NJË SHOQËRI DINAMIKE DHE NË NDRYSHIM
Një arsye përse është themelor vlerësimi i bazave sociale në punën me kurrikulën është se kurrë më parë nuk ka patur ritme kaq të shpejta ndryshimi në të gjitha aspektet e shoqërisë. Nuk mund të përcaktohet me saktësi se cila është kurrikula e duhur për grupe të ndryshme. Arsyeja është se këto grupe po ndryshojnë, po dalin kërkesa etnike, informacioni është në shpërthim, sjelljet po modifikohen dhe vlerat po ndryshojnë. Prania e bindjeve të veçanta nuk e mohon faktin se tiparet e shoqërisë po ndryshojnë.
Arsimtarët do të rrezikonin veten dhe programet e tyre nëse do të shpërfillnin dinamikën sociale të shoqërisë ku jetojnë. Sigurisht, në të shkuarën, arsimtarët në përgjithësi dhe mësuesit e punonjësit e kurrikulave në veçanti, konstatuan se pranimi pa kritika i prirjeve të kohërave dhe zhvillimi i programeve shkollore që pasqyronin forcat bashkëkohore politike dhe sociale, ishin të mjaftueshme. Megjithatë, sot nuk ka kërkesa për të krijuar programe që pasqyrojnë thjesht shoqërinë, por më tepër për të krijuar programe që mundësojnë pjesëmarrjen e njerëzve në formimin e parreshur të shoqërisë. Hedrik Smith na nxit të rimendojmë Amerikën. Amerikanëve u nevojiten mënyra të reja të menduari për veten si popull, për mënyrën si të arsimohen dhe si të angazhohen në veprimtari sociale, politike dhe ekonomike.13 Ne mund të mos biem dakord me rekomandimet e Smithit, por ato vërtet tregojnë se njerëzit po kërkojnë nga pala radikale dhe ajo konservatore që ne të ripërkufizojmë veten si një popull kombëtar e ndërkombëtar. Kjo shtytje për të ripërkufizuar veten në vazhdimësi është në të vërtetë një karakteristikë e veçantë e amerikanëve. Ndërkohë që e nderojmë traditën deri në njëfarë mase, ne e sfidojmë atë gjithnjë dhe mendojmë për mënyrat si “ta çojmë përpara.”
Sot, fjalët e dijetarit Uilliam Van Til janë bërë më të rëndësishme se asnjëherë tjetër. Ai nënvizonte:
Individëve dhe shoqërisë u kanoset një rrezik nëse arsimi pranon në mënyrë jo kritike dhe reflekton pa u menduar ... Rreziku është se disa forca që e mbështesin njëra-tjetrën në mënyrë të ndërsjellë, mund të na shpien në rrugë të kundërta me (idealin) amerikan – idealin e individit të lirë, të përgjegjshëm moralisht dhe të rëndësishëm. Nëse pranohen dhe zbatohen në mënyrë jokritike nga arsimi, disa prirje të kohërave mund të sjellin njeriun e pafuqishëm në një shoqëri të pafuqishme.14
Shoqëria si burim ndryshimi
Shoqëria e sotme po ndryshon kaq shpejt saqë po hasim vështirësi në përballimin e saj, në përshtatjen ndaj të sotmes dhe përgatitjen për të ardhmen. Për të kuptuar ndryshimin social dhe si të jetojmë me të, jemi të detyruar t’u drejtohemi për ndihmë shkollave. Mirëpo, shkollat janë institucione konservatore që zakonisht mbeten prapa ndryshimit.
Ritmet jo të njëjta të ndryshimit në pjesë të ndryshme të shoqërisë shkaktojnë lindjen e dukurisë së quajtur prapambetje kulturore. Zakonisht, në fillim ndryshimet ndodhin në aspektet shkencore, tregtare dhe industriale të kulturës. Kjo gjë shkakton prapambetje të institucioneve të shoqërisë. Duket se njerëzit janë më të gatshëm për të pranuar ndryshimet materiale se ato institucionale. Ata shfaqin qëndresë ndaj ndryshimeve në idetë themelore ideologjike.
Shkalla e prapambetjes brenda shoqërisë ndryshon në raport me shkallën e ndryshimit social. Nëse ka pak ose aspak ndryshim social, kuptohet që, po të ketë prapambetje, ajo është e vogël. Në shoqërinë perëndimore, sidomos në Shtetet e Bashkuara, në shumë aspekte të shoqërisë po ndodh një ndryshim i pandërprerë dhe themelor. Me hyrjen e botës në periudhën e ndryshimeve të vrullshme (të përshpejtuara që nga Lufta e Dytë Botërore) dhe kur çdo ndryshim i ri shkakton një zinxhir të tërë ngjarjesh, kjo prapambetje është bërë edhe më e mprehtë.
Ritmet dhe kahu i ndryshimit. Ndryshimi konceptohet në dy aspekte themelore: ritmi dhe kahu. Ritmi i ndryshimit sjell pasoja që nuk kanë asnjë lidhje me kahun e ndryshimit, madje, ndonjëherë janë edhe më të rëndësishme.
Për të ilustruar ritmet e ndryshimit, le t’i ndajmë 100,000 vjetët e fundit të ekzistencës njerëzore në periudha jetese prej afërsisht 75 vjet secilën (e barasvlefshme me jetëgjatësinë mesatare në shoqërinë tonë), që do të thotë 1,333 breza gjithsej. Vetëm gjatë gjashtëdhjetë brezave të fundit është bërë i mundur komunikimi nga njëri brez në tjetrin me anë të shkrimit. Vetëm në gjashtë brezat e fundit njerëzimi ka parë fjalën e shtypur. Vetëm në dy brezat e fundit ka patur mundësinë çdo njeri të përdorë një makinë dhe vetëm një brez kemi që përdorim elektricitetin.
