VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Sot me datë 26.11.2015 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit çështjen administrative që u përket palëve ndërgjyqëse të mëposhtme:
PADITËS: UNIVERSITETI TIRANËS
I PADITUR: KRRT BASHKIA TIRANË
SHOQËRIA “MAREG” SHPK
OBJEKTI:
Shfuqizimin e lejes së ndërtimit për subjektin “Mareg” Shpk
të dalë me vendimin nr.131, datë 13.04.2004 të KRRT të Bashkisë Tiranë
“Për miratimin e lejes së ndërtimit në favor të subjektit “Mareg” Shpk,
të vendimit nr.456, datë 06.08.2003 të KRRT të Bashkisë Tiranë
“Për rikonfirmim të lejes së ndërtimit
në favor të subjektit Emi në pronë të familjes Babe,
të vendimi nr.33, datë 17.03.2004 të KRRT të Bashkisë Tiranë
“Për rikonfirmimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit në favor
të subjektit ndërtues Emi në pronë të familjes Babe,
si dhe pushimin e cënimit të sendit në të ardhmen.
Baza Ligjore: Nenet 31, 32/a, 36, 45 e vijues të K.Pr.Civile,
si dhe nenet 304-312 të Kodit Civil.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.6075, datë 30.05.2013 ka vendosur:
Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë.
Shfuqizimin e lejes së ndërtimit nr.131, datë 13.04.2004 të KRRT Bashkia Tiranë.
Shfuqizimin e vendimit nr.456, datë 06.08.2003 “Për rikonfirmimin e lejes së ndërtimit në favor të Shoqërisë “Emi” Shpk.
Shfuqizimin e vendimit nr.33, datë 17.03.2004 të KRRT Bashkia Tiranë “Për rikonfirmimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit në favor të Shoqërisë “Emi” Shpk.
Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesët e tjera të kërkimit.
Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1990, datë 08.05.2014 ka vendosur:
Të shpallë moskompetencën e Gjykatës së Apelit Tiranë për gjykimin e çështjes civile nr.1900 akti, datë 17.09.2013 dhe dërgimin e akteve gjykatës kompetente, Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
Gjykata e Administrative e Apelit, me vendimin nr.s’ka, datë 14.10.2015 ka vendosur:
T’i parashtrojë Gjykatës së Lartë qëndrimin e saj në mosmarrëveshje me Gjykatën e Apelit Tiranë lidhur me përcaktimin e kompetencës lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje.
Gjykata Administrative e Apelit parashtron:
-
Kolegji i Gjykatës Administrative të Apelit, caktuar për shqyrtimin e kësaj çështje, kryesisht vlerëson për parashtrimin Gjykatës së Lartë çështjen lidhur me kompetencën lëndore. Në këtë qëndrim ky Kolegj arrin, duke pasur parasysh vendimin unifikues nr.03, datë 28.04.2013 ku Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arritur në përfundimin njehsues se: “Çështjet të cilat në objektin e tyre kanë disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative, kërkime të cilat janë paraqitur përpara datës 04.11.2013, do të vazhdojnë të gjykohen nga gjykata ku ato janë paraqitur”.
-
Në rastin objekt gjykimi, Kolegji konstaton nga materialet e çështjes se objekti i padisë përfshin kërkimin me natyrë civile “pushimin e cënimit të sendit në të ardhmen” me bazë ligjore nenet 31, 32/a, 36, 45 e vijues i K.Pr.Civile, si dhe nenet 304-312 K. Civil.
-
Pretendimet e palëve të paditura parashtruar dhe në ankim kundërshtojnë legjitimitetin e paditësit në ngritjen e kësaj padie. Shoqëria “Mareg” Shpk parashtron para kësaj gjykate se: Gjykata ka gabuar në lidhje me legjitimitetin e paditësit në këtë gjykim, duke e konsideruar se paditësit i cënohen interesat nga këto vendime. Paditësi nuk është pjesë e kësaj vendimmarrje administrative, por i cënohen interesat civile nga cënimi i pronësisë... në lidhje me pikën e fundit të arsyetimit të gjykatës për rrëzimin e padisë, përsa i përket pushimit të cënimit të pronësisë, është një arsyetim që shkon ndesh me arsyetimin e pjesës tjetër të vendimit. Pra vetë gjykata ka rrëzuar “cënimin e pronësisë”, duke pranuar në këtë mënyrë që paditësi nuk është pronar ose nuk cënohet në pronësinë e tij.
