. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për t’i fituar zgjedhjet dhe unë mbetem i bindjes që mund t’ia dalim, qofshin të parakohshme, apo normale zgjedhjet e ardhshme.
Sokol Olldashi ka mbetur ikonë, apo inspirim në PD?
Unë nuk kam ndonjë vlerësim të madh për ikonat dhe për idolatrinë në përgjithësi. Edhe ai vetë nuk ka pasur ndonjë keqkuptim për rolin që mund t’i kishte caktuar historia. Ishte realist, ndonëse e ushtronte me pasion të veçantë profesionin e politikanit. Por mendoj se, kjo nuk e pengon të jetë inspirues, ndonëse nuk jeton më. Natyrisht, për ata që kanë pasur mundësi ta njohin sadopak, në afërsi, apo në distancë kjo nuk ka shumë rëndësi. Ishte një politikan race dhe me aftësi të jashtëzakonshme përshtatjeje me kohën dhe rrethanat, i cili ka lënë pas një zbrazëti të madhe në PD.
Do'stlaringiz bilan baham: |