VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Majlinda Andrea Kryesuese
Guxim Zenelaj Anëtar
Admir Thanza Anëtar
Në datën 15.03.2016, mori në shqyrtim në dhomën e këshillimit çështjen civile, që u përket palëve:
PADITËS: VALENTINA MATAJ
I PADITUR: ARDIAN KOLA
OBJEKTI:
Përmbushje e detyrimeve të qiramarrësit Ardian Kola
të parashikuar në Kontratën e Qirasë lidhur midis Mesnik Mataj
me cilësinë e qiradhënësit dhe Ardian Kola në cilësinë e qiramarrësit
në datën 03.01.2013.
Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke sekuestruar
të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të të paditurit.
Baza Ligjore: Neni 32 dhe 153, neni 202 i Kodit të Procedurës Civile
Neni 801 e në vijim dhe neni 812/a të Kodit Civil
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.24, datë 12.01.2016, ka vendosur:
Të deklarojë mos kompetencën tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për gjykimin e çështjes civile nr.1334 akti, datë 09.06.2015.
Urdhërohet dërgimi i akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë si gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesëpadisë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në mbështetje të nenit 64, të Kodit të Procedurës Civile, ka çmuar t`i kërkojë Gjykatës së Lartë së Republikës së Shqipërisë që të vendosë për rregullimin e kompetencës, pasi vlerëson se vendimi nr.24, datë 12.01.2016, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, rezulton të mos jetë i mbështetur në ligjin procedural civil, duke parashtruar ndër të tjera se:
-
Mosmarrëveshja objekt gjykimi bazohet mbi një marrëdhënie detyrimi të lindur ndërmjet palëve dhe me të nuk pretendohen të drejta reale mbi sende të paluajtshme.
-
Kodi i Procedurës Civile nuk parashikon shprehimisht gjykatën kompetente nga pikësja tokësore që shqyrton padinë në rastet kur kërkohet përmbushja e detyrimit kontraktor (kontratë qiraje).
-
Nga aktet e dosjes gjyqësore rezulton se vendbanimi dhe vendqëndrimi i të paditurit Ardian kola është në Qytetin e Vlorës dhe jo në Lushnjë.
-
Në rastin konkret paditësi nuk ka pasur të drejtën e zgjedhjes ndërmjet dy gjykatave (neni 42/1 dhe 53 i K.Pr.Civile) pasi gjykata kompetente nga pikëpamja tokësore e lëndore është vetëm një, ajo e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
-
Në rastin konkret kompetenca kontraktuale përputhet me tokësoren e parashikuar nga ligji.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin përkatës dhe diskutoi çështjen në tërësi në dhomën e këshillimit,
V Ë R E N
I. Rrethanat e çështjes
1. Nga shqyrtimi i akteve të dosjes gjyqësore rezulton se paditësja Valentina Mataj i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me kërkesëpadinë objekt gjykimi.
2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr.24, datë 12.01.2016, ka vendosur: “Të deklarojë mos kompetencën tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për gjykimin e çështjes civile nr.1334 akti, datë 09.06.2015. Urdhërohet dërgimi i akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë si gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesëpadisë.”
3. Në marrjen e këtij vendimi gjykata arriti duke arsyetuar (ndër të tjera) se: “...(omissis)...Gjykata konstaton se nuk ka kompetencë territoriale për gjykimin e kësaj kërkesë. Neni 45§1 i K.Pr.Civile: “Paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, për pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe për posedimin ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre.” Rezultoi se kontrata e qirasë që kanë lidhur palët bëhet fjalë për një objekt në rrethin e Lushnjë dhe si e tillë në përfundim të këtij gjykimi ekzekutimi do të jetë në po atë rreth...(...)”
4. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në mbështetje të nenit 64, të Kodit të Procedurës Civile, ka çmuar t`i kërkojë Gjykatës së Lartë së Republikës së Shqipërisë që të vendosë për rregullimin e kompetencës, pasi vlerëson se vendimi nr.24, datë 12.01.2016, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, rezulton të mos jetë i mbështetur në ligjin procedural civil.