-
Në gjykimin tonë kjo është një padi tërësisht civile dhe nëse paditësi konstaton shkelje të interesave apo të drejtave të tij, mund të kundërshtojë gjyqësisht vetëm me padinë e kallëzimit të një punimi të ri, të parashikuar nga neni 303 i Kodit Civil.
-
Në rrjedhojë të sa më sipër, pasur parasysh shkakun e konfliktit midis palëve, kërkimet objekt padie, pretendimet e debatuara në gjykim dhe ato të ngritura dhe në ankim, Kolegji, vlerëson në zbatim të konkluzionit të dhënë në vendimin Unifikues nr.03, datë 28.04.2013 sipërcituar parashtrojë qëndrimin e saj Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në lidhje me përcaktimin e gjykatës kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
pasi dëgjoi relacionin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi çështjen në tërësi, në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 13.11.2015 është regjistruar çështja administrative nr.31003-02326-00-2015 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditës Universiteti Tiranës dhe të paditur KRRT Bashkia Tiranë, Shoqëria “Mareg” Shpk, me objekt: Shfuqizimin e lejes së ndërtimit për subjektin “Mareg” Shpk të dalë me vendimin nr.131, datë 13.04.2004 të KRRT të Bashkisë Tiranë për miratimin e lejes së ndërtimit në favor të subjektit “Mareg” Shpk, të vendimit nr.456, datë 06.08.2003 të KRRT të Bashkisë Tiranë për rikonfirmim të lejes së ndërtimit në favor të subjektit Emi në pronë të familjes Babe, të vendimi nr.33, datë 17.03.2004 të KRRT të Bashkisë Tiranë për rikonfirmimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit në favor të subjektit ndërtues Emi në pronë të familjes Babe, si dhe pushimin e cënimit të sendit në të ardhmen.
2. Vendimi nr.1990, datë 14.10.2014 i Gjykatës së Apelit Tiranë, është rrjedhojë i zbatimit të gabuar të ligjit, prandaj si i tillë ai duhet të prishet dhe çështja të dërgohet në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Me vendimin nr.21, datë 27.10.2001 të KRRT, pranë Bashkisë Tiranë është miratuar leja e ndërtimit, në një shesh të miratuar për objekt 3, 4, 5 e 6 kat, plus 1 kat parkim nëntokë, si dhe rrethim provizor e prishje lavazhi në Rrugën e “Elbasanit”, në prone të familjes Babe në favor të firmës ndërtuese “Emi”, sipas projektit të plotë teknik që i bashkëngjitet këtij vendimi.
4. Me vendimin nr.17, datë 16.10.2001 të KRRT Bashkia Tiranë, është miratuar destinacioni i sheshit të ndërtimit dhe kondicionet urbane të tij për objektin “Objekt polifunksional 3, 4, 5 e 6 me bodrum në Rrugën e “Elbasanit” në pronë të familjes Babe, kërkuar nga Shoqëria “Emi” Shpk në kondicionet e veçanta sipas këtij vendimi, kërkohet të ruhet karakteri polifunksional i objektit.
5. KRRTRSH-ja i ka shqyrtuar vendimet e mësipërme të KRRT-së të Bashkisë Tiranë dhe me vendimin nr.12, datë 07.05.2003, ka vendosur: Shfuqizimin e këtyre vendimeve me qëllim që Bashkia e Tiranës të rishikojë kondicionet urbanistike për respektimin e distancave me kufijtë e pronës nga ana e Fakultetit Ekonomik dhe territoret publike për rreth.
6. Mbi bazën e vendimit të mësipërm të KRRTRSH-së, me vendimin nr.456, datë 06.08.2003 të KRRT Bashkia Tiranë është rikonfirmuar leja e ndërtimit në favor të subjektit “Emi” Shpk në pronë të Familjes Babe, duke miratuar kërkesën për shesh ndërtimi për objekt 3, 4, 5 dhe 6 kat me 1 kat parkim nëntokë, në Rrugën e “Elbasanit”, në favor të subjektit ndërtues “Emi”, në pronë të familjes Babe, sipas planimetrisë së sheshit bashkëlidhur këtij vendimi.
7. Me vendimin nr.456, datë 06.08.2003 të KRRT Bashkia Tiranë, është miratuar destinacioni i sheshit të ndërtimit dhe kondicionet urbane të tij për objektin “Shesh ndërtimi për objekt 3, 4, 5 kat me një kat parkim nëntokë, në Rrugën e “Elbasanit”, në pronë të Familjes Babe. Në kondicionet e veçanta sipas këtij vendimi rezulton një kat parkim nëntokë. Në këtë vendim, mungon i pasqyruar kati i 6, i miratuar me vendimin nr.456, datë 06.08.2003 të KRRT Bashkia Tiranë, të cituar me sipër.
8. Me vendimin nr.33, datë 17.03.2004 të KRRT Bashkia Tiranë është rikonfirmuar sheshi dhe leja e ndërtimit në favor të subjektit ndërtues “Emi” Shpk, në pronë të familjes Babe, duke rikonfirmuar sheshin e ndërtimit, si dhe të ridiskutojë kërkesën për leje ndërtimi për objekt polifunksional me karakter studentor 3, 4, dhe 5 kat me një kat parkim nëntokë në Rrugën e “Elbasanit”, në pronë të familjes Babe, në favor të subjektit ndërtues “Emi” Shpk, sipas planimetrisë bashkëlidhur këtij vendimi.
9. Me vendimin nr.33 datë 17.03.2004 të KRRT Bashkia Tiranë është miratuar destinacioni i sheshit të ndërtimit dhe kondicionet urbane të tij për objektin “Rikonfirmimi i sheshit të ndërtimit për objekt polifunksional me karakter studentor 3, 4 dhe 5 kat, me një kat parkim nëntokë në Rrugën e “Elbasanit”, në pronë të Familjes Babe në kondicionet e veçanta të këtij vendimi rezulton një kat nëntokë.
10. Me vendimin nr.131, datë 13.04.2004 të KRRT Bashkia Tiranë, për leje ndërtimi në favor të subjektit ndërtues “Mareg” Shpk, në pronë të Familjes Babe ka miratuar kërkesën për leje ndërtimi për objekt 3, 4 dhe 5 kat, me një kat parkim nëntokë në Rrugën e Elbasanit në favor të subjektit ndërtues “Mareg” në pronë të familjes Babe, sipas planimetrisë së sheshit dhe projektit të plotë teknik bashkëlidhur këtij vendimi.
11. KRRTRSH me vendimin nr.18, datë 07.05.2005 “Për shfuqizimin e vendimeve Bashkia Tiranë për miratimin e sheshit dhe lejes të objektit 3, 4 dhe 5 kat me një kat parkim nëntokë, në Rrugën e Elbasanit në pronë të Familjes Babe, në favor të subjektit ndërtues “Emi” Shpk dhe “Mareg” Shpk, ka vendosur shfuqizimin e vendimeve për miratimin e lejeve të ndërtimit të sipërcituara. Në këto rrethana pala paditëse i është drejtuar gjykatës me padinë objekt gjykimi.
II. Vendimet dhe arsyetimi i gjykatave në mosmarrëveshje:
12. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr.6075, datë 30.05.2013 ka vendosur:
Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë.
Shfuqizimin e lejes se ndërtimit nr.131, datë 13.04.2004 të KRRT Bashkia Tiranë.
Shfuqizimin e vendimit nr.456, datë 06.08.2003 “Për rikonfirmimin e lejes së ndërtimit në favor të Shoqërisë “Emi” Shpk.
Shfuqizimin e vendimit nr.33, datë 17.03.2004 të KRRT Bashkia Tiranë “Për rikonfirmimin e sheshit dhe lejes së ndërtimit në favor të Shoqërisë “Emi” Shpk”.
Rrëzimin e kërkesëpadisë për pjesët e tjera të kërkimit.
13. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.1990, datë 08.05.2014 ka vendosur:
Të shpallë moskompetencën e Gjykatës së Apelit Tiranë për gjykimin e çështjes civile nr.1900 Akti, datë 17.09.2013 dhe dërgimin e akteve gjykatës kompetente, Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.
14. Gjykata e Apelit Tiranë ndër të tjera arsyeton:
...Gjykata e apelit konstaton se, duke qenë para faktit se ankimi i paraqitur nga pala paditëse është bërë në një kohë kur ligji për gjykatat administrative nuk kishte hyrë ende në fuqi dhe, në këto kushte, shtrohet për diskutim çështja e veprimit në kohë të këtij ligji, në marrëdhëniet juridiko-procedurale të lindura para kësaj date, se në Kreun X të ligjit për gjykatat administrative titulluar “Dispozita kalimtare dhe të fundit”, në nenin 72 “Shfuqizime dhe ndryshime”, ......
