4.4 Kufizimet e punimit
Gjatë realizimit të këtij punimi, autori ka hasur në disa kufizime, disa prej të cilave janë:
Duke pasur parasysh se koha e funksionimit të industrisë bankare është relativisht e shkurtër, së pari, qëllimi i autorit ka qenë që analiza lidhur me ndikimin e kredive në rritjen ekonomike të realizohet nga viti 2000 deri në 2014. Sa i përket të dhënave lidhur me kreditë, autori ka arritur të mbledhë të dhënat për këtë periudhë kohore, por duke marrë parasysh se menjëherë pas çlirimit të vendit në 1999, llogaritja e Bruto Produktit Vendor kanë qenë në kompetencë të organeve përkatëse ndërkombëtare deri në vitin 2004, për këtë periudhë autori nuk ka mundur të sigurojë të dhënat. Gjithashtu, për shkak se GDP-ja reale nuk mund të llogaritet, për të studiuar ndikimin e kredive në rritjen ekonomike, si të dhëna për hulumtim nuk ka mundur ta përdorë GDP-në reale nëpër vite, por rritjen ekonomike dhe, si rezultat i kësaj, autori ka qenë i detyruar që të përdorë vetëm periudhën 2006-2013.
117
Metedologjia e studimit
Së dyti, si në të gjitha vendet në tranzicion, edhe në Kosovë problemet kryesore gjatë hulumtimeve tek studiuesit kanë të bëjnë me mungesën e të dhënave dhe me saktësinë e informacionit. Ndërsa, sa i përket të dhënave dhe saktësisë së tyre lidhur me kreditë e lejuara për sektorin privat dhe ekonomitë familjare, që informacioni të jetë më i saktë, autori sigurimin e këtyre të dhënave e ka bërë në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës nga 2000-2014. Mirëpo, për shkak të mungesës së të dhënave në GDP nga viti 2000-2014, autori ka qenë i detyruar ta përdorë periudhën e cekur më lart.
Së treti, për realizimin e analizës empirike, autori ka pasur qëllim të përdor të dhënat në baza tremujore për kreditë agregate dhe ndarjen e tyre në kredi për ndërmarrje dhe ekonomi familjare për të përcaktuar efektin e tyre në rritjen ekonomike, mirëpo kjo nuk ka mundur të realizohet për shkak të mungesës së të dhënave në baza tre mujore të GDP-së nominale.
Së katërti, gjatë realizimit të pyetësorit dhe intervistës autori ka hasur në vështirësi, për shkak të mosreagimit të dy bankave për realizimin e pyetësorit, kështu që kjo ka marrë një kohë të gjatë derisa është kompletuar në tërësi plotësimi i tyre. Autori ka qenë këmbëngulës që plotësimi i tyre të ndodhë, për shkak se ende ekziston një numër i vogël i bankave të cilat operojnë në vend. Ky insistim është bërë me qëllim që marrja e përgjigjeve nga realizimi i pyetësorit të jetë nga të gjitha bankat, me qëllim që të kemi mundësi të bëjmë një krahasim midis bankave lidhur me mënyrat e funksionimit të tyre. Gjithashtu, qëllimi tjetër ka qenë për shkak se dy bankat të cilat janë licencuar dy vitet e fundit ende nuk janë në funksion të realizimit të mjaftueshëm të kërkesave të klientëve, por edhe të ekonomisë në përgjithësi.
Së pesti, duke pasur parasysh situatën politike e cila mbizotëron në veri të Mitrovicës, autori nuk ka pasur mundësi, për shkak të rrethanave politike, ta realizojë pyetësorin dhe intervistën në një bankë me pronësi serbe.
Së gjashti, gjatë realizimit të studimit, autori është detyruar të sigurojë të dhënat në vitin 2013, për shkak se vlerësimet vjetore të Bankës Qendrore, por edhe të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare, bëhen me vonesë.
