Raporti i Martyt amniston kriminelët e vërtetë
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përmes raportuesit Dick Marty riaktualizon çështjen e “shtëpisë së verdhë” duke kërkuar hetime, ndonëse hetimet paraprake nuk kanë dhënë prova që do të mbështetnin akuzat e Karla del Pontes të bëra publike në librin aurobiografik të saj “Lufta ime”! Qëllimi prandaj është politik! KMDLNJ mendon se ky raportues i autorizuar nga Asambleja Parlamentare i Këshillit të Evropës po përpiqet që përmes këtij dokumenti në formë të raportit të atakojë në shumë adresa politike brenda dhe jashtë Kosovës duke i komprometuar ato.
Në një komunikatë të KMDLNJ-së thuhet se “raporti është i mbushur me konstatime ofenduese, denigruese, linçuese dhe raciste për politikën e Kosovës dhe politikanët e saj”. “Raporti është i drejtuar kryesisht kundër ish UÇK së dhe drejtuesve të saj, politik dhe ushtarak! Raporti në fjalë nuk amniston asnjë politikan kosovar, nuk amniston asnjë forcë politike dhe nuk amniston qytetarë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Raporti i amniston kriminelët e vërtetë”.
KMDLNJ mendon se drejtësia ndërkombëtare dhe sidomos sistemi kontinental Europian është vënë në lajthitje. Ky zyrtar, prokuror me profesion (nëse ka fakte) duhet të ofrojë prova para Prokurorisë Speciale të Kosovës. Gjithashtu, nëse provat e tij kundër ish UÇK së dhe drejtuesve të saj tregohen të qëndrueshme atëherë duhet të paditet edhe ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, znj. Karla del Ponte për shkak të mëshehjes së veprave kriminale.
KMDLNJ ka kërkuar dhe kërkon që të hetohen të gjithë ata që janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër civilëve si dhe ata që janë përgjegjës për zhdukjen e civilëve. Aktualisht llogariten si të pagjetur 1823 persona të të gjitha nacionaliteteve ndërsa pjesa dërmuese e tyre janë shqiptarë.
Zbardhja e fatit për personat e pagjetur nuk duhet të politizohet apo të ngjyroset me përkatësi etnike por duhet të trajtohet ekskluzivisht nga pozitat e të drejtave të njeriut, thuhet në komunikatë. (Rtv 21)
Reagim i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së
UÇK
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin indinjatën e thellë për raportin absurd, të trilluar e me deklarata raciste, nga raportuesi i Këshillit të Evropës Dik Marti-antishqiptar i përbetuar. Ky raport, është vazhdimësi e deklaratave antishqiptare të ish Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës Karla Del Ponte e cila po ashtu me shpifje ordinere u mundua që ta paraqes Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë kriminale. Këto shpifje i ka kundërshtuar edhe ish zëdhënësja e saj si dhe zëdhënësja e tribunalit për krime lufte në ish Jugosllavi, me arsyetimin se hetuesit nuk gjetën asnjë provë të bazuar për vërtetësinë e këtyre akuzave.
Të gjitha këto shpifje, bëhen nga qarqe të caktuara e që kanë për qëllim ta barazojnë krimin e gjenocidin e ushtrisë jugosllave me luftën e lavdishme për liri të popullit e cila udhëhiqej nga UÇK-ja. E tërë kjo luftë e tmerrshme kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është në bashkërendim me politikën Serbo-Ruse e cila po përdoret në dëm të Kosovës, procesit shtetndërtues dhe popullit shqiptar në përgjithësi.
Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ‘Raportuesit të Këshillit të Evropës’ dhe të gjithë atyre që merren me shpifje të ndryshme, ia bëjnë të ditur se:
- UÇK-ja është krenaria jonë kombëtare dhe nuk do të lejojmë kurrë që të shkelet dhe nëpërkëmbet;
- Serbia si shtet okupues ka bërë krime, masakra dhe gjenocid ndaj popullit të shumëvuajtur shqiptar të Kosovës;
- Vendi ynë ka qenë i robëruar dhe për këtë qëllim është bërë luftë çlirimtare ku nga radhët e saj kanë rënë mijëra dëshmorë, kanë mbetur mijëra invalidë dhe janë vrarë mijëra civilë ndërsa nga radhët e pushtuesit janë vrarë me mijëra policë, ushtarë dhe mercenarë;
- UÇK, si ushtri çlirimtare është njohur nga bota demokratike që nga 28 qershori 1998;
- OVL të UÇK-së, si përfaqësuese e luftëtarëve, është anëtare në Konfederatën Evropiane të Veteranëve të Luftës dhe në Federatën Botërore të Veteranëve.
