VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në seancën gjyqësore të datës 30.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile që u përket palëve:
PADITËS: HASIM BRAHAJ, në mungesë,
I PADITUR: DREJTORIA E PËRGJITHSHME E HEKURUDHAVE SH.A./ NJËSIA E BIZNESIT TË MALLRAVE DURRËS, në mungesë
OBJEKTI:
Pagimi i dëmshpërblimit për zgjidhjen e kontratës në mënyrë
të menjëhershme e të pajustifikuar, në masën prej 12 paga mujore.
Dëmshpërblim për mosrespektim të afatit të njoftimit me 3 muaj pagë.
Dëmshpërblim për mosrespektim të procedurës së pushimit nga puna
në masën prej 2 paga mujore.
Dëmshpërblim për vjetërsi në punë në masën 17 paga mujore
Baza Ligjore: Nenet 143, 144, 145 dhe 155 të Ligjit 7961, datë 12.07.1995,
ndryshuar me ligjin 9125, datë 29.03.2003, Kodi i Punës
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.4983 (1581), datë 25.07.2012, ka vendosur:
“Pranimin pjesërisht të padisë.
Detyrimin e palës së paditur t`i paguajë paditësit 3 (tre) paga mujore si shpërblim për mosrespektim të afatit të njoftimit.
Detyrimin e palës së paditur t`i paguajë paditësit 13 (trembëdhjetë) paga pesëmbëdhjetë ditore si shpërblim për vjetërsinë në punë.
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur në masën e pranuar të padisë.”
Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr.579 datë 26.09.2013, ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit nr.1581, datë 25.07.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier dhe duke e gjykuar cështjen në fakt:
Rrëzimin e padisë së paditësit Hasim Brahaj, si të pabazuar në prova e në ligj.
Shpenzimet gjyqësore paditësit.”
Kundër vendimit nr.579 datë 26.09.2013, të Gjykatës së Apelit Vlorë ka paraqitur rekurs pala paditëse Hasim Brahaj, nëpërmjet të cilit kërkon: Prishjen e vendimit nr.579, datë 26.09.2013, të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.1581, datë 25.07.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për këto shkaqe:
-
Gjykata e Apelit ka zbatuar gabim ligjin material e konkretisht nenet 11 dhe 143/2 të Kodit të Punës. Afatet e njoftimit të pretenduara se janë ndryshuar me marrëveshje në rastin konkret janë në kundërshtim nenin 11 të K.Punës mbi hierarkinë e normave, pra ato nuk mund të vijnë ndesh me Kontratën Kolektive si dhe me vetë nenin 143/2 të Kodit të Punës, pasi nuk është respektuar as diferencimi i kërkuar nga ky nen.
-
Gjykata e Apelit ka interpretuar e zbatuar gabim edhe nenin 145 të K.Punës, pasi shpërblimi për vjetërsi përfitohet në çdo rast ku punëmarrësi ka punuar më tepër se tre vjet dhe nuk është zgjidhur marrëdhënia e punës për shkaqe të arsyeshme, pra kur zgjidhja nuk ka qenë për faj të punëmarrësit sikurse dhe rasti konkret.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË,
pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Admir Thanza; në mungesë të palëve ndërgjyqëse dhe pasi e bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Rrethanat e çështjes
-
Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se paditësi Hasim Brahaj ka qenë punëmarrës pranë palës së paditur Hekurudhës Shqiptare sh.a. që prej datës 19.01.1977. Fillimisht kjo marrëdhënie pune është ndërprerë në datën 25.08.1994 dhe paditësi ka përfituar asistencë. Më pas ai ka rifilluar punë pranë palës së paditur duke kryer kryesisht detyrën e makinistit, prej datës 07.08.1998.
-
Kjo marrëdhënie pune e palës paditëse ka qenë e rregulluar me një kontratë të datës 01.01.2011 e kufizuar për një afat një vjeçar, por ka vazhduar më pas në heshtje pas përfundimit të afatit, duke u shndërruar në një marrëdhënie pune me afat të pacaktuar. Po ashtu, kjo marrëdhënie pune është rregulluar edhe nga Kontrata Kolektive e Punës e datës 24.11.2009.
-
Me shkresën nr.55 prot. datë 19.01.2012, Drejtori i Përgjithshëm i palës së paditur ka njoftuar me shkrim presidentin e sindikatës së punonjësve të transportit hekurudhor mbi zhvillimin e bisedimeve për reduktimin e fuqisë punëtore. Kjo shkresë i është përcjellë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, siç rezulton nga shkresa nr.119 prot., datë 09.02.2012.
-
Në datën 25.01.2012 mes palëve është arritur marrëveshja e mirëkuptimit për reduktimin e fuqisë punëtore i cili do të përfundonte në datë 01.03.2012. Më datën 02.02.2012 me vendimin nr.3, të palës së paditur është vendosur fillimi i këtij reduktimi.
-
Me shkresën nr.86 prot., datë 17.02.2012, paditësi është njoftuar për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës, e cila do të ishte efektive nga data 01.03.2012 (datë brenda së cilës mund të ezaurohej ndonjë pretendim i paditësit nëpërmjet takimit me punëdhënësin).
-
Paditësi duke pretenduar se zgjidhja e marrëdhënies së tij të punës ishte kryer në mënyrë të menjëhershme të pajustifikuar, i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier me kërkesëpadinë objekt gjykimi.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr.4983 (1581) datë 25.07.2012, ka vendosur:
“Pranimin pjesërisht të padisë.
Detyrimin e palës së paditur t`i paguajë paditësit 3 (tre) paga mujore si shpërblim për mosrespektim të afatit të njoftimit.
Detyrimin e palës së paditur t`i paguajë paditësit 13 (trembëdhjetë) paga pesëmbëdhjetë ditore si shpërblim për vjetërsinë në punë.
Rrëzimin e padisë për pjesën tjetër.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës së paditur në masën e pranuar të padisë.”
-
Gjykata ka arsyetuar se: “…Në lidhje me afatin e njoftimit, gjykata çmon se ky afat nuk është respektuar nga pala paditëse. Në nenin 148/5 të Kodit të Punës parashikohet se pas realizimit të procedurës për largimin kolektiv nga puna të punëmarrësve, punëdhënësi është i detyruar që të njoftojë punëmarrësit që do të pushohen nga puna, duke respektuar afatet e njoftimit të parashikuar në nenin 143 të këtij Kodi. Duke marrë në konsideratë vitet e punës së paditësit pranë palës së paditur, afati duhej të ishte tre muaj…Pala e paditur pretendoi se afati i njoftimit për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës me punëmarrësit ishte ndryshuar me anë të marrëveshjes së mirëkuptimit të datës 25.01.2012 dhe ishte përcaktuar të përfundonte më 01.03.2012. Gjykata e konsideron të pambështetur një pretendim të tillë…Konstatohet se në kontratën kolektive nuk është bërë asnjë ndryshim i tillë i afatit të njoftimit. Në kushtet kur ndërmjet palëve ka ekzistuar një kontratë kolektive, atëherë ndryshimi me anë të marrëveshjes me shkrim do të përjashtohet si alternativë…Edhe nëse do të pranonim të kundërtën…kjo marrëveshje…nuk bën dallimin ndërmjet punëmarrësve që kanë deri në gjashtë muaj punë pranë palës së paditur me ata që kanë mbi gjashtë muaj, duke qenë në këtë mënyrë në kundërshtim me nenin 143 të Kodit të punës dhe duke u përjashtuar për këtë shkak, nga të qënit e një marrëveshjeje e aftë për të ndryshuar afatet e njofimit…omissis… Duke qenë se përjashtimi nga rregulli i përgjithshëm i përfitimit të shpërblimit të vjetërsisë në punë, përcaktohet në mënyrë të shprehur në nenin 145 të Kodit të Punës, me interpretim ad contrario, arrijmë në përfundimin se në të gjitha rastet e tjera, kur marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet punëmarrësi e përfiton këtë shpërblim, cilado qoftë mënyra e pushimit nga puna (individuale apo kolektive).
-
Mbi ankim të palës së paditur, Gjykata e Apelit Vlorë me vendimin nr.579, datë 26.09.2013, ka vendosur:
“Ndryshimin e vendimit dhe duke e gjykuar çështjen në fakt:
Rrëzimin e padisë së paditësit Hasim Brahaj, si të pabazuar në prova e në ligj.
Shpenzimet gjyqësore paditësit…”
-
Gjykata e Apelit ka arsyetuar se: “…Arsyetimi dhe teorizimi i tepruar që ka bërë gjykata …është në kundërshtim me ligjin. Gjykata e apelit çmon se afatet e parashikuara në nenin 143/2 të K.P. mund të ndryshohen vetëm me marrëveshje me shkrim mes palëve dhe çdo interpretim i ndryshëm nga ky, është i gabuar. E gabuar është edhe ajo pjesë e vendimit të Gjykatës së shkallës së parë që ka detyruar anën e paditur të dëmshpërblejë paditësin për vjetërsinë në punë. …Në rastin e një pushimi kolektiv nga puna…i vetmi shpërblim që jepet është ai i përcaktuar në nenin 148 të K.Punës, dispozitë e cila nuk të referon në dispozitat e tjera që i njohin punëmarrësit edhe shpërblimet e tjera…”
-
Kundër vendimit nr.579, datë 26.09.2013, të Gjykatës së Apelit Vlorë ka paraqitur rekurs pala paditëse Hasim Brahaj, me shkaqet e lartpërmendura.
-
Ligji i zbatueshëm.
10. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile në të cilat është parashikuar:
10.1. Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
10.2. Neni 29 i K.Pr.Civile: “Gjykata mbështet vendimin në provat e paraqitura nga palët ose nga prokurori, të marra në seancë gjyqësore.
Gjykata çmon provat që ndodhen në aktet, në bazë të bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi në tërësinë e tyre i rrethanave të çështjes”.
11. Dispozitat e Kodit të Punës, në të cilat është parashikuar:
11.1. Neni 145 i K.Punës: “1) Punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsi, kur kontrata është zgjidhur nga punëdhënësi dhe marrëdhëniet e punës kanë zgjatur jo më pak se tre vjet. Punëmarrësi e humb të drejtën e shpërblimit për vjetërsi, nëse është pushuar me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme.
2) Shpërblimi për vjetërsi është të paktën sa paga e një 15 ditëshi, mbi çdo vit pune të plotë, që llogaritet në bazë të pagës që ekziston në përfundim të marrëdhënieve të punës. Kur paga është e ndryshueshme, shpërblimi llogaritet mbi mesataren e pagës të vitit paraardhës dhe indeksohet.
3) Shpërblimit për vjetërsi i shtohet shpërblimi që jepet në rastin e zgjidhjes së kontratës pa shkaqe të arsyeshme ose të zgjidhjes me efekt të menjëhershëm pa shkaqe të arsyeshme”.
11.2. Neni 152 i K.Punës: “Në përfundim të marrëdhënieve të punës që kanë zgjatur jo më pak se tre vjet, punëmarrësi përfiton shpërblim për vjetërsinë si në rastin e zgjidhjes së kontratës me afat të pacaktuar nga punëdhënësi”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
-
Se rekursi i paraqitur nga pala paditëse Hasim Brahaj është i mbështetur në ligj dhe referuar nenit 472 të Kodit të Procedurës Civile, është shkak për cenimin e vendimeve të gjykatave të faktit.
-
Në shqyrtim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimeve, pretendimeve e prapësimeve të palëve ndërgjyqëse, Kolegji Civil arrin në përfundimin se vendimi nr.579, datë 26.09.2013, i Gjykatës së Apelit Vlorë, që ka ndryshuar vendimin nr.1581, datë 25.07.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, është marrë në zbatim jo të drejtë të dispozitave të ligjit material e procedural civil përsa i takon shpërblimit për vjetërsi në punë të paditësit .
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, gjykata e apelit, me të drejtë, ka arsyetuar që jemi përpara rastit të ndërprerjes kolektive të marrëdhënies së punës për shkak të ristrukturimit dhe zgjidhja është bërë konform nenit 148 të Kodit të Punës (Pushimi kolektiv nga puna). Në këto kushte, gjykata duhej të pranonte padinë vetëm për pjesën e shpërblimit për vjetërsi të palës paditëse Hasim Brahaj.
-
Ky Kolegji çmon se, referuar interpretimit të parimeve të përgjithshme të Kodit të Punës në harmoni me dispozitat e Kreut XIV të po këtij Kodi (ku janë përcaktuar rregullimet ligjore të përfundimit të marrëdhënieve të punës), arsyetimi dhe përfundimi i arritur nga gjykata e apelit është rrjedhojë e zbatimit jo të drejtë të këtyre dispozitave materiale.
-
Pushimi kolektiv nga puna është një formë e përfundimit të marrëdhënies së punës, që kryhet nga ana e punëdhënësit në mënyrë të njëanshme dhe jo për shkaqe që kanë të bëjnë me punëmarrësin. Ai përfaqëson një rast të veçantë të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, për të cilën Kodi i Punës ka parashikuar një procedurë specifike në nenin 148, procedurë kjo e detyrueshme për zbatim nga punëdhënësi.
