VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Ardian Nuni Kryesues
Aleksandër Muskaj Anëtar
Mirela Fana Anëtare
në datën 03.03.2016, mori në shqyrtim në seancën gjyqësore çështjen civile nr.11115-01496-00-2013 Regj. Themeltar, që i përket palëve:
PADITËS: AFMET ABAZI, (në mungesë).
TË PADITUR: DURIM RAMUSHI, (në mungesë).
ZIJA RAMUSHI, (në mungesë).
OBJEKTI:
Lirim dhe dorëzim i truallit të zënë me ndërtim të kundërligjshëm.
Pushimi i cënimit të pronësisë dhe mospërsëritja në të ardhmen.
Detyrimi për shpërblimin e dëmit pasuror të shkaktuar si rezultat i këtij cënimi,
nga ngritja e padisë deri në ekzekutim të vendimit.
Sigurimi i padisë.
Baza Ligjore: Nenet 31 dhe 32 e 153 të K.Pr.Civile.
Nenet 296, 302 dhe 640 të K.Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.10681, datë 23.12.2011 ka vendosur:
“Rrëzimin e padisë së ngritur nga paditësi Afmet Abazi.
Shpenzimet gjyqësore procedurale i ngarkohen palës paditëse…”
Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2269 datë 03.10.2012 ka vendosur:
“Lënien në fuqi të vendimit nr.10681, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”
Kundër vendimit nr.2269 datë 03.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë ka paraqitur rekurs pala paditëse Afmet Abazi, nëpërmjet të cilit kërkon:
Prishjen e vendimit nr.2269 datë 03.10.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.10681, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me tjetër trup gjykues, për këto shkaqe:
- Janë lejuar shkelje procedurale në gjykimet e faktit. Gjykata ka cituar se është zhvilluar gjykimi me tre gjyqtarë në një kohë që në shkallë të parë është zhvilluar gjykimi me një gjyqtar.
- Gjykata ka thirrur në cilësinë e ekspertit një person i cili nuk ka qenë ekspert i fushës, ç`ka ka sjellë edhe probleme në pasqyrimin e pronave të palëve ndërgjyqëse.
- Gjykata ka gabuar në rregullimin e ndërgjyqësisë, pasi në bazë të nenit 79/a të K.Pr.Civile, sapo u vu në dijeni se një pjesë e territorit pretendohej nga Njësia Bashkiake nr.2 si pronë e saj, duhej të kish thirrur Avokaturën e Shtetit. Ndërkohë duhej thirrur edhe ZRPP Tiranë me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm.
- Gjykata ka gabuar në zgjidhjen e dhënë për themelin e çështjes. Edhe pse ka arsyetuar se dy kontratat e shitjes janë absolutisht të pavlefshme, nuk ka zgjidhur pasojat e tyre dhe konstatimi ka mbetur vetëm në parim. Gjykata duhej të ish shprehur se sa ishte sipërfaqja e secilit pretendues që duhet të hiqet nga pronësia dhe ku ndodhet kjo sipërfaqe konkretisht në terren.
- Konkluzionet e gjykatave nuk janë bazuar në prova dhe vlerësojmë të gabuar edhe arsyetimin e Gjykatës së Apelit, sipas së cilës, paditësi as në ankimin e paraqitur, nuk ka provuar pronësinë e tij. Paditësi e ka të regjistruar pronën dhe është pronar i ligjshëm.
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtares Mirela Fana, në mungesë të palëve ndërgjyqëse, si diskutoi e analizoi çështjen në tërësi
V Ë R E N
Rrethanat e Faktit
-
Paditësi Afmet Abazi është pronar i një sipërfaqeje trualli prej 1720 m2 të ndodhur në Sauk, Tiranë. Pronësinë mbi këtë sipërfaqe paditësi e ka fituar me anë të kontratës së shitblerjes nr.2541 rep. dhe nr.345 kol., datë 07.09.2005 nga shitësit Kasem dhe Abdulla Balla.
-
Mbi këtë sipërfaqe trualli prej 1720 m2, paditësi ka ndërtuar një lokal, bar- restorant.