Ne kërkojmë që, të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kriminal i cili sponsorohet nga Serbia, për shpifjet e tyre të ndjekjen penalisht nga drejtësia ndërkombëtare si dhe t’iu ndalohet përjetë hyrja në territorin e Republikës së Kosovës. Shpresojmë në reagime sa më konkrete të organeve përgjegjëse në të kundërtën Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, do të iniciojnë procese që këta kriminelë të gjinden në bankën e të akuzuarve ashtu siç edhe e meritojnë, thuhet ne reagimin organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. /KI/
UÇK-ja nuk mund të njolloset me bëmat e Hashim Thaçit
Raportuesi zviceran i Asamblesë së Këshillit të Evropës, Dick Marty ka paraqitur raportin e tij lidhur me pretendimet se pjesëtarët e UÇK-së paskan keqtrajtuar njerëz dhe paskan trafikuar organe njerëzore. Këto pretendime po shpalosen në vazhdën e dyshimeve dhe përbaltjeve të ngritura nga ish kryeprokurorja e Gjyqit të Hagës, Carla del Ponte. Në mesin e atyre që apostrofohen si protagonistë të veprimeve të tilla çnjerëzore dhe të lidhur me krimin e organizuar përmendet edhe ish kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron se pretendimi për ta njollosur UÇK-në, kësaj radhe nëpërmjet Hashim Thaçit, është tendencë e turpshme dhe e papranueshme, që synon ta degradojë në aktivitet të ulët e kriminal luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. UÇK-në nuk mund ta njollosë kush përmes Hashim Thaçit, apo cilitdo individ. Pavarësisht faktit që persona të caktuar mund ta kenë keqpërdor luftën fisnike çlirimtare me qëllime të pastra për përfitime personale, kjo nuk mund të përzihet me përpjekjen e popullit tonë për liri, një përpjekje fisnike për të dalë nga prangat e dhunës e për t’i shpëtuar shtypjes e spastrimit etnik.
UÇK-ja i përket sublimimit të luftës dhe sakrificës historike të shqiptarëve për çlirim, 2,500 dëshmorëve të luftës së fundit, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të luftës. Kushdo që mund ta ketë keqpërdorur UÇK-në, nuk mund të fshihet pas UÇK-së.
Në anën tjetër, nëse KE-ja dhe BE-ja dyshojnë në Hashim Thaçin, le të mos e shfrytëzojnë atë vetëm sa për ta njollosur UÇK-në. Dhe në vend që ta trajtojnë atë si partnerin e tyre kryesor strategjik në mbajtjen e stabilitetit në kurriz të popullit të Kosovës, le ta vendosin para drejtësisë. Ne druhemi se këto pretendime të Këshillit të Evropës nuk janë në funksion të drejtësisë, por gjithnjë drejt rritjes së trysnisë ndaj Hashim Thaçit për negociata dhe koncesione të reja me Serbinë për hyrjen e saj sa më të përshpejtuar në BE. Populli i Kosovës nuk ka pse ta paguajë çmimin e makinacioneve të stabilitetit rajonal nëpërmjet figurave politike të lidhura me krimin e organizuar ballkanik. Edhe bastisjet e EULEX-it nëpër ministri dhe shtëpitë luksoze të politikanëve, kurrë nuk u pasuan me drejtësi, por vetëm me presion politik në shkëmbim të dëgjueshmërisë.
Të gjitha këto akuza, të cilat po mbesin vetëm akuza, po bëhen vetëm tash para negociatave me Serbinë. Boris Tadiqi tha se do të bisedojë me Thaçin përderisa nuk janë vërtetuar akuzat e KE-së. Gjithçka po tregon se Tadiqi po ia kthen Hashim Thaçit dashurinë, thuhet në komunikatën për medie të Lëvizjes “Vetëvendosje”. /KI/
Do'stlaringiz bilan baham: |