Në lidhje me këtë, 25 vjet më parë Alvin Tofler nënvizonte se po hynim në periudhën e tronditjes së të ardhmes: kemi të mira e shërbime me tepri dhe duhet të zgjedhim, por aftësia jonë për të zgjedhur me mençuri nga të gjitha këto alternativa kufizohet gjithnjë e më tepër për shkak të mbingarkesës njerëzore (për shembull, provoni të zgjidhni kompaninë më të mirë të telefonave të largësive të mëdha).15
Një mënyrë tjetër e vlerësimit të ritmeve të ndryshimit është të kujtojmë që, derisa një njeri i lindur në vitin 1940 u bë 50 vjeç në vitin 1990, ndodhën këto gjëra:
-
Për qëllime praktike, telekomunikacioni u bë i çastit.
-
Shpejtësia e përpunimit të informacionit u rrit një milion herë.
-
Ritmet e rritjes së popullsisë u shtuan më shumë se një milion herë.
-
Avionët supersonikë, radarët, raketat kozmike dhe satelitët hapësinorë u bënë të zakonshëm.
-
Shumë organe të njeriut, si zemra, veshkat dhe mëlcia, u transplantuan.
-
Zbritjet në hënë dhe në Mars kanë përfunduar me sukses.16
Le t’i shtojmë kësaj liste edhe të tjera arritje:
-
Inxhinjeria gjenetike, fëmijët në epruveta testi dhe përzgjedhja e seksit u bënë realitete (kurse ngadalësimin e procesit të plakjes e njohim në majë të gishtave).
-
Me një sistem portabël të telekomanduar (që peshon më pak se 400 gram) teleshikuesi mund të hyjë në çast (me shpejtësinë e dritës) në 100 a më shumë kanale dhe të lidhet drejtpërdrejt me çdo pjesë të botës nëpërmjet një sistemi satelitor ndërlidhjeje.
-
Më shumë se 75 përqind e artikujve në raftet e supermarketit sot nuk ekzistonin në vitin 1940. Paraja plastike e ka zëvendësuar me kohë paranë letër si mjeti kryesor i këmbimit.
-
Kompjuterat janë të zakonshëm në jetën e përditshme, përfshirë shkollat; robotët janë bërë të zakonshëm në tregti dhe në industri dhe shpejt do të jenë edhe në shtëpitë tona.
-
Në vitin 1940, tre të katërtat e amerikanëve të punësuar në industri prodhonin të mira materiale; sot më shumë se 60/75 përqind kryejnë shërbime. Kemi ndryshuar nga “shoqëri industriale” në një “shoqëri pasindustriale” ose ajo që disa njerëz e quajnë “revolucioni i tretë teknologjik” ose “vala e tretë”.
-
Mosha mesatare e popullsisë në Shtetet e Bashkuara u rrit nga 26 vjeç në vitin 1940 në 30 vjeç në vitin 1980, deri në 34.5 vjeç në vitin 1990 dhe ka të ngjarë të arrijë në 37 në vitin 2000. Përqindja e njerëzve me moshë 65 vjeç e lart u rrit nga 7% në vitin 1940 në 11.3% në vitin 1980 dhe pritet të rritet në 18% në vitin 2000.
-
Numri i nënave të punësuara u rrit deri në 18% në vitin 1950; në vitin 1990, dy të tretat ishin të zëna me punë dhe prirja drejt pjesëmarrjes më të madhe të gruas në fuqinë punëtore pritet të vazhdojë. Rritja e nënave punonjëse lidhet pjesërisht me rënien e përgjithshme të standardit të jetesës në Amerikë, gjë që nisi në vitet 1960 dhe ka krijuar dukurinë e re të fëmijëve me çelësat e shtëpisë në qafë. Në vitin 1990 kishte rreth 8 milion fëmijë të tillë të moshave 6 deri në 13 vjeç.
Një mënyrë për të ilustruar kahun e ndryshimit është ajo e shqyrtimit të rritjes së popullsisë në botë. Filip Hauser ka llogaritur që, për 600,000 vjet, popullsia e botës është rritur me 0,02 për mijë në vit. Në një grafik me dy përmasa, si ai në Figurën 5-1, kjo rritje duket si një vijë e drejtë horizontale. Megjithatë, gjatë 500 vjetëve të fundit, grafiku i rritjes ka kaluar në thelb nga vijë horizontale në vertikale. Në kohën e sotme, rritja e popullsisë është zgjeruar nga 2 përqind për mijëvjeçar në më shumë se 2 përqind në vit – një rritje njëmijëfish në vit.17
FIGURA 5-1 Rritja e popullsisë në botë, 6000 p.e.s deri në 2000 e.j.
Kjo zhvendosje në kahje përbën një ndryshim themelor që nuk mund të kuptohet thjesht si ndryshim sasior. (Zhvendosja sasiore përfaqëson vetëm një përmasë ndryshimi në rritjen e popullsisë.) Ndryshime të tjera të rëndësishme të shoqërisë, përparimet në shkencë, ndërlidhje, transport – të gjitha këto ndikojnë në cilësinë e jetës dhe kanë pasoja globale.
Arsimtarët, sidomos specialistët e kurrikulës, duhet të ulin prapambetjen arsimore dhe në planifikimin të shkollave për shekullin e ri të mos përdorin po ato mënyra që u përshtatet viteve 1980, domethënë, të shmangin prapambetjen tipike 20-vjeçare që ekziston shpesh midis shkollave dhe shoqërisë. Fakti i ndryshimit të vrullshëm dhe nevoja e planifikimit të shkollave sot për të nesërmen na sjellin në mendje pyetje serioze: Çfarë politikash e rregullojnë shoqërinë sot? Cilat duhet të jenë qëllimet tona arsimore në nivel global? Si e identifikojmë jetën “e mirë” dhe çfarë roli luajnë shkollat? Si e zvogëlojnë shkollat hendekun midis “pasjes/kamjes” dhe “mospasjes/skamjes”? Si i përgatisin shkollat nxënësit për botën e së nesërmes, kur mësuesit, të cilëve u besohet puna, mbështeten thjesht mbi një bazë njohurish që shpejt do të bëhet, në mos është bërë tashmë, e vjetëruar?