-
Kontrata e mësipërme e shitblerjes është regjistruar në Regjistrin Hipotekor nr.124 datë 16.12.2005 dhe për këtë regjistrim është paraqitur vërtetimi i pronësisë i lëshuar më datë 04.06.2010 nga ZRPP Tiranë, së bashku me hartën treguese të regjistrimit sipas të cilit, pasuria në fjalë është regjistruar me numër 12/223, ZK8190, me sipërfaqe 1720 m2 me përshkrimin e vendndodhjes: “Rruga e Sanatoriumit”, Tiranë. Në origjinën e kësaj prone është shënuar regjistrimi i mëparshëm Hipotekor nr.197 dhe 199 datë 30.11.2000, nga ku ka rezultuar se origjina e kësaj prone është vendimi i KKK Pronave nr.1234 datë 20.11.1996 të K.K.K.Pronave Bashkia Tiranë.
-
Të paditurit Durim dhe Zija Ramushi janë në marrëdhënie të posaçme ndërmjet tyre, e konkretisht vëllezër.
-
Me kontratën e shitblerjes nr.3260 rep., dhe nr.678 kol., datë 06.12.1999, të paditurit kanë blerë gjithashtu një pronë truall me sipërfaqe prej 600 m2 nga shitësit Abdulla dhe Kasem Balla, të cilët kanë qenë njëkohësisht edhe përfaqësues me prokurë të shitësve të tjerë bashkëpronarë të tyre, Mustafa Balla, Xhelal Balla, Mediha Balla, Fatbardha Balla, Myzejen Balla dhe Lulzim Balla. Kjo pronësi e ka gjithashtu origjinën e saj në vendimin e KKK Pronave nr.1234 datë 20.11.1996 të K.K.K.Pronave Bashkia Tiranë.
-
Po ashtu, të paditurit kanë ndërtuar një lokal, bar-restorant mbi truallin e blerë nëpërmjet kontratës së mësipërme të shitblerjes.
-
Paditësi Afmet Abazi ka pretenduar se të paditurit, të cilët kanë blerë gjithashtu një sipërfaqe toke në kufi me pronën e tij, mbi të cilën kanë ndërtuar lokal, i kanë zënë një pjesë të kësaj prone prej përafërsisht 100 m2 duke kryer rrethim me kangjella dhe zinxhirë. Po ashtu paditësi ka pretenduar se të paditurit e cenojnë në pjesën tjetër të pronës së tij, prej përafërsisht 150 m2 duke lejuar për parkim automjetet që qëndrojnë para lokalit të ndërtuar prej tyre.
-
Me këtë pretendim paditësi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesëpadinë objekt gjykimi.
-
Gjatë gjykimit të çështjes, të paditurit kanë prapësuar se rrethimin dhe ndërtimin nuk e kanë kryer në pronën e paditësit por në pronën e tyre. Gjithashtu, sa i takon pretendimit për cenim në ushtrimin e së drejtës së pronësisë, të paditurit kanë prapësuar se vendi i parkimit nuk është pronë e paditësit, por pronë publike, duke paraqitur për këtë qëllim edhe shkresën nr.847/1 prot., datë 24.03.2010, të Njësisë Bashkiake nr.2 Tiranë. Në këtë shkresë i kthehet përgjigje palës së paditur se sheshi për të cilin kanë lindur mosmarrëveshjet, është vend publik për kthimin e autobuzëve dhe aktivitetet e tjera private mbi këtë territor janë të kundraligjshme. Gjithashtu ka rezultuar nga shkresa nr.D-5558 prot., datë 12.05.2011 e Bashkisë Tiranë, se pronat për të cilat ka mosmarrëveshje ndërmjet palëve ndërgjyqëse, përkojnë me pasuritë nr.13/183 dhe nr.13/181 të cilat figurojnë pronë publike, pjesë e listës në proces të inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore të Bashkisë Tiranë.
-
Në rrethanat e mësipërme, pala e paditur i është drejtuar me shkresë AKKP Tiranë për tërheqjen e kopjes origjinale të Vendimit nr.1234 datë 20.11.1996 të KKK Pronave dhe nga administrimi i këtij vendimi, sipas pretendimit të palës së paditur ka rezultuar se paditësi Afmet Abazi ka blerë një sipërfaqe trualli, një pjesë e së cilës ka qenë vetëm e njohur dhe jo e kthyer.
-
Sipas shkresës datë 21.06.2011 të ZRPP Tiranë, drejtuar paditësit Afmet Abazi, referohet fakti i mësipërm se paditësi ka blerë një pjesë të pronës së njohur (të pakthyer me vendim komisioni) dhe për këtë arsye, njoftohet paditësi se sipërfaqes së tij të pronës sipas vërtetimit të pronësisë, do t`i hiqet pjesa e cila vetëm është njohur me vendim të KKKP Tiranë. Në të tilla rrethana, të paditurit kanë kërkuar rrëzimin e kërkesëpadisë si të pabazuar në prova dhe në ligj.
-
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr.10681, datë 23.12.2011 ka vendosur rrëzimin e padisë së ngritur nga paditësi Afmet Abazi.
-
Në marrjen e këtij vendimi, gjykata ka arsyetuar se: “…Në aktin e ekspertimit ekspertja ka konkluduar se sipërfaqja e trajtuar në vendimin e KKK Pronave SR= 700 m2 ndodhet tek sheshi para derës dhe një pjesë të murit rrethues të Senatoriumit, dhe mbi këtë sipërfaqe është edhe konflikti gjyqësor. Po të krahasohet pozicionimi i kësaj sipërfaqeje me sipërfaqen dhe hartat treguese të pasurive të paraqitura në dosjen gjyqësore, kësaj prone i korrespondon numri 13/183 dhe 13/181 e cila sipas shkresës së Bashkisë Tiranë, nr.D-5558/1 datë 12.05.2011 të Bashkisë Tiranë, figuron pronë publike. Bazuar në sa më lart, gjykata konstaton se pavarësisht se paditësi Afmet Abazi, në kohën e ngritjes së padisë paraqiti vërtetim pronësise për pronën për të cilën pretendon se cënohet dhe është e zënë, ky dokument përbën aktin formal, parakusht për gjykimin në themel të pretendimeve të tij. Por vetëm paraqitja e një vërtetimi të tillë është e pamjaftueshme për të vërtetuar të drejtën e tij të pronësisë. Vërtetimi i pronësisë përbën një akt që si rregull e përfaqëson formalisht të drejtën që përshkruhet në të, kurse fakti nëse e drejta e përshkruar në të ekziston apo jo realisht në të gjithë të dhënat e saj, i përket procesit të provuarjes në gjykim. E drejta reale e pronësisë është e drejta që personi ka fituar në një nga mënyrat e parashikuara në ligj, dhe gjykimi i çështjes provoi se paditësi Afmet Abazi ka blerë nga shitësit “Balla” edhe një pjesë të pronës, që këtyre të fundit i është njohur nga KKK Prona dhe që nuk i është kthyer prej tij. Pavarësisht nga kjo, për arsye që nuk janë objekt i këtij gjykimi si shitësit ashtu edhe blerësit e kanë regjistruar në ZRPP Tiranë. Regjistrime të tilla, bërë në mungesë të një titulli pronësie të vlefshme janë të kundraligjshme dhe për pasojë juridikisht të pavlefshme. Pavlefshmëria absolute (e pjesshme) e një regjistrimi përkon më një gjendje juridike e cila si e tillë është konstatuar edhe nga organi administrativ që ka për detyrë Administrimin e Regjistrit Publik të Pasurive të Paluajtshme. ZRPP Tiranë me shkresën datë 21.06.2011 ka njoftuar paditësin Afmet Abazi mbi faktin e mësipërm, të blerjes prej tij të një pjesë pronë të njohur dhe jo të kthyer, duke i lënë detyrë plotësimin e dokumentacionit dhe korrigjimin e sipërfaqes. Ndodhur në rrethanat e mësipërme, gjykata i la detyrë palës paditëse të paraqesë vërtetim të ri pronësie me të dhënat e korrigjuara dhe me gjithë afatin e mjaftueshëm, nga kjo palë nuk u paraqit një dokument aktual pronësie. Bazuar në sa më lart dhe në kushtet kur: - Rezultoi e provuar se paditësi Afmet Abazi ka blerë një sipërfaqe trualli që shitësve Balla iu është “njohur” dhe jo “Kthyer” nga KKK Prona,; - Shitësit “Balla” nuk mund t`i transferonin blerësit një të drejtë pronësie që nuk e kishin, për pasojë nuk i kanë kaluar paditësit Afmet Abazi asnjë të drejtë pronësie për pjesën e sipërfaqes së njohur nga KKK Prona; - Sipas aktit të ekspertimit të Ing.Liri Kruja,pjesa e njohur e pronës me vendimin nr.1234 datë 20.11.1996 të K.K.K.Pronave, bie mbi gjithë pjesën e pronës mbi të cilin ndodhet konflikti, apo mosmarrëveshja lidhur me zënien dhe përdorimin e pronës; - Paditësi nuk paraqiti një vërtetim pronësie, pas konstatimit të faktit të mësipërm, për të vërtetuar ndonjë të drejtë të mundshme mbi pjesë të caktuara të pronës së përfshirë në konflikt; - Gjykata, konkludon se pretendimet e paditësit për zënie të truallit nga pala e paditur dhe cenim të pronësisë janë haptazi të pabazuar, dhe për pasojë duhet të rrëzohen…”
-
Mbi ankim të palës paditëse, Gjykata e Apelit Tiranë me vendimin nr.2269 datë 03.10.2012 ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.10681, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-
Në marrjen e këtij vendimi, Gjykata e Apelit ka arsyetuar se: “…Nga shqyrtimi i provave dhe akteve rezulton e provuar se pala e paditur, Durim dhe Zija Ramushi e ka blerë gjithashtu pronën nga shitësit Abdulla dhe Kasem Balla, me kontratën e shitblerjes nr.3260 rep., dhe 678 Kol., datë 06.12.1999, të cilët nga ana e tyre e kanë origjinën e pronës po nga vendimi i KKK Pronave nr.1234 datë 20.11.1996 të K.K.K.Pronave, Rajoni nr.1, Bashkia Tiranë. Nga provat rezulton se të dy palët ndërgjyqëse kanë për origjinë pronësie të njëjtën origjinë prone, të njëjtën palë shitëse, dhe pikërisht prona e trajtuar me vendimin nr.1234 datë 20.11.1996 të K.K.K.Pronave, Rajoni nr.1, Bashkia Tiranë. Kjo rezulton dhe nga vendimi i K.K.K.Pronave nr.1234 datë 20.11.1996, ku sipas të cilit ka rezultuar se paditësi Afmet Abazi ka blerë një sipërfaqe trualli një pjesë e së cilës ka qenë vetëm e njohur dhe jo e kthyer. Kështu nga shkresa datë 21.06.2011 e ZRPP Tiranë, drejtuar paditësit Afmet Abazi referohet fakti i mësipërm se ai ka blerë një pjesë të pronës së njohur por që nuk është kthyer, dhe për këtë arsye, njoftohet paditësi se sipërfaqes së pronës të vërtetimit të pronësisë së paditësit do t`i hiqet pjesa e njohur me vendim nga Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Po t’i referohemi aktit të ekspertimit rezulton se sipërfaqja e trajtuar në vendimin e KKK Pronave SR= 700 m2 ndodhet tek sheshi para derës dhe një pjesë të murit rrethues të Senatoriumit, dhe mbi këtë sipërfaqe është edhe konflikti gjyqësor dhe nga krahasimi i pozicionimit të kësaj sipërfaqeje me sipërfaqen dhe hartat treguese të pasurive të paraqitura në dosjen gjyqësore, kësaj prone i korrespondon numri 13/183 dhe 13/181 e cila sipas shkresës së Bashkisë Tiranë, nr.D-5558/1 datë 12.05.2011 …figuron pronë publike. Nga gjykimi i çështjes [u provua] se paditësi Afmet Abazi ka blerë nga shitësit “Balla” edhe një pjesë të pronës, që këtyre të fundit i është njohur nga KKK Pronave dhe që nuk i është kthyer prej tij, Pavarësisht nga kjo, për arsye që nuk janë objekt i këtij gjykimi si shitësit ashtu edhe blerësit e kanë regjistruar në ZRPP Tiranë. Regjistrime të tilla, bërë në mungesë të një titulli pronësie të vlefshme janë të kundraligjshme dhe për pasojë juridikisht të pavlefshme. Rezulton nga gjykimi se ZRPP Tiranë me shkresën datë 21.06.2011 ka njoftuar paditësin Afmet Abazi mbi faktin e mësipërm, të blerjes prej tij të një pjesë pronë të njohur dhe jo të kthyer, duke i lënë detyrë plotësimin e dokumentacionit dhe korrigjimin e sipërfaqes. Po kështu nga gjykimi në shkallë të parë rezulton se nga ana e gjykatës i është lënë detyrë palës paditëse të paraqesë vërtetim të ri pronësie me të dhënat e korrigjuara dhe me gjithë afatin e mjaftueshëm, nga kjo palë nuk u paraqit një dokument aktual pronësie as përpara Gjykatës së Apelit. Nisur nga rrethanat e mësipërme Gjykata e Apelit çmon se rezulton e provuar se paditësi Afmet Abazi ka blerë një sipërfaqe trualli që shitësve Balla iu është “njohur” dhe jo “kthyer” nga KKK Pronave, dhe në këto kushte rezulton se shitësit “Balla” nuk mund t`i transferonin blerësit një të drejtë pronësie që nuk e kishin, për pasojë nuk i kanë kaluar paditësit Afmet Abazi asnjë të drejtë pronësie për pjesën e sipërfaqes së njohur nga KKK Pronave dhe pjesa e njohur e pronës me vendimin nr.1234 datë 20.11.1996 të K.K.K.Pronave, bie mbi gjithë pjesën e pronës mbi të cilin ndodhet konflikti, apo mosmarrëveshja lidhur me zënien dhe përdorimin e pronës; Nisur nga fakti se pala paditëse edhe me ankimin e paraqitur nuk ka paraqitur një vërtetim pronësie...Gjykata çmon se …kërkimi …për lirim dhe dorëzim sendi apo pushim cënimi…konsiderohet e pabazuar…”
-
Kundër vendimit nr.2269 datë 03.10.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë ka paraqitur rekurs pala paditëse Afmet Abazi, nëpërmjet të cilit kërkon prishjen e vendimit nr.2269 datë 03.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr.10681, datë 23.12.2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me tjetër trup gjykues, për shkaqet e parashtruara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.
LIGJI I ZBATUESHËM
-
Dispozitat e Kodit Civil, në të cilat është parashikuar:
17.1 Neni 296 “Pronari ka të drejtë të ngrejë padi për të kërkuar sendin e tij nga çdo posedues ose mbajtës. Këtë të drejtë e ka edhe çdo bashkëpronar për sendin e përbashkët, me qëllim që ai t’u dorëzohet gjithë bashkëpronarëve.”
17.2 Neni 302 “Pronari ka të drejtë të kërkojë nga cilido që e cenon në pronësinë e tij, por pa u zhveshur nga posedimi, të pushojë cenimin dhe të mos përsërisë këtë në të ardhmen, dhe, kur është rasti të shpërblejë dëmet që mund t’i ketë shkaktuar.”
KOLEGJI CIVIL I GJYKATËS SË LARTË VLERËSON
-
Se rekursi i paraqitur nga pala paditëse Afmet Abazi, përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenin 472 të Kodit të Procedurës Civile, që motivojnë cenimin e vendimit nr.2269 datë 03.10.2012 të Gjykatës së Apelit Tiranë, i cili ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr.10681, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi rrëzimin e kërkesëpadisë.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, çmon se vendimi nr.2269 datë 03.10.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është dhënë në mungesë të kryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm dhe në zbatim të gabuar të ligjit material, e për këtë shkak ai duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë.
-
Për çështjen objekt gjykimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka konkluduar se padia e paditësit Afmet Abazi është e pambështetur në ligj dhe në prova. Në qendër të argumentimit të asaj gjykate ka qenë fakti se, pavarësisht vërtetimit të titullit të pronësisë së palës paditëse nëpërmjet çertifikatës përkatëse të pronësisë në kohën e ngritjes së padisë, është vërtetuar gjatë gjykimit se sa i takon origjinës së tij të pronësisë, paditësi ka blerë edhe një pjesë të pronës, që vetëm është njohur nga ana e KKK Pronave Tiranë dhe nuk është kthyer. Në të tilla kushte, gjykata e rrethit gjyqësor, pavarësisht mungesës së identifikimit ekzaktësisht të sipërfaqes së pronës që vetëm është njohur dhe të sipërfaqes së kthyer me vendim komisioni, ka konkluduar se paditësi nuk ka arritur të provojë pronësinë e tij si parakusht për gëzimin e legjitimitetit aktiv në ngritjen e kësaj padie.
-
Gjykata e Apelit Tiranë, e investuar mbi ankimin e paraqitur nga pala paditëse, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së rrethit gjyqësor. Në marrjen e këtij vendimi, gjykata e apelit është mjaftuar me të njëjtin argumentim sikurse dhe gjykata e shkallës së parë, duke arsyetuar se paditësit i mungon legjitimiteti aktiv për ngritjen qoftë të padisë së rivendikimit, po ashtu edhe të padisë mohuese, për shkak të faktit se ai nuk ka arritur të provojë të drejtën e pronësisë mbi pjesën e pronës së regjistruar në emër të tij, për të cilën ka lindur mosmarrëveshja objekt gjykimi.
-
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi i gjykatës së apelit, bazuar në argumentimin e mësipërm, është marrë në kushtet e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, ç`ka ka passjellë edhe zbatimin e gabuar të ligjit material, e konkretisht neneve 296 dhe 302 të K.Civil mbi të drejtën e çdo pronari jo-posedues të kërkojë rivendikimin e sendit nga çdo posedues apo mbajtës jo-pronar, si dhe mbi të drejtën e pronarit posedues të kërkojë pushimin e cenimit të pronësisë së tij nga cilido që e cenon në ushtrimin e kësaj të drejte.
-
Në çështjen objekt gjykimi, sikurse ka rezultuar e provuar nga të dyja gjykatat e faktit, palët ndërgjyqëse kanë në origjinë të pronësisë së tyre të njëjtin vendim komisioni, e konkretisht vendimin nr.1234 datë 20.11.1996 të K.K.K.Pronave, Bashkia Tiranë, i cili ka disponuar në favor të pronarëve Balla. Gjykatat e faktit në analizë të origjinës së pronësisë së palës paditëse, kanë konkluduar se një pjesë e sipërfaqes që i është tjetërsuar paditësit nga ana e pronarëve përfitues të vendimit të sipërcituar, është vetëm e njohur dhe jo e kthyer me vendim komisioni dhe përbën pikërisht pjesën për të cilën ekziston konflikti objekt gjykimi. Në lidhje me këtë përfundim, Kolegji Civil vlerëson se, edhe pse është detyrë e gjykatave të faktit të hetojnë në lidhje me origjinën e pronësisë, hetimi i kryer prej tyre duhet të jetë i plotë dhe të identifikojë qartësisht rrethanat mbi të cilat bazohet vendimmarrja e gjykatës. Ndryshe nga sa më sipër, në çështjen objekt gjykimi, pavarësisht se gjykatat e faktit kanë konkluduar se nuk vërtetohet e drejta e pronësisë e paditësit për një pjesë të pronës së tij, ato nuk kanë arritur të identifikojnë saktësisht se cila është kjo pjesë e pronës së regjistruar në emër të paditësit, për të cilën K.K.K.Pronave vetëm ka njohur të drejtën e pronësisë, pa vendosur kthimin fizik të saj.
-
Në vijim të analizës së mësipërme, Kolegji Civil vlerëson se kryerja e një hetimi të plotë në lidhje me identifikimin e saktë të kësaj rrethane faktike, e konkretisht sipërfaqes së truallit ligjërisht në pronësi të palës paditëse, ka qenë i nevojshëm edhe për shkak të pozicionimit faktik të kësaj prone, me qëllim më pas arsyetimin nëse për këtë pjesë pronësie, paditësi gëzonte legjitimitet aktiv për kërkimin e rivendikimit apo pushimit të cenimit në pronësi, sipas neneve 296 dhe 302 të K.Civil.
-
Po ashtu, ky Kolegj vlerëson jo të drejtë arsyetimin e Gjykatës së Apelit Tiranë se, sa kohë që për një pjesë të pronësisë së palës paditëse ka patur pretendime nga Bashkia Tiranë se ajo përbën pronë publike, atëherë regjistrimi i kësaj prone në emër të paditësit në ZRPP, kur një pjesë e saj, ka qenë vetëm e njohur me vendim të K.K.K.Pronave Tiranë, përbën një akt të kundraligjshëm dhe për pasojë juridikisht të pavlefshëm. Kolegji Civil thekson se, në një kohë që regjistrimi i së drejtës së pronësisë pranë ZRPP nuk përbën një element konstituitiv të kësaj të drejte, por kryen thjesht dhe vetëm një funksion deklarativ, mbetet sërish i vërtetë fakti që edhe pavlefshmëria e një akti administrativ, sikurse është edhe certifikata e regjistrimit të pronësisë, nuk mund të konstatohet kryesisht nga gjykata, qoftë edhe përgjatë arsyetimit të vendimit gjyqësor.