Gjykata e Apelit Tiranë çmon se ndodhur përpara faktit se gjykatat administrative filluan funksionimin e tyre në datë 4 Nëntor 2013 dhe që nga kjo datë, me shfuqizimet e mësipërme, mosmarrëveshjet administrative janë në kompetencë të gjykatave administrative. Në këto rrethana, gjykata e apelit, në përmbushje të detyrimit për të verifikuar kompetencën edhe kryesisht, konstatoi se ajo nuk është më kompetente për gjykimin e çështjes, pasi ligji ngarkon për këtë një gjykatë të veçantë, gjykatat administrative.
Referuar ligjit për gjykatat administrative, zgjidhja e mosmarrëveshjeve administrative u përjashtua nga juridiksioni i gjykatave të zakonshme, duke iu ngarkuar gjykatave të veçanta administrative. Në këtë kuptim, tashmë mosmarrëveshjet juridiko-administrative zgjidhen gjyqësisht sipas rregullave të ligjit të posaçëm, duke përjashtuar veprimin e Kodit të Procedurës Civile, siç përcaktohet në nenin 1/1 të tij.
Në rastin në shqyrtim mosmarrëveshja është në kompetencë të: gjykatave administrative, referuar nenit 7/ç të ligjit nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”.
Gjykata e apelit çmon se nga ana tjetër, mosmarrëveshja në rastin në shqyrtim, është në kompetence funksionale të Gjykatës Administrative të Apelit, referuar nenit 10/2 të ligjit nr.49/2012, sipas të cilit Gjykata Administrative e Apelit shqyrton: a) ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë; b) në shkallë të parë, mosmarrëveshjet me objekt aktet nënligjore normative, si dhe raste të tjera të parashikuara me ligj.
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë me vendimin e unifikues nr.03, datë 06.12.2013 ndër të tjera kanë vendosur: Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.201, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë, të apelit apo në Gjykatë të Lartë dhe deri në këtë datë, shqyrtimi në gjykata nuk ka përfunduar akoma.....
15. Gjykata e Administrative e Apelit , me vendimin nr.s’ka, datë 14.10.2015 ka vendosur:
T’i parashtrojë Gjykatës së Lartë qëndrimin e saj në mosmarrëveshje me Gjykatën e Apelit Tiranë lidhur me përcaktimin e kompetencës lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje.
16. Gjykata Administrative e Apelit ndërmjet të tjerave arsyeton se:
....Kolegji i Gjykatës Administrative të Apelit, caktuar për shqyrtimin e kësaj çështje, kryesisht vlerëson për parashtrimin Gjykatës së Lartë çështjen lidhur me kompetencën lëndore. Në këtë qëndrim ky Kolegj arrin pasur parasysh vendimin unifikues nr.03, datë 28.04.2013 ku Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë arritur në përfundimin njehsues se: Çështjet të cilat në objektin e tyre kanë disa kërkime si të natyrës civile dhe administrative, kërkime të cilat janë paraqitur përpara datës 04.11.2013, do të vazhdojnë të gjykohen nga gjykata ku ato janë paraqitur.
Në rastin objekt gjykimi, Kolegji konstaton nga materialet e çështjes se objekti i padisë përfshin kërkimin me natyre civile “pushimin e cënimit të sendit në të ardhmen” me bazë ligjore nenet 31, 32/a, 36, 45 e vijues të K.Pr.Civile si dhe nenet 304-312 K. Civil.
Pretendimet e palëve të paditura parashtruar dhe në ankim kundërshtojnë legjitimitetin e paditësit në ngritjen e kësaj padie. Shoqëria “Mareg” Shpk parashtron para kësaj gjykate se: Gjykata ka gabuar në lidhje me legjitimitetin e paditësit në këtë gjykim, duke e konsideruar se paditësit i cënohen interesat nga këto vendime. Paditësi nuk është pjesë e kësaj vendimmarrje administrative, por i cënohen interesat civile nga cënimi i pronësisë... në lidhje me pikën e fundit të arsyetimit të gjykatës për rrëzimin e padisë, përsa i përket pushimit të cënimit të pronësisë, është një arsyetim që shkon ndesh me arsyetimin e pjesës tjetër të vendimit. Pra vetë gjykata ka rrëzuar “cënimin e pronësisë”, duke pranuar në këtë mënyrë që paditësi nuk është pronar ose nuk cënohet në pronësinë e tij.