-
Shpërblimi për vjetërsi në punë (edhe nga vetë termi) nuk është sanksion ndaj punëdhënësit, por është një formë vlerësimi material për punëmarrësin, një përfitim që duhet t’i paguhet punëmarrësit për kontributin që ka dhënë për punëdhënësin dhe i cili nuk jepet në raste përjashtimore, parashikuar në nenin 145 të Kodit të Punës. Kontributi ka të bëjë me pjesëmarrjen e punëmarrësit në aktivitetin e punëdhënësit, duke dhënë ndihmën e tij në forma të ndryshme për të kryer një punë të dobishme në favor të punëdhënësit, me vënien nga ana e punëmarrësit të aftësive të tij profesionale, mendore e fizike në shërbim të punëdhënësit.
-
Në këtë vështrim, është e natyrshme që punëmarrësi të përfitojë shpërblimin për vjetërsi në punë kur plotësohen kushtet e specifikuara nga neni 145 i Kodit të Punës.
-
Duke iu kthyer rastit në shqyrtim, Kolegji Civil vlerëson se gjykata e apelit bazuar në nenin 145 të Kodit të Punës, duhej të vendoste detyrimin e palës së paditur të shpërblente paditësin për vjetërsi në punë, pasi plotësohen kushtet e këtij neni: (i) marrëdhënia e punës midis punëmarrësit, Hasim Brahaj dhe punëdhënësit, Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave sh.a./Njësia e Biznesit të Mallrave Durrës ka zgjatur për më tepër se tre vjet, ekzaktësisht mbi 13 vjet; (ii) zgjidhja e marrëdhënies së punës është bërë si ndërprerje kolektive e kontratës për shkak ristrukturimi, pra nuk është bërë nga punëdhënësi me efekt të menjëhershëm, për shkaqe të arsyeshme.
-
Për sa sipër përfundimi i arritur nga gjykata e shkallës së parë lidhur me shpërblimin për vjetërsi në punë me 13 paga pesëmbëdhjetë ditore nga i padituri nga ky Kolegj vlerësohet i drejtë dhe i bazuar në ligj, duke mos e cenuar vendimmarrjen e gjykatës së shkallës së parë për këtë pjesë. Ajo gjykatë ka llogaritur vitet e vjetërsisë në marrëdhënie pune duke filluar nga viti 1998 dhe jo siç ka pretenduar paditësi nga viti 1997 me arsyetimin se marrëdhëniet e punës ndërmjet palëve ndërgjyqëse janë ndërprerë nga data 15.08.1994, duke rifilluar punë pranë palës së paditur me datë 07.08.1998.
-
Në këto kushte, është evidente se pretendimet e ngritura në rekurs nga pala e paditur lidhur me shkakun e ristrukturimit, si shkak i arsyeshëm, nuk janë të bazuara.
-Së pari, sepse nuk mund të vihet në diskutim shkaku, kur zgjidhja e marrëdhënies së punës është bërë në mënyrë të njëanshme nga punëdhënësi me ndërprerje kolektive të kontratës së punës (dhe jo me efekt të menjëhershëm si kërkon neni 145 i Kodit të Punës), dhe
-së dyti, në çdo rast ristrukturimi si shkak nuk ka lidhje me sjelljen e punëmarrësit gjatë marrëdhënies së punës.
-
Në rastin e pushimit kolektiv nga puna nuk ka “faj” punëmarrësi që punëdhënësi, aq më tepër për motive që nuk lidhen me sjelljen e punëmarrësit, vendos e vepron për ristrukturimin, transferimin etj. të institucionit apo ndërmarrjes, sikurse nuk është punëmarrësi pala që po kërkon e po zgjidh kontratën e punës me punëdhënësin.
-
Në përfundim të sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se vendimi nr.579, datë 26.09.2013, i Gjykatës së Apelit Vlorë duhet të prishet duke u lënë në fuqi vendimi nr.1581, datë 25.07.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, i cili është marrë në zbatim të drejtë të ligjit vetëm sa i takon shpërblimit për vjetërsi në punë të paditësit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë mbështetur në nenin 485/b të K.Pr.Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.579, datë 26.09.2013, i Gjykatës së Apelit Vlorë dhe lënien në fuqi të vendimit nr.4983 (1581), datë 25.07.2012, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier vetëm për: Detyrimin e palës së paditur t`i paguajë paditësit 13 (trembëdhjetë) paga pesëmbëdhjetë ditore si shpërblim për vjetërsinë në punë.
Tiranë, më 30.03.2016
Nr. 11118-00392-00-2013 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-841 i Vendimit (106)
Do'stlaringiz bilan baham: |