118
Metedologjia e studimit
4.5 Vlerat teorike dhe praktike të punimit
Vlerat teorike të punimit janë si në vijim:
-
Duke pasur parasysh se rolit të ndërmjetësimit financiar në rritjen dhe zhvillimin ekonomik i është kushtuar një rëndësi më e madhe gjatë njëzet viteve të fundit, do të jepet një përmbledhje e literaturës lidhur me ndikim e kreditimit në ekonomi. Me paraqitjen e krizës së fundit financiare globale të vitit 2007/09, do të pasqyrohet se në çfarë mase ka qenë ndikimi i kreditimit në rritjen ekonomike para dhe pas krizës financiare në vendet e EQL-së dhe në vendet e zhvilluara.
-
Për shkak se shumica e vendeve në EQL kanë një periudhë më të shkurtër kohore të funksionimit të industrisë bankare sipas ekonomisë së tregut, gjithashtu do të jepet një përmbledhje e literaturës lidhur me menaxhimin e risqeve të ndryshme, e në veçanti të riskut kreditor.
-
Do të jetë një pasurim i literaturës, duke pasur parasysh se nuk ka një konsensus në mesin e hulumtuesve sa i përket zhvillimit të ndërmjetësimit financiar në ekonomi. Gjithashtu, sipas shumë studiuesve, ndikimi i kreditimit në ekonomi mund të ketë efekte të ndryshme në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim. Ky studim do të jetë një plotësim në literaturë edhe në këtë aspekt.
-
Rritja e nivelit të kredive joperformuese ka ndikim në rritjen e potencialit kreditor në një ekonomi. Si rezultat i kësaj, do të shërbejë si bazë krahasimesh midis vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim, sa i përket mënyrave të menaxhimit të risqeve dhe, gjithashtu, për të bërë një krahasim lidhur me teknikat e menaxhimit që përdoren për të parashikuar sesa duhet të jetë kapitali rregullativ për humbjet e papritura dhe provizionet për humbjet e pritura lidhur me kreditë joperformuese.
-
Realizimi i studimit do t’i shërbejë institucioneve të ndryshme financiare dhe jofinanciare, e posaçërisht industrisë bankare dhe organeve rregullative, pasi që financimi i ekonomisë së Kosovës varet pothuajse tërësisht nga industria bankare dhe jo nga sistemi financiar i bazuar në tregun e kapitalit dhe tregun monetar.
119
Metedologjia e studimit
-
Përveç objektivave të përcaktuara në punim, gjithashtu, ato do të plotësohen për të pasqyruar në mënyrë sa më të plotë politikat e përgjithshme të menaxhimit.
Vlerat praktike të punimit
-
Sa i përket ndikimit të kredive në ekonomi, studimet empirike në këtë fushë të studimit mungojnë, e në veçanti aplikimi i serive kohore duke përdorur regresionin linear. Prandaj, ky studim do të ketë vlera praktike për Bankën Qendrore dhe industrinë bankare, por edhe për të gjithë të interesuarit të cilët synojnë të studiojnë fushën financiare, në veçanti industrinë bankare.
-
Studimi mendojmë se do të shërbejë për diskutime shkencore nga të gjitha institucionet financiare: si nga organet menaxhuese të Bankës Qendrore dhe industrisë bankare, institucionet jofinanciare, institucionet shtetërore dhe studiuesit të cilët janë të interesuar në fushën e ekonomisë.
-
Duke pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat ka kaluar ekonomia e Kosovës, ku çdo gjë ka filluar nga zeroja nga fundi i vitit 1999, ky punim do të ketë vlera praktike për shkak se industria bankare ka qenë burimi kryesor i financimit të ndërmarrjeve dhe ekonomive familjare dhe një nga kontribuesit më me rëndësi në GDP.
-
Rezultatet e arritura nga ky studim do të shërbejnë për organet rregullative që të hartojnë teknika menaxhimi të cilat do të ndihmojnë që ekspozimi i bankave ndaj riskut të jetë minimal, në veçanti ndaj riskut kreditor. Gjithashtu, tematika e studimit do të ketë rëndësi edhe lidhur me atë se si kërkesat rregullative për kapital do të ndikojnë në industrinë bankare sa i përket dhënjes së kredive.