II. Ligji i zbatueshëm
5. Dispozitat e Kodit të Procedurës Civile, në të cilat është parashikuar:
5.1 Neni 16§1 i K.Pr.Civile: “Gjykata zgjidh mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi, që janë të detyrueshme të zbatohen prej saj. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët”.
5.2 Neni 42 i K.Pr.Civile: “Paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku i padituri ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij dhe kur këto nuk dihen, në gjykatën e vendit ku ai ka banesën e përkohshme. Kur i padituri nuk ka vendbanim, as vendqëndrim dhe as banesë të përkohshme në Republikën e Shqipërisë, paditë ngrihen në gjykatën ku banon paditësi.
5.3 Neni 45§1 i K.Pr.Civile: “Paditë për të drejta reale mbi sende të paluajtshme, për pjesëtimin e sendeve të përbashkëta dhe për posedimin ngrihen në gjykatën e vendit ku ndodhen sendet ose pjesa më e madhe e tyre.”
5.4 Neni 52 i K.Pr.Civile: “Kompetenca tokësore mund të ndryshohet me marrëveshje me shkrim të palëve, përveç rasteve të parashikuara në nenet 45 e 46 të këtij Kodi dhe kur ligji e ndalon këtë marrëveshje”
5.5 Neni 61 i K.Pr.Civile: “Gjykata, kur konstaton se nuk është kompetente për gjykimin e çështjes kryesisht ose me kërkesën e palëve, vendos moskompetencën e saj dhe i dërgon aktet në gjykatën kompetente.”
III. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson
6. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në shqyrtim e në vlerësim të akteve që ndodhen në dosjen gjyqësore e të administruara gjatë gjykimit, si dhe pjesës arsyetuese të vendimit gjyqësor, arrin në përfundimin se në marrjen e vendimit nr.24, datë 12.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë nuk janë respektuar dispozitat e ligjit procedural civil duke bërë një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen, si dhe duke e zgjidhur atë në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 §1 i K.Pr.Civile).
7. Kolegji Civil i Gjykatë së Lartë pikësëpari thekson se termi “gjykatë”, i cili karakterizohet në kuptimin material nga funksioni i saj gjyqësor, ka të bëjë me zgjidhjen e çështjeve të cilat janë në kompetencë të saj, në një proces të zhvilluar mbi një procedurë ligjërisht të përcaktuar dhe në pajtim me shtetin e së drejtës. Në analizë të natyrës së mosmarrëveshjes, shkakut ligjor të saj, objektit të kërkesë padisë, si dhe kohës së shqyrtimit të saj, Kolegji Civil konstaton se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë nuk ka zbatuar drejtë dispozitat procedurale lidhur me kompetencën tokësore të këtij procesi gjyqësor duke mos zhvilluar një proces të rregullt ligjor në mbështetje të nenit 42/1 të Kushtetutës dhe nenit 6/1 të KEDNJ (shih vendimet nr.23/2009, nr.7/2009 dhe nr.31/2005 dhe nr.16/2012 të Gjykatës Kushtetuese).
8. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë në datën 12.01.2016, në mbështetje të nenit 61, të Kodit të Procedurës Civile ka konstatuar se nuk është kompetente nga pikëpamja tokësore dhe në këto kushte ka vendosur dërgimin e akteve pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë.
9. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e çështjes konkrete referon në rregullimet e bëra në Kreun e III, Titulli III, Pjesa e Parë të Kodit të Procedurës Civile (ratio legis) dhe në parimet e së drejtës (ratio iuris) në lidhje me kompetencën tokësore të gjykatave për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve civile të parashikuara në po këtë Kod dhe në ligje të tjera të veçanta, në të cilat është pasur parasysh, midis të tjerave, që palëve të mos u bëhet i vështirë aksesi në drejtësi. Në këtë kontekst i vlerësueshëm është fakti se për kategori të caktuara mosmarrëveshjesh procesi duhet të zhvillohet përpara një gjykate, vendndodhja e së cilës të ndihmojë që ai të zhvillohet në mënyrë sa më efektive dhe brenda një afati të arsyeshëm (Neni 6 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, neni 42 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 4 i Kodit të Procedurës Civile).
10. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë nuk e ka zgjidhur çështjen konform shkakut që rezulton nga shqyrtimi në tërësi i kërkesëpadisë, duke bërë lidhjen midis fakteve që pretendohen prej paditësit se kanë ngjarë dhe të drejtave apo interesave që ai pretendon se i janë cenuar (qëndrim ky i mbajtur në vendimin unifikues nr.3/2012 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë)
10.1 Për sa rezulton nga kërkesë padia e paraqitur në këtë proces gjyqësor, konstatohet se në këtë kërkesë-padi është kërkuar si kërkim kryesor përmbushjen e detyrimeve të qiramarrësit Ardian Kola të parashikuar në Kontratën e Qirasë lidhur midis Mesnik Mataj me cilësinë e qiradhënësit dhe Ardian Kola në cilësinë e qiramarrësit në datën 03.01.2013
10.2 Kolegji Civil çmon se fakti juridik që pala paditëse ka vënë në themel të këtij kërkimi dhe përbën shkakun e padisë, është zgjidhja e mosmarrëveshjeve të cilat vinë si pasojë e një marrëdhënie detyrimi (përmbushjes/mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore) në kuptim të nenit 420 të Kodit Civil, që u njeh kontratave fuqinë e ligjit mes palëve kontraktuese, përfshirë dhe vullnetin për përzgjedhjen e gjykatës kompetente nga pikëpamja tokësore për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve.
10.3 Në vijim të këtyre parashikimeve, duke iu referuar karakterit të kërkimit që është shtruar për gjykim, Kolegji Civil vlerëson se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, nuk ka arsyetuar drejtë, kur ka vlerësuar se kërkimi i palës paditëse, në thelb ka të bëjë me të drejta reale të pretenduara nga pala paditëse dhe për pasojë, për përcaktimin e kompetencës tokësore të këtij gjykimi, duhet të bazohet në parashikimet e nenit 45, të Kodit të Procedurës Civile.
11. Përcaktimi i kompetencës tokësore për gjykimin e kërkimeve të subjekteve të së drejtës civile ka gjetur një rregullim të posaçëm nga ligjvënësi si në pjesën e përgjithshme të Kodit të Procedurës Civile, ashtu dhe në pjesë të tjera të tij, që lidhen me shqyrtimet gjyqësore të posaçme. Po t’i referohemi doktrinës juridike, kriteret për përcaktimin e gjykatës kompetente nga pikëpamja tokësore lidhen me një sërë elementesh si: (i) vendbanimi ose vendqëndrimi i të paditurit; (ii) vendndodhja e pasurisë; (iii) vendi i vërtetimit të ngjarjes me pasoja juridike; (iv) vendi i ekzekutimit të një kontrate; (v) lidhja e një padie me një tjetër; (vi) marrëveshja mes palëve për të caktuar një gjykatë për zgjidhjen e konflikteve që mund të lindin mes tyre.
11.1 Nisur nga kriteret e mësipërm që përcaktojnë kompetencën tokësore të gjykatës, e cila do të shqyrtojë kërkimin e subjektit të gjykimit, kompetenca do të mund të kategorizohet: (i) kompetencë e përgjithshme; (ii) kompetencë e veçantë; (iii) kompetencë alternative; (iv) kompetencë ekskluzive. Ligjvënësi në kreun III, të titullit III, të pjesës I, të Kodit të Procedurës Civile ka parashikuar në mënyrë të detajuar kompetencën tokësore të një sërë mosmarrëveshjesh që shtrohen për gjykim nga juridiksioni civil shqiptar.
12. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë vlerëson se për sa i përket kompetencës tokësore, gjykatat duhet ta mbështetin qëndrimin dhe disponimin e tyre në dispozitën e posaçme që rregullon kompetencën tokësore të mosmarrëveshjes konkrete objekt gjykimi. Nëse nuk ka të tillë, gjykata i referohet sipas radhës dispozitës që përmban rregullim më të përgjithshëm të çështjeve të kompetencës tokësore.
12.1 Sikurse është parashtruar më lart, kompetenca tokësore caktohet me ligj dispozitë e ekskluzive/veçantë), por për raste përjashtimore ajo përcaktohet me marrëveshje të palëve dhe në rastin kur vendi i përmbushjes së detyrimit nuk është i caktuar me ligj, apo me marrëveshje ose kur nuk del nga vetë natyra e detyrimit që duhet përmbushur, duhet të respektohen rregullimet e përgjithshme të Kodit të Procedurës Civile.
13. Ky Kolegj, referuar natyrës juridike të mosmarrëveshjes në shqyrtim dhe palëve ndërgjyqëse, vlerëson se në përcaktimin e kompetencës tokësore, duke mos pasur një dispozitë të veçantë apo ekskluzive për shqyrtimin e saj duhet referuar në nenin 52, të Kodit të Procedurës Civile në të cilin sanksionohet se kompetenca tokësore mund të ndryshohet me marrëveshje me shkrim të palëve.
14. Nga provat e administruara në gjykim rezulton se palët ndërgjyqëse në Kontratën e Qirasë nr.6 Rep; nr.3 Kol, datë 05.01.2013 kanë rënë dakord që vendimi i ekzekutimit të detyrimit do jetë në Qytetin e Vlorës (neni 4/2 i Kontratës) si dhe gjykata kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve do të jetë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë (neni 11 i Kontratës). Në këtë kuadër, rezulton se dy palët përkatëse, në një dispozitë të veprimit juridik (kontratë) të kryer me vullnet të lirë mes tyre, kanë përcaktuar si gjykatë kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
15. Është e vërtetë se një disponim i tillë (caktimi i gjykatës kompetente) u lejohet palëve nga ligji procedural dhe teoria e të drejtës e njeh atë shprehur si “kompetencë kontraktuale ose e zgjatueshme”, pasi zgjat kompetencën e një gjykate për çështje që nuk duhet të ishin në kompetencën e saj tokësore (neni 52 i K.Pr.Civile), por në këtë kuptim, në nenin 52 të K.Pr.Civile, ligjvënësi e ka kufizuar kompetencën kontraktuale të përcaktuar mes palëve, duke përjashtuar nga disponimi i lirë i tyre (palëve) vetëm kompetencën tokësore për shqyrtimin e padive, sipas parashikimeve të nenit 45 e 46 të K.Pr.Civile.
16. Për sa është arsyetuar dhe më lartë në rastin konkret, nuk jemi përpara një mosmarrëveshje e cila ka për objekt të drejta reale mbi pasuri të paluajtshme, por jemi përpara një marrëdhënie detyrimi.
17. Në të njëjtën kohë, Kolegji Civil duke mbajtur në konsideratë faktin se edhe sikur palët ndërgjyqëse të mos kishin zgjedhur me marrëveshje gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet tyre dhe për rrjedhojë duhet të zbatoheshin rregullimet e përgjithshme të Kodit të Procedurës Civile, çmon se në mbështetje të parashikimeve të nenit 42 dhe 54 të Kodit të Procedurës Civile, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ka kompetencën tokësore për gjykimin e kësaj çështje.
18. Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, arrin në konkluzionin se vendimi nr.24, datë 12.01.2016, i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, duhet të prishet dhe çështja duhet të dërgohet për gjykim pranë po asaj gjykate me të njëjtin trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 62 dhe 485 të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.24, datë 12.01.2016, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe dërgimin e çështjes për gjykim pranë po asaj gjykate, me të njëjtin trup gjykues.
Tiranë, më 15.03.2016
Nr. 11243-00714-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-668 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |