Elementi tjetër kyç i metodologjisë për zhvillim të Strategjisë së Kosovës për TI-në është qasja që ka buruar në mënyrë të drejtpërdrejtë nga parimet strategjike të përshkruara më lartë. Rrjedhimisht, qasja e bënë kombinimin e bashkëpunimit, metodave të shkathëta dhe konceptit të përshtatjes strategjike.
2.2.1.Bashkëpunimi
Detyra shumë sfiduese dhe e ndërlikuar e promovimit të industrisë së TI-së në Kosovë mund të adresohet vetëm me qasje bashkëpunuese përmes përfshirjes së të gjithë akterëve relevant, që shkojnë nga ministritë deri te shoqata STIKK, kompanitë individuale, universitetet dhe donatorët. Kjo gjithashtu nënkupton një kombinim të balancuar të elementeve nga lartë poshtë dhe nga poshtë lartë në zhvillimin e strategjisë.
Sipas qasjes bashkëpunuese, [përfaqësuesit nga të gjitha grupet relevante të akterëve të industrisë së TI-së në Kosovë e kanë formuar një grup të përbashkët të punës (“grupin për strategji”) i cili i ka marr përgjegjësitë për zhvillimin e strategjisë së Kosovës për TI.
Elementi bashkëpunues i qasjes ka rezultuar në futje të rregullt të ideve dhe njohurive nga anëtarët e grupit të strategjisë dhe ka siguruar pronësi të procesit të zhvillimit dhe zbatimit të strategjisë.
Fotot në vijim e ilustrojnë qasjen bashkëpunuese të strategjisë së Kosovës për TI, e cila është shtjelluar në 8 punëtori për strategji me pjesëmarrjen e shumë akterëve:
Figura : Fotot nga punëtoritë e përbashkëta për Strategji
2.2.2.Metodat e shkathëta
Ngjashëm me metodat e shkathëta të përdorura në zhvillimin e softuerëve, zhvillimi i industrisë së TI-së në Kosovë e përcjellë një qasje të shkathët e cila përbëhet nga katër faza të strategjisë të renditura në mënyrë të përsëritur:
-
Analiza
-
Zhvillimi i Strategjisë
-
Zbatimi
-
Monitorimi dhe vlerësimi
për të organizuar dhe menaxhuar zhvillimin bashkëpunues të strategjisë së Kosovës për TI në mënyrë efektive dhe të shkathët, të katër fazat janë nën-ndarë në 6 module individuale të strategjisë. Diagrami vijues i tregon katër fazat dhe modulet korresponduese të strategjisë të procesit të përgjithshëm të zhvillimit të strategjisë:
Figura : Fazat dhe modulet e procesit të zhvillimit të strategjisë së TI-së
Secila nga këta module kanë përmbajtur një grup specifik të elementeve të strategjisë së TI-së dhe temat e shtjelluara nga grupi punues në kuadër të disa punëtorive të strategjisë. Renditja dhe përmbajtja e moduleve korrespondojnë drejtpërsëdrejti me strukturën e dokumentit të strategjisë.
Në modulin 0 të strategjisë, planifikimi i përbashkët për Strategjinë e Kosovës për TI është bërë duke e përfshirë përgatitjen e projektit, metodologjinë, krijimin e grupit punues të strategjisë si dhe modelin korrepondues të procesit.
Moduli 1 i Strategjisë, i cili korrespondon me fazën e analizave, i përfshinë detyrat që duhet të bëhen në kornizën e analizave të brendshme të industrisë së Kosovës për TI-në si dhe analizat e jashtme të tregjeve potenciale të synuara.
Moduli 2 dhe 3 që të dy i përkasin fazës së zhvillimit të strategjisë. Derisa moduli 2 ka pasur të bëjë kryesisht me procesin e vendosjes së synimeve dhe formulimin e strategjisë së përgjithshme dhe strategjisë së hyrjes në treg, moduli 3 është përqendruar në përkufizimin e masave konkrete të mbështetjes dhe aktiviteteve për industrinë e TI-së në Kosovë sipas nën-synimeve të ndryshme.
Moduli 4 dhe 5 ishin pjesë e fazës së zbatimit. Ato u përqendruan në zhvillimin e strukturës së përgjithshme organizative, proceseve dhe instrumenteve për zbatimin e strategjisë, përfshirë shtjellimin e planit operativ.
Moduli 6 ndërlidhet me fazën e monitorimit dhe vlerësimit (M&V) . Moduli përfshinte zhvillimin dhe zbatimin e sistemit të M&V, në mënyrë që të vlerësohej efektshmëria e masave, të ofroheshin informata kthyese dhe sigurohej përmirësim i vazhdueshëm i Strategjisë së Kosovës për TI-në.
Siç mund të shihet nga figura 3, strategjia nuk është zhvilluar si proces linear, por si cikël i përsëritur e i përshkallëzuar i moduleve të strategjisë, ku kontributet dhe sugjerimet e ofruara nga grupi punues janë përdorur për përkufizimin dhe optimizmin e përmbajtjes së secilit kapitull. Elementet e ndërlikuara të strategjisë si sistemi i synimeve dhe plani operativ janë shtjelluar në disa sesione të ashtuquajtura “gara vrapimi” apo përsëritje.
Sapo të jenë zbatuar masat strategjike (Moduli 5), i tërë cikli fillon prapë në bazë të rezultateve nga monitorimi dhe vlerësimi (Moduli 6). Kjo mundëson përmirësim të vazhdueshëm të strategjisë përmes ndërveprimit të vazhdueshëm ndërmjet formulimit dhe zbatimit të strategjisë.
Diagrami në vijim e paraqet një pasqyrim të shkurtër të metodave të shkathëta sipas Scrum-it6, si dhe elementeve të shkathëta në Strategjinë e Kosovës për TI:
Figura : Qasja Agile (e shkathët) e Strategjisë së Kosovës për TI
Qasja e shkathët i ofron këto përfitime për zhvillimin dhe zbatimin e Strategjisë së Kosovës për TI:
-
Promovimi i planifikimit përshtatës dhe inkurajimi i reagimit të shpejtë dhe fleksibil në kushtet e një tregu dhe trendëve të teknologjisë që ndryshojnë vazhdimisht
-
Përmirësimi i vazhdueshëm i Strategjisë së Kosovës për TI
-
Zbatim i përshpejtuar i masave mbështetëse
-
Promovimi i bashkëpunimit brenda grupit punues të strategjisë dhe akterëve të Industrisë së TI-së në Kosovë
-
Rritja e transparencës së procesit të zhvillimit të strategjisë
Një element i rëndësishëm i qasjes së shkathët është zbatimi paralel i masave të përzgjedhura mbështetëse për industrinë e TI-së në Kosovë, si themelimi i Akademisë Së trajnimeve në STIKK, paraqitjen e Shërbimit B2B për Promovimin e Eksportit, si dhe organizimin e delegacioneve të biznesit për tregjet strategjike të eksportit. Në atë mënyrë, efektshmëria e masave specifike të strategjisë do të mund të testohej dhe rezultatet e mësimet e nxjerra janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e zhvillimit të strategjisë.
2.2.3.Përshtatja strategjike
Një komponentë tjetër e qasjes metodologjike është ajo që quhet përshtatja strategjike. Ajo e përshkruan idenë e dizajnimit të një strategjie të TI-së e cila i bashkon aftësitë e industrisë së TI-së në Kosovë (pikëpamja e brendshme) me kriteret dhe faktorët kryesor të suksesit të tregjeve të synuara (pikëpamja e jashtme) në mënyrë që të gjenerojë përparësi konkurruese dhe ta pozicionojë industrinë e TI-së në Kosovë në tregjet ndërkombëtare.
Sipas qasjes së shkathët, procesi i zhvillimit të strategjisë fillon me Modulin 1, dhe përbëhet nga analiza e brendshme dhe e jashtme. Analiza e brendshme ka për synim që të vlerësojë strukturat, burimet dhe aftësitë e industrisë së TI-së në Kosovë, derisa analiza e jashtme përbëhet nënkupton analizën e tregjeve potenciale të synuara në mënyrë që të identifikojë faktorët kyç, relevant të suksesit.
Figura : Pëparësitë gjeneruese të konkurrencës së qëndrueshme përmes sigurimit të “Përshtatjes Strategjike”
Faza e analizës krijon bazën për procesin e mëtutjeshëm të zhvillimit të strategjisë duke ofruar informata relevante. Nëse procesi i zhvillimit të strategjisë nuk bazohet në analiza të thukëta, zhvillimi i strategjisë mund të jetë i prirë për të dështuar për shkak të mungesës së njëtrajtshmërisë si me mjedisin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm.
Me këtë qasje është e mundshme që të tejkalohet ndarja në dy pjesë që shpesh gjendet në shumë strategji zhvillimore të industrisë së TI-së ndërmjet “strategjisë së bazuar në burime” dhe “strategjisë së përqendruar në treg” duke i kombinuar dhe integruar të dy qasjet.
Përmes kombinimit të bashkëpunimit, metodat e shkathëta dhe përshtatja strategjike, qasja metodologjike e strategjisë synon që të krijojë një “sistem të të mësuarit” i cili siguron konkurrueshmëri sistemike për industrinë e TI-së në Kosovë si dhe gjenerim të përparësive konkurruese të qëndrueshme. Një sistem i tillë i të mësuarit, i cili e lehtëson përmirësimin e vazhdueshëm dhe përshtatjen e strategjisë, është i një rëndësie të veçantë për industrinë e TI-së, e cila karakterizohet me cikle të shkurta të inovacionit dhe konkurrencë të intensifikuar.
Do'stlaringiz bilan baham: |