Shkolla si faktor ndryshimi
Në qoftë se hedhim një vështrim të gjerë mbi shkollat, domethënë një vështrim makro, mund të vëmë re ndryshime të dukshme në shkolla me kalimin e kohës. Sipas Filip Xheksonit, historikisht “mjafton të kujtojmë bankat prej druri dhe dyshemetë me dërrasa të klasave të hershme amerikane, t’i krahasojmë me karriket plastike dhe dyshemetë e shtruara me pllaka në shkollat e sotme të periferive, dhe ndryshimet duken.”18 Dallimin mund ta përforcojmë nëse hedhim shikimin prapa tek shkolla njëdhomëshe shtëpi: nxënësit e moshave të ndryshme ngjesheshin në një dhomë; mësuesi qëndronte prapa katedrës (si predikuesi në kishë) dhe predikonte mësimet e ditës; nuk përdoreshin as dërrasa e zezë e as shkumësat; bangat dhe karriket ishin të ngulura në dysheme; dielli ishte burimi kryesor i dritës; ndërsa zjarri me dru ishte burimi kryesor i ngrohjes. Sot shkollat janë krejt të ndryshme.
Po t’i hedhim një sy shkollës së brezit tonë – domethënë, një vështrim mikro – të themi, kur shkonim në shkollë fillore, vëmë re se ndryshimet janë shumë të vogla. Unruh dhe Aleksandër e kanë përmbledhur mijëvjeçarin e ndryshimit që në vitet 1950: “Ndryshimet sipërfaqësore, risitë e vogla e të shkëputura dhe mungesa e këndvështrimeve të përgjithshme mbi ndryshimet” kanë mbisunduar në shkolla. Arsyetimi themelor ose shkaku i mosndryshimit ka qenë se “shkolla si institucion u orientua drejt, por duhej të përpiqej më shumë për arritjen e objektivave dhe ta bënte përmbajtjen dhe mësimdhënien më të pëlqyeshme për nxënësit. U pranua si e vërtetë se në shkolla gjithçka ishte në rregull [dhe] ... ishin nxënësit” dhe jo shkollat “ata që duhej të ndryshonin.”19
Megjithë sasinë mbresëlënëse të kërkimeve në arsim, pak ndryshime të dukshme kanë ndodhur në shkollim që nga ditët tona si nxënës. Sipas një vëzhguesi, vazhdojmë të përdorim në thelb të njëjtat metoda mësimore që përdornim para 50 vjetësh në klasë. Nga ana tjetër, ndryshimet dhe përparimet në shkencë, teknologji dhe mjekësi në pesë vitet e fundit kanë qenë të spikatura dhe, në njëfarë mënyre, kanë ndikuar pothuajse në të gjithë jetën tonë.
Me vendosjen nga shoqëria të kërkesave të reja sociale dhe politike mbi shkollat dhe me daljen e njohurive të reja, mund të presim ndryshime në përmbajtje dhe qëllimet arsimore. Megjithatë, nuk duhet të presim që struktura dhe organizimi i shkollave të ndryshojë në mënyrë dramatike.
Ne duhet të kuptojmë se shkollat janë institucione tejet burokratike dhe konservatore (ose tradicionale), që operojnë me norma të standardizuara sjelljeje, rregulla e rregullore të shkruara dhe detyra të përcaktuara qartë, të shpërndara në radhët e administratorëve, mësuesve dhe nxënësve. Si prindër dhe/ose mësues që dikur kemi qenë nxënës, mund t’i kthehemi shkollës, ta përballojmë lehtë dhe të veprojmë pothuajse menjëherë. Arsyeja është se detyrat dhe sjelljet, ritet, rregullat e rregulloret nuk kanë ndryshuar shumë që prej kohës kur ishim fëmijë.
Gjatë bashkëveprimit të përditshëm të mësuesve, specialistëve të kurrikulave, administratorëve dhe nxënësve në funksionimin e shkollës, zhvillohet një rregull social: në pah del një tërësi rutinash e rregullash dhe përhapen norma të grupit dhe vlera organizative, të cilat formojnë personalitetet tona individuale dhe sjelljet tona. Hoi dhe Miskel e përshkruajnë këtë proces kështu: “Shkolla është një sistem ndërveprimi social; ajo është një tërësi e organizuar, e përbërë nga personalitete që bashkëveprojnë në kuadrin e një lidhjeje organike.” Shkolla karakterizohet nga varësia e ndërsjellë e pjesëve, një popullsi e përcaktuar qartë, një rrjet kompleks lidhjesh e marrëdhëniesh sociale dhe kultura e përveçme e saj.”20 Rezultati është tërësia e normave institucionale dhe modeleve të sjelljes që rregullojnë ndërveprimin midis mësuesve e nxënësve dhe ndërmjet specialistëve të kurrikulës dhe personelit tjetër mbështetës. Për t’i përshkruar këto karakteristika dhe veprime të ndërsjella sociale, vëzhguesit përdorin terma si karakter i brendshëm, realitete institucionale ose modele kulturore. Të marra së bashku, ato priren të përfundojnë në një metodë bindëse socializimi dhe kontrolli të atyre që ndjekin shkollat dhe/ose punojnë atje, dhe që priren të frenojnë ndryshimin.