-
Në lidhje me sa më sipër, Kolegji Civil, vlerëson të theksojë se, ndryshe nga rasti i konstatimit të pavlefshmërisë absolute të veprimit juridik, i cili, në zbatim të Vendimit Unifikues nr.05, datë 30.10.2012, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, mund të kryhet edhe kryesisht nga gjykata, konstatimi i pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ mund të bëhet vetëm me kërkesë të palëve që iniciojnë një proces gjyqësor. Në çështjen objekt gjykimi, shprehja e gjykatës së apelit mbi pavlefshmërinë absolute të një akti administrativ, në mungesë të një kërkimi specifik për këtë qëllim, jo vetëm që nuk i ka shërbyer efektivisht zgjidhjes në themel të çështjes objekt gjykimi, por vjen në kundërshtim edhe me parimin e konsoliduar procedural të përputhjes ndërmjet kërkesës së bërë nga palët dhe asaj që gjykata duhet të vendosë (nenet 6 dhe 28 të K.Pr.Civile).
-
Së fundmi, Kolegji Civil vlerëson se Gjykata e Apelit Tiranë, pavarësisht se i ka patur të gjitha mundësitë e ndreqjes së të metave të gjykimit të kryer në shkallë të parë, nëpërmjet riçeljes, qoftë edhe kryesisht, të hetimit gjyqësor, ka bazuar argumentimin e saj në të njëjtin hetim të paplotë të kryer nga gjykata e rrethit gjyqësor, duke mos i dhënë një zgjidhje të drejtë përfundimtare mosmarrëveshjes objekt gjykimi.
-
Në këto kushte, Kolegji Civil çmon se, në rishqyrtim Gjykata e Apelit, në zbatim të neneve 6 dhe 28 të Kodit të Procedurës Civile mbi shprehjen e gjykatës vetëm për atë që kërkohet në objektin e padisë nga shqyrtimi në tërësi i saj, si dhe me qëllim zbatimin e drejtë të parashikimeve të neneve 296 dhe 302 të Kodit Civil, duhet të përsërisë hetimin gjyqësor në lidhje me identifikimin e saktë të: (i) sipërfaqes së pronës së paditësit që vetëm është njohur me vendim të KKK Pronave të Bashkisë Tiranë dhe pjesës që është kthyer fizikisht; si dhe (ii) kufizimin dhe pozicionimin faktik të kësaj prone në raport me pronën e të paditurve.
-
Vetëm pas kryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, do të mundet më pas Gjykata e Apelit, në vlerësim të të gjitha rrethanave faktike që kanë rezultuar të provuara, të identifikojë qartë natyrën e mosmarrëveshjes objekt gjykimi dhe t`i japë zgjidhje të drejtë pretendimeve të palëve, në zbatim të duhur të ligjit material të aplikueshëm.
-
Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që eventualisht mund të dalin gjatë rishqyrtimit, do ta lejojnë gjykatën e apelit, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material, garantimit të zhvillimit të një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, në përputhje me ligjin (neni 14 i K.Pr.Civile), cilësimit të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi (neni 16 i K.Pr.Civile), të mund të arrijë në përfundime të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e konfliktit ndërmjet palëve ndërgjyqëse.
-
Për sa më sipër, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë çmon se vendimi nr.2269 datë 03.10.2012 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm dhe e zbatimit të gabuar të ligjit material, e për këtë shkak ai duhet të prishet dhe çështja të kthehet për rishqyrtim në po atë gjykatë, me tjetër trup gjykues.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, në bazë të nenit 485/c të Kodit të Procedurës Civile,
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.2269, datë 03.10.2012, të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues.
Tiranë, më 03.03.2016
Nr. 11243-00390-00-2016 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2016-753 i Vendimit (65)
Do'stlaringiz bilan baham: |