Hashim Thaçi, “bosi i mafies”
Kryeministri i Kosovës, është shef i një grupi “mafioz” shqiptarësh përgjegjës për kontrabandë me armë, drogë dhe organe të njerëzve përmes Evropës lindore, thuhet në një raport hetues të Këshillit të Evropës mbi krimin e organizuar.
Hashim Thaçi është identifikuar si “bosi” i një rrjeti që ka filluar të merret me shantazhe kriminale pas luftës së Kosovës në vitin 1999, dhe ka mbajtur ndikim të fuqishëm në qeverisjen e vendit që nga ajo kohë.
Raporti i një hetimi dy-vjeçar, i cili citon burime të FBI-së dhe të shëbimeve tjera të inteligjencës, është marrë nga gazeta britanike, “The Guardian”. Në të Thaçi përmendet si ushtrues i “kontrollit të dhunshëm” në tregtinë me heroinë.
Figura nga rrethi i ngushtë i akuzohen se kanë mbajtur në mënyrë të fshehtë robër përgjatë kufirit në Shqipëri pas luftës, ku thuhet se disa serbë janë vrarë për veshkët e tyre, të cilat janë shitur në tregun e zi.
Dick Marty, hetues për të drejtat e njeriut prapa këtij hetimi, do ta paraqes raportin e tij para diplomatëve evropianë nga të gjitha 47 shtetet anëtare gjatë një takimi në Paris ditën enjte.
Raporti i tij thekson se lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar datojnë qysh një dekadë më parë, kur besnikët e Grupit të tij të Drenicës, siç raporton “The Guardian”, u bënë fraksion dominues përbrenda UÇK-së.
Thuhet se supremacia e grupit ndaj grupeve të vogla në lëvizjen guerila u ka mundësuar atyre, nga viti 1998, të marrin nën kontroll “shumicën e ndërmarrjeve të paligjshme kriminale” në të cilat kosovarët ishin përfshirë në jug të kufirit, në Shqipëri.
Gjatë konfliktit të Kosovës, trupat e armatosura të Slobodan Milosheviqit reaguan ndaj sulmeve të bërë nga UÇK-ja duke orkestruar një fushatë të tmerrshme të spastrimit etnik kundër shqiptarëve në Kosovë. Rreth 10,000 vlerësohet se kanë vdekur në duart e trupave të armatosura serbe.
Qeveri botërore mbrojnë Kosovën, kërkojnë hetime
KE-ja nuk prononcohet për raportin e Martit
Strasburg
Këshilli i Evropës nuk ka konfirmuar e as ka hedhur poshtë shkrimin në gazetën britanike Guardian, i cili bazohet ne raportin e Dik Martit, raportuesit te KE-së.
Zëdhënësi i këtij institucioni Francesko Ferrer saktësoi për Radion Evropa e Lirë se raportit i Dik Martit do të diskutohet dhe pritet të miratohet në Komitetin e Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut paraditen e së enjtes.
Pas miratimit nga ky Komitet raporti do të bëhet publik derisa do të diskutohet në Asamblenë e Parlamentare të KE-së më 25 janar.
SHBA: E marrim seriozisht raportin, të paraqiten provat
Philip Crowley
Shtetet e Bashkuara kanë reaguar me kujdes ndaj raportit të Dik Martit nga Këshilli i Evropës, që kryeministrin e Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaçin, e ndërlidhë me grupin e trafikimit të organeve njerëzore, dhe kërkojnë që të paraqiten provat lidhur me këtë rast.
“Ky është propozim raport dhe ne jemi të vetëdijshëm për të”, u tha reporterëve zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Philip Croëley, mbrëmë vonë në Uashington.
Mëtutje ai theksoi se “i marrim të gjitha akuzat kredibile për aktivitet kriminal shumë seriozisht, dhe çfarëdo dëshmie dhe burime të cituara në këtë raport, duhet të ndahen me autoritetet kompetente, për udhëheqjen e hetimit përkatës dhe të plotë”.
Zëdhënësi Crowly tha se “sundimi i ligjit është çështja kryesore për stabilitet dhe progres në Ballkan”.
Komiteti i Ligjeve kërkon hetim mbi provat për trafik organesh
Asamblea Parlamentare KE-së
Komiteti për Çështje Ligjore i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka bërë thirrje për një seri hetimesh në nivel kombëtar e ndërkombëtar lidhur me provat për zhdukje, trafikim, korrupsion dhe për lidhje mes grupeve të krimit të organizuar dhe rretheve politike, të paraqitura në raportin e Dik Martit.
Në një rezolutë të miratuar njëzëri nga Komiteti thuhet se “ka indikacione të numërta dhe që përputhen”, të cilat konfirmojnë se shqiptarë dhe serbë të Kosovës janë mbajtur në mënyrë të fshehtë si të burgosur nën kontrollin e UÇK-së në veri të Shqipërisë. Këta kanë qenë objekt i trajtimit jo njerëzor dhe fyes, përpara zhdukjes.
Komiteti ka kërkuar nga EULEX-i të hetojë këto krime dhe kërkon nga vendet e BE-së që t’i japin misionit burimet dhe mbështetjen e nevojshme politike.
Asambleja Parlamentare do ta diskutojë raportin në 25 janar.
Zvicra kërkon të hetohen pohimet për trafikim organesh
Zvicra
Zvicra i ka bërë thirrje Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë Bashkimit Evropian, që të ndërmarrin hetime mbi pretendimet për trafikim të organeve, njofton AFP.
“Ministria e Jashtme e Zvicrës u bën thirrje vendeve të apostrofuara dhe veçanërisht Kosovës për t’i qartësuar akuzat e këtilla. Autoritetet e duhura ndërkombëtare duhet t’u prijnë hapave ligjorë për t’i grumbulluar provat e mundshme”, thuhet në njoftim.
Ministria gjithashtu i bën thirrje EULEX-it, që t’i drejtojë hetimet.
Raportuesi i Këshillit të Evropës Dik Marti e implikoi kryeministrin në largim Hashim Thaçi në trafikimin e organeve.
Ministria tha se raporti i Martit përmban “akuza të rënda të bëra mbi bazë të dëshmive dhe provave të shumta”.
Ndërkohë, ministria tha se presidentja Doris Leuthard dhe ministreja e Jashtme, Mishel Kalmi-Rej, të cilët duhej të merrnin javën e ardhshme një çmim nga diaspora kosovare në Zvicër, kanë vendosur që për momentin të mos e marrin çmimin.
“Nisur nga publikimi i raportit të Martit, nuk është koha e duhur për ta pranuar çmimin”, njoftoi ministria.
Do'stlaringiz bilan baham: |