VENDIM
NË EMËR TË REPUBLIKËS
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë i përbërë nga:
Xhezair Zaganjori Kryesues
Evelina Qirjako Anëtare
Medi Bici Anëtar
Në datën 05.11.2015 mori në shqyrtim në Dhomën e Këshillimit, çështjen që iu përket palëve:
PADITËS: ESAT BITRI
I PADITUR: SHOQËRIA PËRMBARIMORE “BAILIFF SERVICES ALBANIA”
PERSON I TRETË: DREJTORIA RAJONALE E SIGURIMEVE SHOQËRORE VLORË
OBJEKTI:
Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore konkretisht i vlerës së aktit të ekspertimit kontabël të kryer nga Studio “Argeni” me ekspert Kujtim Hoxha, përsa i takon vlerës së detyrimit deri me datë 30.04.2015. Baza Ligjore: Neni 610 i K.Pr.Civile.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.1383, datë 07.07.2015 ka vendosur:
Konstatimin e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për shqyrtimin e çështjes civile me nr.2047 akti dhe dërgimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Vlorë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin nr.1554, datë 09.10.2015 ka vendosur:
Të konstatojë mosmarrëveshjen në kompetencën lëndore të çështjes civile me nr.1554 akti, datë 28.08.2015 me palë paditëse Esat Bitraj me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, duke urdhëruar kancelarinë e kësaj gjykate të dërgojë brenda 5 ditëve nga dhënia e këtij vendimi kopje të kërkesëpadisë sëbashku me aktet që e shoqërojnë, pranë Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, parashtron se:
Në rastin konkret nuk ndodhemi në rastet e mosmarrëveshjeve që lindin nga aktet administrative apo kontratat administrative publike. Kjo çështje për kompetencë lëndore dhe tokësore i përket Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me argumentimin se ndodhemi përpara një kërkesëpadie në fushën e marrëdhënieve civile dhe si palë e paditur nuk është një organ i administratës publike, por një shoqëri përmbarimore që ka për kompetencë ekzekutimin e titujve ekzekutiv.
Po kështu kundërshtohet kryerja e një ekspertimi kontabël privat i kryer nga një shoqëri përmbarimore dhe kompetente për gjykimin e të tilla kërkesave nga ana lëndore është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe jo Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë.
KOLEGJI ADMINISTRATIV I GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relatimin e gjyqtarit Medi Bici dhe bisedoi në tërësi çështjen në Dhomën e Këshillimit, në përfundim;
V Ë R E N
1. Në Gjykatën e Lartë me datë 27.10.2015 është regjistruar çështja nr.31003-2228-00-2015 regj. them, që u përket palëve ndërgjyqëse: paditës Esat Bitri, e paditur Shoqëria Përmbarimore “Bailiff Services Albania”, dhe person i tretë Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Vlorë me objekt: Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore konkretisht i vlerës së aktit të ekspertimit kontabël të kryer nga Studio “Argeni” me ekspert Kujtim Hoxha, përsa i takon vlerës së detyrimit deri me datë 30.04.2015.
2. Vendimi nr.1383, datë 07.07.2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është i bazuar në ligj, prandaj si i tillë ai duhet të lihet në fuqi nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.
I. Rrethanat e çështjes:
3. Pala paditëse Esat Bitri iniciues i këtij procesi gjyqësor i është drejtuar gjykatës, ku sipas objektit të padisë kërkon kundërshtimin e veprimeve përmbarimore lidhur me kryerjen e aktit të ekspertimit kontabël të kryer nga eksperti Kujtim Hoxha për llogaritjen e detyrimit.
4. Objekt i kundërshtimit janë veprimet përmbarimore që kanë lidhje me ekzekutimin e vendimit nr.2551, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë që iu përket palëve ndërgjyqëse: paditës Esat Bitri dhe të paditur DRSSH Vlorë e ISSH Tiranë, me objekt kundërshtimin e vendimeve të palës së paditur.
II. Vendimet dhe arsyetimi i gjykatave në mosmarrëveshje:
5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, me vendimin nr.1383, datë 07.07.2015 ka vendosur:
Konstatimin e moskompetencës lëndore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë për shqyrtimin e çështjes civile me nr.2047 akti dhe dërgimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Vlorë.
6. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë ndërmjet të tjerave arsyeton se:
.....Në rastin objekt gjykimi kemi të bëjmë me një padi, e cila si objekt ka kthimin e një shume parash dhe shpërblimin e dëmit të shkaktuar si rezultat i mospërmbushjes së detyrimit kontraktor. Ndërkohë shkaku ligjor i kësaj padie rezulton të jetë mungesa e sjelljes sipas kontratës, fakt i cili ka sjellë cënimin e të drejtës subjektive civile dhe kushtetuese për gëzimin e qetë të pasurisë së tij....
7. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin nr.1554, datë 09.10.2015 ka vendosur:
Të konstatojë mosmarrëveshjen në kompetencën lëndore të çështjes civile me nr.1554 akti, datë 28.08.2015 me palë paditëse Esat Bitraj me Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, duke urdhëruar kancelarinë e kësaj gjykate të dërgojë brenda 5 ditëve nga dhënia e këtij vendimi kopje të kërkesëpadisë sëbashku me aktet që e shoqërojnë, pranë Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë.
8. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë, ndër të tjera arsyeton se:
.......Gjykata çmon se në referencë të nenit 13 të ligjit me nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e mosmarrëveshjeve administrative” në të cilin citohet se:
Moskompetenca lëndore dhe funksionale ngrihet edhe kryesisht në çdo gjendje e shkallë të shqyrtimit dhe duke qenë se kjo çështje aktualisht është paraqitur për gjykim e dërguar nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në mbështetje të nenit 13/5 të ligjit me nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e mosmarrëveshjeve administrative” kryesisht po ngremë çështjen e kësaj mosmarrëveshje në drejtim të kompetencës lëndore, duke i dërguar kopjen e akteve të nevojshme për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje Kolegjit Administrativ pranë Gjykatës së Lartë.
Përsa më sipër, si dhe nisur nga fakti se kompetenca (lëndore e tokësore) janë elementë të procesit të rregullt ligjor (gjyqësor) në kuptim të nenit 6 të K.E.D.NJ dhe nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, gjykata çmon se kompetente për gjykimin e kësaj çështje është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë.......
III. Ligji i zbatueshëm:
9. Në nenin 7/a të ligjit nr.49/2013 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative” parashikohet se:
Gjykatat administrative janë kompetente për mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë veprimtarisë administrative nga organi publik.....
10. Në vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë nr.03, datë 06.12.2013 ndërmjet të tjerave thuhet se:
Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, të krijuara me ligjin nr.49, datë 03.05.2012 “Për organizmin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” janë kompetente për shqyrtimin e të gjitha çështjeve, të cilat sipas nenit 7 të këtij ligji, përbëjnë mosmarrëveshje administrative, pavarësisht gjendjes, fazës apo shkallës së gjykimit. Këto gjykata janë kompetente për çështjet administrative për të cilat, padia, ankimi ose rekursi është depozituar përpara datës 04.11.2013, respektivisht në gjykatat e shkallës së parë të apelit, apo në Gjykatën e Lartë, dhe deri në këtë datë shqyrtimi në këto gjykata nuk ka përfunduar akoma.....
IV. Arsyetimi i Kolegjit Administrativ dhe zgjidhja e çështjes:
11. Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë vlerëson se, shkaqet që parashtrohen nga Gjykata e Administrative Shkallës së Parë Vlorë, për konfliktin e kompetencës lëndore janë të pabazuara në ligj, prandaj nuk ekzistojnë shkaqe ligjore, që vendimi i dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë të cënohet.
12. Në Ligjin nr.49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, është rregulluar kompetenca territoriale dhe tokësore e gjykatave administrative. Kompetenca është një kusht procedural i vlefshmërisë së procesit gjyqësor dhe i akteve të realizuara gjatë tij në kuptimin që “Një gjykatë jokompetente nuk mund të kryejë asnjë veprimtari procedurale”. Për këtë arsye shqyrtimi i çështjes së kompetencës përfshihet që në veprimet përgatitore të procesit gjyqësor që duhet të kryejë gjykata (neni 158 /a i K.Pr.Civile).
13. Në çështjen objekt gjykimi pala paditëse ka kërkuar kundërshtimin e veprimeve përmbarimore. Si shkak ligjor për këtë kërkim pala paditëse ka vendosur nenin 610 të K.Pr.Civile. Në K.Pr.Civile, neni 50, shprehimisht parashikon se: Paditë që kanë për objekt kundërshtimin e veprimeve të kryera nga përmbaruesi për ekzekutimin e detyruar, ngrihen në gjykatën e vendit të ekzekutimit”. Ndërsa në nenin 610 të këtij Kodi, shprehimisht thuhet: “Kundër veprimeve të përmbaruesit dhe kundër refuzimit të tij për të kryer një veprim, palët mund të bëjnë ankim në gjykatën që ekzekuton vendimin brenda 5 ditëve nga dita e kryerjes së veprimit apo të refuzimit... Ankimi shqyrtohet nga gjykata e vendit të ekzekutimit....
14. Për të përcaktuar kompetencën lëndore në lidhje me çështjet ku kërkohet kundërshtimi i veprimeve përmbarimore, duhet të shikohet natyra e çështjes, vendimi i të cilës është vënë në ekzekutim. Sipas vendimit nr.2551, datë 23.12.2011 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit Vlorë rezulton se, palë paditëse ka qenë Esat Bitri dhe të paditur DRSSH Vlorë e ISSH Tiranë, me objekt kundërshtimin e vendimeve të palës së paditur. Për këtë vendim është lëshuar urdhëri i ekzekutimit dhe ka filluar procedura e ekzekutimit të vendimit nga pala e paditur shoqëria përmbarimore, e cila gjatë fazës së ekzekutimit ka caktuar një ekspert për përllogaritjen e detyrimit, akt me të cilën nuk është dakort paditësi.
15. Duke qenë se çështja për të cilën kërkohet ekzekutimi i vendimit është një çështje me natyrë të pastër administrative, atëhere edhe në fazën e ekzekutimit të vendimit të gjitha veprimet përmbarimore që kundërshtohen kanë natyrë administrative, prandaj kompetenca në lëndë iu përket gjykatave administrative dhe për rrjedhojë vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është i bazuar në ligj dhe duhet të lihet në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, duke u bazuar në nenin 13/6 të ligjit nr.49/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Administrative”.....
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit nr.1383, datë 07.07.2015 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Tiranë, më 05.11.2015
Nr. 31003-02229-00-2015 i Regj.Themeltar
Nr. 00 - 2015 - 4460 i Vendimit
Do'stlaringiz bilan baham: |