Kur shkollat planifikojnë ndryshime, arsimi nuk mund të jetë më vetëm për grup-moshën e epokës tradicionale ose vitet e hershme të jetës 5 deri në 16 vjeç. Shkollimi duhet zgjeruar si në drejtim të moshave më të vogla (për të përballuar problemet e nënave të punësuara dhe për t’i përgatitur më mirë nxënësit në rrezik për shkollim) ashtu dhe në drejtim të moshave më të mëdha (për të siguruar larmi më të madhe burimesh arsimore gjatë fazave të ndryshme të jetës dhe për t’i përgatitur njerëzit për karrierë të dytë e të tretë).21 Ideja e metodës “hyrë e dil” në sistemet arsimore po fiton popullaritet. Kombs dhe Iliç nënvizojnë se arsimi duhet zgjeruar e të përfshijë “rrjetet e të mësuarit” që gërshetojnë modelet formale dhe joformale të shkollimit.22
Për më tepër, ideja e arsimimit duhet të zgjerohet e të përfshijë jo vetëm arsimimin bazë e themelor por edhe arsimimin kulturor, teknologjik, televiziv (ose elektronik) dhe arsimimin në fushën e hulumtimit.
Përballja me shumëllojshmërinë. Si komb kemi patur gjithnjë larmi kulturash. Është e vërtetë që e filluan si një koloni britanike dhe kjo ka ndikuar në zhvillimin tonë. Megjithatë, me fitimin e pavarësisë patëm sukses në krijimin e mundësive për formimin e grupeve të ndryshme kulturore që zbrisnin në brigjet tona. Madje, formimi i tyre arriti një shkallë të tillë që pjesa më e madhe e pakicave tani klasifikohen si të bardha. Sigurisht, afrikanët e sjellë fillimisht si skllevër dhe popujt autoktonë të kësaj toke, kanë patur histori të ndryshme.
Megjithatë, historikisht asnjëherë nuk kemi patur në shkollat tona një popullsi nxënësish nga kultura kaq të shumëllojshme sa sot. Asnjëherë më parë mësuesit nuk janë ndodhur përballë një sfide kaq të madhe të çlirimit të tyre nga praktikat shkollore që përpiqen t’i organizojnë dhe homogjenizojnë nxënësit në një grup standard ose mesatar. Asnjëherë nuk kemi qenë kaq të vetëdijshëm për nevojën e flakjes së grupimeve klasore, drejtimeve dhe pedagogjive të përgjithshme. Në të vërtetë, ngjyra e nxënësve tanë po ndryshon nga e bardhë në nuanca të ndryshme.
Ky shtim i ngjyrave dhe shumëllojshmërisë kulturore do të vazhdojë në të ardhmen e parashikueshme. Pjesa më e madhe e njerëzve që zbresin në brigjet tona nuk do të kenë kulturë evropiane. Gjatë viteve 1981-1990, përqindja e mërgimtarëve nga Azia u rrit nga 13 përqind në shifrën e lartë prej 38 përqind (Zyra e Numërimit të Popullsisë, SHBA, 1993). Këta njerëz po sjellin vlera të reja, morale të reja dhe gjuhë të reja. Tashmë në Kaliforni njerëzit me ngjyrë përbëjnë shumicën. Në shkollat e Seatlit fliten më se 34 gjuhë. Anglishtja si gjuhë e dytë është pjesë themelore e kurrikulës për folësit e këtyre gjuhëve të ndryshme.
Sfidat përballë arsimtarëve janë të ndryshme e të shumta. Specialistët e kurrikulës duhet të krijojnë kurrikula të tilla që i përgjigjen larmisë së nxënësve. Në të njëjtën kohë, këto kurrikula duhet të përcjellin e shndërrojnë kulurën qytetare që shërben si urë lidhëse e kombit amerikan. Ne duhet të kemi kurrikula që u japin mundësinë nxënësve të përvetësojnë vlera dhe sjellje që janë në të mirë të shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi. Kurrikula duhet të krijojë mundësinë që larmia sociale dhe kulturore të përpunohet për të ndërtuar një model kombëtar përfshirës.
Arsimtarëve u nevojiten objektiva të ndryshëm mësimorë, programe të ndryshme shkollore dhe metoda të ndryshme pedagogjike; kurrikula praktike; madje edhe mjedise mësimore të larmishme, që marrin parasysh nevojat e të gjithë nxënësve. Ne nuk mund të lëmë mënjanë asnjë nxënës në aspektin social dhe ekonomik. Kurrikula duhet të zhvillojë tek nxënësit njohjen në veprim, siç rekomandohet nga Shon.23 Kurrikula duhet të ushqejë tek nxënësit ato këndvështrime që u hapin sytë nxënësve dhe i aftësojnë për t’u bërë pjesëmarrës aktivë në një shoqëri dinamike në lindje.
Raca, klasa ose shtresa shoqërore, përkatësia gjinore. Kur flasim për shumëllojshmërinë, disa dijetarë kurrikulash shpesh i qortojnë shkollat për hartimin e kurrikulave që riprodhojnë pabarazi në shoqërinë e përgjithshme. Shkollat kanë ndihmuar në lënien mënjanë të nxënësve më fatkeqë: domethënë, atyre që vijnë nga racat me ngjyrë, pjesëtarëve të klasave më të ulta dhe femrave. Ndërkohë që në këta argumenta ka diçka të vërtetë, kur trajtojmë racën, klasën dhe përkatësinë gjinore, është e rëndësishme të ndërgjegjësohemi se raca dhe klasa janë, në radhë të parë, koncepte politike. Në rastin e përkatësisë gjinore kemi të bëjmë me një koncept social. Raca si koncept përdoret kryesisht në kuptimin politik, për të identifikuar pikësëpari njerëzit me ngjyrë. Termi racë nuk njihet nga antropologët e kulturës, as nga biologët. “Raca si kriter i kuptimtë brenda shkencës së biologjisë ka kohë që njihet si sajesë.”24 Por, në ditët e sotme, fjala racë përdoret për të përkufizuar grupe politike e sociale që mund të dallohen nga ngjyra e lëkurës së tyre.
Grupet etnike, pjesëtarë të të cilave jemi të gjithë, janë bashkësi njerëzish që, në bazë të ndryshimeve të përcaktuara, siç janë gjuha, feja, bindjet dhe moralet, e konsiderojnë veten të dallueshme nga grupet e tjera. Grupet etnike janë të të gjitha ngjyrave, përfshirë të bardhët. Duke e përdorur kështu këtë term, del që brenda një grupi të caktuar racor ka shumë grupe etnike. Larmi më të madhe ka në grupet aziatike që mërgojnë në këtë vend, se sa në ato evropiane apo afrikane që vijnë këtu. Arsimtarët do të bënin një gabim të rëndë në lidhje me shumëllojshmërinë po të mendonin se të gjitha grupet me ngjyrë janë njësoj.
Çështja si ta trajtojmë shumëllojshmërinë në kurrikul do të vazhdojë të ngjallë debat pasi, brenda shkollave tona, disa arsimtarë pranojnë konceptin e asimilimit të grupeve të ndryshme etnike, ndërsa të tjerë konceptin e shumësisë. Disa mbrojtës të asimilimit argumentojnë se zhvillimi i shumëllojshmërisë etnike, heterogjenitetit social në fakt do ta ballkanizonte kombin tonë.25 Të tjerë argumentojnë se koncepti i kazanit të grupeve të ndryshme, i mbrojtur nga ithtarët e asimilimit, është një mit. Ne jemi më shumë si një “enë me turli” – të gjithë në të njëjtën enë por që ruajmë tiparet tona të përveçme. Ne do të pranonim vërtetësinë e të dy pohimeve të mësipërme për grupet. Kazani i grupeve të ndryshme nuk është mit, aq sa të thuhet që në klasifikimet tona etnike tani kemi kategorinë e të bardhëve. Në radhët e të bardhëve ekziston një shumëllojshmëri e mahnitshme trashëgimie etnike, megjithatë, për pjesën më të madhe të njerëzve, kjo është e shkrirë në një, madje përkufizohet si e bardhë, anglo-saksone, protestante. Shumica e të bardhëve në këtë vend nuk arrijnë t’i përmbushin këto tre karakteristika.
Ata që pranojnë konceptin e enës me turli pranojnë që kombi ynë përbëhet nga shumë zëra dhe shumë grupe etnike. Këta individë, ndonjëherë të identifikuar si pluralistë, thonë se, kur përqëndrohen në shkrirjen e një kulture të vetme të madhe, mbrojtësit e asimilimit shpërfillin faktin që ky qëndrim sugjeron sundimin e një grupi dhe varësinë e grupeve të tjera.26 Siç argumentohet nga pluralistët, është e vërtetë se ne në Shtetet e Bashkura nuk jemi të gjithë të një mendjeje. Dhe shumëllojshmëria e mendjeve tek ne do të vazhdojë për sa kohë që pranojmë në brigjet tona mërgimtarë të ndryshëm nga gjithë bota. Pluralistët argumentojnë se ne mund ta respektojmë shumëllojshmërinë tonë, ta përfshijmë me kënaqësi në kurrikulën tonë dhe prapëseprapë të bashkërendojmë e bashkëpunojmë në një shoqëri të vetme. Kjo pikëpamje kërkon që në kurrikulën e shkollës ta pranojmë larminë e nxënësve, por edhe që nxënësit duhet ta mësojnë këtë kurrikul, me qëllim që t’u përkushtohen vlerave dhe praktikave themelore që na bëjnë shoqëri amerikane. Ne jemi një shoqëri e vetme por edhe një grupim shoqërish të larmishme.
Edhe çështja e klasës ose shtresës shoqërore është me interes për specialistët e kurrikulës. Shkolla amerikane konceptohet me një orientim drejt klasës së mesme, por një numër gjithnjë në rritje nxënësish që hyjnë në shkollat tona sot nuk janë pjesëtarë të kësaj klase. Ata kanë vlera të ndryshme nga individët e klasës së mesme. Ata kanë modele gjuhësore dhe tradita sociale që nuk janë të klasës së mesme. Disa mendojnë se, megjithëse këta nxënës janë pa diskutim të ndryshëm, sjelljet e tyre të ndikuara nga klasa kanë vlerë të barabartë me ato të nxënësve të klasës së mesme. Në vitin 1997, në Kaliforni, debati lidhur me ligjshmërinë e anglishtes së zezakëve, ose ebonikën, ishte në rend të ditës. Shumë anëtarë të një komuniteti të veçantë shkollor argumentuan se anglishtja e zezakëve ishte e barabartë me anglishten standarde dhe duhet mësuar në shkolla. Mënyrat e trajtimit të njerëzve të tjerë, pikëpamjet mbi të ardhmen, perceptimet e suksesit dhe idetë se çdo të thotë të jesh i arsimuar, të gjitha këto janë të ndryshme në klasa të ndryshme.
Çështja e klasës ose shtresës shoqërore në dialogun për kurrikulën është ndikuar mjaft nga teoria marksiste. Arsimtarët marksistë dhe neo-marksistë kanë ngritur zërin për të drejtat e proletariatit dhe pakënaqësitë e tyre ndaj borgjezisë. Sot flitet shumë për rrugët e shpëtimit të “klasës së ulët” nga rreziku i varfërisë, arsimimit të pakët dhe diskriminimit. Sigurisht, fëmijë të varfër kemi. Prandaj duhet të kemi një kurrikul që t’u japë atyre mjetet dhe qëndrimet për të patur sukses dhe për të shpëtuar nga cikli i varfërisë dhe dhuna e shpeshtë që e shoqëron.
Por, megjithë bisedat për pasjen/kamjen dhe mospasjen/skamjen, pjesa më e madhe e njerëzve, madje edhe atyre me ngjyrë, futen në kategorinë e parë. Që në vitin 1997, shumica e amerikanëve afrikanë bënin pjesë në shtresën e mesme.27 Sidoqoftë, meqenëse shumë individë nuk bënin pjesë në të, ende përballemi me sfidën për të zvogëluar numrin e nxënësve të varfër dhe për të ofruar kurrikula të përshtatshme për ta.
Në Shtetet e Bashkuara, ndarjet klasore shihen si të depërtueshme. Me arsimim dhe përpjekje, njerëzit mund të kenë sukses. Edhe kritikët e sistemit tonë shoqëror dhe arsimor duhet ta pranojnë se numri i njerëzve të suksesshëm është mjaft i madh. Aq sa nuk ka vend bindja se, me ose pa vetëdije, me kurrikulën e tyre shkollat planifikojnë si t’i mbajnë nxënësit të nënshtruar, t’i lënë mënjanë, ose të sigurojnë privimin e të drejtave të tyre si qytetarë.
Nëse shkollat janë për të zhvilluar veprimtari përfshirëse, atëherë duhet të pranojmë që kjo ka të bëjë me vlerat, gjuhën, bindjet dhe nivelin tonë ekonomik. Përfshirja e të gjithë nxënësve në një grup etnik nga shkollat është e pamundur. Etnia nuk mund të ndryshohet. Por shkollat e kanë plotësisht mundësinë t’i përfshijnë njerëzit në një klasë të vetme shoqërore, ku njerëzit të ndajnë vlerat themelore, gjuhën e përbashkët dhe bindje të përafërta mbi familjen njerëzore, si dhe të marrin pjesë në mirëqenien ekonomike të vendit. Kjo nuk do të thotë që do të kemi nivel klasor të njëjtë, por do të mund të kemi ngjashmëri aq të mjaftueshme sa të njihemi si anëtarë të kësaj klase, pavarësisht nëse e quajmë atë të mesme apo diçka tjetër.
Përkatësia gjinore është termi i fundit i kushtrimit radikal. Siç u përmend më lart, përkatësia gjinore nuk është një e dhënë biologjike; Sari Knop Biklen dhe Dianë Pollard nënvizojnë se “Gjinia është kategori analize që ka të bëjë me ndërtimin shoqëror të seksit. Ajo që ne kemi identifikuar se u përket sjelljeve, qëndrimeve, paraqitjes, etj., të burrave apo grave, krijohet nga marrëdhëniet e lidhjet sociale dhe vazhdimisht diskutohet e ruhet brenda kulturave.”28 Megjithatë, ajo që duket se e ngatërron diskutimin tonë mbi çështjet e gjinisë dhe si ato mund ose duhet të ndikojnë në diskutimin për kurrikulën, është praktika e përdorimit sinonimik të fjalëve “seks” dhe “gjini”.29 Seksi është një e dhënë biologjike. Gjinia jo; ajo krijohet nga faktorë socialë ose kulturorë. Në shumicën e rasteve, mashkull dhe femër do të mbeten të pandryshueshme në të ardhmen. Megjithatë, ajo që konsiderohet mashkullore dhe femërore është e hapur për modifikim.
Kryesore për specialistët e kurrikulës është edhe çështja si ndikon kurrikula në përkatësinë gjinore. Në krijimin dhe paraqitjen e kurrikulës nga ana jonë, a privilegjojmë një gjini dhe privojmë? Arsimtarët kanë hartuar historikisht programe arsimore që, në fakt, kanë lartësuar gjininë mashkullore, duke i vënë pranga ndërkohë gjinisë femërore. Madje kemi zhvilluar vlera dhe mënyra të trajtimit të informacionit që janë në favor të meshkujve. Historia ka plot shembuj ku djemtë dhe burrat janë nxitur të kapin nivele të larta të arritjeve dhe suksesit, ndërsa vajzave dhe grave u janë kufizuar alternativat dhe u është cunguar zhvillimi. Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm se historia kështu është ndërtuar. Disa do ta kundërshtonin këtë interpretim. Ata do të argumentonin se, nga natyrat biologjike, burrat dhe gratë janë krijuar për qëllime të ndryshme ku secili ka rëndësi vendimtare për mirëqenien e shoqërisë. Kështu, arsimi kishte përgjegjësinë të përgatiste djemtë dhe vajzat për detyrat e nevojshme të gjuthë shoqërisë. Burrat duhej të ishin gjahtarë, furnizuesit jashtë shtëpisë. Gratë duhej të ruanin zjarrin dhe të rritnin e ushqenin fëmijët. Ky debat ka e ka zanafillën që në fillim të kohërave. Ai vazhdon ende sot, megjithëse shumë po e kundërshtojnë këtë ndarje të roleve.
Në kuptimin seksual, dihet që djemtë dhe burrat janë biologjikisht të ndryshëm nga vajzat dhe gratë. Por a janë gjinitë të ndryshme? Dhe, nëse po, a duhet të jenë kurrikulat të ndryshme? Këtë çështje nuk kemi ndërmend ta zgjidhim në këtë libër. Vetëm se dëshirojmë të vëmë në dukje se, kur merremi me diskutimet mbi kurrikulën dhe lëvrimin e saj, faktori i gjinisë duhet marrë parasysh. Sidoqoftë, jemi të mendjes se arsimi duhet të jetë në të mirë të të gjithëve; askush nuk duhet të privilegjohet ose privohet për shkak të përkatësisë gjinore. Shumë feministë të angazhuar për të çuar përpara të drejtat e vajzave dhe grave, duan që kurrikula e ofruar të rihartohet, të rikonceptohet dhe të përfshijë aspekte të rëndësishme të përvojave të femrave dhe mënyrat femërore të njohjes, me qëllim që të përfitojnë të gjithë. Këta feministë, ndonjëherë të quajtur feministë kulturorë, dëshirojnë që kjo përmbajtje e re të shërbejë si faktor shndërrimi për rindërtimin e tërë shoqërisë.30 Ata besojnë se shkolla dhe kurrikulat duhet të rihartohen, me qëllim që vlerat femërore të nderohen njësoj si vlerat mashkullore. Të tjerë, të njohur me emrin feministë liberalë, nuk bëjnë thirrje për rikonceptim tërësor të kurrikulës. Më tepër ata argumentojnë se, në gjendjen e tanishme, kurrikula mund të paraqitet në formë të tillë që nxënësit të mos mësojnë të sillen me stereotipe të seksit. Në mësimdhënie shoqëria duhet t’i trajtojë njësoj të dy sekset.31
Duket se në themel të çështjes së përkatësisë gjinore qëndron çështja e barazisë. Barazia mund të sugjerojë paanësi por të qenit i paanë nuk do të thotë të veprosh njësoj ose të kesh kurrikula identike. Megjithatë, shumë i shohin kurrikulat e sotme si të njëanshme ose jo të barabarta në lidhje me vajzat dhe gratë. Nënteksti i kurrikulës së padukshme u jep vajzave mesazhe të fuqishme se lëndë të caktuara, kryesisht matematika dhe shkenca, nuk janë për to. Madje, disa feministë radikalë kanë ngulmuar se, edhe nëse jepen, këto lëndë mësohen si dituri e krijuar nga meshkujt. Gratë nuk kanë luajtur asnjë rol në zhvillimin e këtyre disiplinave. Për më tepër, disiplinat paraqiten sikur janë zhvilluar me mënyra të caktuara mendimi që mund të vlerësohen si mashkullore: objektive, pa emocione, pa ndikim të vlerave. Fusha të tëra hulumtimi të kryer nga gratë nuk njihen. Edhe përfundimet mbi botën dhe njerëzit mbështeten, në radhë të parë, në studimet e meshkujve, megjithëse rezultatet zbatohen për gratë. Për shumë feministë, madje edhe për disa që nuk bëjnë pjesë në këtë kamp, kurrikula është patriarkale dhe nuk u shërben siç duhet vajzave dhe grave.32
Kurrikula nuk është vetëm patriarkale, por edhe seksiste dhe lëvrohet në mënyrë seksiste. Përmbajtja e kurrikulës ka njëanshmëri të brendshme që i portretizon vajzat dhe gratë në mënyrë të papëlqyeshme, ose i shpërfill fare si pjesëtare që japin ndihmesën e tyre në shoqëri. Gratë dhe vajzat janë anëtare të seksit më të ulët dhe kufijtë e gjinisë së tyre e kanë cunguar përparimin e tyre. Kuptimet sociale dhe historitë e mashkulloritetit kanë zhvlerësuar gjithçka që është femërore. Kritikët pretendojnë se shumë mësues jo vetëm që nuk përfshijnë studimet e grave, arritjet dhe ndihmesën e tyre, por i trajtojnë vajzat në mënyrë të pabarabartë në klasë. Shumë mësues, madje edhe mësuese, privilegjojnë djemtë, konkretisht duke u dhënë më shumë kohë në klasë për veprim të ndërsjellë. Hulumtues të tjerë kanë vërejtur se testet e standardizuara favorizojnë më tepër djemtë sesa vajzat.33
Sigurisht, ne jemi të bindur se kurrikula e shkollës nuk duhet të jetë seksiste. Megjithatë, vlerësimi i kurrikulës si e tillë përcaktohet nga mënyra si e interpretojnë shkollat gjininë dhe si reagojnë ndaj saj. Ne duhet të kemi kurrikula që i aftësojnë njerëzit të shkëlqejnë, të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre. Nëse është një koncept social, gjinia duhet konceptuar në të mirë të të gjithëve. Gjithashtu, argumentuam se gjinia është e përkufizuar në kuptimin social, megjithëse buron nga njohja që kemi për dallimet midis meshkujve dhe femrave.
Disa mbrojnë idenë se, edhe pse gjinia është e përkufizuar në kuptimin social, në të vërtetë ajo ekziston më parë se kuptimet sociale që i janë dhënë.34 Gjinia është funksion i natyrës sonë biologjike dhe individët e çdo gjinie zotërojnë prirje të caktuara të lindura, për të vepruar e menduar në mënyra të caktuara. Për shembull, vetia e lindur e përkujdesjes vlerësohet si femërore. Nga ana tjetër, agresiviteti është veti mashkullore. Ne kapemi pas vetisë përkujdesëse të femrës dhe i socializojmë femrat për të kryer shërbime që kërkojnë përkujdesje. Në të njëjtën mënyrë, kapemi pas agresivitetit dhe i formojmë meshkujt që të shfaqin veprimtari sociale të përshtatshme për shprehjen e agresivitetit, siç janë sporte të caktuara, ose në mbrojtjen e kombit. Të paktën në veprën e hershme të saj, Karol Gilligan duket të ketë thënë se tek gratë janë të lindura mënyra të caktuara të të menduarit të botës ose të lidhjes me të.35 Ta shprehësh këtë nuk do të thotë të jesh seksist; kjo do të thotë të njohësh një fakt të natyrës. Ajo që duhet të bëjnë specialistët e kurrikulës është të pasqyrojnë njësoj, si mënyrat e njohjes të grave, ashtu dhe mënyrat e njohjes të burrave. Dallimi nuk është problem. Problemi qëndron në mënyrat si vlerësohen dhe stigmatizohen dallimet gjinore. Megjithatë, dallimi nuk është plotësisht i përcaktuar nga prirjet biologjike. Dallimet krijohen nga shoqëria dhe vlerat e tyre caktohen prej saj.
Çështja e trajtimit të gjinisë ashtu siç duhet do të vazhdojë. Dhe kështu duhet. Të jemi të barabartë në trajtimin e gjinisë do të thotë që të dyja gjinitë duhet ta kenë mundësinë e përvetësimit të dijes, duhet që përvetësimi i kësaj dije të sanksionohet me ligj dhe duhet të njohim e vlerësojmë ndihmesën e tyre në përparimin e dijes. Meqenëse në epokën e informacionit dija formohet, shembet dhe rindërtohet, nevojitet të ndërgjegjësohemi se edhe koncepti i gjinisë po pëson modifikim. Disa mund të thonë që gjinia nuk mund të ndryshohet. Sidoqoftë, ne vëmë në dukje se jetojmë në kohëra kur seksin e njerëzve mund ta ndryshojmë fizikisht, ndaj edhe ndryshimi i gjinisë është sigurisht i mundshëm. Tashmë mendimtarët poststrukturalistë po sfidojnë postulatin e një identiteti gjinor të qëndrueshëm, të krijuar nga shoqëria në përgjithësi. Në vend të kësaj, ata propozojnë konceptin e gjinive të ndryshueshme, gjinive të paqëndrueshme, nocionin e veteve të shumëfishta.36 Të dhënat për identitetet e gjinive të paqëndrueshme dhe shenjat e jashtme të gjinisë, janë të bollshme. Në shoqërinë tonë, burrat dhe djemtë me vathë në vesh nuk janë më të pazakontë. Edhe fundet dhe lyerja e thonjve me manikyr nga burrat ka hyrë tashmë. Tani gratë pijnë cigare.
Në epokën tonë të informacionit, po dëshmojmë njohuri të reja, fusha hibride të diturisë dhe teknologji të reja. Këto lehtësojnë krijimin, përpunimin, shfrytëzimin dhe përhapjen e informacionit nga ana jonë. E rëndësishme është që specialistët e kurrikulës të ndërgjegjësohen se informacioni i ri dhe teknologjia e re po prezantohen në një rend shoqëror, politik dhe ekonomik para-ekzistues. Ne nuk mund t’i shpëtojmë faktit që ekzistojmë në kohën e tashme dhe atë në lindje, ku praktikat dhe nocionet e sotme e të shkuara u japin ngjyrë pikëpamjeve dhe sjelljeve tona, në këtë rast për çështjen e gjinisë.
Nuk mohohet që, si më parë ashtu dhe sot, disa njohuri dhe ndonjë përmbajtje e kurrikulës shihen kryesisht si më tërheqëse për burrat se për gratë. Matematika, shkenca dhe inxhinjeria ende shihen nga shumë njerëz si fusha të meshkujve. Po kështu dhe për shkencën e kompjuterit. Ne duhet të bëjmë kujdes dhe të mos u përcjellim vajzave dhe grave mesazhet që përmbajtja e epokës së informacionit dhe teknologjitë saj janë lëme të burrave dhe djemve. Vajzat dhe gratë duhet të mundësohen t’i gjejnë tërheqëse këto lëndë, disiplina e teknologji. Dhe ato vërtet ndjehen kështu kur u jepet mundësia. Kjo nuk do të thotë që ato do të përballen me epokën e informacionit në njënyrë asnjanëse në lidhje me gjininë, madje nuk duhet. Por, nëse dija është pushtet, dhe kështu është, dhe nëse dija do të jetë monedha e së ardhmes, madje është bërë tashmë, atëherë arsimtarët duhet të sigurohen që të gjithë nxënësit, meshkuj e femra, të kenë mundësinë e fitimit të këtij pushteti dhe të shprehive për ta përdorur atë me mençuri në të mirë të vetes së tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Sfidat për trajtimin e shumëllojshmërisë, racës, klasës ose shtresës shoqërore dhe përkatësisë gjinore janë tejet të ndërlikuara, kryesisht sepse raca, klasa/shtresa shoqërore dhe gjinia shkrihen me njëra-tjetrën dhe ndërveprojnë. Në auditorët tanë kemi nxënëse femra, me ngjyrë dhe të shtresave të ulta. Kemi edhe femra që janë me ngjyrë por të shtresës së lartë. Kemi meshkuj që janë me ngjyrë dhe të shtresës së lartë. Siç e shihni, ka përkëmbime të larmishme. Ndoshta problemi kyç për arsimtarët është ndërgjegjësimi se të gjithë jemi anëtarë të grupeve të caktuara etnike, në mos racore: të gjithë jemi anëtarë të klasave, shtresave ose grupeve të ndryshme shoqërore dhe të gjithë kemi identitet si gjinor ashtu dhe seksual. Këto veçori na bëjnë të shumëllojshëm dhe të përveçëm, por tregojnë edhe të përbashkëtën tonë. Pavarësisht nga ndryshimet e veçanta që kemi, ne jemi anëtarë të familjes njerëzore. Mbajtja parasysh e kësaj mund t’i ndihmojë arsimtarët në trajtimin e çështjes së shumëllojshmërisë. Kjo nuk ka qenë asnjëherë një detyrë e vogël, as ka të ngjarë të bëhet ndonjëherë e lehtë.
Do'stlaringiz bilan baham: |