Në gjykimin tonë kjo është një padi tërësisht civile dhe nëse paditësi konstaton shkelje të interesave apo të drejtave të tij, mund të kundërshtojë gjyqësisht vetëm me padinë e kallëzimit të një punimi të ri të parashikuar nga neni 303 i Kodit Civil... Në rrjedhojë të sa më sipër, pasur parasysh shkakun e konfliktit midis palëve, kërkimet objekt padie, pretendimet e debatuara në gjykim dhe ato të ngritura dhe në ankim, Kolegji, vlerëson në zbatim të konkluzionit të dhënë në vendimin unifikues nr.03, datë 28.04.2013 të parashtrojë qëndrimin e saj Gjykatës së Lartë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes në lidhje me përcaktimin e gjykatës kompetente nga pikëpamja lëndore për shqyrtimin e kësaj çështje....
III. Ligji i zbatueshëm:
17. Në nenin 13/5 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative” është parashikuar se:
Gjykata me kërkesë të palëve ose kryesisht, ngre çështjen e mosmarrëveshjes me vendim të arsyetuar, me të cilin i paraqet Gjykatës së Lartë kopjen e akteve të nevojshme për zgjidhjen e saj. Gjykata, që ka dhënë vendimin, njofton menjëherë gjykatën në mosmarrëveshje. Vendimi për ngritjen e mosmarrëveshjes, së bashku me aktet, i dërgohet Gjykatës së Lartë brenda 5 ditëve.
18. Vendimet unifikuese nr.04, datë 10.12.2013 dhe nr.03, datë 28.04.2014 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
19. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, shkaqet që parashtrohen në vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit janë të bazuara në ligj, prandaj vendimi i dhënë nga Gjykata e Apelit Tiranë bëhet i cënueshëm.
20. Në nenin 7 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” është përcaktuar se, gjykatat administrative janë kompetente për mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi publik......, ndërsa neni 8/b i ligjit nr.49/2012 parashikon se: ......gjykata administrative nuk shqyrton mosmarrëveshje, shqyrtimi i të cilave sipas legjislacionit në fuqi është në kompetencën e një gjykate tjetër.
21. Nga interpretimi i këtyre dispozitave ligjore sipas përmbajtjes së tekstit dhe qëllimit të ligjit, del e qartë se në kompetencë të gjykatës administrative, si rregull janë ato mosmarrëveshje që kanë lindur nga marrëdhëniet administrative ndërmjet subjekteve të të drejtës private dhe organeve të administratës publike, si dhe mosmarrëveshjet nga cënimi i të drejtave apo interesave të ligjshme të subjekteve të të drejtës private si rezultat i veprimtarisë administrative të organeve që ushtrojnë autoritet shtetëror.
22. Në nenin 17 të ligjit nr.49/2012 është përcaktuar objekti i padive administrative. Në asnjë nga pikat e kësaj dispozite ligjore nuk është parashikuar se: pushimi i cënimit të sendit në të ardhmen, është një objekt i një padie me natyrë administrative. Në rastin në gjykim ky kërkim në objektin e padisë është pushimi i cënimit të pronësisë mes personave të të drejtës private, i cili nuk është një kërkim me natyrë administrative, por me natyrë të pastër civile.
23. Sipas neneve 7 dhe 15 të ligjit nr.49/2012 gjykata administrative është kompetente në lëndë vetëm për çështjet që kanë për objekt kundërshtimin e akteve të administratës publike ose të ndonjë veprimi tjetër administrativ, për të cilat paditësi ka interes. Lidhur me përcaktimin e kompetencës lëndore në paditë me disa kërkime, të cilat janë me natyra të ndryshme (civile dhe administrative), në vendimin unifikues nr.03, datë 28.04.2014 Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë mbajnë qëndrimin se, për çështjet e regjistruara pas datës 04.11.2013 kërkimet duhet të ndahen, ndërsa për kërkesëpaditë e regjistruara përpara kësaj date, gjykimi i çështjes do të vazhdohet dhe të përfundohet nga gjykatat e zakonshme (civile).
24. Meqenëse çështja në gjykim është regjistruar në gjykatë me datë 26.10.2009, pra para datës 04.11.2013 dhe në objektin e padisë ka kërkime të natyrave të ndryshme (civile dhe administrative), Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë arrin në përfundimin se, lënda për gjykimin e çështjes i përket Gjykatës së Apelit Tiranë, prandaj vendimi i saj në lidhje me mungesën e kompetencës lëndore duhet të prishet dhe çështja të dërgohet në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 13 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.....
V E N D O S I
Prishjen e vendimit nr.1990, datë 08.05.2014 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe dërgimin e çështjes në po atë gjykatë për vazhdimin e gjykimit.
Tiranë, më 26.11.2015
Nr. 31003-02305-00-2015 i Regj. Themeltar
Nr. 00-2015-4584 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |