Tim Judah: Raporti i Martyt, goditje fatale për Kosovën Tim Judah
Nëse ndonjëherë dëshmohet se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e ka përkrahur ish-kryeministri britanik, Tony Blair, se është bos mafioz, vrasës dhe tregtar me organe njerëzore, historia e luftës për pavarësinë e Kosovës duhet të shkruhet sërish, ndërsa shkëlqimi, të cilin në atë luftë e ka vendosur Blair duhet të shlyhet, shkruan gazetari dhe publicisti i njohur britanik, Tim Judah, shkruajnë mediet serbe.
Judah në një shkrim autorial për botimin e së dielës të “Daily Telegraph”, vlerëson se raporti i raportuesit special të KE-së, Dick Marty, në të cilin kundër Thaçit bëhen këto akuza, paraqet “dokumentin, i cili i ka dhënë goditje fatale shtetit më të ri të Evropës”.
Akuzat nga ky raport “minojnë kredibilitetin” e Kosovës, “dhe rrëzojnë akuzat se partia e Thaçit është e përfshirë në manipulimet flagrante të zgjedhjeve”, thotë autori, duke përkujtuar se Kosova ishte një nga intervenimet e para të planifikuara ushtarake të Blairit, dhe pas intervenimit të NATO-s “situata ka ndryshuar”.
Judah thekson se refugjatët e përndjekur shqiptarë, të cilët janë kthyer në shtëpi u janë hakmarrë serbëve që kanë mbetur në Kosovë, ndërsa rolin kryesor në këtë e ka pasur UÇK-ja, derisa “forcat e NATO-s kanë mbyllur sytë në atë që ka ndodhur”.
Akuzat nga raporti i Martyt “flasin se në Ballkanin e dhunshëm, qeveritë perëndimore kanë vendosur se paqja dhe stabiliteti në Kosovë është me rëndësi parësore dhe për këtë shkak ka mbyllur sytë në krimet e liderëve të ri të Kosovës, dhe kanë toleruar pjesëmarrjen e tyre në krimin e organizuar”, shkruan Judah.
Ai thekson se në Kosovë edhe më tutje janë prezente varfëria, papunësia dhe veçmas korrupsioni në përmasa të mëdha, i cili është pengesë për prosperitetin e saj dhe ajo është “i vetmi vend në Ballkan, i cili në asnjë mënyrë nuk po prosperon, por stagnon krahasuar me të tjerët në rajon”.
“Rreziku për Kosovën fshihet në atë se ajo ende nuk ka realizuar të gjitha elementet e shtetësisë e plotë, që nga koha kur është ndarë nga Serbia… Problemi është në atë se këtu, sipas të gjitha gjasave, asnjëherë asgjë nuk mund të dëshmohet, dhe për këtë shkak populli i Kosovës do të jetë i dënuar me varfëri dhe izolim”, vlerëson Judah në “Daily Telegraph”. (www.kosovanews.com).
Kacin: Të hetohen thëniet nga raporti i Dik Martit
Jelko Kacin
Raportuesi i Parlamentit Evropian, Jelko Kacin, deklaroi sot se thëniet nga raporti i Dik Martit, për tregti me organe në Kosovë, janë akuzë e rëndë për të cilën duhet të zhvillohen hetime.
Zoti Kacin u tha gazetarëve në Beograd, se hetimi për raportin e raportuesit special të Këshillit të Evropës, DikMarti, është sfidë e madhe për drejtësinë në Shqipëri dhe Kosovë, dhe se atyre u duhet ndihma ndërkombëtare.
“Duhet të aktivizohen edhe institucionet ndërkombëtare dhe kjo duhet sa më parë të hetohet. Nëse aty ka faktografi, atëherë kjo çështje duhet të mbyllet sa më parë, ndërsa nëse nuk ka, atëherë kjo duhet të spastrohet, sepse po e helmon atmosferën politike në Kosovë, Shqipëri, Sërbi dhe rajon”, tha zoti Kacin.
Kacin ka theksuar se ai raport ende nuk është miratuar, por është në formë të propozimit dhe se ajo që është publikuar deri tash, nuk jep të dhëna konkrete të mjaftueshme, në të cilat hetimi do të mund të koncentrohej.
Di Lelio: Raporti i Marty, i pabazë
Ana Di Lelio
Sociologia Ana di Lelio ka komentuar për rrjetin informativ shqiptar Top Media raportin e Dick Marty, duke e vlerësuar atë si një dokument të pabazë.Sipas Di Lelio, raporti që flet për trafik droge, armësh dhe organesh njerëzore nuk përmban asnjë provë.
“Raporti nuk paraqet prova, por bazohet thjesht në gojëdhëna. Është e sigurt që asnjë akuzë nga raporti i Dick Marty nuk ka për t’u vërtetuar”, ka deklaruar Di Lelio.
Ajo më tej ka komentuar edhe librin e ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, që përmban akuza të tilla, duke u shprehur se ai libër synon vetëm diskriminimin e UCK-së dhe luftës së saj.
Martonji: Rasti i Martit të mos ndikojë në dialog
Janosh Martoni
Shefi i diplomacisë hungareze Janosh Martoni ka shfaqur “brengosjen që po vonohet dialogu Prishtinë-Beograd” dhe ka thënë se në nisjen e këtij dialogu nuk duhet të ndikojë hetimi i mundshëm kundër kryeministrit Hashim Thaçit.
Duke paraqitur programin hungarez për kryesimin e radhës së presidencës së BE-së, Martonji ka thënë se bisedimet Prishtinë-Beograd duhet të fillojnë me çështjet neutrale dhe teknike.
Ai ka theksuar se akuzat e Këshillit të Evropës për përfshirje të kryeministrit Thaçi në krime lufte janë shqetësusese.
“Është çështje e drejtësisë që të sjellë provat, e vetëm atëherë mund të nxjerrim përfundimet politike”, ka thënë Martonji.
Nëse ka prova, t’i përcillen EULEX-it
Thomas Countryman
SHBA-të e kanë marr seriozisht raportin e raportuesit të posaçëm të Këshillit të Evropës, Dick Marty për trafikim me organe në Kosovë dhe pretendimet se në të ka gisht edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
“EULEX-i tashmë ka hetuar akuzat e mëparshme. Nëse ekzistojnë prova të reja në këtë raport apo dëshmitarë të rinj, kjo duhet t’i përcillet EULEX-it dhe autoriteteve kompetente për hetime”, ka thënë zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, i lutur që të komentojë raportin e Martyt.
Countryman ka thënë se SHBA-të presin dhe do të përshëndesnin njoftimet e qeverive në Prishtinë dhe Tiranë se do të bashkëpunojnë me çdo hetim eventual.
“Disa herë kemi theksuar se asgjë nuk është më e rëndësishme se sa vendosja e sundimit të ligjit në tërë Evropën Juglindore. Mjerisht edhe sot ka krim të tepërt të organizuar jo vetëm në Kosovë, në jug dhe në veri të Kosovës, por në çdo vend të rajonit”.
Countryman ka porositur qeveritë e vendeve të rajonit që të bashkëpunojnë në mënyrë më efikase me autoritetet lokale lidhur me këtë çështje.
“Në rastin konkret nuk kam parë raportin e zotit Martyt dhe prandaj nuk mund ta komentoj, por përgjithësisht tërë qëllimi i hetimit të tillë është që të vendoset përgjegjësia individuale për krime të individuale, sepse nuk mund të kemi përgjegjësi kolektive dhe të themi se të gjithë serbët ose të gjithë shqiptarët apo kroatët janë fajtorë për aksionet e disa individëve. Prandaj mbështesim provat e reja dhe presim që të gjitha shtetet dhe individët në rajon të bashkëpunojnë me hetimet”, ka thënë Countryman në një intervistë për Zërin e Amerikën.
Do'stlaringiz bilan baham: |