-
Në bazë të rezultateve të studimit, për industrinë bankare por edhe për organet rregullative, do të jetë e dobishme që gjatë hartimit të politikave strategjike të përcaktojnë se në cilat lloje të kredive do të orientohen sipas sektorëve ekonomikë, por gjithashtu, edhe në lejimin e kredive sipas afatit të maturimit.
-
Në këtë studim qëllimi është që të propozohet se cilët sektorë të ekonomisë janë më të rëndësishëm që industria bankare të kontribuojë në rritjen dhe zhvillimin e tyre.
120
Metedologjia e studimit
Gjithashtu, synimi është që të propozohet për organet rregullative dhe politikëbërësit, se cilat janë masat e duhura të cilat duhet t’i ndërmarrin me qëllim që sektori privat të ketë lehtësira në qasjen e financimit në industrinë bankare.
Në bazë të rezultateve të hulumtimit synohet të arrihet në disa rekomandime të cilat kanë të bëjnë me politikëbërësit dhe gjyqësorin, cili do të jetë ndikimi i tyre që mbrojtja e kreditorëve të jetë më e mirë, dhe sa do të kontribuojë kjo mbrojtje që niveli i kredive të ketë pjesëmarrje më të lartë në ekonomi.
121
KAPITULLI
5
FAKTE DHE ANALIZË
NDIKIMI I KREDIVE NË RRITJEN EKONOMIKE
5.1 Ndërmjetësimi financiar nga bankat komerciale
Ajo çfarë i dallon bankat nga të gjitha institucionet e tjera financiare dhe jofinanciare dhe i bën si ndërmarrje specifike “sui generis” është fakti se këto institucione kryejnë funksionin e ndërmjetësimit financiar. Pra, ndërmjetësojnë ndërmjet sektorëve ekonomikë, të cilët kanë tepricë të mjeteve financiare dhe të njëjtat mjete i transmetojnë te sektorët ekonomikë të cilët kanë mungesë të mjeteve financiare.
Në vendet me ekonomi të tregut të zhvilluar, aftësia e bankave gjatë kryerjes së operacioneve afariste sot shihet edhe në mundësinë e transformimit të strukturës së afatit të mjeteve, pra burimet e mjeteve afatshkurtra në huazimin e mjeteve me afat më të gjatë.
Sipas hulumtimeve të fundit, aktiviteti ekonomik i një vendi nuk mund të paramendohet pa kredi. Që të realizohet ky qëllim, është me rëndësi që niveli i kredive t’i përgjigjet rritjes së procesit të riprodhimit në mënyrë të vazhdueshme dhe mjetet të huazohen në sektorë ekonomikë, të cilët llogariten si katalizatorë të përshpejtimi të rritjes ekonomike.
Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mundësinë e qasjes në financa në tregjet financiare e kanë shumë të kufizuar, kështu që rritja dhe zhvillimi i tyre është shumë i varur nga qasja e kredive në industrinë bankare jo vetëm në vendet në zhvillim por edhe në ato të zhvilluara. Kreditë për
122
Ndikimi I Kredive Në Rritjen Ekonomike
mjete qarkulluese (si blerja e lëndës së parë, gjysmë-produkteve apo produkteve të gatshme), kontribuojnë në ekspansionin e tyre, sidomos te ndërmarrjet e reja të sapoformuara.
Kreditë e dhëna mund të jenë me afate të ndryshme maturimi, por zakonisht ato ndahen në kredi me afat tëshkurtër, afat të mesëm dhe kredi afatgjata. Për ekonominë e një vendi, kreditë afatgjata kontribuojnë në financimin e projekteve të investimeve të ndryshme. Mirëpo, pasi që këto kredi janë shumë të rëndësishme për ekonominë dhe mirëqenien sociale në një vend, këto projekte investive bankat duhet t’i shqyrtojnë dhe t’i analizojnë me qëllim që ky investim në të ardhmen të jetë në harmoni me zhvillimin ekonomik. Gjithashtu, kreditë klasifikohen në mënyra të ndryshme: si kreditë konsumuese, kreditë komerciale, kreditë hipotekare, linjat e ndryshme kreditore, kreditë për prodhuesit bujqësorë etj. Teoria në lidhje me kreditë i ka ndarë ato në: kredi konsumuese dhe kredi për sektorin privat dhe ndikimin e tyre në ekonomi. Ndërsa, hulumtimet empirike më tepër kanë bërë agregimin e llojeve të kredive për të treguar kontributin e tyre në rritjen ekonomike.
Në literaturën empirike, rritja e kredive në GDP është matur nëpërmjet variablave të ndryshme monetare dhe variablave të industrisë bankare. Si të dhëna monetare janë marrë agregatët monetarë, si M1, i cili është i barabartë me paranë e gatshme dhe depozitat në të parë (depozitat në llogarit rrjedhëse), M2, i cili është i barabartë me M1 dhe depozitat e kursimit dhe depozitat e tjera të paafatizuara. Ndërsa, si variabla të industrisë bankare janë marrë kreditë bankare në GDP, si kreditë e sektorit privat në GDP, norma e detyrimeve afatshkurtra (likuide) në GDP, asetet bankare (madhësia e bankave) në GDP, si dhe likuiditeti i tregjeve të aksioneve. Mirëpo, në vendet në zhvillim disa nga këto variabla kanë kufizime apo nuk mund të përdoren, për shkak se politika monetare nuk i harton dhe zbaton shumë instrumente financiare, të cilat përdoren në vendet e zhvilluara, por, gjithashtu, edhe tregjet financiare nuk janë të zhvilluara krahasuar me vendet e zhvilluara.
Qëllimi i këtij punimi është që, përveç ndikimit të kredive agregate në ekonomi, analiza të zgjerohet edhe në zbërthimin e tyre në kredi për sektorin privat dhe ekonomi familjare. Ende nuk ka një konsensus për hulumtimet e shumta që janë bërë gjatë njëzet viteve të fundit në
123
Ndikimi I Kredive Në Rritjen Ekonomike
lidhje me rolin e ndërmjetësimit financiar në ekonomi. Mirëpo, që kreditë të kenë efektin e vet, me rëndësi është edhe stabiliteti ekonomik dhe stabiliteti i vet industrisë bankare, por edhe kualiteti i shpërndarjes së kapitalit në ekonomi, sesa vëllimi i kredive të plasuara. Për këtë arsye, autori në këtë punim fokusohet në rolin e aktivitetit kreditor dhe pjesëmarrjen e tij në rritjen ekonomike.
5.2 Sistemi kreditor në vendet në zhvillim
Në periudhat e hershme të tranzicionit, ndërmjetësimi financiar në vendet e EQL-së ishte në nivel të kënaqshëm deri në vitin 1990. Mirëpo, pas kësaj periudhe ka pasur një rënie të thellimit financiar në krahasim me vendet e zhvilluara. Këto vende janë karakterizuar me heterogjenitet edhe në nivel të bankave individuale, si në aspektin e dhënieve të kredive, ashtu edhe në mobilizimin e mjeteve depozitare. Mirëpo, pavarësisht këtyre ngecjeve, industria bankare në këto vende ishte në rrugën e duhur të zhvillimit të bazuar në treg dhe stabiliteti bankar, ishte në rritje me kalimin e kohës, e sidomos pas vitit 2003. Industria bankare pjesën më të madhe të burimeve të mjeteve e siguron nëpërmjet depozitave, të cilat llogariten si mjete më të qëndrueshme dhe kanë një kosto më të ulët. Gjatë kësaj periudhe ekonomitë e vendeve të EQL-së përjetuan ekspansion dhe, në të njëjtën kohë, erdhi edhe deri te rritja e kërkesës për kredi. Me rritjen e kërkesës për kredi erdhi deri te ekspansioni i kredive të huazuara dhe, si rezultat, erdhi deri te rritja e kredive joperformuese.
Me qëllim të arritjes së ekuilibrit duke rritur kreditë në sektorë të ndryshëm në vendet e EQL-së në periudhat postkomuniste, kanë dominuar kreditë për ekonomitë familjare e sidomos kreditë konsumuese dhe kreditë hipotekare, mirëpo kreditë në raport me GDP-në ende nuk e kanë nivelin e vendeve të zhvilluara. Për zgjerimin e kredive të ekonomive familjare ndikim të madh ka pasur hyrja e bankave të huaja. Arsyeja qëndron në faktin se këto kredi kanë qenë më të siguruara, për shkak të aplikimit të teknologjisë informatike bankare, ndërsa kreditë tek sektori privat kanë qenë më pak të siguruara, për shkak të mosekzistimit të marrëdhënieve klient-bankë, sepse në këtë rast banka duhet të bëjë analiza dhe zgjedhje unike për çdo klient dhe në
124
Ndikimi I Kredive Në Rritjen Ekonomike
këtë rast kostoja për bankat është shumë më e madhe. Në këto vende, sidomos në vendet e EJL-së, kemi edhe rritjen e zgjerimit të kredive dhe depozitave në valutë të huaj. Me hyrjen e bankave të huaja, është rritur ndjeshëm edhe ofrimi i shërbimeve të ndryshme financiare, të cilat kanë munguar nga bankat shtetërore dhe bankat me pronësi vendore.
Sipas Duničid, Ridzak (2012), kostoja e afarizmit të bankave gjatë ndërmjetësimit financiar është një determinues kryesor i kostos së financimit. Sepse, sa më e madhe të jetë kjo kosto, aq më e ulët do të jetë edhe shpërndarja e kapitalit në investime të ndryshme dhe kjo do të ndikojë në shkallën dhe orientimin e veprimtarisë ekonomike. Bankat e huaja në vendet e EQL-së, në bazë të studimeve, ka rezultuar që të kenë shpenzime më të mëdha për arsyet e cekura më lart në krahasim me bankat me pronësi vendore. Në këto vende marzhat e larta të interesit nga bankat e huaja reflektojnë edhe efikasitetin në nivel më të ulët, për shkak të kostos së lartë e cila vjen si rezultat i menaxhimit joefikas të shpenzimeve operative. Në vendet në zhvillim rëndësi ka edhe stabiliteti politik, ekonomik, konkurrenca, risku i konsumatorit, sepse nga këta faktorë varet edhe potenciali i kredisë dhe stabiliteti i industrisë bankare. Mirëpo, në mënyrë graduale deri në ditët e sotme ka ardhur deri te përmirësimi i efikasitetit të industrisë bankare në vendet e EQL-së. Ndërsa, në vendet e zhvilluara, ku konkurrenca në industrinë bankare është më e madhe, bankat përfitojnë nga ulja e kostos së ndërmjetësimit financiar dhe karakterizohen me marzha më të ulëta të interesit.
Në vendet e EQL-së, bankat me pronësi të huaj kanë treguar profitabilitet më të lartë në krahasim me bankat me pronësi vendore. Sipas studimeve, hyrja e bankave të huaja në vendet në zhvillim ndikon në zvogëlimin e të ardhurave për industritë bankare më pak të zhvilluara, ndërsa e kundërta është në vendet e zhvilluara. Gjithashtu, edhe diferenca midis normave të interesit në kredi dhe depozita ende mbetet e lartë, që është një nga pengesat kryesore për sektorin privat që të ketë qasje në burimet e jashtme të financimit. Kjo qasje në financa është e rëndësishme duke marrë parasysh se në EQL, por edhe në vendet e Evropës në përgjithësi, dominon industria bankare në sistemin financiar dhe kjo më së lehti mund të identifikohet
125
Ndikimi I Kredive Në Rritjen Ekonomike
nëpërmes pjesëmarrjes së aseteve të industrisë bankare në asetet e përgjithshme të sistemit financiar.
Mirëpo, për vendet e EQL-së është i rëndësishëme dhe përcaktimi i raporteve të kredive në GDP dhe ndikimi i tyre në veprimtarinë ekonomike, sepse deri në periudhën e krizës financiare 2007/08, zgjerimi i kredive por edhe zhvillimi ekonomik ishte në një nivel më të lartë sesa pas kësaj periudhe. Prandaj, është shumë e vlefshme që edhe hulumtimet empirike të bëhen gjatë këtyre dy periudhave, me qëllim të përcaktimit se në cilën periudhë kreditë bankare kanë ndikuar më tepër në rritjen e ekuilibrit të raportit kredi/GDP dhe pse. Prandaj, edhe në këtë punim autori do të analizojë rastin e Kosovës, lidhur me aktivitetin dhe politikat kreditore në industrinë bankare, për të kuptuar në përgjithësi mënyrat e menaxhimit të tyre (menaxhimi i politikave kreditore më gjerësisht do të analizohet në pjesën e VI-të të punimit). Për këtë arsye do të përdoren metoda të thjeshta statistikore për të identifikuar lidhjet midis efikasitetit të aktivitetit kreditor dhe drejtimit të veprimtarisë ekonomike. Gjithashtu, qëllimi kryesor në këtë analizë është edhe efekti i rritjes së kredive në GDP, ku ky raport do të testohet nëpërmjet regresionit OLS.
5.3 Lidhja ndërmjet kredive dhe zhvillimit ekonomik
Literatura e mësipërme ka treguar efektin e lartë që e kanë kreditë për të nxitur zhvillimin ekonomik të një vendi dhe rritjen e mirëqenies sociale. Gjithashtu, literatura ka treguar se kreditë janë me peshë shumë të madhe në vendet në zhvillim dhe në ato në tranzicion. Në tranzicionin e hershëm industria bankare në vendet e EQL-së arriti një ekuilibër të thellimit financiar, mirëpo kjo u ndërpre pas viteve 1990. Mirëpo, me tejkalimin e krizës, kreditë prapë e arritën nivelin e rritjes dhe në këto vende u arrit që të ketë një stabilitet të sistemit bankar, i cili ishte më i theksuar pas vitit 2003 dhe vazhdoi deri në paraqitjen e krizës financiare të vitit 2007/08.
Pasi që shumica e hulumtimeve empirike janë të fokusuara në ndikimin e kredive agregate në ekonomi, qëllimi i autorit ka qenë që, përveç studimit të këtij raporti, ta zgjerojë analizën edhe
126
Ndikimi I Kredive Në Rritjen Ekonomike
në shpërbërjen e kredive totale për të vlerësuar ndikimin e pavarur të huadhënies bankare për ndërmarrjet dhe huadhënien bankare për ekonomitë familjare. Arsyeja pse është ndërmarrë një analizë e tillë është që të vërtetohet efekti i pavarur i këtyre dy komponentëve në rezultatet e ekonomisë.
Gjithashtu, arsyeja tjetër është edhe ajo se në literaturën empirike mungojnë hulumtime të këtij niveli. Beck, Büyükkarabacak, Rioja dhe Valev (2012) ishin të parët që e ndërmorën një studim të tillë në 45 vende te zhvilluara dhe në zhvillim, duke bërë ndarjen e kredive dhe ndikimin e tyre në GDP-në për kokë banori, rritjen e industrisë dhe ndryshimet në pabarazinë e të ardhurave.
Qëllimi i autorëve është të bëjnë edhe një krahasim me vendet e zhvilluara lidhur me pjesëmarrjen e këtyre dy llojeve të kredive në ekonomi. Në cilat lloje të kredive bankat drejtohen më tepër dhe pse? A është i varur zhvillimi i ekonomisë së tyre nga kreditë apo kemi drejtimin e kundërt?
Për të përcaktuar efikasitetin e ndërmjetësimit financiar (madhësia e bankave, kreditë për sektorin privat, struktura e sektorit bankar) në rritjen ekonomike janë përdorur modele të ndryshme si: regresionet e ndryshme ndërvendore, analiza dinamike e të dhënave, analiza panel, testi Granger, analiza e serive kohore. Analiza e serive kohore është metoda më e përshtatshme për vende individuale, për të përcaktuar efektin e ndërmjetësimit financiar në ekonomi.
Sipas modelit të përdorur në studim, autori mund të përcaktojë vetëm lidhjen midis variablave, ndërsa jo edhe shkakësinë, për të treguar se zhvillimi financiar e ndihmon rritjen ekonomike apo rritja ekonomike ndikon në zhvillimin financiar. Mirëpo, në bazë të hulumtimeve empirike në EQL me rritjen ekonomike, vjen deri te rritja e kërkesës për kredi. Arsyeja pse autori është bazuar në këtë analizë është edhe ajo se prej dhjetë bankave, të cilat operojnë në vend, vetëm një bankë (Banka Ekonomike) është me pronësi dhe me kapital 100për qind vendor, ndërsa banka tjetër (Banka Private e Biznesit) është me 90për qind të kapitalit vendor dhe 10për qind
127
Ndikimi I Kredive Në Rritjen Ekonomike
është kapital i huaj. Të gjitha bankat e tjera janë me pronësi dhe kapital të huaj. Prandaj, edhe qëllimi është që të studiohet se: A ndikon pronësia e bankave të huaja në rritjen e aktivitetit huadhënës dhe cili është efekti i tyre në ekonominë e vendeve pritëse?
Hulumtimet empirike jo të mjaftueshme në këtë fushë sa i përket rritjes së nivelit të ndërmjetësimit financiar në vendet e EQL-së, e posaçërisht në Kosovë, do të jenë të dobishme edhe për hartuesit e politikave shtetërore, për shkak të rolit që luajnë kreditë në përcaktimin e drejtimit ekonomik. Mirëpo, pasi që në vend politika monetare-kreditore është e kufizuar në aplikimin e disa instrumenteve të politikës monetare-kreditore për të ndikuar në rritjen e vëllimit të kredive, një mundësi tjetër është që BQK-ja të ndryshojë strukturën bankare. Edhe pse koncentrimi bankar ka trend të rënies nga viti në vit, mbetet ende i lartë në vend, në krahasim edhe me vendet e rajonit, duke marrë parasysh edhe atë se dy bankat e fundit që janë licencuara ende nuk janë funksionale në nivelin e bankave të tjera. Prandaj, rritja e konkurrencës ka të bëjë me uljen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të ofruara nga bankat, e cila do të rezultojë me rritjen e kërkesës për kredi dhe realizimin e qëllimeve për sektorin e popullsisë dhe ekonomisë. Duke marrë parasysh se sistemi financiar në vend është i bazuar në industrinë bankare, rritja e konkurrencës në këtë industri do të ndikonte në lehtësimin e qasjes të NVM-ve në financa. Sipas studimeve, në vendet e zhvilluara dhe në zhvillim për NVM-të burimi kryesor për të siguruar burimet e financimit nga jashtë janë huamarrjet e siguruara nga bankat. Sipas studiuesve, edhe në qoftëse tregu i kapitalit dhe obligacioneve janë të zhvilluara, këto tregje nuk mund të sigurojnë financimin për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të bërë investime të reja.
5.3.1 Kreditimi dhe ekonomia kosovare
Të dhënat e prezantuara në tabelën 5.1 tregojnë se Kosova që nga vitit 2006 ka pasur rritje pozitive ekonomike. Edhe pse ekonomia kosovare karakterizohet me rritje modeste (duke pasur parasysh bazën e vogël të Bruto Produktit Vendor), Kosova është në mesin e numrit të vogël të vendeve që kanë realizuar rritje ekonomike pozitive edhe gjatë periudhës së krizës financiare
128
Ndikimi I Kredive Në Rritjen Ekonomike
globale të vitit 2009 dhe 2010. Të dhënat, poashtu, tregojnë se kreditimi ka shënuar rritje nga viti në vit, e që ka shërbyer si burim i rëndësishëm për ndërmarrjet, por edhe për ekonomitë familjare. Kreditë për ndërmarrje kanë shënuar rritje të dukshme deri në vitin 2008, duke u përcjellë pastaj me rritje më të vogël. Që nga viti 2011, shuma e kredisë ka mbetur pothuajse e pandryshuar edhe për kreditë për ndërmarrje dhe ekonomi familjare. Në vitin 2013, vlera e kredive të lëshuara sektorit privat ka qenë 1.2 miliard, e që është rreth një e pesta e Bruto Produktit Vendor.
Do'stlaringiz bilan baham: |