VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Admir Thanza Anëtar
Artan Broci Anëtar
Në dhomën e këshillimit të datës 24.03.2016, mori në shqyrtim çështjen civile nr.11243-00814-00-2016 akti, që i përket:
PADITËS: PREFEKTI I QARKUT TIRANË
I PADITUR: HAMDI DEMA
PALË E TRETË: Z.V.R.P.P. KAVAJË
OBJEKTI:
Shfuqizimin e pjesshëm të Aktit të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi
nr.123 të familjes bujqësore të përfaqësuar nga Hamdi Dema.
Kthimin në pronësi shtet të pasurisë me nr.23/33 (295/33
sipas regjistrimit në ZVRPP Kavaje), me sip 2000 m2
e përfituar sipas Kartelave të Pasurisë së Paluajtshme, si më poshtë:
Pasuria me nr.295/33 është e regjistruar në vol. 7, fq. 198, ZK.3774,
fshati Vilë-Ballaj, me sip. 2 000 m2 (sipas Aktit 123), në emër të Z. Hamdi Dema.
Baza Ligjore: Neni 10 i Ligjit nr.9948, datë 07.07.2008
“Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit
të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i ndryshuar, neni 135 e vijues të K.Pr.Administrative, neni 32 i K.Pr.Civile,
Ligji nr.33/2012, datë 21.03.2012
“Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme,
Ligji 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative
dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë Durrës, me vendimin nr.651, datë 15.05.2014, ka vendosur:
Të shpallë moskompetencën lëndore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës për gjykimin e çështjes me numër rregjistrimi 797, datë rregjistrimi 12. 03. 2014
Dërgimin e akteve në Gjykatën kompetente:
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me shkresën nr.21271-00442-12-2014/129/67 Akti., datë s’ka, i është drejtuar Gjykatës së Lartë, pas kërkesës së palës paditëse, e cila në seancën e datës 26.02.2016, i kërkoi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë t’i parashtrojë qëndrimin e saj Gjykatës së Lartë, për rregullimin e moskompetencës, në kuptim të nenit 64 të K.Pr.Civile, duke pretenduar se kompetente për shqyrtimin e kësaj çështjeje është Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Durrës.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË:
pasi dëgjoi relacionin përkates dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
-
Nga aktet e administruara ne dosje rezulton se paditesi Prefekti i Qarkut Tiranë i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Durrës me padi kundër të paditurve Rexhep Demiri dhe palë e tretë Z.V.R.P.P. Kavajë, me objekt: Deklarimin e pavlefshmërisë së pjesshme të Aktit të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi me numër 124 akti, (pa date), në emër të familjes bujqësore të përfaqësuar nga Z. Rexhep Ibrahim Demiri, në fshatin Vilë-Bashtovë, Komuna Gosë. Kthimin në pronësi shtet të pasurisë me nr.23/34, me sip 5 000 m2 sipas AMTP-së, e përfituar sipas Kartelës së Pasurive të Paluajtshme, si më poshtë:
Pasuria me nr.295/34 është e regjistruar në vol. 7, fq. 12, ZK.3774, fshati Vilë-Ballaj, me sip. 5 000 m2, në emër të Z. Rexhep Ibrahim Demiri.
-
Padia është regjistruar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës më datë 12.03.2014, pra ka filluar të shqyrtohet pas datës 04.11.2012, datë në të cilën pas Dekretit të Presidentit të Republikës të nxjerrë në zbatim të nenit 70/5 të Ligjit 49/2012, kanë filluar realisht që të ushtrojnë funksionin e tyre gjykatat administrative.
-
Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë Durrës me vendimin nr.651, datë 15.05.2014, ka vendosur:
-
Të shpallë moskompetencën lëndore të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës për gjykimin e çështjes me numër rregjistrimi 797, datë rregjistrimi 12.03.2014
-
Dërgimin e akteve në Gjykatën kompetente:
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë.
Ajo gjykatë ka arsyetuar: “...omissis...Kompetenca lëndore e Gjykatës Administrative përcaktohet në mënyrë shteruese në nenin 7 të ligjit 49/2012. Nga përmbajtja e kërkesë padisë dhe veprimet procedurale të paditësit, është e qartë se objekti kryesor i padisë ka të bëjë me një mosmarrëveshje civile për të drejtat reale të pronësisë, marrëdhënie të përcaktuara në dispozitat përkatëse të Kodit Civil. ... Në nenin 3 të ligjit 49/2012 janë parashikuar parimet e gjykimit administrativ ku parashikohet së këto gjykata mbrojnë interesat e ligjshëm të personave juridik dhe fizik nga veprimtaria dhe ushtrimi i funksioneve publike të organeve administrative dhe jo e kundërta. Pra vetëm nëse paditës do të ishte subjekti fizik apo juridik privat kjo padi do të ishte në kompetencë lëndore të gjykatave administrative. Në rastin konkret kemi të bëjmë me një konflikt civil për padi rivendikimi i cili duhet të zgjidhet si marrëdhënie juridike civile në bazë të dispozitave të Kodit Civil.
Në bazë të nenit 15 dhe 17 të ligjit 49/2012 janë parashikuar në mënyrë të qartë vetëm një rast kur organi administratës publike mund ti drejtohet kësaj gjykate,vetëm në rastin kur ka konflikt kompetence apo cenohet në ushtrimin e detyrës nga veprimet e një organi tjetër të administratës publike. ... Nëse organet e administratës publike kanë pretendime për mbrojtjen e interesave të tyre të cenuara nga personat fizikë dhe juridik privatë këtë mund ta bëjnë drejtpërdrejtë duke ushtruar sovranitetin dhe pushtetin administrativ që jep ligji ose në të kundërt ti drejtohet gjykatave të zakonshme për zgjidhjen e konfliktit civil apo penal si palë e barabartë para ligjit me personat fizikë dhe juridikë privatë.(...).”.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë me me shkresën nr.21271-00442-12-2014/129/67 Akti., datë s’ka, pas kërkesës së palës paditëse, ka paraqitur në Gjykatën e Lartë, parashtresën per rregullimin e kompetencës, në kuptim të nenit 64 të K.Pr.Civile.
-
Ky Kolegj vlerëson të pa bazuar në ligj vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës, për moskompetencën lëndore të kësaj gjykate me arsyetimin sa sipër, pasi referuar nenit 17, pika 1, gërma “a” të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, është parashikuar se padia ngrihet dhe me objekt për shfuqizimin tërësisht apo pjesërisht të aktit administrativ si në çështjen në gjykim.
-
Ky Kolegj konstaton se në rastin në gjykim, ajo gjykatë ka arritur në përfundimin se mosmarrëveshja nuk është administrative, ndërsa referuar vendimit unifikues nr.4, datë 10.12.2013 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arsyetuar se: ...omissis...Kolegjet e Bashkuara, ..., çmojnë të analizojnë dispozitat që rregullonin dhe rregullojnë aktualisht vendimmarrjen e gjykatës në gjykimin administrativ. Për këtë Kolegjet e Bashkuara çmojnë të bëjnë një analizë “a contrario”. Konkretisht, në qoftë se do t’i referohemi parashikimeve të nenit 331 të K.Pr.Civile (aktualisht i shfuqizuar), seksioni administrativ i posaçëm i gjykatës përkatëse në gjykimin administrativ, sipas nenit 324 (kompetenca lëndore), në vendimin përfundimtar inter alia mund të vendosë edhe: “...detyrimin e organit përkatës për të nxjerrë një akt administrativ, në përputhje me ligjin, ose për marrjen e masave për rivendosjen e së drejtës së cenuar;..”. Ndërsa po t’i referohemi nenit 40 të Ligjit 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, gjykata administrative inter alia mund të vendosë edhe:“....b) ndryshimin, pjesërisht apo tërësisht të aktit administrativ, ose detyrimin e organit publik për të ndryshuar një akt administrativ;....ç) detyrimin e organit publik për të kryer apo për të ndaluar kryerjen e një veprimi tjetër administrativ, të nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave apo të interesave të paditësit;...e) detyrimin e organit publik për të kryer një veprim administrativ, që është refuzuar, apo për të cilin organi publik ka heshtur, ndonëse ka pasur kërkesë;...”.(...).
-
Mosmarrëveshja e shtruar për zgjidhje para gjykatës është administrative pasi sipas pretendimeve të paditësit kemi të bëjmë me një akt të organit administrativ ish Komisionit të Ndarjes së Tokës në territorin e Komunës Gosë, fshati Vilë Ballaj me karakter individual (akti i marrjes se tokës në pronësi në favor të paditurit Hamdi Dema ) i marrë në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore duke kërkuar paditësi pavlefshmërinë e pjesëshme të aktit për sipërfaqen prej 2 000 m2, bazuar në nenin 10 të ligjit 9948/2008 (i ndryshuar) “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë për token bujqësore”.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë në dhomë këshillimi vlerëson se parashtresa për rregullimin e kompetencës e paraqitur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë është e drejtë dhe vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës që ka shpallur moskompetencën lëndore, duhet të prishet dhe çështja për vazhdimin e gjykimit duhet të dërgohet pranë kësaj gjykate, si gjykatë kompetente.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatёs sё Lartё, mbёshtetur nё nenin 63 e vijues tё K.Pr.Civile.
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.651, datë 15.05.2014, të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Durrës dhe dërgimin e çështjes për vazhdimin e gjykimit pranë kësaj gjykate, si gjykatë kompetente.
Tiranë, më 24.03.2016
Nr. 11243-00824-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-760 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |