VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Artan Zeneli Kryesues
Ardian Dvorani Anëtar
Tom Ndreca Anëtar
Andi Çeliku Anëtar
Guxim Zenelaj Anëtar
në séancën gjyqësore të datës 18.11.2015 mori në shqyrtim çështjen penale me:
KËRKUES: GENTIAN HOXHA
OBJEKTI:
Rishikimin e vendimit nr.2, dt. 08.01.2007
të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër,
lënë në fuqi me vendimin nr.10, dt. 17.01.2008
të Gjykatës së Apelit Shkodër.
Ose rivendosjen në afat të ankimit të vendimit nr.2, datë 08.01.2007
të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër,
pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi, shpalljen e pafajësisë
dhe shpalljen e moskompetencës lëndore dhe tokësore
të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për rigjykimin e çështjes.
Baza Ligjore: Nenet 15, 16, 17, 18, 27, 28, 30, 31, 33/1 të Kushtetutës
dhe nenet 449/1, 450/a, 450/c, 451/a të K.Pr.Penale.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.2, datë 08.01.2007, ka vendosur:
Deklarimin fajtor të pandehurit Valmir Sali Hoxha, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim të mbetur në tentativë, të parashikuar si krim nga nenet 78/2-22-25 të K.Penal, të konsumuar në dëm të shtetasit Albert Kola dhe dënimin e tij për këtë vepër penale me 22 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Valmir Hoxha, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të parashikuar si krim nga neni 278/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55/2 të K.Penal të pandehurit Valmir Sali Hoxha, në bashkim të dënimeve për veprat penale të lartpërmendura të kryera prej tij, caktohet një dënim i vetëm përfundimtar me 23 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të pandehurit Gentian Sali Hoxha, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim të mbetur në tentativë, të parashikuar si krim nga nenet 78/2-22-25 të K.Penal, të konsumuar në dëm të shtetasit Albert Kola dhe dënimin e tij për këtë vepër penale me 20 vjet burgim.
Deklarimin fajtor të të pandehurit Gentian Hoxha, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të parashikuar si krim nga neni 278/2 i K.Penal dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim.
Në zbatim të nenit 55/2 të K.Penal të pandehurit Gentian Sali Hoxha, në bashkim të dënimeve për veprat penale të lartpërmendura të kryera prej tij, caktohet një dënim i vetëm përfundimtar me 21 vjet burgim.
Gjykata e Apelit Shkodër me vendimin nr.10, dt. 17.01.2008 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.2, datë 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.72 (67), datë 29.01.2010 ka vendosur:
Mospranimin e rekursit të paraqitur nga të pandehurit Valmir Hoxha dhe Gentian Hoxha, ndaj vendimit nr.10, dt. 17.01.2008 të Gjykatës së Apelit Shkodër.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.00-2014-17, dt. 16.01.2014 ka vendosur:
Mospranimin e kërkesës për rishikimin e vendimit nr.02, datë 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër lënë në fuqi me vendimin nr.10, datë 17.01.2008 të Gjykatës së Apelit Shkodër, të paraqitur nga i gjykuari Gentian Hoxha.
Kundër vendimit të mësipërm ka paraqitur kërkesë për rishikim i gjykuari Gentian Hoxha, i cili kërkon:
Rishikimin e vendimit nr.2, dt. 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, lënë në fuqi me vendimin nr.10, dt. 17.01.2008 të Gjykatës së Apelit Shkodër.
Ose rivendosjen në afat të ankimit të vendimit nr.2, datë 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi, shpalljen e pafajësisë dhe shpalljen e moskompetencës lëndore dhe tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për rigjykimin e çështjes.
Duke parashtruar këto shkaqe:
- Jam dënuar padrejtësisht për pjesëmarrje në ngjarjen e datës 03.07.2001 të plagosjes së shtetasit Albert Kola. Unë në atë kohë nuk kam qenë në Shqipëri, kam qenë 18 vjeç dhe kam qenë në Greqi dhe punoja nga ora 6:00 deri në orën 22:00;
- Kam kërkuar edhe më parë rishikim vendimi dhe me vendimin nr.17, datë 16.01.2014 më është rrëzuar kërkesa;
- Që kam qenë në Greqi, e vërtetoj me deklaratë përgjegjësie e shtetasit Georgios Tzevelekopolos, i cili ka deklaruar se: më datë 03.07.2001 shtetasi Gentian Hoxha, ndodhej në fshatin Perivolaki Lagada, qarku Selanik, pasi e ka pasur të punësuar në fermën e tij të kafshëve;
- I dëmtuari Albert Kola me deklaratën noteriale nr.597 Kol, datë 29.12.2008 ka deklaruar se: “Nuk i ka thënë njeriu se kush ishte autori i ngjarjes së plagosjes së tij. Pas kaq kohe them se nuk ka qenë Gentian Hoxha dhe këtë fakt e kam thënë dhe në Gjykatën e Apelit. Ne si familje nuk kemi asgjë me familjen e Valmir dhe Gentian Hoxhës”.
- Prokuroria më ka akuzuar vetëm mbështetur në dëshminë e të dëmtuarit Albert Kola para OPGJ, të cilën më pas e ka përgënjeshtruar me deklaratën noteriale;
- Përsa i përket provave të reja vërehet se gjithë dëshmitarët që janë pyetur lidhur me ngjarjen e datës 03.07.2001, po ashtu dhe prindërit e mi, duke mos pasur formimin e duhur juridik, kanë bërë deklarata noteriale. Megjithëse këto deklarata noteriale janë paraqitur në gjykim, duke mos u pranuar për tu administruar nga gjykata, nuk do të thotë se dëshmitarët nuk duhen pranuar të pyeten si të tillë në rigjykimin e kësaj çështjeje. Këto deklarata duhet të konsiderohen si prova përderisa Gjykata e Rrethit dhe e Apelit nuk i kanë konsideruar si të tilla;
- Dëshmitari Denis Allushi është i gatshëm të ripërsërisë dëshminë e tij dhënë para noterit në datë 16.01.2012 ku jep detaje të reja dhe të panjohura në gjykimin e dy shkallëve të para në lidhje me veprën. Për këtë paraqes CD me zë dhe figurë të dëshmisë së këtij dëshmitari, i ndodhur në vendin e ngjarjes;
- Kopje të vendimit nr.455, datë 18.11.2008 që vërteton akuzën kontradiktore të prokurorisë dhe arsyetimin e gabuar të Gjykatës së rrethit gjyqësor Shkodër;
- Në nëntor të vitit 2009, pas ekstradimit tim nga Spanja më është rrëzuar kërkesa për rivendosje në afat të ankimit ndaj vendimit të Gjykatës së Rrethit Shkodër. Av. Gj.Lepuri më ka thënë hapur se gjykata kërkon 25.000 Euro për këtë gjë;
- Gjykimi im është zhvilluar në mungesë, gjë e cila përbën mohim të drejtësisë në referim dhe të praktikës së GJEDNJ-së, është detyrë e autoriteteve shtetërore që të njoftojnë në mënyrë rigoroze konform dispozitave proceduriale penale të pandehurin në një proces penal, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në përfundime se i pandehuri ka hequr dorë me vullnetin e tij të lirë nga pjesëmarrja në gjykim;
- Shteti Shqiptar me anë të M.Drejtësisë i ka garantuar drejtësisë spanjolle që unë do të gjykohem në Shqipëri pas ekstradimit, gjë që mund ta bëja me anë të një kërkesë për rivendosje në afat. Avokati Gj.Lepuri ka mashtruar prindërit e mij, të cilëve u ka marrë lekë për të bërë rivendosje në afat duke i thënë se kërkesa ime është rrëzuar, pasi kërkohen 25.000 Euro, ndërkohë që nga shqyrtimi i dosjes nuk rezulton që të jetë paraqitur një kërkesë e tillë;
- Jam në paraburgim nga viti 2008, si i burgosur me një proces të parregullt ligjor dhe duke vuajtur një dënim, i cili është shumë i rëndë, për një vepër penale që nuk e kam kryer;
- Shkaku kryesor i dënimit tim është se jam vëllai i një të dënuari me burgim të përjetshëm dhe si i tillë atij i janë ngarkuar shumë vepra penale, gjë që tregon se gjykatat janë nën presionin e familjes së viktimave;
- Kërkoj pezullimin e ekzekutimit të këtij vendimi të padrejtë deri sa të shqyrtohet kërkesa ime.
KOLEGJI PENAL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Tom Ndreca, prokurorin Sokol Stojani i cili kërkoi mospranimin e kërkesës për rishikim; avokatin e kërkuesit Gentian Hoxhaj, av. Pjetër Deda, i cili kërkoi pranimin e kërkesës për rishikimin e vendimit nr.2, dt. 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, lënë në fuqi me vendimin nr.10, dt. 17.01.2008 të Gjykatës së Apelit Shkodër dhe pasi bisedoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N
Kërkesa për rishikim e paraqitur nga kërkuesi Gentian Hoxha nuk përmban shkaqe nga ata të parashikuar nga neni 450 i K.Pr.Penale, ndaj bazuar në nenin 453/2 të K.Pr.Penale ajo nuk duhet pranuar.
-
Rrethanat e çështjes.
Siç ka rezultuar nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore objekt të kërkesës për rishikim, më datë 03.07.2001, në afërsi të Zooteknikës, në lagjen “Guerrije”, Shkodër, është qëlluar me armë zjarri i dëmtuari Albert Kola. I dëmtuari është qëlluar nga tre persona, të cilët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 43 gëzhoja fishekësh, të cilët, nga akti i ekspertimit teknik ka rezultuar se janë qitur nga tre armë zjarri të ndryshme, të cilat duhet të kenë qenë të tipit automatik, model 56, kalibri 7.62mm.
Pasi ka marrë trajtimin mjekësor në Spitalin Ushtarak për rreth 20 ditë, i dëmtuari Albert Kola ka dalë i përmirësuar. I pyetur mbi rrethanat e ngjarjes ai ka deklaruar se nga tre personat që e kanë qëlluar me armë zjarri ka njohur vëllezërit Valmir e Gentian Hoxha, ndërsa personin e tretë nuk e ka njohur, ndërsa përpara Gjykatës së Apelit Shkodër, i dëmtuari ka mohuar ta ketë qëlluar i pandehuri Gentian Hoxha por ka deklaruar se është qëlluar nga tre persona me maska.
Gjithashtu ka rezultuar se, familja e të dëmtuarit Albert Kola me familjen e të gjykuarve, kërkuesit Gentian Hoxha dhe vëllait të tij Valmir Hoxha, kanë qenë në gjak për shkak se dy vjet para ngjarjes për të cilën ata janë gjykuar dhe deklaruar fajtor, i gjykuari Valmir ka vrarë shtetasin Ejll Kola dhe ka plagosur dy djemtë e tij. Për këtë arsye, djali i shtetasit Ejll Kola ka vrarë shtetasin Nedim Hoxha, djalin e xhaxhait të të gjykuarve Valmir e Gentian Hoxha.
-
Procedurat gjyqësore dhe arsyetimi i gjykatave.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin nr.2, datë 08.01.2007, ka vendosur deklarimin fajtor të të gjykuarit Gentian Hoxha, për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim të mbetur në tentativë, të parashikuar si krim nga nenet 78/2-22-25 të K.Penal, dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të parashikuar si krim nga neni 278/2 i K.Penal dhe e ka dënuar atë përfundimisht me 21 vjet burgim.
Mbi ankimin e të pandehurve, Gjykata e Apelit Shkodër me vendimin nr.10, dt. 17.01.2008, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.2, datë 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Më pas, i gjykuari ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, Kolegji Penal i së cilës, me vendimin nr.67, datë 29.01.2010 ka vendosur mospranimin e tij.
Po kështu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.00-2014-17, dt. 16.01.2014 ka vendosur mospranimin e kërkesës për rishikimin e vendimit nr.02, datë 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër lënë në fuqi me vendimin nr.10, datë 17.01.2008 të Gjykatës së Apelit Shkodër, të paraqitur nga i gjykuari Gentian Hoxha.
Kërkuesi ka paraqitur sërisht kërkesë për rishikimin e vendimeve të sipërcituara me shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
-
Qëndrimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Në lidhje me kërkesën e paraqitur Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vëren se:
Kërkesa për rishikim e paraqitur nga kërkuesi Gentian Hoxha nuk përmban shkaqe nga ata të parashikuar nga neni 450 i K.Pr.Penale, ndaj bazuar në nenin 453/2 të K.Pr.Penale ajo nuk duhet pranuar.
Siç ka rezultuar nga rrethanat e faktit të pranuara nga të dyja gjykatat, kërkuesi Gentian Hoxha është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 21 vjet burgim për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, me vendimin nr.02, datë 08.01.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër lënë në fuqi me vendimin nr.10, datë 17.01.2008 të Gjykatës së Apelit Shkodër, vendime ndaj të cilëve ai ka ushtruar edhe rekurs dhe ka paraqitur edhe më parë kërkesë për rishikim, të cilat nuk janë pranuar nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Rezulton se kërkesa për rishikim, objekt i këtij gjykimi, e paraqitur nga i gjykuari Gentian Hoxha, nuk përmban shkaqe nga ato që parashikon neni 450 i K.Pr.Penale.
Kërkuesi Gentian Hoxha e ka mbështetur kërkesën e tij në nenin 450/c të K.Pr.Penale, duke pretenduar se pas dhënies së vendimeve objekt rishikimi kanë dalë prova të reja të cilat i venë në dyshim vendimet e marra, e konkretisht, në mbështetje të pretendimeve të tij ka paraqitur si prova një deklaratë përgjegjësie të bërë nga shtetasi Georgios Tzevelekopolos, i cili ka deklaruar se më datë 03.07.2001 shtetasi Gentian Hoxha, ndodhej në fshatin Perivolaki Lagada, qarku Selanik, pasi e ka pasur të punësuar në fermën e tij të kafshëve, deklaratën noteriale nr.597 Kol, datë 29.12.2008 të bërë nga i dëmtuari Albert Kola, ku ai ka deklaruar se: “Nuk i ka thënë njeriu se kush ishte autori i ngjarjes së plagosjes së tij. Pas kaq kohe them se nuk ka qenë Gentian Hoxha dhe këtë fakt e kam thënë dhe në Gjykatën e Apelit. Ne si familje nuk kemi asgjë me familjen e Valmir dhe Gentian Hoxhës” si dhe një CD me zë dhe figurë të dëshmitarit Denis Allushi.
Duke pretenduar se këto prova i plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 450/c të K.Pr.Penale pasi, ato janë prova të dala pasi vendimi penal kish marrë formë të prerë dhe sëbashku tregojnë se vendimet me të cilat kërkuesi është deklaruar fajtor dhe është dënuar janë të gabuar pasi ai nuk e ka kryer veprën.
Ky kolegj vëren se, rishikimi si një mjet i jashtëzakonshëm ankimi ndaj vendimeve gjyqësore të formës së prerë, mund të paraqitet vetëm në rastet e përcaktuara në mënyrë shteruese nga ligji, neni 450 i K.Pr.Penale.
Shkaku i pretenduar nga kërkuesi, parashikohet nga pika “c” e dispozitës së sipërcituar, sipas së cilës: “Rishikimi mund të kërkohet: ...c) kur pas vendimit kanë dalë ose janë zbuluar prova të reja, të cilat vetëm ose së bashku me ato që janë vlerësuar njëherë, tregojnë se vendimi është i gabuar.”.
Nga interpretimi literal i kësaj dispozite, si dhe nga interpretimi që i kanë bërë asaj Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në dy vendimet unifikuese, përkatësisht nr.6, dt. 11.10. 2002 dhe nr.5 i vitit 2011, evidentohen dhe tre elementët e domosdoshëm, plotësimi në mënyrë kumulative i të cilëve, i hap rrugën rishikimit bazuar në nenin 450/c të K.Pr.Penale, të cilët janë:
Së pari: Ekzistenca dhe evidentimi i provave të reja të dala ose të zbuluara pas dhënies së vendimeve objekt rishikimi. Kjo nënkupton se provat e paraqitura nga kërkuesi duhet të jenë të tilla të cilat nuk ka patur mundësi objektive të paraqiten gjatë gjykimit të çështjes pasi pala nuk ka qenë në dijeni të ekzistencës së tyre, ashtu siç janë shprehur Kolegjet e Bashkuara në vendimin unifikues nr.6/2002 sipas të cilit: “...provat që diheshin prej palëve, që para se vendimi të merrte formë të prerë, nuk mund të konsiderohen prova të reja, në kuptimin e shkronjës “c”: të nenit 450 të K.Pr.Penale, pavarësisht nga arsyeja e mosparaqitjes së tyre në atë kohë....”
Së dyti: Prova ose provat e reja duhet të jenë marrë në formën e kërkuar procedurale dhe të plotësojnë kushtet e përcaktuara nga neni 149 i K.Pr.Penale sipas të cilit provat në kuptimin procedural duhet të përmbajnë njoftime mbi faktet dhe rrethanat që lidhen me veprën penale për të cilën është deklaruar fajtor dhe është dënuar personi, të jenë marrë nga njëri prej burimeve të parashikuara nga ligji procedural penal dhe në përputhje me rregullat e caktuara prej tij.
Së treti: Këto prova të dala ose të zbuluara pasi vendimi ka marrë formë të prerë, vetëm ose të vlerësuara sëbashku me provat e administruara një herë të tregojnë se vendimi është i gabuar.
Duke i parë këto tre elementë na raport me pretendimet e parashtruara nga kërkuesi ky Kolegj vëren se asnjë prej të dhënave të pretenduara prej tij si prova të reja nuk i plotëson kushtet e parashikuara nga neni 450/c i K.Pr.Penale.
Në lidhje me deklaratën noteriale të përpiluar në vitin 2008 ku i dëmtuari Albert Kola, ky Kolegj vëren se ajo nuk përbën provë të re në kuptim të nenit 450/c të K.Pr.Penale pasi i dëmtuari është thirrur dhe është pyetur në gjykim dhe përpara Gjykatës së Apelit Shkodër ai ka deklaruar të njejtat fakte që ka deklaruar edhe në deklaratën noteriale të vitit 2008 të cilën kërkuesi kërkon ta parashtrojë si provë të re.
Ky Kolegj vëren se, shkaqet e tjera, si deklarata e përgjegjësisë e bërë nga shtetasi Georgios Tzevelekopolos, i cili ka deklaruar se më datë 03.07.2001 shtetasi Gentian Hoxha, ndodhej në fshatin Perivolaki Lagada, qarku Selanik, pasi e ka pasur të punësuar në fermën e tij të kafshëve, si dhe CD-ja me zë dhe figurë të dëshmitarit Denis Allushi, janë prova të cilat janë paraqitur një herë përpara këtij kolegji bashkangjitur kërkesës për rishikim të kërkuesit, për të cilën me vendimin nr.00-2014-17, dt. 16.01.2014 Kolegji Penal ka vendosur mospranimin e kërkesës.
Në këtë kuadër, ky Kolegj vëren se, shkaqet e parashtruara në kërkesën objekt gjykimi, që kërkohet të vërtetohen me deklaratën e bërë nga shtetasi Georgios Tzevelekopolos, pra fakti që kërkuesi ka qenë në Greqi në kohën e kryerjes së veprës, janë të njejtë me shkaqet e parashtruara në kërkesën e mëparëshme për rishikim, e cila është gjykuar një herë dhe Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur mospranimin, madje ky fakt, pra qenia e kërkuesit në shtetin Grek në kohën e kryerjes së veprës është pretenduar edhe në gjykimet e themelit. Po kështu, ky Kolegj është shprehur një herë në lidhje me deklarimet e shtetasit Denis Alushi duke mos i pranuar ato si provë të re.
Deklarata e përgjegjësisë e bërë nga shtetasi Georgios Tzevelekopolos, deklarata noteriale nr.597 Kol, datë 29.12.2008 e bërë nga i dëmtuari Albert Kola, si dhe CD-ja me zë dhe figurë të dëshmitarit Denis Allushi, nuk përbëjnë provë të re pasi ato nuk kanë dalë dhe as nuk janë zbuluar pasi vendimi objekt rishikimi ka marrë formë të prerë, nuk janë prova në kuptimin procedural dhe nuk përmbajnë asnjë të dhënë që të tregojnë të vetme apo të analizuara me provat e administruara në gjykim, se vendimet objekt të kërkesës për rishikim janë të gabuar, duke mosplotësuar kështu kriteret e vendosura në nenin 450/c të K.Pr.Penale. Në këto kushte, bazuar në nenin 453/2 të K.Pr.Penale ajo nuk mund të pranohet.
Në lidhje me pretendimet e tjera të parashtruara nga kërkuesi si, fakti se ai është gjykuar në mungesë, fakti se nuk i është pranuar kërkesa për rivendosje në afat nuk janë objekt i këtij gjykimi dhe nuk përbëjnë shkaqe për rishikimin e vendimit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 453/2 të K.Pr.Penale,
Do'stlaringiz bilan baham: |